Martin Luther Kingu në Birmingham dhe në Kosovë

25 Shkurt 2016 - 20:46 - Veton Surroi      

Mësimet amerikane

1.

Është një rrëfim që fillon dhe mbaron me një figurë të pushtetit dhe një lëvizje protestuese. Figura e pushtetit është e njohur për preferencën që protestat kundër pushtetit të tij të përfundojnë me dajak policie dhe përdorim emblematik të topave të ujit. Protestat zakonisht fillojnë në formë paqësore dhe përfundojnë me dajak. Atëherë kur nuk ka dajak, figura e pushtetit deklaron se mirëqenien, demokracinë, rendin dhe ligjin po e prishin ata që po vijnë për të kërkuar bela. "Dhe nuk më ka rastisur ta shoh dikë që po kërkon bela e që nuk e ka gjetur atë!".

Mund të ketë shtuar edhe "I prita mbasi po kërkojnë bela e jo kafe, por nuk erdhën. Ikën me bisht ndër shalë si qyqarë".

Por këtë nuk e shtoi se ky është rrëfim tjetër, që ndodh pas pesëdhjetë vjetësh. Ky rrëfim i para pesëdhjetë vjetësh është i një qyteti të vogël të jugut të Amerikës të quajtur Birmingham, në shtetin Alabama, në vitin 1963. Dhe rrëfimi është i rëndësishëm, sepse qe jo vetëm emblemë e lëvizjes antiraciste në Amerikë, në krye me dr.Martin Luther Kingun, por në masë të madhe prodhoi edhe disa premisa teorike të lëvizjes së padhunshme që do të aplikohen në protesta e demonstrata gjithandej botës, duke përfshirë edhe Kosovën, jo vetëm atë të viteve nëntëdhjetë, por edhe Kosovën e vitit 2016.
Për një vend si Kosova, që e ka një vend krejtësisht të veçantë, lart në hierarki të vlerave e miqësisë për SHBA-në, nuk do mend se edhe kjo pjesë e rëndësishme e historisë amerikane ka vlerë të veçantë.

2.

Rrëfimi i Birminghamit është i thjeshtë. Martin Luther Kingu i priu një lëvizjeje të padhunshme, e cila kundërshtonte ndarjen e të bardhëve dhe zezakëve, gjegjësisht diskriminimin e zezakëve. Kingu thoshte se ky diskriminim është në kundërshtim me të drejtat kushtetuese (ato hyjnore, të barazisë); pushteti i personifikuar prej Eugene "Bull" Connor, në rolin e komisarit për polici e zjarrfikës, thoshte se këto ligje janë ndërtuar në mënyrë demokratike, me vullnet të shumicës. Dhe se ata si Kingu, që e kundërshtojnë sundimin e shumicës duke ardhur për të protestuar, nuk do të priten me kafe. Ai zakonisht i priste me stupca të mëdhenj policie, ujë topi e jo rrallë me qen policie, posaçërisht drejtuar grave dhe fëmijëve zezakë.
Që të dytë bazoheshin në ligj e drejtësi, dhe që të dytë besonin se kishin të drejtë, në parim. Connor mbronte ligjet në fuqi, të sanksionuara prej një shumice. Dr. Kingu thoshte se në hartimin e tyre nuk kishin marrë pjesë zezakët dhe se ato janë ndërtuar në dëm të zezakëve duke e shpërfillur mundësinë që ata ta shprehin mendimin e tyre.

Ai që kishte në duar stupcin, së bashku me arsyetimin juridik për ta përdorur atë, natyrisht, kishte mundësinë që çështjen e segregacionit e të diskriminimit ta quante të mbyllur. Kjo do të ishte e tillë përderisa të ishin të atilla ligjet, e ligjet mund të ndërroheshin vetëm nëse këtë e bënte Asambleja, e Asambleja mund ta bënte vetëm nëse ndryshonte raporti i forcave politike, e raporti i forcave politike mund të ndryshonte vetëm nëse ndryshonte sistemi, ai me të cilin shumica mbetej gjithnjë shumicë e pakica gjithnjë e pakonsultuar. E për këtë duhej ndryshuar fillimisht ligjet diskriminuese.

