Zimmerman, Rugova dhe Ferma e Shtazëve

29 Shkurt 2016 - 13:00 - Veton Surroi      

1.

“Grupi nga Kosova ishte impresiv dhe i artikuluar. Ibrahim Rugova, prijës i partisë shqiptare nga Kosova, tha që Kosova duhet të jetë autonome brenda një Jugosllavie konfederale. Për t'u larguar na kontrolli serb, ai favorizonte një dialog me qeverinë federale të Markoviqit. Veton Surroi, një shqiptar i ri me një anglishte të përkryer, tha se populli i Kosovës nuk e pranonte pushtetin serb por as favorizonte pavarësinë, një qëndrim që do të ndryshojë së shpejti”.

Kështu shkruan Warren Zimmerman, ambasadori i fundit amerikan në librin e tij “Origjina e katastrofës” (botuar nga Times books, Random House, New York 1996).

Ambasadori përshkruan një takim të rëndësishëm që u organizua në rezidencën amerikane në Beograd, më 26 shkurt të vitit 1990. Nikoqir ishte sekretari amerikan i shtetit, Lawrence Eagleburger, njohës i mirë i Jugosllavisë (kishte shërbyer në Beograd si diplomat) dhe takimi qe organizuar për ta njohur atë me qëndrimet e forcave politike opozitare në njësitë federale të Jugosllavisë. Të ftuar në këtë takim, dr. Rugova dhe unë paraqitëm qëndrimet që qenë dakorduar që më herët. Pra, që Kosova nuk do ta pranojë kurrë sundimin serb, se Kosova do të kërkojë mëvetësinë e saj brenda Jugosllavisë federale apo konfederale dhe se nuk ishte Kosova, siç akuzohej nga shovinizmi serb, ajo që po e prishte Jugosllavinë. Pra, Kosova nuk kishte kërkesë për pavarësi më 26 shkurt të vitit 1990; një kërkesë e artikuluar për pavarësi do të pasojë shumë muaj më vonë, pas fillimit të zhbërjes së dhunshme të Jugosllavisë, e me deklarimin e dr. Rugovës se me pavarësimin e Sllovenisë dhe Kroacisë të njëjtën të drejtë do ta ketë edhe Kosova.

2.
Kështu thotë historia. Por, libri i Zimmermanit mund të lexohet edhe ndryshe. Një portal për të cilin nuk kisha dëgjuar, republika.info, dha këtë interpretim të librit të diplomatit amerikan:

“Në kohën e okupimit të viteve të 90-ta, publicisti Veton Surroi, pavarësinë e Kosovës nuk e kishte as në mendje. Ai më shumë ishte angazhuar për rikthimin e një autonomie brenda Jugosllavisë.

Qëndrimin e Surroit kundër pavarësisë së Kosovës, e kishte dokumentuar edhe ambasadori i fundit i Amerikës në Jugosllavi, Warren Zimmermann, në librin e tij “Origjina e një katastrofe”.

Dhe, ky portal vazhdon tutje:

“Në librin e tij, ambasadori amerikan kujton edhe fjalët e Surroit në këtë takim. “Veton Surroi, një shqiptar i ri me një anglishte perfekt, tha që populli i Kosovës nuk pranon regjimin e Serbisë, por po ashtu ata nuk dëshirojnë pavarësi”.

Por, diskursi i Surroit ndryshojë në mënyre fondamentale. Pas luftës, ai u bë pjesë e proceseve të një ideje në të cilën asnjëherë nuk kishte besuar – në procesin e pavarësimit të Kosovës.

Si anëtar i Grupit të Unitetit, bashkë me pjesëtarët tjerë Surroi u bë armiku më i madh i Lëvizjes Vetëvendosje, e udhëhequr në atë kohë nga Albin Kurti. Por, edhe ky qëndrim i tij ndryshojë shumë shpejt. Sot Surroi llogaritet që ka një influencë shumë të madhe në radikalizmin e opozitës, sidomos të Vetëvendosjes.

