Hashim Thaçi pragmatik, i dhunshëm, i panjohur…!

4 Mars 2016 - 08:19 - Halil Matoshi      

Ish-drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, pas 26 vjetësh në politikë të lartë, prek majat e pushtetit. Ai është zgjedhur kryetar shteti me 71 vota të përfaqësuesve të popullit. Mund të ketë ndonjë problem të vogël në përmbajtje dhe në procedurën e zgjedhjes dhe mund të ketë ndonjë problem më të madh me votuesit, mirëpo kjo nuk shpjegon asgjë, për faktin se ai gjithnjë del si njeriu më i votuar në vend, që nga viti 2007! Ky është një kontribut për profilin e tij politik…

Për një dekadë Thaçi mbizotëron skenën zyrtare politike kosovare, pa i dhënë asaj pothuajse asgjë, pos disa retorikave shpesh etnonacionaliste (“Shkupi është kryeqytet i shqiptarëve”), të pakuptimta (“vota në UNESCO ishte sukses i madh, por nuk arritëm të anëtarësohemi…”) apo edhe raciste (“neve nuk na duhen njohjet jocilësore”) dhe luftënxitëse (“ne ju pritëm… ju nuk erdhët, por ikët më bisht ndër shalë…!?)

Dhe natyrisht duke i servuar asaj shumë vuajtje…

Ky është Hashim Thaçi qysh e njeh publiku kosovar, me pak fraza politike të mësuara përmendësh, agresiv e shtihan, porse ai është njeri i avanskenës.

I panjohur…

“I ndërtuar” nëpër ingranazhet e shërbimeve të fshehta duke nisur nga Sigurimi i Shtetit shqiptar e deri te pandehma se ka punuar për Shërbimin Sekret francez, Hashim Thaçi i kishte mposhtur të gjithë rivalët e vet që nga Parlamenti Studentor, kur ishte student në Prishtinë, e deri tek ata në Lëvizjen për Republikën e Kosovës (LPK) në Perëndim, (Ibrahim Kelmendin, Azem Sylën, Xhavit Halitin, Xhafer Shatrin), për t’i mënjanuar edhe prijësit e kësaj lëvizjeje në vend (Ukshin Hotin (i zhdukur në Burgun e Dubravës), Behajdin Hallaçin, i zhdukur nga Zyra e Drejtorisë së UÇK-së, sipas Xhafer Shatrit), etj.

Çka e shquan Thaçin në raport me rivalët politikë dhe çka e karakterizoi zgjedhjen e tij për president të Kosovës?

Pragmatizmi i tij!

Ai kurrë nuk hezitoi t’i tradhtonte bindjet politike nga prizmi majtist, duke u rreshtuar dhe duke kryer punë për Perëndimin, sepse pos idesë së pushtetit personal, ai as atëherë dhe as sot nuk ka bindje të theksuara politike!?

Porse, ai nuk hezitoi t’i tradhtonte edhe “shokët e idealit” – pra ai po shkelte pa iu dridhur qerpiku mbi kufoma, jo vetëm politike!?

Kjo, gjithnjë sipas ish-shokëve të tij të LPK-së.

Në raport me rivalët, Thaçi është fuqizuar duke qenë njeriu i ri i Sigurimit në LPK, sepse këtë strukturë politike në vitet ’90 e kishte prekur sektarizmi, zhvatja e parave të mbledhura nga emigracioni, përçarja dhe lufta lideriste.

Ashiqare, dalja në skenë në Prishtinë e Ibrahim Rugovës dhe e lëvizjes së tij, Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe e alternativës kosovare si vistër grupesh e partish politike që artikulonin kërkesat e qytetarëve shqiptarë të Kosovës, e kishte dërrmuar LPK-në dhe pothuajse e kishte nxjerrë nga historia.

Tashmë po ndryshonte diskursi politik, njerëz të ditur e të pajisur me frymë të re e demokratike politike po i mahnitnin masat popullore me guximin, edukatën dhe kërkesat e qarta politike.

Kështu që LPK-së nuk i mbetej tjetër pos t’i thellonte aktivitetet klandestine jashtë dhe në atdhe, deri në themelimin e UÇK-së si krah i armatosur i saj.

Këtu gjërat nisin të ndërrojnë.

E kjo ndodh pasi që LDK-ja nis të stërkeqet nga burokracia e brendshme dhe në mungesë të ideve koherente politike, kurse në planin e jashtëm Konferenca e Paqes në Dayton (1995, Ohio) nuk e zë në gojë fare çështjen e Kosovës.

Kthimi i herëpashershëm i Hashim Thaçit në vend dhe ngritja e tij në postin e drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së e fuqizon atë deri në përmasat e heroit, pa e shkrepur asnjë plumb të vetëm kundër forcave serbe të sigurisë.