Këtë qark të mbyllur përpiqej ta luftonte Martin Luther Kingu me "katër hapat bazikë" të lëvizjes së padhunshme: "mbledhjen e fakteve për të përcaktuar nëse ekzistojnë padrejtësitë; negociatat; vetëpastrimin dhe aksionin e drejtpërdrejtë". Po të përmblidheshin katër hapat bazikë me thjeshtësi, aplikuar në rastin e Birminghamit, kjo do të thoshte se protestuesit duhej të ndërtonin kauzën e tyre (me mbledhjen e fakteve), pastaj këtë kauzë ta negocionin me pushtetin dhe nëse pushteti refuzonte që të ndryshonte gjë, atëherë do të kalohej në hapin e tretë dhe të katërt. Hapi i tretë është "vetëpastrimi", që në konceptin e Kingut është momenti i sinqeritetit të protestuesit me veten, të gatishmërisë së tij për flijim, për kauzë. Hapi i katërt, "aksioni i drejtpërdrejtë", janë demonstratat, protestat, d.m.th. aksioni fizik i padhunshëm.

3.

Qëllimi i katër hapave bazikë të lëvizjes së padhunshme ishte të mbërrihej "tensioni i rritës". Siç shkroi dr.Kingu më 1963 në "Letër nga burgu i Birgimhamit" - që do të shndërrohej në një traktat të padëgjueshmërisë qytetare - "aksioni i drejtpërdrejtë i padhunshëm kërkon të krijojë krizë të atillë dhe të nxisë asi tensioni që një komunitet, i cili ka refuzuar në mënyrë konstante të negociojë, të jetë i detyruar të ballafaqohet me atë çështje. Pra, kërkon që ta dramatizojë aq çështjen saqë ajo të mos jetë më e shpërfillshme".

Ky rrëfim në këtë pikë ka një kthesë negative. Dr. Kingu u arrestua në Birmingham për të 13-tën herë dhe e prisnin edhe 16 arrestime të tjera në karrierën e tij të prijësit. Ai dhe bashkudhëtarët e tij do të rriheshin, e një ditë dr.Kingu do të vritej. "Tensioni i rritës", momenti ku gjërat ndryshohen, nuk i erdhi as te Bull Connor e as në shtetin e Alabamas apo ndonjë shtet tjetër segregacionist të jugut.

Ndryshimi erdhi, megjithatë, dhe ky rrëfim ka një fund thelbësisht pozitiv. Katër hapat bazikë dhe tensioni i rritës i dr. Kingut sollën më 1964 Aktin e të Drejtave Civile në nivel Federal, që ishte fillimi i përligjjes së barazisë racore në Amerikë. Në fund, pesëdhjetë vjet më pas, sollën edhe një Amerikë ku president mund të zgjidhej Barack Obama, pas një procesi të gjatë që dr. Kingu në letrën e tij e quajti zbulimi i lirisë nga Zezaku.

4.

Natyrisht që paralelja mes Birminghamit dhe Kosovës nuk është racore, rrjedhimisht mësimet amerikane nuk duhet kërkuar aty.
Mësimet do kërkuar në paralelet e konfliktit të parimeve dhe mënyrës së zgjidhjes së tyre. Pushteti në Brimingham dhe ai në Kosovë (dhe prapë këtu nuk ka paralele të natyrës së pushteteve) janë bazuar në të njëjtat parime. "Bull" Connor ka aktivizuar policinë, me gjithë topa uji e qen sulmues, kur dr. Kingu parakaloi në qytet pa u pajisur me lejen përkatëse. Qe një shkelje ligji. Për më tepër, një shkelje ligji që kërkonte të ndryshohej sundimi i shumicës, pra të ndryshohej e drejta e shumicës që të diktojë ndarjen me pakicën zezake.

Pushteti në Kosovë aktivizoi dhunën shtetërore - deri te njësitet antiterroriste, arrestimet, dënimet me burg të deputetëve e në fund edhe nxjerrjen e tyre me dhunë nga Kuvendi - sepse anëtarët e opozitës politike përdorën gazin lotsjellës në kundërshtim me ligjin.
Dr. Kingu pranoi të shkonte në burg për një shkelje ligjore, me bindje se po e mbronte një të drejtë tjetër, atë të barazisë së qytetarëve para Kushtetutës.
Opozita e Kosovës pranon se përdorimi i lotsjellësit në Kuvend mund të jetë joligjor, porse këtë e bën për të mbrojtur një të drejtë më të madhe, atë të barazisë së qytetarëve para Kushtetutës.