Nga autonomia brenda Jugosllavisë, Surroi tash ka rritur dozën e kërkesave. Bashkë me Kurtin ai tash po e kërkon bashkimin kombëtar”.

3.

Leximi i këtillë historik i portalit republika.info do të mbetej për mua i panjohur po të mos ishte ribotuar në një portal që ka mundësi të jetë profesional, siç është gazetablic.com dhe një tjetër që nuk ka mundësi të jetë i tillë, gazetaexpress.com., por do lexuar për të marrë vesh qëndrimet e partisë në pushtet PDK,

Dhe, si të ribotuara, mund lehtë të kuptoja se nuk kanë të bëjnë me historinë, por me përpjekje për të sulmuar “kredencialet” e mia; sa jam apo jo independenist, sipas kutit të tyre.

Është lehtë e kuptueshme cektësia e leximit të këtillë historik. Po të dëshirohej të diskualifikohej dr. Rugova, edhe kjo do të ishte e mundur me librin e Zimmermanit, duke cituar këto fjalë :

“Ibrahim Rugova, prijës i partisë shqiptare nga Kosova, tha që Kosova duhet të jetë autonome brenda një Jugosllavie konfederale”.

Nga cektësia e portaleve joserioze, kjo fjali mund të lexohej që dr. Rugova angazhohej për një autonomi të Kosovës në një Jugosllavi konfederale. Në fakt, dr. Rugova në atë takim përsëriti një qëndrim të dakorduar me partitë e aktivistët tjerë (përfshirë edhe mua), e si prijës i lëvizjes, se Kosova donte të ishte e barabartë me republikat tjera, në Jugosllavi federale apo konfederale, pra se donte të ishte Republikë si të gjitha të tjerat.

Muaj më vonë, këtij qëndrimit tonë iu shtua edhe formulimi se Kosova do të pavarësohej, si shtet më vete, nëse këtë e bënin republikat tjera.

4.

Portalet toksike mund të zhvillojnë edhe më hulumtime historike të kësaj natyre. Meqë e filluan me dr. Rugovën dhe mua, po u jap edhe një citat libri. Gert Ahrens, ambasador gjerman i angazhuar në Konferencën ndërkombëtare të Brukselit shkruan për diçka që këto portale doemos duhet ta identifikojnë si veprimtari ekstremiste. Në “Diplomaci në teh” (Woodrow Wilson Center Press, Washington DC, 2007) ai shkruan: “Në dhjetor 1991, gjatë një udhëtimi në Kosovë të nga një anëtari të ambasadës gjermane, britanike dhe norvegjeze në Beograd, Rugova kërkoi një shtet gjithëshqiptar nëse Jugosllavia zhbëhej tërësisht, ndërsa në një takim të veçantë me Veton Surroin...ai shprehu bindjen e tij se përfundimisht do të ketë një Shqipëri të bashkuar...”.

Si do të duhej të interpretohej ky citat? Brenda kontekstit ku është thënë, apo të krijohet një teori konspiracioni se më 1991 shpreheshim për opsionin e bashkimit kombëtar sepse në fakt kërkonim që Kosova të mbetej nën sundimin serb?

5.

Tashmë është popullarizuar verdikti i të ndjerit Umberto Ecco për rrjetet sociale në internet si mundësi artikulimi imbecilësh. Në fakt, këtë shumë më herët e kishte paraparë George Orwell në “Fermën e shtazëve”. Në të, kori i deleve ka një detyrë të veçantë: që gjithnjë të pohojë fjalët e Prijësit dhe gjithnjë të pamundësojë, me kor blegërime, çfarëdo zëri që do të ngrihej kundër fjalëve të prijësit.

Aty, në “Fermë”, do kërkuar edhe leximin historik që e bënë portalet toksike.

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...