Antipodët e Rugovës

6 Mars 2016 - 08:00 - Agron Bajrami      

Sjellja dhe paraqitja e Ibrahim Rugovës i ka dhënë LDK-së aurën e një partie të qytetëruar, tolerante, properëndimore, demokratike, edhe nëse një pjesë jo e vogël e njerëzve të saj, edhe në kohën e Rugovës, ishin gjithçka pos demokratë! Dallimi sot është se të tillët janë në krye të partisë!

Me gjithë presionet opozitare dhe kundërshtimit nga një pjesë jo e vogël e shoqërisë, Qeveria PDK-LDK e zgjodhi Hashim Thaçin president dhe mbijetoi, së paku, përkohësisht. Tani, një lloj qetësie – si para shtrëngatës - e ka përfshirë skenën politike.

Opozita, pas pamundësisë të ndalë zgjedhjen e Thaçit, është e detyruar ta rimendojë strategjinë e vet, posaçërisht kundërshtimin me molotov e gaz lotsjellës, që jo vetëm se nuk u ka sjellë rezultatet, por edhe shkakton irritim tek shumë qytetarë, të cilët janë për kundërshtim të Qeverisë, por jo me mjete të dhunshme.

Në anën tjetër, edhe partnerët në Qeveri tashmë kanë nisur të merren me pasojat e daljes së kreut të PDK-së në Presidencë.

PDK-ja po lëviz shpejt për të plotësuar hendekun e madh që lë Thaçi në parti, por edhe për të deleguar njerëz në Ekzekutiv, ku largimi tashmë i ish-zëvendëskryeministrit të parë ka lënë hapësirë për rokada të ndryshme, të cilave vetë Thaçi ua ka lënë emrin “riformatim”.

Edhe LDK-ja, si partnere qeverisëse, është e përfshirë në riformatimin e lartcekur, por kjo nuk është çështja kryesore me të cilën po merret partia e kryeministrit Mustafa, sepse partia është goditur nga vala e re e pakënaqësisë së brendshme për shkak të votimit të Thaçit në ulësen e presidentit të vendit.

* * *

Konfirmimi më i sigurt që nuk ka rehati në LDK janë reagimet plot nervozë që shfaqen nga përfaqësuesit e linjës zyrtare të kësaj partie, sa herë që kritikohet ajo.

Sa më shpesh që krerët e LDK-së insistojnë se ata po e vazhdojnë “traditën shtetndërtuese dhe institucionaliste” të partisë, dhe se gjithçka bëjnë “për hir të shtetit”, aq më shumë njerëz nuk u besojnë!

Dhe kjo, me arsye.

Sepse jo fort moti, të njëjtët mbanin qëndrime të kundërta prej atyre që kanë sot. Ishin kategorikisht kundër koalicionit me PDK-në – tani e bënë. Ishin kategorikisht kundër politikanit Thaçi – e ngritën në shkallën më të lartë institucionale e politike të vendit. Kritikonin qeverisjen e PDK-së për korrupsion, nepotizëm, hajni, krim - e tani vetë janë përfshirë në qarkun që dikur e denonconin!

Tani, përkrahësit e mbetur të LDK-së argumentojnë se edhe në kohën e Ibrahim Rugovës dhe Fatmir Sejdiut, LDK-ja ishte ndryshe – ata thonë, me të drejtë, se edhe më parë LDK-ja ka hyrë në koalicion me PDK-në dhe e ka ngritur Thaçin në krye të Qeverisë.

Por, për dallim nga Mustafa, Sejdiu deri diku e Rugova në çdo rast, u janë shmangur premtimeve që nuk mund t’i mbajnë, dhe nuk e kanë pasur zakon të thonë: “Nuk bëjmë koalicion me Thaçin dhe PDK-në!”

Për më tepër, Ibrahim Rugova, me gjithë mangësitë që padyshim i ka pasur, asnjëherë nuk ka përdorur gjuhë kundërshtuese ndaj ndonjë subjekti politik apo individi shqiptar, edhe nëse intimisht ka menduar ashtu. Rugova kurrë nuk e ka fyer askënd, edhe nëse shumëkush e ka merituar të fyhet prej tij. Në asnjë moment, në asnjë deklarim, madje as kundër armiqve të vendit, Rugova nuk ka përdorur fjalë ofenduese dhe gjuhë të urrejtjes.

