Bixhozçiu i keq

8 Mars 2016 - 07:40 - Flaka Surroi      

Duken të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme, por jo pa përfunduar procedura para Gjykatës Kushtetuese. E nëse ndodhin, humbësi më i madh me gjasë do të jetë LDK-ja e Mustafës

Të dielën mbrëma e besoj se ka pasur shumë njerëz që kishin vendosur ta përcillnin ceremoninë e ndarjes së Oscarëve (me gjithë përkthimin irritues), me shpresën se “Shok” do të fitonte në kategorinë e vet. Ishte dëshpëruese kur u dëgjua emri i filmit tjetër, që kush s’e kishte përmendur e as që e kishte mbajtur në mend. Por ky do të ketë qenë njëri nga dëshpërimet që megjithatë ngjallën një gëzim: se Kosova po përfaqësohej denjësisht, me një imazh krejt tjetër para syve të të gjithë botës. Nuk pati ambasadorë më të mirë sesa djemtë simpatikë, Lumi dhe Andi – ata që e përfaqësojnë brezin që vjen. Ata që do të duhej ta gëzonin Kosovën e pavarur dhe sovrane në kuptimin e plotë të fjalës. Kosovën shtet të mirëfilltë, të liruar nga bagazhi i krimit e korrupsionit, të gjykatave speciale dhe të demokracisë fals e të politikës së inatit.

Labirinti i LDK-së

Por nuk dyshoj se edhe brezi i këtyre djemve krejt shend është infektuar nga budallallëqet e politikanëve me tituj të lartë shkencorë, që e kanë rrëzuar nivelin e komunikimit në një diçka më zi se fjalor i rrugëve. Menjëherë pas zgjedhjes së Thaçit kryetar, i pari reagoi ish-kryetari i Kuvendit, që e lëshoi kolltukun e deputetit për t’i gëzuar privilegjet që i takojnë si ish-shef i Parlamentit, me një provokim, pre e të cilit ra kryeministri. Ky, duke e pasuruar fermën e shtazëve që ka nisur ta krijojë, e bëri prapanicën e kalit objekt diskutimi. Ish-kryekuvendari ia ktheu me një pyetje që nuk qe retorike – dhe kështu përmbylli një “dialog” fejsbukian të neveritshëm që veç sa e dëshmon se nuk ka Kosova si të jetë ndryshe, nëse të këtillë i ka politikanët.

Ndërkohë, Thaçi dha dorëheqje nga posti partiak dhe e la ushtrues detyre të shefit të partisë Mr. Ktynë. Kjo, natyrisht, nga përkrahësit e “politikës institucionaliste” të LDK-së u interpretua si fitore: me veprimin e tyre, ia dolën ta heqin nga Ekzekutivi atë që i kishte mundur në tri palë zgjedhjet e fundit nacionale. Gjithashtu i ushqeu edhe me iluzionin se PDK-ja tash do të dobësohet, nën udhëheqjen e Veselit, dhe se deri më 2018-n LDK-ja do të forcohet aq sa për ta marrë pushtetin vetë.

Porse, mbase, nuk po duan të kuptojnë se Thaçi është duke i futur në grackë edhe më të thellë me veprimet e veta. Me shkuarjen e tij nga posti i zëvendëskryeministrit të parë, lë të hapur mundësinë që të zëvendësohet nga Hajredin Kuçi në atë post, e që ky, nga ana tjetër, ta lirojë Ministrinë e Drejtësisë dhe këtë t’ia “falë” dikujt të LDK-së. Me këtë lëvizje i shënon dy fitore: një, e mban njeriun e vet të besimit në Ekzekutiv, për ta kontrolluar Mustafën, dhe dy, ia hedh prushin në dorë LDK-së, duke e ngarkuar me detyrën e luftimit të krimit. Kjo, ngase LDK-ja ka nën kontroll Ministrinë e Brendshme, e së shpejti mund të bëhet edhe me Drejtësinë – hetuesia, gjykatat dhe Shërbimi Korrektues, pra aparati i dhunës shtetërore dhe gjyqësia. Kështu, të zezat që i ka bërë PDK-ja deri në çastin kur është zgjedhur Thaçi kryetar, do të vazhdojë t’i bëjë, kurse fajet se pse nuk zihet, do t’ia lë LDK-së “institucionaliste”, që zor se do të shënojë ndonjë sukses në këtë drejtim. Dhe kështu do t’i lajë duart.