Në ndërkohë që luftëtarët e denjë për lirinë e Kosovës rripeshin duke bartur me krahët e tyre armatime nga Shqipëria, por edhe binin në prita një nga një, brenda në Shqipëri si Ali Uka, pastaj Adrian Krasniqi e deri tek koloneli Ahmet Krasniqi; pastaj në kufi me Shqipërinë (grupi i Mujë Krasniqit), brenda Kosovës (Adem Jashari me familjen e tij të gjerë; Grupi i Rogovës së Hasit; Zahir Pajaziti me Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhën; Luan e Shkëlzen Haradinaj;

Sali Çekaj; Hyzri Talla me Afrim Maliqin e Ilir Durmishin në Prishtinë dhe Agim Ramadani në operacionin “Shigjeta” kur u thye kufiri…)

Pas çlirimit (10 qershor 1999), vrasjet e pasluftës, të influencuara politikisht, sefte, dhe së dyti rikthimi i Rugovës në atdhe, sikur ia hoqën aurën e çlirimtarit Thaçit, i cili duhej ta rimendonte karrierën e tij politike.

Shërbimi Sekret i UÇK-së (SHIK) nën drejtimin e Kadri Veselit, por nën përkujdesjen e vetë Thaçit, pasi kishte akumuluar shumë para dhe kishte rekrutuar shumë njerëz, nisi t’i ndërronte taktikat dhe praktikat politike.

Nga vrasjet e kundërshtarëve politikë me atentate dhe nga shantazhet, njerëzit e SHIK-ut filluan të pajtoheshin me njerëzit që kishin njëfarë ndikimi në shoqëri, duke i joshur ata qoftë me para, qoftë me premtime postesh partiake e shtetërore, helbete nëse PDK-ja vjen në pushtet.

Ndërkohë që LDK-ja vazhdon t’i jetojë ditët më të këqija të saj, e byrokratizuar dhe e stërkequr për faqe të zezë, kur ministër mund të bëhej secili bandit që njihej me familjen e Ibrahim Rugovës, ose edhe provincialistë që nuk shquheshin për ndonjë dije politike pos servilizmit ndaj Rugovës dhe demagogjisë e retorikave koti politike.

Megjithatë, Rugova si fitues i zgjedhjeve të vitit 2004 ia jep postin e kryeministrit PDK-së, sepse nuk po gjente aleatë për ndërtimin e Qeverisë, mirëpo me kusht që kryeministër të mos jetë Thaçi, por mjeku Bajram Rexhepi.

Në mars të 2004-s, për t’iu shmangur ose me intencën për ta neglizhuar Tribunalin e Hagës, shqiptarët kosovarë nën regjinë e SHIK-ut, për pak ditë nga viktima u shndërruan në turma të verbuara që përlanin çdo gjë që u dilte përpara dhe u desh të dilte KFOR-i në rrugë me tanke, sepse HTH po imponohej para faktorit ndërkombëtar si i vetmi njeri që mund ta rikthejë paqen.

Dhe për analogji, pak ditë para marsit 2016, sërish atij i shkon për shtat dhuna, para se të nisë të funksionojë Gjykata Speciale.

Besohet se pasi vendi të jetë buzë greminës, HTH do të imponohet si i vetmi njeri që mund t’i rikthejë paqen dhe stabilitetin në vend.

Ky njeri në politikë mbijeton vetëm përmes dhunës dhe krizave politike.

Shkaktimi i krizave (që përcillen rëndom me shumë vuajtje për qytetarët), kjo është strategjia e tij.

Porse krijimi i Qeverisë në hije (Qeverisja e mirë, 2006) me Enver Hoxhajn, Hajredin Kuçin, afrimi i të rinjve si Memli Krasniqi, Blerand Stavileci etj.) sikur krijoi perceptimin tek qytetarët se PDK-ja po zhvishej nga aura militare dhe po qytetarizohej.

Dhe më 2007, PDK-ja, në një proces zgjedhor me shumë mangësi e fshehje të palarash nën rrogoz nga ana e OSBE-së, del fituese.

Që atëherë ai ka qeverisur vendin në dy mandate (shtatë vjet) dhe ky model qeverisës nga të gjitha raportet ndërkombëtare (edhe nga Raporti i progresit që e harton BE-ja) është cilësuar si kleptokratik e i korruptuar deri në asht, duke e influencuar politikisht drejtësinë dhe duke mësyrë kapjen e të gjitha levave të shtetit.

E çka në të vërtetë i qet hije të zezë zgjedhjes së tij për kryetar, që sipas Kushtetutës së vendit përfaqëson unitetin e popullit?

Së pari, pishmanllëku i shumë deputetëve të Kuvendit në raundin e dytë e të tretë, sepse në raundin e parë ai mori vetëm 50 vota!