Dhe ajo që është e përbashkët në Birmingham e në Kosovë, me gjysmë shekulli dallim, është pyetja për precedencën.
Pyetja që e shtruan njerëzit si Bull Connor ishte: nëse i nënshtrohemi turmës së protestave, ku do të ndalet nënshtrimi? Do të humbet e drejta e shumicës, e vërtetuar me votë?
Pyetja që e shtrojnë qoftë apologjetët e pushtetit, qoftë kritikuesit e opozitës (pra jo domosdo njerëzit e të njëjtit tabor) është: nëse ky pushtet lëshon pe ndaj një opozite me gaz lotsjellës sot, çka do të ndodhë me një pushtet e opozitë tjetër nesër? A do të ndalet Parlamenti çdoherë që pakicës nuk i pëlqen diçka në Parlament?

Gazi lotsjellës "filibuster"

5.
Krejt-krejt mirë, por ky gaz lotsjellës...
Kështu pak a shumë është ndërtuar reagimi i një pjese të konsiderueshme të opinionit publik ndaj veprimeve opozitare të gjashtë muajve të kaluar. Kjo do të thotë se do ta kishte simpatinë po të mos hidhej gazi lotsjellës, apo në rastin e zyrtarëve ndërkombëtarë, se nuk do të kenë kurrë simpatinë përderisa hidhet gazi lotsjellës.

Një situatë të ngjashme, analogjike, kishte përjetuar M.L. Kingu, kur jo rrallë është quajtur ekstremist. Në "Letrën nga burgu..." ai madje pothuajse e identifikon problemin më të madh për zezakët jo tek racistët e bardhë, por tek të "moderuarit e bardhë" . Në një Amerikë konvencionale, "aksioni i drejtpërdrejtë" me demonstrata e greva, ulje të zezakëve në karriget e rezervuara për të bardhë në autobusë (si në rastin e Rosa Parks) apo hyrjet e zezakëve në lokale publike në mënyrë që të provokohej reagimi (edhe i dhunshëm) i të bardhëve aty, ishte një kufi që , "i moderuari i bardhë" nuk mund ta kalonte. "Ai është më i përkushtuar 'rendit' sesa drejtësisë; ai parapëlqen një paqe negative që është mungesa e tensionit drejt një paqeje pozitive që është prania e drejtësisë; ai gjithnjë thotë: "Unë pajtohem me qëllimin tënd, por nuk mund të pajtohem me metodat e aksionit të drejtpërdrejtë".

Sipas Kingut, e tëra përmblidhet në deklaratën e të moderuarit të bardhë "se veprimet tona, edhe pse paqësore, duhet të dënohen, sepse shkaktojnë dhunë".

6.

Por, a nuk është tepruar, këtu me tërheqjen e paraleles mes Rosa Parks dhe gazit lotsjellës?

Të marrim të dy anët e përshkrimit të gazit lotsjellës. Pushteti dhe përkrahësit e tij thonë se është armë dhe se përdorimi i armëve në Kuvend është, natyrisht, shkelje ligjore. Po të dojë opozita, dikur në debatet historike të së ardhmes, ta mohojë përshkrimin e gazit lotsjellës si armë, mund të gjejë argumente. Sikur bombola e gazit lotsjellës, armë mund të jetë edhe një gur, një stilolaps, një gotë xhami, një shishe - që të gjitha të drejtuara nga një person me qëllim dëmtimi fizik, shndërrohen në armë. Gazi lotsjellës, në gjashtë muajt e krizës në Kuvend, nuk është aktivizuar ndaj kujt për të shkaktuar dëmtim fizik.
Për më tepër, për të qenë strikt e legalist, gazi lotsjellës përshkruhet si armë në Ligjin për armët vetëm si një tërësi me mekanizmin e vet hedhës. Në kuptimin strikt legalist, bombola e gazit lotsjellës mund të cilësohet si armë vetëm kur e ka edhe mekanizmin gjuajtës.

Por, të themi se opozita nuk ka fare të drejtë, dhe po bën veprime joligjore në Kuvend me gaz lotsjellës; se po i bën pak më me kujdes e nuk po e dëmton ende kënd, por, megjithatë, po bën veprime të dhunshme. Në që të dyja rastet, edhe në versionin e opozitës se nuk po bën veprime kundërligjore, edhe në versionin e pushtetit se po bën, rezultati është i njëjtë. Pushteti dhe opozita pajtohen se veprimet (kundërligjore a jo) e opozitës janë të drejtuara nga bllokimi i punimeve të Kuvendit të Kosovës.