Frakturat në LDK

Natyrisht se zgjedhja e kryetarit para një jave tregoi se brenda në LDK ka mospajtime, me gjasë të mëdha, lidhur me linjën politike të zgjedhur nga Mustafa. Do të ketë jo pak pakënaqësi te votuesit që e votuan LDK-në mbi bazën e premtimeve se s’do të hyhej kurrë në koalicion me PDK-në, e që u bënë dëshmitarë të tradhtisë së votës së tyre, kur mu e kundërta ndodhi. Plasaritjet e para u vërejtën menjëherë që në reagimin e parë, sërish të pamatur, të kryeministrit në Fejsbuk, ku i kritikoi pesë mosvotuesit për shmangie nga disiplina partiake. Me tone kërcënuese, sepse duket se ndryshe nuk di, pothuajse ua premtoi përjashtimin nga partia. Që nëse e bën, do të jetë autogoli i radhës që do t’ia bënte vetes dhe partisë së tij.

Nëse mbështetemi mbi atë që po e thotë ai dhe të gjithë ministrat e vartësit e tij të tjerë, ai është i bindur se do ta përfundojë mandatin më 2018, për shkak se më s’do ta ketë aty pranë kryeministrin e Jashtëm për t’ia diktuar veprimet. Por e ka shumë gabim, ngase tash Thaçi nga kolltuku i kryetarit është në pozitë shumë të mirë për t’ia ndalur secilin ligj e secilin vendim, nëse ky i fundit e beson se nuk i shkon për shtati atij dhe partisë së tij. Ngase ajo që e tha në fjalimin para deputetëve pasi u zgjodh, është retorikë e pastër dhe porosi se do ta bëjë mu të kundërtën, sikurse deri tash: Ju siguroj që do të punoj gjithmonë në shërbim të vendit, në shërbim të të gjithë qytetarëve, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Duke punuar për rend e ligj, duke iu shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallime, për të ndërtuar Kosovën evropiane”.

Se sa ka punuar në shërbim të vendit dhe duke e respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës e ka dëshmuar me të gjitha shkeljet që ua ka bërë akteve juridike. Pa shkuar më larg, do të mjaftojë të përmendet Marrëveshja e Brukselit, të cilën e nënshkroi me Daçiqin në prill të 2013-s. Pasojat e saj do t’i ndiejmë në lëkurën tonë edhe shumë gjatë, pos nëse i gjendet një zgjidhje politike ndërkohë.

Elementin tjetër, të cilin Mustafa mbase nuk e bën hesap, është se e ka dobësuar aq shumë LDK-në, saqë PDK-ja e ka shansin ideal për t’u bërë edhe me Kryeministrinë po qe se ka zgjedhje të parakohshme tash. E çelësi i zgjedhjeve është në duart e Veselit, i cili mund t’i urdhërojë deputetët “e tij” që t’ia votojnë mosbesimin Mustafës, për çfarëdo arsyeje banale, dhe ta rrëzojnë Qeverinë. Veseli do të ishte në krye të listës zgjedhore, natyrisht, dhe nëse merren për bazë rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, do të kalojë në pozicionin e politikanit më të votuar, ngase vota për partinë me automatizëm i përshkruhet bartësit të listës.

Në këso situate, nuk është fare larg mendsh që një fraksion i LDK-së të formohet shpejt e shpejt, posaçërisht me degët kundërshtuese të politikës së Mustafës, dhe që ky të përpiqet të bëjë atë që Mustafa kurrë nuk diti ta bëjë: t’i joshë pjesëtarët e shoqërisë civile, qoftë si aderues, qoftë si listë e pavarur, që të garojnë së bashku dhe të krijojnë një front opozitar kundër PDK-së. E në këtë skenar, LDK-ja do t’i kthehet diskursit të vjetër “kurrë më me PDK-në”, ku më të zëshmit do të jenë ata që e mbrojnë veprimin e 26 shkurtit në emër të “mbrojtjes së Republikës” dhe të ruajtjes së koalicionit pikërisht me PDK-në. Por atëherë do të jetë vonë, dhe askush nuk do t’i besojë më, për shkak se lidershipi i LDK-së i ka hëngër fjalët e veta për rehati të vetën personale.

