Leksionet e pamësuara

5 Mars 2016 - 09:46 - Adriatik Kelmendi      

Leksioni më i madh i këtyre ditëve do të duhej të shërbente: Pa riorganizim thelbësor opozitar, Thaçi vetëm sa do të konsolidohet dhe s'do të na bëjë hesap të gjithëve edhe shumë e shumë vjet! Këto mëkate do t’i kemi ekskluzivisht dhuratë nga kjo mënyrë e opozitëbërjes.

ËSHTË NJË MENDIM i përhapur se çfarëdo gabimi që të bëjë opozita, ai nuk mund të krahasohet me gabimet e një qeverie. Kjo është bukur e saktë, kur kemi parasysh se Qeveria ka pushtet real ekzekutiv që ndikon në jetët e qytetarëve, kurse opozita bën përpjekje që të vijë në pushtet që të ndikojë në jetët e qytetarëve.
Mirëpo, në të njëjtën kohë, një opozitë që me gabime ia zgjat jetën një pushteti të gabuar, a i bie se po kryen gabim të dyfishtë?

Besoj se gabimet e pushtetit e kanë shansin ideal të ndëshkohen me votën e qytetarëve në zgjedhje. Por nëse gabon opozita, ky ndëshkim mund të mos jetë i mjaftueshëm për të bërë ndryshimin. Nëse opozita dështon të ofrojë alternativën reale për ndëshkimin e pushtetarëve, ajo vetëm sa e fuqizon pushtetin e gabuar, meqë relativizon përgjegjësinë dhe llogaridhënien.

ODISEJA E PALAVDISHME që e përcolli votimin e presidentit të Kosovës do të duhej të kuptohej si një ndër alarmet e fundit se metodat e fundit të përzgjedhura nga opozita për ta luftuar pushtetin nuk po sjellin rezultatet e dëshiruara.

Nëse qëllimi ishte luftimi i asaj që po përkufizohet si kapje e shtetit nga Thaçi dhe PDK-ja, atëherë kjo kapje vetëm sa është konsoliduar tashmë. PDK-ja tash ka postin e presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe shumicën e resorëve ministrorë në Qeveri.
Derisa mund të thuhet se opozita e bashkuar me metodat e fundit ia ka dalë t’i faktorizojë dy marrëveshjet, atë për Asociacionin dhe atë për Demarkacionin, ajo po vazhdon ta defaktorizojë vetveten.
Nuk mund të kthehet në mjet të zakonshëm politik hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend dhe as hedhja e koktejeve të molotovit jashtë Kuvendit.

Nëse argumenti i opozitës është se ata që kanë votuar PDK-në dhe LDK-në nuk i kanë votuar ata për të nënshkruar këtë marrëveshje Asociacioni, ose këtë marrëveshje Demarkacioni, as votuesit e LVV-së, AAK-së dhe të NISMËS nuk i kanë votuar këta për të hedhur dhjetëra herë gaz lotsjellës ose për të hedhur molotov.
Në këtë frymë, çdo votues i zhgënjyer me këto lëshime të koalicionit qeveritar po barasvlerësohet me votuesit e zhgënjyer me dhunën.
Për më tepër, përveç qytetarëve, edhe përfaqësuesve të BE-së dhe shteteve mike të Kosovës po iu jepet panevojshëm hapësira që t’i amnistojnë lëshimet e Qeverisë, sado të dëmshme që janë ato, meqë nuk po kanë çare pa i dënuar metodat e dhunshme të opozitës.

Kjo u pa edhe me mbylljen e syve përpara intervenimit brutal kundër deputetëve opozitarë në seancën e votimit të Thaçit president.

PSE, PËR SHEMBULL, opozita e bashkuar nuk ndërmori hapa konkretë në lobim dhe ndikim te deputetët e LDK-së, në mënyrë që t’i bindnin ata që mos ta votonin Thaçin për president, ose edhe të kishin një kandidat të përbashkët?

Është ditur tash e 15 muaj se Thaçi është kandidat për president i koalicionit qeverisës, që ka mbi 2/3 e deputetëve në Kuvend. Me një qasje të arsyeshme, fare nuk do të ishte e vështirë që të gjendeshin deputetë të LDK-së që më shumë kënaqësi do ta votonin një kandidat tjetër për president, ose që nuk do të ishin fare në sallë për të siguruar kuorumin. Mirëpo u dëshmua se strategjia e kolegëve të tyre nga opozita ishte t’i poshtërojnë, ofendojnë e tallin deputetët e LDK-së në mënyrë që t’i dekurajojnë ata në këtë votim.