Për më tepër, akuzuesit e opozitës, të cilësdo ngjyrë politike, kanë vlerësuar se bllokimi i punimeve të Kuvendit është një akt që shkakton dhunë, apo që mund ta shkaktojë potencialisht atë.

Para pesëdhjetë vjetësh, Martin Luther King kishte në "Letrën nga burgu..." këtë përgjigje për një akuzë të ngjashme:

"Në fakt, ne që angazhohemi në aksion të drejtpërdrejtë të padhunshëm nuk jemi krijuesit e tensionit. Ne vetëm e nxjerrim në sipërfaqe tensionin që është tashmë i gjallë".

7.

Nëse pranohet argumenti i opozitës se ka përdorur mjete të padhunshme, me objektiv të padiskutueshëm bllokim të Kuvendit, atëherë me fjalët e dr. Kingut, që nga muaji shtator opozita paska dashur të nxjerrë diçka në sipërfaqe. Në dhjetor të vitit të kaluar, qe evidente ajo që doli në sipërfaqe; siç kishte akuzuar opozita, pushteti i Kosovës kishte nënshkruar një marrëveshje me Serbinë, në gusht të vitit 2015, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me të cilën zotohej se do ta shkelte 23 herë Kushtetutën e Kosovës.

Aksioni i drejtpërdrejtë i opozitës, me përdorimin e gazit lotsjellës, krijoi tensionin e nevojshëm në Kuvendin e Kosovës, që marrëveshjen Mustafa-Vuçiq ta trajtojë Gjykata Kushtetuese me kërkesë të presidentes së vendit.

Por, tensioni i dalë në sipërfaqe nuk është lehtë i tejkalueshëm. Një pushtet i cili zotohet për shkelje të Kushtetutës së vet (dhe për këtë pengohet nga aksioni i drejtpërdrejtë i opozitës dhe me digë të fundit, Gjykatë Kushtetuese) nuk mund të kthehet në punët e përditshmërisë, sikur të mos ketë ndodhur gjë. Zotimi i Qeverisë për shkelje të Kushtetutës vetjake, dhe injorimi arrogant i çdo mendimi që tregon për këtë gjë, është indikator i sëmundjes thelbësore të pushtetit, gjegjësisht të shumicës që e përbën, gjegjësisht të sistemit që prodhon këso shumice.

8.
Pra, edhe nëse nuk pranohet argumenti i opozitës se po përdor mjete të padhunshme, e padiskutueshme është në secilin version se opozita është duke e bllokuar qëllimisht punën e Kuvendit të Kosovës.

Pushteti dhe përkrahësit e tij, para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, thoshin se nuk ka kurrfarë arsye për të kundërshtuar marrëveshjen, sepse ajo është plotësisht në përputhje me Kushtetutën. Pra, nuk ka arsye për bllokadë. Bllokada është kundër demokracisë, kundër shtetit.

Pushteti dhe përkrahësit e tij, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese vazhdonin të thoshin se marrëveshja vetvetiu është përputhje me Kushtetutën, gjegjësisht do të bëhet kur të shkruhet Statuti. Pra, nuk ka arsye për bllokadë. Bllokada është kundër demokracisë, kundër shtetit.

Në fakt, në demokracitë e avancuara, siç janë ajo britanike dhe amerikane, bllokimi i Parlamentit është një mjet i theksuar i demokracisë dhe, rrjedhimisht, mjet i theksuar i mbrojtjes së shtetit. Pra, në Britani të Madhe dhe në Shtetet të Bashkuara të Amerikës mund të ketë gjëra shumë të rëndësishme për të trajtuar në Parlament (Kongres), por që në të dyja mund të lajmërohet një anëtar apo një forcë parlamentare dhe të bllokojë funksionimin derisa atij t'i konvenojë. Mënyra që përdoret quhet "filibustering" dhe është e drejta e deputetit apo e grupit që të flasë pandërprerë, duke mos lënë kënd tjetër ta marrë fjalën, derisa të mos arrihet një marrëveshje politike mes palëve kundërshtare politike për zhbllokimin e Parlamentit.

Më 1874, një nacionalist irlandez, Charles Stewart Parnell, i cili më vonë do të bëhet edhe lider i Partisë Parlamentare Irlandeze, iu bashkua kolegut të tij në fjalim të pandërprerë deri në momentin kur konservatorët e liberalët të pranonin të uleshin me të për të shqyrtuar çështjen irlandeze.
Ky ishte fillimi i "filibustering", metodë tashmë e etabluar në jetën parlamentare britanike dhe amerikane. Në mungesë të institucionit "filibustering", në Kuvend të Kosovës opozita këtë rol ia ka dedikuar gazit lotsjellës.