Por, është fakt i dëshmuar në Kosovë qe sa vjet, që fraksionet zakonisht nuk prosperojnë, sepse u mungon baza, e mbi të gjitha, u mungojnë paratë. Pos, nëse ndodh ndonjë mrekulli, e që më parë nuk e zbulon SHIK-u për ta prishur.

Opozita që e humbi momentumin

Në këtë ambient, partitë opozitare po insistojnë që zgjedhjet e reja të mbahen sa më shpejt, porse pa ofruar qartazi ndonjë platformë se si do të ndryshojë Kosova, po qe se ata do të vinin në pushtet.

Mbledhja prej zorit e tri partive opozitare, që nuk kanë shumëçka të përbashkët as ideologjikisht e as në aspektin e programit, hëpërhë pasqyron 30 deputetë prej të cilëve gati gjysma do të mund të përballen me burgun. E të cilët do të mbahen në mend për shkak të kundërshtimit të zëshëm të Zajednicës dhe demarkacionit me Malin e Zi, që nuk kulmoi me gazin lotsjellës, por me koktejet molotov që u hodhën pas zgjedhjes së Thaçit. Se pse u janë dashur shishet me benzinë për të kundërshtuar një gjë që varej nga prishja e kuorumit më shumë se çfarëdo tjetër, mbetet e paqartë.

Sido që të jetë, edhe po të kishte zgjedhje të parakohshme, vështirë se opozita e bashkuar do të mund të mblidhte më shumë vota seç ka fituar bashkë në zgjedhjet e kaluara, nëse nuk ndërron diskurs dhe nëse nuk sjell fytyra të reja, sikurse te rasti i LDK-së. Nëse nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë për vete një listë qytetarësh të pavarur, të pakomprometuar, e të cilët në asnjë formë nuk identifikohen me Haradinajn, shumica e deputetëve të të cilit e kanë votuar ratifikimin e marrëveshjes së prillit, dhe Limajn, që e ka nënshkruar kontratën për autostradën e shumëpërfolur, zor se do të mund të ecin para. Madje, shumë vështirë do të mund të ecin para nëse për bartës liste do ta vendosnin ndonjërin nga liderët aktualë apo të kaluar. Pavarësisht sentimentit.

Në pritje të Kushtetueses

Opozita i është drejtuar Kushtetueses për ta kontestuar zgjedhjen e Thaçit – porse më duket se edhe ata vetë janë të bindur se prej kësaj pune nuk do të ketë asgjë. Kushtetuesja prejse është themeluar është treguar vegël e dobishme në shërbim të Thaçit dhe interesave të tij. E shumë zor se tash do të ndërrojë drejtim. Por, nëse ndodh mrekullia, dhe Kushtetuesja ia jep interpretimin e duhur aktgjykimit të vet, ku ka kërkuar që në seancë të marrin pjesë 120 deputetë kur zgjidhet kryetari i shtetit, Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme.

Te rasti Pacolli, Kushtetuesja mori 35 ditë për të vendosur. Të shohim sa kohë do t’i nevojitet në këtë rast. Ajo që është shumë e sigurt është se koalicioni aktual qeveritar nuk do të bjerë derisa të mos ketë verdikt të Kushtetueses. E këtë e di edhe opozita, meqë e ka caktuar protestën e ardhshme më 26 mars – në përvjetorin e 35-të të Demonstratave të ’81-s, që shënuan edhe nisjen e shpartallimit të ish-Jugosllavisë. Po qe se edhe atë ditë opozita ia del ta replikojë protestën e 17 shkurtit dhe ta përfundojë pa dhunë, do ta kthejë hapin e humbur, për shkak se do të dëshmojë aftësi mobilizimi të masave që i përçojnë një porosi shumë të qartë kësaj Qeverie se kemi shumë telashe dhe se gjërat s’po shkojnë mirë. E që pjesë e madhe e këtyre telasheve është pikërisht koalicioni PDK-LDK, tash me Mustafën në krye.

Zgjedhjet e parakohshme duken të jenë të pashmangshme, dhe partia që ka më së shumti gjasa të humbë është LDK-ja. Për shkak se është dëshmuar bixhozçi i keq.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...