Rezultati: Thaçi u votua si president me kuorum dhe vota të LDK-së.
Fitore e kujt është kjo, e pushtetit apo e opozitës?
Metoda e opozitës dështoi plotësisht. Opozita harronte se në politikën kosovare, siç e kemi parë në të gjitha rastet deri më tash, të gjithë mund të bëhen bashkë me të gjithë, e kjo vlen edhe për këta që tash janë bashkë në pushtet e edhe për ata që tash janë bashkë në opozitë. Vetë Rugova ishte bërë president edhe me votat e PDK-së e AAK-së, kurse Bajram Rexhepi me votat edhe të LDK-së. Rugova e kishte bërë kryeministër Haradinajn. Fatmir Sejdiu e kishte bërë kryeministër Thaçin. Në të njëjtën kohë, Rugova dhe të tjerët afër tij bënin me gisht nga elementë të PDK-së e AAK-së së atëhershme (që i bie edhe elemente të LVV-së dhe NISMËS së sotme) për vrasje të aktivistëve të LDK-së gjatë dhe pas luftës.

Metoda e ripërmendjes së vrasjeve të pandriçuara politike qartazi nuk ua ndërroi mendjen deputetëve të LDK-së, të cilët duket se më të freskëta i kishin skenat e atyre që po ua hidhnin gazin lotsjellës në seancë.
Dhe në fund, si duket te LDK-ja funksionoi kërcënimi: A të votohet Thaçi për president, apo të shkohet në zgjedhje, pa siguri se Mustafa do t’i fuste në lista kandidimi dhe të armiqësuar e poshtëruar nga opozita?
Fakti është se opozita dështoi në këtë drejtim. Thaçi u votua si president edhe me votat e LDK-së dhe debati për vrasjet politike do të vazhdojë si dhe më parë.

OPOZITA E BASHKUAR duket se lëshoi shansin më të madh të kapitalizimit pas protestës së 17 shkurtit.
Pjesëmarrja në protestë ishte madhështore, u protestua pa asnjë gjest dhune. Thaçi e Mustafa dështuan me kërcënimet që i bënë kundër liderëve të opozitës dhe protestuesve. Fitorja e opozitës ishte 8 me 2, meqë paraprakisht opozita kishte përmbushur edhe dy objektiva:
E para, Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë mundësinë që Asociacioni/Bashkësia... të themelohet në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

E dyta, Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi duhet të rishqyrtohet.
Kjo temë tashmë e kishte tejkaluar Kuvendin e Kosovës.
Opozita do të mund të vazhdonte të kërkonte me protesta si ajo e 17 shkurtit dorëheqjen e Qeverisë, nëse kjo e fundit nuk i përgjigjet, mirëpo nuk kishte më nevojë që të bllokonte seancat e Kuvendit të Kosovës, meqë ka shumë çështje të tjera që kërkojnë që të debatohen e shoshiten, si dhe shumë ligje të miratohen në këtë Kuvend.
Kërkesa për dorëheqjen e Qeverisë dhe funksionimi i Kuvendit do të duhej ndarë nga njëra-tjetra.
Mirëpo, opozita e bashkuar vendosi të vazhdojë me gaz në seancën e radhës së Kuvendit dhe e ktheu përparësinë në rezultat 0:0.

Pasuan edhe ripërsëritja e dënimit të akteve të dhunës në Kuvend nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. U zvetënua edhe vetë protesta.
Njëjtë ndodhi edhe me koktejet e molotovit, që policia i gjeti në kampin e opozitës dhe hedhja e tyre në drejtim të policisë dhe ndërtesës së Kuvendit.

KOKTEJI I MOLOTOVIT asnjëherë nuk do të mund të sjellë vota për ndonjë parti politike. Me koktej të molotovit mund edhe të digjet ndërtesa e Qeverisë ose e Kuvendit, ose edhe të vritet dikush, por në fund sërish duhet shkuar në zgjedhje dhe duhet kërkuar vota e qytetarit për të hyrë në atë ndërtesë Kuvendi, ose për ta bërë një qeveri.

Leksioni më i madh i këtyre ditëve do të duhej të shërbente: Pa riorganizim thelbësor opozitar, Thaçi vetëm sa do të konsolidohet dhe s'do të na bëjë hesap të gjithëve edhe shumë e shumë vjet!
Këto mëkate do t’i kemi ekskluzivisht dhuratë nga kjo mënyrë e opozitëbërjes.

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...