Sikur me "filibustering", edhe përdorimi i gazit lotsjellës ka mundur të trajtohet në dy mënyra. Një, me dënim, për shkak të obstruksionit parlamentar. Dy, me pyetje: çka është ajo që e shtyn një anëtar Parlamenti ta bllokojë punën parlamentare?

Ka mundur të jetë shkas për një pyetje racionale, sikur në lëvizjen civile amerikane të Martin Luther Kingut. Pse e provokon dhunën e pushtetit të bardhë Martin Luther Kingu me parakalimet e tij provokuese, me hyrjet në restorante të rezervuara për të bardhë, me ulje në sedilje autobusi të rezervuara për të bardhë? Pse e bllokon punën e Kuvendit të Kosovës me gaz lotsjellës opozita, duke ftuar dhunën shtetërore ndaj tyre?

Shumica që nuk është

9.
Në Birmingham, Alabama, më 1963, Martin Luther Kingu u ballafaqua me një ligj të rregullimit të marrëdhënieve racore në qytet.

Në pikën 369 të Rregullores së qytetit për ndarjen e racave thuhej tekstualisht:
"Do të jetë e paligjshme të mbahet restoranti apo çfarëdo vendi tjetër që shërben ushqim në qytet, në të cilin personat e bardhë dhe ata me ngjyrë shërbehen në të njëjtën dhomë, pos nëse personat e bardhë dhe ata me ngjyrë janë të ndarë në formë të efektshme me një ndarëse solide, e cila zgjatet nga dyshemeja në një lartësi prej së paku shtatë këmbësh, dhe nëse sigurohen hyrje të veçanta për çdonjërën hapësirë".

Kalojmë tash në Mitrovicë, Kosovë. Më 2013, saktësisht pesëdhjetë vjet pas ngjarjeve në Birmigham, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi e kishte obliguar Kosovën, me nënshkrimin e Marrëveshjes së parë me homologun e tij Daçiq në Bruksel me këtë rregullim, siç përshkruhet tekstualisht me gabimet gjuhësore ashtu siç janë zyrtarizuar:
"Gjykata e Apelit në Prishtinë do të themeloj një panel i përbërë nga një shumicë e gjykatësve serb të Kosovës për t’u marrë me të gjitha komunat e Kosovës me shumicë serbe. Një divizion i kësaj Gjykate të Apelit, i përbërë nga staf administrativ dhe gjyqtarë, do të vendoset në mënyrë të përhershme në Mitrovicën veriore (në Gjykatën e Qarkut të Mitrovicës). Secili panel i divizionit të mësipërm do të përbëhet nga një shumicë e gjyqtarëve serb të Kosovës".
Nëse është e përdorshme analogjia e shërbimeve (në Birmigham ushqimi, në Mitrovicë drejtësia), atëherë zotimi i kryeministrit të atëhershëm Thaçi, në Bruksel, kishte shkuar një hap përpara segregacionit, krahasuar me Birminghamin. Përderisa në Birmingham lejohej që të bëhej shërbimi i njëjtë për të bardhë dhe të zinj në një restorant, me kusht që të ndërtohej një mur prej së paku dy metrash që do të ndante hapësirën, si dhe të krijoheshin hyrjet e veçanta për klientët e bardhë dhe klientët zezakë, në Marrëveshjen e Brukselit nuk do të lejohej ofrimi i shërbimeve jo më në hapësirë të njëjtë, por as në qytet të njëjtë: Gjykata e Apelit për shqiptarët dhe joserbët (si kategori e re identitare) do të jetë një ndërtesë në Prishtinë, ndërsa për serbët një ndërtesë në Mitrovicë.

Në Marrëveshjen e gushtit të vitit 2015 u shkua edhe një hap më larg. Për qytetarët serbë të Kosovës do të krijohej një tërësi e re (me një mur më të gjatë e të trashë se ai dymetërsh i Birminghamit, me një mur që synon të jetë kushtetues), në të cilën do të përqendroheshin të gjitha shërbimet komunale. Sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në dhjetor të vitit 2015, kryeministri Mustafa ishte zotuar me shkrim se do të krijohej një entitet juridik në Kosovë, i cili do të ofronte shërbimet serbe; që të gjitha ato që janë në kompetencë komunale do të përqendroheshin në këtë entitet të krijuar në baza etnike.
E vetmja gjë që nuk doli nga marrëveshja Mustafa-Vuçiq ishte se a do të ketë apo jo hyrje të veçanta për serbët dhe eventualisht për shqiptarët e joserbët e tjerë në atë entitet, Bashkësinë e Komunave Serbe.

