A mund të ndërpritet vërtet “ruta ballkanike” e emigrantëve

9 Mars 2016 - 08:14 - Augustin Palokaj      

Duket si një ide tepër e lehtë të thuhet se, me masat që ndërmerr BE-ja me vendet e Ballkanit, do të mbyllet e ashtuquajtura “ruta ballkanike” e emigrantëve, përmes së cilës kanë ardhur rreth një milion emigrantë në BE vitin e fundit. Ata në BE, që llogarisin në zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi, nuk duhet të harrojnë se kur kanë të bëjnë me shtetet si Turqia, Greqia, Maqedonia dhe Serbia, ajo që merren vesh sot nuk vlen nesër. Dhe ato vende për të gjitha sjelljet e tyre gjejnë gjithmonë arsyetime

Vendet e Ballkanit Perëndimor, të njohura më së shumti për konfliktet e fundshekullit të shkuar dhe për elitë politike që kritikohet për korrupsion dhe për shoqëri, e cila nuk ka dëshmuar ende fuqi që të ndryshojë këto imazhe, së paku për një gjë janë lavdëruar muajve të fundit. Atyre u është shprehur mirënjohje për mënyrën se si janë përballur me valën e madhe të refugjatëve, të cilët kanë kaluar përmes vendeve të tyre. Dhe numri është marramendës, mbi një milionë supozohet se kanë kaluar përmes së ashtuquajturës “rutë ballkanike” për të përfunduar në vendet perëndimore të Bashkimit Evropian, më së shumti në Gjermani e pastaj në Suedi dhe Austri. Për këto shtete kjo ka qenë një sfidë shumë e madhe dhe e kanë kaluar shumë mirë, madje disa në Bruksel do të thoshin “shumë më mirë sesa që realisht kemi pritur prej tyre”.

Vërtet, vendet e ish-Jugosllavisë janë dëshmuar të kenë ndjenja për refugjatë dhe ndaj tyre nuk ka pasur shfaqje të urrejtjes çfarë kemi parë në disa vende të Evropës Lindore, madje edhe në ato ku nuk kanë shkuar fare refugjatët e tillë. Ka disa arsye pse popujt, e me këtë edhe qeveritë e tyre, në Ballkan kanë treguar solidaritet për emigrantët. Për shkak se pothuajse të gjithë popujt e Ballkanit janë popuj me përqindje të madhe emigrantësh në radhët e tyre. Shikojeni vetëm Kosovën. Më shumë ka shqiptarë në vendet e BE-së dhe në Zvicër sesa në Kosovë. Edhe Shqipëria duhet të jetë ndër vendet e rralla në Evropë ku numri i lindjeve të foshnjave është i madh dhe përkundër kësaj popullsia është zvogëluar, në vend që të rritet, prapë për shkak të emigrimit. Nga Maqedonia dhe Serbia po ashtu ka një diasporë të madhe në Perëndim. Nga Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina ka pasur refugjatë gjatë historisë dhe, së fundi, sikur edhe në Kosovë, me qindra e mijëra prej tyre janë larguar nga vatrat e veta për shkak të luftës. Prandaj shumë qytetarë të Ballkanit kur i shohin refugjatët nga Siria apo Iraku ua kujtojnë të kaluarën e tyre jo edhe aq të largët, kur edhe ata kanë qenë refugjatë. Dhe kjo duket se ka qenë arsyeja kryesore e solidaritetit të vendeve të Ballkanit me refugjatët.

Por ka një të vërtetë tjetër. Ai është fakti se të gjitha vendet e Ballkanit e kanë ditur se nuk janë destinacion i preferuar i refugjatëve. E kanë ditur se ata nuk do të duan të strehohen aty, të kërkojnë azil, por destinacion përfundimtar kanë Gjermaninë apo shtetet e tjera. Dhe prandaj vendet e Ballkanit kanë dëshmuar solidaritet ndaj refugjatëve, edhe duke e ditur se secili prej tyre shpesh edhe brenda ditës e ka lëshuar shtetin në të cilin ka hyrë. Në Kroaci numëronin se sa refugjatë kanë hyrë në Preshevë nga Maqedonia dhe e dinin se për tetë apo dhjetë orë po aq do t’i kenë në vendkalimin kufitar mes Serbisë e Kroacisë në qytetin Shid. E Sllovenia po aq do t’i ketë brenda disa orëve në kufirin e saj me Kroacinë dhe po aq për disa orë nga Sllovenia do të kalonin në Austri e më vonë edhe në Gjermani.

