Diskursi agresiv shpie në përplasje civile

26 Shkurt 2016 - 08:12 - Halil Matoshi      

Protesta e 17 shkurtit nxori në pah edhe një herë një fakt shumë të hidhur. Qytetarëve me prirje opozitare në Kosovë nuk ka kush t’u prijë. Dijet dhe retorikat e liderëve opozitarë janë për t’u vajtuar, ndërsa retorikat agresive të Mustafës dhe Thaçit janë të mjera. Frikësuese. Opozita thërret në përmbysje të sistemit politik dhe rendit kushtetues, kurse pushteti thërret në dhunë e luftë qytetare. Ngjarjet në Kuvendin e Kosovës po shndërrohen në triler, me drejtor Hashim Thaçin, nën regjinë e Kadri Veselit dhe statistit Isa Mustafa…

Liderët opozitarë dhe dyshja e pushtetit Isa Mustafa & Hashim Thaçi po bëjnë gara se kush po pështyn më larg!
Një garë turpi e frike.
Protesta e 17 janarit ishte e fuqishme dhe masive, ajo dëshmoi se qytetari i Kosovës po zgjohet nga letargjia dhe po kërkon një qeverisje të mirë, si dhe një shtet modern që mbron lirinë dhe sigurinë e tyre.

Në anën tjetër, heqja e flamurit kosovar nga ana e kujdestarëve të protestës (që ishin kryesisht aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje”), është dëshmi se kjo organizatë politike nuk e di çfarë është një shtet dhe një komb modern, ngase koncepti i tyre për kombin është arkaik (tablo biologjistike), ideja e tyre për atdheun është sovjetizuese, kurse idetë e tyre politike janë nacionaliste!
E fjalimet e liderëve opozitarë ishin për t’u vajtuar!

Ato silleshin mes etnonacionalizmit, poteres në zënkat e kafeneve, bajraktarizmit dhe një komunjarizmi të dëshpëruar…
Porse në garë se kush po i fryn zjarrit më shumë hyri edhe dyshja Isa & Hashimi, të cilët fyen inteligjencën mesatare të qytetarëve të Kosovës me turre e huqe luftënxitëse!?

Madje Thaçi me kapardisjen e tij u dëshmua shumë i dëshpëruar që opozita më 17 janar nuk përdori dhunë – e bëri të ditur publikisht se atij i intereson shumë dhuna, sepse vetëm përmes saj mund të mbahet në pushtet!
Thaçin, por edhe Mustafën i frikësoi tej mase protesta e padhunshme.
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Thaçi krekosej duke e ofenduar opozitën si qyqare.

“Ata kishin dërguar mesazhe; na pritni në Qeveri, e ne ishim 20 metra larg binës. Ata u larguan me bisht nën shalë si qyqarë… Ne iu pritëm në zyrat tona, pse nuk erdhët…?”.
Fjali më luftënxitëse për vëllavrasje nuk është dëgjuar ndonjëherë në truallin kosovar!

Në anën tjetër, qasjet revolucionare (me theks enverizmin) në taborin opozitar dëshmuan definitivisht se në Kosovë nuk ka kush i artikulon kërkesat e qytetarëve për ta detyruar këtë Qeveri që të dorëhiqet, për t’ia kthyer mandatin qytetarit dhe për ta rivendosur legjitimitetin e shpenzuar!
Derisa opozita të ketë kësi oratorësh (posaçërisht si Molliqaj) me hu në krah, pushteti do të mbahet!

Në ndërkohë, poltronë të Thaçit po bëjnë “komente e analiza” në mbrojtje të figurës së shokut Hashim Thaçi, shumë individë të veshur me pushtet dhe pjesëtarë të shoqërisë civile po turren të dëshmojnë se kush është më proamerikan se tjetri, të parët për t’i ndenjur besnik shefit, kurse të dytët pa i pyetur askush!?
Përderisa askush nuk ndalet të analizojë faktin se përse Thaçi u dëshpërua pse opozita nuk ishte e dhunshme më 17 shkurt dhe askush nuk po e bën një analizë qoftë edhe të përkortë se kujt po i konvenojnë në këtë moment shfaqjet groteske antiamerikane në Kosovë, ngutja për t’i mbrojtur amerikanët është dëshmia më e mirë se ky peticion mund të jetë konspiracion i radhës!?

Për ta komprometuar opozitën aktuale si antiamerikane?
Dhe opozita, veçmas VV-ja, i ka dhënë pushtetit brumë për të gatuar shfaqje të tilla si peticioni kundër ambasadorit Delawie.
Në thelb, pas thirrjes për dhunë e luftë vëllavrasëse nga ana e Thaçit, dhe pasi që Isa e ka lidhur fatin me të, dikush, individ i lirë, organizatë e shoqërisë civile, parti opozitare ose institucion, do të duhej të bënte padi penale kundër Qeverisë (Hashimit dhe Isës) për nxitje të urrejtjes mes grupeve të ndryshme shoqërore dhe thirrje për dhunë e luftë civile!?

Ashiqare, po aq neveritës ishte edhe fjalimi i Dardan Molliqajt, dhe është për t’u habitur se si një njeri që ka ushtruar linçin publik (për fat pa pasoja për jetën) ndaj qytetarëve të Kosovës del nga “ilegaliteti”, kurse AAK dhe Nisma – që veten po e cilësojnë si parti institucionaliste, nuk u distancuan nga thirrja e tij për ta përmbysur sistemin politik dhe rendin kushtetues të Republikës dhe për ta shpërbërë entitetin juridik-politik të quajtur shtet i Kosovës!
Që të dyja këto vepra penale, urrejtja dhe thirrja, si dhe thirrja për përmbysjen e rendit kushtetues me dhunë, janë të përfshira në Kodin Penal të Kosovës...

Po të kishte prokurori të hairit në këtë vend, ndaj Molliqajt, Thaçit e Mustafës ishte dashur të ngrihej padi penale ex-officio...
Kurse, kinse peticioni i iniciuar nga ndonjë hajvan, nuk e implikon shoqërinë kosovare, as qytetarinë dhe as institucionet e saj, prandaj as që ka nevojë për t’u distancuar ose për t’u shfajësuar para Ambasadës amerikane dhe amerikanëve.
Ky peticion është thjesht një maskaradë turpi. Kaq!

E sa i përket fatit të kryeministrit aktual Isa Mustafa, ai po sillet në mënyrë patetike duke ia ndjellë vetes një fund të palavdishëm.
Kryeministri kosovar Mustafa dhe zëvendësi i tij Thaçi po flasin si udhëheqësit e Gjermanisë Komuniste njëzet e shtatë vjet më përpara, Erich Honecker dhe Egon Krenz.
I pari sefte pati thënë: "Socializimi rrjedh e fiton - asnjë mëzat, asnjë magar s'e ndalon".
Kurse më 18 tetor 1989, i thyer po deklaronte: "S'kam as forcë, as energji për të përballuar detyrën".

Kurse i dyti, Krenzi, që kishte zëvendësuar Honeckerin, sapo e kishte dhënë deklaratën më të pashpresë në historinë e komunizmi: “Muri do jetë aty edhe 100 vjet”.
Pak ditë më vonë, më 9 nëntor 1989, ra Muri dhe copëza gurësh të tij po u shiteshin turistëve perëndimorë si suvenire…

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...