10.

Argumenti i pushteteve, në Birmingham dhe në Kosovë është se këto janë vendime të shumicës, në vende demokratike, ku, normalisht duhet të respektohet sundimi i shumicës. Dhe, ku rrjedhimisht, do parandaluar me forcë rezistencën joligjore të pakicës, qoftë kur parakalon qytetit pa kërkuar leje (Birmingham) apo kur ndez gazin lotsjellës për pengimin e vijimit të punëve në Kuvend (Kosovë).

Më 1963, Birminghami ishte (dhe është) pjesë e SHBA-së, njërës prej demokracive shembullore të asaj (dhe kësaj kohe). Njëkohësisht ishte vendi ku ndonëse popullata zezake përbënte 40 për qind të tërësisë, vetëm dhjetë për qind të tyre ishin të regjistruar si votues. Shumica demokratike në Birmingham, e zgjedhur pa as edhe më të voglën përpjekje për vjedhje votash (që do të ishte sakrilegj në atë vend besimtarësh në Zot e demokraci), megjithatë ndërtohej gjithnjë në disfavor të zezakëve, të drejtave të tyre për shërbime publike , e në thelb të së drejtës së tyre për t'u regjistruar si votues.

Më 2013, kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit, pushteti i shumicës ishte ai i ndërtuar si produkt i "vjedhjes industriale të votave" e më 2015 kur u nënshkrua ajo Mustafa-Vuçiq pushteti u krijua pas shantazhit gjashtëmujor që pjesë e shumicës sunduese të jetë domosdo Partia Demokratike të Kosovës. Në shekullin XXI, e në veçanti pas Pavarësisë së Kosovës, shumica politike që përcakton jetën në Kosovë është produkt më shumë i krimit të organizuar sesa i votës së lirë. Këtë e ka pranuar Kuvendi i Kosovës më 2015, kur ka votuar me dy të tretën e përbërjes së tij themelimin e Gjykatës Speciale në bazë të raportit Marty. Vendimi i Kuvendit u bë në bazë të rekomandimeve të prokurorit të veçantë, ambasadorit amerikan Williamson, i cili vërtetoi pohimet bazë të raportit Marty, se Kosova është e zaptuar nga një ndërmarrje kriminale, me vepra gjatë dhe pas luftës, e në krye të së cilës akuzohet se është ish-kryeministri Hashim Thaçi. Tash i mbetet Gjykatës të vërtetojë jo nëse ka krim të organizuar në Kosovë, por a janë të apostrofuarit prijësit e saj.

Për një vështrues të jashtëm nuk do shumë analizë për të kuptuar se racizmi i Birminghamit nuk është prodhuar nga një demokraci funksionale (por është themeli i sistemit) dhe se thirrja në emër të shumicës demokratike në Kosovë për të zbatuar marrëveshjet e Brukselit (apo çka do tjetër) është në masë të madhe thirrje në efekte të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.

Në të dyja rastet, protesta demokratike kundër shumicës nuk do të ishte vetëm legjitime,do të ishte obligim.

11.

Por çka nëse janë të pavërteta vlerësimet e opozitës? Çka nëse shumica politike në Birmingham dhe Kosovë janë mostra të demokracisë, diçka për t'iu pasur lakmi edhe në Zvicër, Norvegji a Angli?

Në fund, as kjo nuk do ta ndryshonte raportin mes të drejtës legjitime, madje obligimit qytetar për të protestuar. Edhe po të ishin zgjedhjet në Birmingham modeli më i mirë i demokracisë, ai model shkallmohej me vendosjen e ligjeve diskriminuese. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën.
Fakti që një pushtet është zgjedhur në formë demokratike (t'i quajmë sa për eksperiment demokratike këto në Birmingham dhe Kosovë) nuk i jep të drejtë shkeljen e parimeve kushtetuese. Në Birmimgham qe i nevojshëm parakalimi joligjor i Martin Luther Kingut për të nxjerrë në pah akte diskriminuese që prekin themelet e Kushtetutës amerikane. Në Kosovë qe i nevojshëm bllokimi gjashtëmujor i Kuvendit, me mjete që konsiderohen joligjore, për të nxjerrë në pah akte diskriminuese që prekin themelet e Kushtetutës së Kosovës.

