Gjuha e liderëve me maska

28 Shkurt 2016 - 08:00 - Elmaz Isufi      

Prezenca e një diskursi që flet për demokraci nuk mjafton për të besuar se një vend po lëviz drejt demokracisë, ka thënë eksperti amerikan për politika të jashtme dhe demokratizim, Thomas Carothers. Shtetet e kësaj zone mburren se kanë kushtetuta dhe institucione demokratike, madje edhe mbajnë zgjedhje rregullisht, por, sipas tij, ato në fakt nuk janë demokratike

Kur Hashim Thaçi ia përmendi opozitës bishtin ndër shalë, jo vetëm që ofendoi protestuesit që kërkonin largimin e Qeverisë që kontrollohet nga ai, por përtej saj, i siguroi militantët e vet se mund të flenë rehat - se ai është “bossi”, se nuk ua ka frikën kërcënimeve dhe se përbën “të fortin” e vendit. Ky ligjërim politik i kombinuar me trimëri i tipit të Thaçit, ndryshe nga tash, në vitet e para të pasluftës është përdorur më shumë në ambiente të mbyllura, me kujdesin që kjo gjuhë e “ndotur”, të kundërmonte sa më pak te ndërkombëtarët.

Diskursi politik për disa vjet ka qenë “i matur” edhe në institucione dhe në media, me disa përjashtime. Madje, komunikimi publik i Kosovës shpeshherë në Shqipëri përmendej si model për tejkalimin e diskursit të ashpër që atje kishte kaluar kufijtë e etikës dhe të tolerancës.

Epitetet vrasës, spiun, UDB-ash, tradhtar, kriminel, hajn, peder, hiena, lavire, gomar, ma hangsh..., mund të dëgjoheshin më rrallë në publik. Dhe nuk ishte e rastësishme kjo maturi. Ata që në komunikimet private ishin të ndytë dhe personaliteti i tyre sa primitiv ishte edhe brutal, ishin “zbutur” për shkak se qetësia politike dhe vetëpërmbajtja e rivalit të tyre Ibrahim Rugova, si dhe sjellja shpërfillëse e tij ndaj kundërshtarëve, i kishte bindur se kjo është rruga e vetme për të ndërtuar karrierën politike personale dhe të grupit – qoftë edhe duke mos bërë asgjë.

Dhe jo vetëm kaq.

Një shkollë e mirë për të pashkollët në politikë ishin ngjarjet e marsit 2004. Reagimi emocional ndaj mbytjes së tre fëmijëve në Ibër, me dyshimin se ata ishin ndjekur nga disa serbë të veriut të Mitrovicës, shpërfaqi jo vetëm gatishmërinë e një pjese të qytetarëve për manifestim të dhunshëm, por edhe papjekurinë e politikanëve dhe institucioneve të sigurisë për të menaxhuar me kriza.

Përveç tensioneve ndëretnike, shkaktarë të dhunës së atij viti janë përmendur problemet sociale, ekonomike dhe pasiguria rreth statusit final – shumë nga këto nuk kanë gjetur zgjidhje as 12 vjet pas. Edhe mosgatishmëria e serbëve lokalë për integrim shihej si problem po aq i madh sa edhe veprimi i ekstremizmit shqiptar dhe lidershipit të saj të pavendosur. Përveç Bajram Rexhepit që drejtonte Qeverinë e spektrit të gjerë që kërkoi vetëpërmbajtje nga qytetarët duke mos përcaktuar fajtorët e vdekjes së fëmijëve, të gjithë liderët e tjerë dhe partitë politike lëshuan deklarata që nuk i kontribuuan qetësisë. Përkundrazi, deklaratat e lëshuara në pasditen e 17 marsit 2004, përfshirë këtu edhe atë të Partisë Demokratike të Kosovës, lidhnin mbytjen e fëmijëve me “Shërbimin Sekret Serb” dhe “organizatat kriminale serbe të kontrolluara nga Beogradi”. Një ministër kishte thënë se “mbytja e fëmijëve përkujton Holokaustin”. Kurse kryetari i atëhershëm i Parlamentit, Nexhat Daci, në deklaratën e dhënë për njërin televizion nacional fillimisht apelonte për gjakftohtësi dhe thërriste popullin të jetë syçelë ndaj raporteve të pasakta të medieve, por më vonë i njëjti thotë se “skenat e ndjekjes me qen përkujtojnë të kaluarën e fashizmit”. Në deklaratën e qartë për Mitrovicën, Daci kishte thënë se “denazifikimi i vendit ende nuk është bërë”. Raportuesit ndërkombëtarë këto deklarata dhe shumë të tjera i klasifikuan si nxitëse të dhunës, por edhe me qëllime elektorale para zgjedhjeve të tetorit 2004.