Kjo dëshmon:

a) Terrorin psikologjik që është ushtruar mbi deputetët nga shefat e tyre, Thaçi e Mustafa;

b) Se çfarë deputetësh jokredibilë, të paqëndrueshëm e injorantë, thjesht me karakter të lig, ka votuar populli i Kosovës!

c) Mundësinë e blerjes së votës, joshjes me poste e pushtet dhe koncesione të reja për serbët kosovarë;

d) Është simptomatike deklarata e ambasadorit amerikan Delawie, që lavdëron një proces të tillë zgjedhor në të cilin kundërkandidati i HTH, Rafet Rama, me entuziazëm të habitshëm flet se si ka votuar tri herë për liderin e madh e jo për veten!

A nuk është farsë kjo mr. Delawie!?

A mund të cilësohet kjo demokraci?

Së dyti, zgjedhja e HTH kryetar shteti nën shtetrrethim dhe pa opozitën në Kuvend e thellon krizën politike në vend, kurse HTH-në kurrë nuk do ta bëjë shef shteti të mirëfilltë, por do të mbetet vetëm 'shef' i pjesës më fanatike të PDK-së dhe i grupit që lufton për pushtet personal në LDK, parti kjo që me votën e saj për HTH nënshkroi rrokullisjen e saj në pashpresë!

Së treti, rikthimi i opozitës në dhunë e dëmton rëndë rezistencën civile që sapo nisi në Kosovë, duke e ndihmuar “kauzën Thaçi”, (sa për kauzën e tij lexoni letrën e Daniel Serwer), prandaj opozita duhet ta rimendojë veten dhe hapat e ardhshëm;
Opozita duhet ta dijë se këtë qeveri e mban në këmbë vetëm dhuna;

Rezistenca e padhunshme duhet të vazhdojë!

Top of Form

Dhe së treti, re të zeza po sillen mbi aktin e zgjedhjes së HTH për kryetar shteti edhe në aspektin kushtetues, në përmbajtje dhe në procedura.

Mirëpo, sipas interpretimit të juristit Vigan Qorolli, dy kërkesat minimale të Kushtetutës dhe të Gjykatës Kushtetuese janë plotësuar në seancën e së premtes.

E para, që në tri raundet e votimet të marrin pjesë dy të tretat e të gjithë deputetëve, dhe, e dyta, që dy kandidatë të jenë në garë.

Nëse mbështetemi në aktgjykimin Pacolli të Gjykatës Kushtetuese, HTH del të jetë zgjedhur ilegalisht.

Sepse, sipas këtij nomosi të ri (aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si ligjësi dhe praktikë juridike), kryetari zgjidhet me 2/3-at e 120 deputetëve, të cilët obligohen me qenë të pranishëm dhe të votojnë, pos atyre që kanë leje.

Tash, Kadri Veseli duhet të deklarohet dhe ta dokumentojë nëse ai u ka dhanë leje së paku atyre pesë deputetëve të LDK-së që munguan në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, me ç‘rast u zgjodh kryetari i shtetit!?

Pika 85 e aktgjykimit në rastin Pacolli thotë: "Gjykata vëren se lidhur me numrin e votave që kërkohen për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, neni 84.4 i Kushtetutës siguron se presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat (2/3-at) e “votave të të gjithë deputetëve” të Kuvendit, që do të thotë se të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë - minus ata deputetë të cilët kanë marrë leje nga kryetari i Kuvendit, dhe kandidati i cili merr 80 ose më shumë vota (në raundin e parë dhe të dytë) do të zgjidhet. (…)”

Opozita, së këndejmi duhet ta dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese dhe të kontestojë zgjedhjen e kryetarit të shtetit si në përmbajtje ashtu edhe në procedurë, duke pasur parasysh pos precedanin për kuorumin në rastin Pacolli dhe “lojën” me Komisionin Parlamentar për verifikimin e votës, në të cilin Ilir Deda ishte bërë anëtar jolegal i kësaj trupe, duke e prezantuar si të propozuar të opozitës së bashkuar, gjë që nuk ka pasur legalitet, sepse komisionet i përbëjnë deputetët e secilës parti parlamentare veç e veç e jo në grup.

Në rast se një grup i deputetëve nuk merr pjesë në seancë dhe për këtë nuk kanë leje nga kryetari i Kuvendit, nuk plotësohen kushtet për zgjedhjen e presidentit sipas pikës 85 të aktgjykimit, të lidhur me nenin 86 të Kushtetutës, nenit 27 të Ligjit për deputetët dhe nenit 27.4 të Rregullores së punës së Kuvendit.

Në seancën kur HTH është zgjedhur president nuk kanë qenë në sallë 39 deputetë.


Edhe nëse rasti Thaçi është i pastër dhe proceduralisht i drejtë nga aspekti ligjor, ashiqare që Kushtetuesja duhet ta sqarojë fjalinë e saj "që do të thotë se të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë - minus ata deputetë të cilët kanë marrë leje nga kryetari i Kuvendit".

Përndryshe, kredibiliteti dhe besueshmëria e kësaj gjykate do të bëhen baltë e pluhur!

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...