12.

Më 1963, kur dr. Kingu parakalonte në Birmingham, ai nuk e nxirrte në pah vetëm absurdin e ligjeve diskriminuese, por edhe sistemin që krijon një shumicë që merr vendime të tilla, shumica e ndërtuar me mosregjistrim të zezakëve si votues.

Më 2015 e 2016, kur opozita vepron në "aksion të drejtpërdrejtë", në Kosovë ajo nxjerr në pah jo vetëm absurdin e dispozitave diskriminuese për të cilat është zotuar pushteti, por mund të ndodhë të nxjerrë edhe sistemin që krijon një shumicë për të marrë vendime të tilla, një shumicë që nuk varet prej votave të qytetarëve, por prej zaptimin të shtetit.

Padëgjueshmëria e pushtetit kosovar ndaj mësimeve amerikane

13.

Presidenti amerikan, John F. Kennedy, ishte ballafaquar më 1963 me katër hapat e Martin Luther Kingut. Kingu kishte bërë "mbledhjen e fakteve", si hap të parë; kishte dëshmuar se racizmi është i gjallë dhe i institucionalizuar në shtete si Alabama e Mississippi. Në hapin e dytë, lëvizja e Kingut ofroi të negocionte me pushtetet e ndryshme (bashkiake, të shteteve të veçanta, madje edhe federale), por pa sukses. Atëbotë u përgatit për "vetëpastrimin", do të thotë përgatitjen e anëtarëve të lëvizjes që të flijohen (në aksione rrahje nga policia, rrahje nga qytetarë racistë, arrestime, demonizim mediatik etj). Në hapin e katërt, lëvizja filloi me "aksionin e drejtpërdrejtë" të marsheve, demonstrimeve ulur në hapësira publike, sfidim fizik të ligjeve diskriminuese, duke hyrë në bare e restorante të segreguara. Hapi i katërt ishte i drejtuar kah provokimi i dhunës, jo duke ushtruar dhunë, por duke qenë viktimë e saj.

Presidenti Kennedy dhe, në veçanti vëllai i tij Robert, përcollën të katër hapat me indinjatë. Roberti edhe me ndihmë konkrete për Kingun në disa prej aksioneve të drejtpërdrejta, madje duke refuzuar presionin e FBI-së që dr.Kingu të përndiqet legalisht me përkufizimin si komunist e ekstremist i dhunshëm, apo që të dyja së bashku. Në fund, pasi u arrit "tensioni rritës", presidenti Kennedy me të vëllanë hartuan Aktin e të drejtave civile, një normë legjislative që do të sulmonte racizmin në Amerikë në pesëdhjetë vjetët e ardhshëm.

(Pas vrasjes së presidentit Kennedy, këtë Akt e nënshkroi pasuesi i tij, Johnson).

14.
Kosova ka mundur të mësojë prej katër hapave të Kingut, pesëdhjetë vjet më vonë. Te hapi i parë, opozita, "mblodhi fakte" që nga shtatori 2015 dhe paraqiti arsyetime krejtësisht të qarta për mundësinë e rrezikimit të Kushtetutës dhe tërësisë tokësore të vendit. Pushteti mohoi tërësisht këto fakte dhe mohoi mundësinë që për to fare të bisedohej. E mohoi hapin e dytë, atë të negociatave. Po të ishte inkuadruar në to, do të mund të kishte një gjasë, sado e vogël, që pushteti dhe opozita të dakordoheshin për mënyrën se si duhej trajtuar marrëveshjet e Brukselit; mund të mbërrinin, sado minimale mundësia, një qasje konsensuale. Pushteti e detyroi opozitën që të kalojë në hapin e tretë, atë të "vetëpastrimit", gjegjësisht të kalimit në stad ku anëtarët e saj, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit, të jenë të përgatitur për pasojat ligjore a fizike të veprimeve të veta. Dhe, hapi i tretë i suksesshëm u pa me të katërtin, një "aksion i drejtpërdrejtë", i cili mori formën e bllokimit të Parlamentit, e që nga Dita e Flamurit edhe me protesta masive.
Pushteti, në asnjërën prej katër hapave nuk ka pasur sensin për të kaluar në një zgjidhje. Duke u bazuar në shumicën e vet politike, i ka porositur opozitës që ndryshimet në vend mund të bëhen vetëm nëse opozita i fiton zgjedhjet më 2018.
Të njëjtën mendësi e kishte shprehur, pak a shumë, guvernatori i shtetit Alabama, George Wallace, me të marrë pushtetin dhe si përgjigje ndaj kritikave për segregacion, jo vetëm nga zezakët, por edhe nga Qeveria federative. "Segregacion tash, segregacion nesër, segregacion përgjithnjë", gjegjësisht përderisa ai të ishte në pushtet.