Solidariteti ndaj emigrantëve në fakt ka qenë shkelje e rregullave të azilit nga të gjitha shtetet. Kjo sepse rregullat janë strikte, janë jokorrekte dhe në masë të madhe edhe të pazbatueshme. Ato janë miratuar në një kohë tjetër dhe nuk mund të vlejnë edhe sot. Sipas atyre rregullave, që në BE njihen si “Sistemi i Dublinit” përgjegjësinë për refugjatët dhe shqyrtimin e kërkesës së tyre për azil duhet ta ketë shteti i parë i BE-së në të cilin ata kanë hyrë. Sa e padrejtë është kjo mjafton të shihet nga fakti se në këtë rast të gjithë refugjatët do të duhej të mbeteshin në Greqi, Itali, Maltë apo Spanjë. Po ashtu, pos rregullave të BE-së ekzistojnë edhe ligjet ndërkombëtare, sipas të cilave refugjatët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të sigurt në të cilin kanë shkelur. Pra, në këtë rast në Turqi nëse janë nga Siria dhe Iraku. Për këtë arsye BE-ja ka ndryshuar edhe listën e vendeve të sigurta të origjinës, për të pasur mundësi që t’i kthejë jo vetëm shtetasit e atij shteti që vijnë në BE dhe nuk fitojnë azilin, por edhe shtetasit e vendeve të treta që dëshmohet se kanë kaluar përmes territorit të tyre.

Tash BE-ja u ka dërguar porosi vendeve të Ballkanit se duhet të ndërpritet praktika e dërgimit të refugjatëve nga një vend në tjetrin. Dhe kjo, kur të zbatohet, do të duhej ta ndërpriste tërësisht të ashtuquajturën “ruta ballkanike”. Pikërisht me këtë qëllim është organizuar një samit i veçantë në Bruksel ndërmjet BE-së dhe Turqisë dhe një i Këshillit të Evropës ku liderët e 28 shteteve të BE-së bëjnë përpjekje për ta shpëtuar zonën e lirisë së lëvizjes pa kufij brenda Bashkimit Evropian. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka thënë qartë se vetëm kontrolli më i madh i kufijve të jashtëm do të mundësojë ruajtjen e sistemit pa kufij të brendshëm.

Duket si një ide tepër e lehtë të thuhet se, me masat që ndërmerr BE-ja me vendet e Ballkanit do të mbyllet e ashtuquajtura “ruta ballkanike” e emigrantëve, përmes së cilës kanë ardhur rreth një milionë emigrant në BE vitin e fundit. Ata në BE, që llogarisin në zgjidhjen e shpejtë të këtij problem, nuk duhet të harrojnë se kur kanë të bëjnë me shtetet si Turqia, Greqia, Maqedonia dhe Serbia, ajo që merren vesh sot nuk vlen nesër. Dhe ato vende për të gjitha sjelljet e tyre gjejnë gjithmonë arsyetime.

Shtetet nga korridori ballkanik vërtet kanë dëshmuar solidaritet ndaj refugjatëve, por jo edhe aq mes vete. Prej Berlinit, përmes Vjenës, Lubjanës, Zagrebit, Beogradit, Shkupit e Athinës e deri në Ankara, shtetet kanë akuzuar njëra-tjetrën për krizën e refugjatëve. Shpesh konflikti verbal ka qenë përplot tensione, sidomos ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, e tash edhe Maqedonisë dhe Greqisë.

Paradoksi qëndron pikërisht në faktin se vendet e BE-së kanë vendosur t’i ndihmojnë Maqedonisë që të mbyllë kufirin e saj me Greqinë dhe të kufizojë në minimum numrin e atyre që lejohen të hyjnë nga Greqia. Kjo e fundit, duke qenë edhe anëtare e BE-së, edhe e Schengenit, është irrituar shumë dhe madje ka kërcënuar se do të shfrytëzojë të drejtën e vetos për të bllokuar disa vendime në BE. Vërtet, tash për tash me ndaljen e emigrantëve në kufirin e Maqedonisë me Greqinë ka zvogëluar shumë problemin për vendet e tjera në këtë korridor, por ka shkaktuar probleme humanitare në Greqi. Aq më tepër ka zgjuar spekulime për devijim të këtij korridori dhe drejtimi i emigrantëve nga Greqia të bëhet në drejtim të Shqipërisë, prej nga do të mund të vazhdonin ose përmes Malit të Zi, Bosnjë- Hercegovinës dhe Kroacisë, ose të kalonin detin drejt Italisë. Dhe Italia i druan një skenari të tillë.

Sa herë që flitet për problemin e refugjatëve, gjithmonë të gjithë pajtohen se problemi është i madh dhe se ai duhet të zgjidhet sa më parë. Por kur parashtrohet pyetja se kush do të jetë përgjegjës për ta, atëherë mungon solidariteti. Dhe asgjë më shumë në historinë e Bashkimit Evropian nuk e ka vënë në dyshim parimin e solidaritetit mbi të cilin është bërë procesi i integrimeve evropiane sesa problemi i refugjatëve. Nëse vërtet do të ndalet “ruta ballkanike”, situata mund të ndryshojë, së paku barra të lehtësohet. Por problemi asnjëherë nuk do të zgjidhet deri në fund, sepse refugjatët gjithmonë kanë gjetur dhe do të gjejnë rrugë për të kaluar. Nëse jo përmes Ballkanit, atëherë përmes kanaleve të tjera. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...