Me Fehmi Aganin në krah, Rugova në të gjitha aspektet publike të ekzistimit të tij politik e shoqëror, ishte e kundërta e asaj që shohim sot në krye të LDK-së. Apo thënë më saktë: këta që sot janë në krye të LDK-së janë antipodi i Rugovës!

Sjellja dhe paraqitja e Rugovës i ka dhënë LDK-së aurën e një partie të qytetëruar, tolerante, properëndimore, demokratike, edhe nëse një pjesë jo e vogël e njerëzve të saj, edhe në kohën e Rugovës, ishin gjithçka pos demokratë!

Dallimi sot është se të tillët janë në krye të partisë!

Sigurisht nuk mund të themi se gjithçka ndodhi prej se erdhi Isa Mustafa për kryetar të partisë! Perceptimi për një LDK të idealizuar ka nisur të zbehet, dhe përfundimisht të zhduket, qysh në ditët dhe muajt e parë pas vdekjes së Rugovës, ndërsa imazhi u dëmtua rëndë pa u bërë një vit nga vdekja e tij, në atë që njihet si “Kuvendi i karrigeve”. Kryesimi i partisë nga Sejdiu vetëm sa e çimentoi imazhin e ri të LDK-së - imazhin e një partie në tkurrje, pa aspirata, që dorëzohet pa luftë para PDK-së në rritje; LDK-ja nga viti 2007 nuk është më partia më e madhe në vend, rënie kjo që vazhdimisht është konfirmuar në të gjitha zgjedhjet parlamentare prej atëherë.

Sot eksponentët që përfaqësojnë linjën zyrtare të LDK-së insistojnë se krahasuar me periudhën e Sejdiut (e edhe me atë të Rugovës), partia po korr sukses, meqë koalicioni i vitit 2014 me PDK-në i ka dhënë asaj postin e kryeministrit për herë të parë prej luftës me gjithë faktin se nuk ishte fituese e zgjedhjeve. Por qeverisja e Mustafës dhe LDK-së, në dy vjetët e fundit, nuk ka dhënë asnjë argument që bind se ata e përdorën pushtetin e fituar për diç me shumë se sa rehatim të luajalistëve partiakë në pushtet e nëpër poste. Ndërsa, arsyetimi se punët nuk po ecin mbarë për shkak të sjelljeve të opozitës – bllokimit, gazit lotsjellës, molotovëve dhe dhunës - në esencën e vet, vetëm sa e konfirmojnë pafuqinë e Qeverisë dhe kreut të saj.

Në fund të fundit, qytetarët kërkojnë që vendin ta udhëheqë dikush që kryen punë, dhe jo dikush që kërkon arsyetime për punët e pakryera!

* * *

Dikush mund të thotë – sikur që edhe ka ndodhur të thonë – se LDK-ja nuk ka nevojë për këshilla se si duhet të veprojë ajo, sidomos jo prej njerëzve që kurrë nuk kanë qenë në LDK, apo që e kanë kritikuar vazhdimisht!

Në një shtet totalitar, edhe do të kishin të drejtë.

Por, meqë Kosova, për aq sa e dimë, ende e mban veten demokraci ku fjala dhe mendimi i lirë janë të garantuar, ndërsa kritika ndaj Qeverisë dhe zyrtarëve që udhëheqin vendin është e dëshiruar, LDK-ja duhet të mësohet të përballet me kritikat që po i bëhen.

Sepse, për aq sa nuk është shoqëri private e mbrojtur nga ligji për privatësinë, LDK-ja, sikur edhe të gjitha partitë tjera, është përgjegjëse për veprimet e veta para të gjithë qytetarëve, jo vetëm votuesve të vet, dhe e ka obligim të përballet me kritikat që i bëhen.

Dhe kur nuk i pëlqejnë kritikat, do të ishte e udhës t’i kthehet mënyrës si Rugova u përgjigjej: pa fyerje e demonizime.

agronb@kohaditore.com 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...