Meqë nuk pati vullnet të parandalohet reagimi i qytetarëve e as veprim të shpejtë të organeve të sigurisë, përleshjet në mes protestuesve dhe policisë e KFOR-it në mars të vitit 2004 ishin përhapur me shpejtësi me sulmet ndaj shtëpive, objekteve të komuniteteve dhe kishave serbe. Tri ditë më vonë u raportua për bilanc tragjik - 19 persona vdiqën (11 shqiptarë dhe 8 serbë), qindra veta u plagosën, disa qindra shtëpi të serbëve dhe minoriteteve të tjera u dogjën ose u plaçkitën, 4.000 njerëz u strehuan në bazat e KFOR-it dhe në vende të tjera të sigurta, kurse disa nga objektet e trashëgimisë historike dhe fetare të Kosovës u shndërruan në gërmadha.

Dhe nuk është rastësi që pas humbjeve në zgjedhje nga LDK-ja dhe nga pasojat e ngjarjeve të marsit, njerëzit nisën të talleshin me liderin e PDK-së, Hashim Thaçi, duke thëne se nuk ishte më vetja dhe se po “imiton” Rugovën.

Pavarësisht këtij maskimi, mashtrimit elektoral nuk i erdhi fundi. As demokracia e plotë nuk u instalua asnjëherë.

Prezenca e një diskursi që flet për demokraci nuk mjafton për të besuar se një vend po lëviz drejt demokracisë, ka thënë eksperti amerikan për politika të jashtme dhe demokratizim, Thomas Carothers. Ai e ka quajtur joefikas pluralizmin në disa nga shtetet e tipit si Shqipëria, Bosnja, Ukraina e Moldavia. Që të gjitha këto, që ngjajnë shumë me Kosovën, ai i fut në të ashtuquajturën “zona e hirtë”. Shtetet e kësaj zone mburren se kanë kushtetuta dhe institucione demokratike, madje edhe mbajnë zgjedhje rregullisht, por, sipas tij, ato në fakt nuk janë demokratike. Në studimin për transicionin e vendeve postkonfliktuoze, Carothers nxjerr përfundimet se vetëm një e pesta e shteteve që filluan këtë proces janë bërë njëmend shtete demokratike. “Vendet e zonës së hirtë manifestojnë politikë të pushtetit dominues”, ka thënë ai.

Meqë nuk arrijnë të ndërtojnë shoqëri demokratike, këto shtete, përfshirë Kosovën, kanë premisa të prodhojnë sërish konflikte dhe mbi bazën e këtij “kërcënimi” elitat politike ndërtojnë struktura që më pas flasin për vullnetin e tyre për parandalimin e krizës dhe fuqinë e menaxhimit dhe kontrollimit të saj.

Njerëzit e uritur për pushtet sa herë që ndiejnë dobësimin politik ashpërsojnë diskursin në raport me kërkesat për ndryshim që vijnë nga palët e dyta, ndërsa të pafuqishmit që jetojnë me frikën e përplasjeve të mëdha bëhen argatë të kauzës së të fortit. Të fortin e duan edhe të huajt. Bashkësia ndërkombëtare, duke shikuar nga një perspektivë më e gjerë, zgjedh partnerë ata që “garantojnë stabilitet”, qoftë ai stabilitet edhe në dëm të demokracisë.

Dhe kur stabiliteti pa demokraci stërzgjatet në kuptimin kohor, është vështirë të kontrollosh masën që ndien në lëkurë se ai si individ i shërben elitave dhe grupeve të interesit vetëm për numra. Të pakënaqurit kanë shumë arsye të mos binden, po aq arsye sa kanë “të fortët” për të mbajtur në jetë regjimin. Kur shteren instrumentet e përballjes së arsyeve të tyre, rrjedhimisht futen në përdorim të tjera mjete. Para se të nisen me hapa radikalë, palët zgjedhin komunikimin publik, nëpërmjet të cilit frymëzojnë dhe mobilizojnë masat dhe në varësi të kapacitetit të tyre ndërmarrin veprime të tjera.

Përplasja në mes opozitës dhe partive të koalicionit qeveritar, tash është në stadin kur përplasja verbale shoqërohet me veprime të dhunshme proteste. Dialogun nuk e duan asnjëra. Loja me akuza dhe fjalë të pista e ka përcjellë tërë debatin publik muajve të fundit. Kjo formë e komunikimit është shndërruar në standard. Bile disa nga personalitetet politike që janë menduar si më të përmbajtur, duke u ndier të anashkaluar dhe jo shumë kreativë, janë bërë pjesë e kësaj maskarade.

Diskursi i këtillë i liderëve politikë dhe atyre që mbajnë anën e tyre konfirmon se kemi një elitë të sëmurë, të çoroditur, të frustruar, hakmarrëse dhe primitive. Virusi që shpërndajnë ata ka infektuar shoqërinë dhe të ardhmen e saj. Përpjekja për të shëruar gripin duke injektuar një tjetër virus që bën më pak zarar, me shpresën se e mbyt të parin, është e vetmja alternativë tash. Por, vendit në fakt i duhet një antivirus që i jep fund infeksionit që vjen nga të gjitha anët, meqë edhe në krahun e shpëtimit ka mjaft të tillë që bartin me vete virusin e atyre që janë në anën e “të fortit”.  

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...