15.

Pushteti, në vend të dialogut, ka ofruar dhunë verbale, të po së njëjtës formë të arrogancës si guvernatori Wallace. Jo vetëm me përshkrimet bukolike (gratë që kullosin, demonstrues që ikin si qyqarë, me bisht ndër shalë), por me mohimin se ekziston ndonjë problem. Fillimisht, se nuk ka problem kushtetues me marrëveshjet e nënshkruara. Pastaj, kur u konstatuan 23 shkelje kushtetuese, duke mos pranuar as më të voglën përgjegjësi për këtë. Pastaj, duke mohuar se që nga vera e vitit të kaluar vendi po kalon nëpër një krizë të paprecedencë politike. Dhe, në fund, duke kërkuar që gjërat të vazhdojnë ashtu siç kanë paraparë ata - që të mblidhet Kuvendi e të zgjidhet presidenti prej formacionit pushtetor.

Dhuna verbale e pushtetit ka degjeneruar në dhunë rruge. Shpërfaqja e rrahjeve mes qytetarëve dhe policëve, përfshirë edhe përdorim të "koktejit të molotovit" nga ana e një pakice të dhunshme protestuesish ka treguar më së miri formulimin kaherë të shprehur prej M. L. Kingut, në kritikën e tij ndaj propozuesve të dhunës:

"Dobësia përfundimtare e dhunës është se zbret në një spirale që prodhon mu atë që kërkon ta shkatërrojë...".

Përdoruesit e "molotovit" nuk i ndihmuan kauzës opozitare, por e dëmtuan në marrëdhëniet e veta me publikun. Por, pushteti i cili mendoi se me dhunë do të disiplinojë opozitën, përfshirë edhe deputetët në Kuvend, vetëm sa shtoi legjitimitetin e kauzës së saj.

Për më tepër, pushteti me veprimet e veta degradoi në formë dramatike jetën politike në vend. Në vend se liderët politikë, dhe deputetët me votat e qytetarëve të shqyrtojnë se çka duhet të nënshkruajë Kosova me Serbinë, se çka është kushtetuese a jo, pushteti këtë funksion arbitrimi politik e juridik ia ka lënë policisë. Sot, pushteti e urdhëron policinë që të ndërhyjë në Parlament në mënyrë që Parlamenti të mos bllokohet nga opozita (që është e drejtë e saj legjitime). Pushteti e urdhëroi policinë që të ndërpresë pengimin opozitar të shkeljes së Kushtetutës. Dhe pushteti e urdhëron policinë që ta zhveshë nga imuniteti deputetin e Kuvendit të Kosovës.

Në një vend demokratik do të duhej angazhuar Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar nëse mund t'i hiqet a jo mandati një deputeti për mbushjen e sallës së Kuvendit me tym. Në një vend demokratik do të duhej një debat i thuktë dhe i kualifikuar juridik se kur dhe si mund të urdhërohet i zgjedhuri i popullit që të pengohet prej pjesëmarrjes në mbledhje të Kuvendit. Në Kosovë, një njësi policore, Gardë pretoriane e këtij pushteti, e futur brenda sallës së Kuvendit apo, sipas nevojës në hyrje të saj, vendos se kush ka imunitet prej deputeti e kush jo, kush mund të hyjë brenda e kush jo.

Imazhi më mbresëlënës i qorrsokakut ku është futur pushteti është ai i deputetes Albulena Haxhiu. Koka e saj, në procedura parlamentare, duhet të jetë njëra prej 120 që vendosin për demokracinë në vend. Koka e saj, e përplasur përtokë me ndërhyrjen e policisë, shpërfaq vlerësimin për rolin e saj si deputete, imunitetin e saj parlamentar, në fund edhe për vetë respektin ndaj jetës parlamentare.

16.

Tendosja e shoqërisë kosovare më 2016 tashmë i ka tejkaluar shkaset fillestare, ato të marrëveshjeve të Brukselit. Siç kishte paralajmëruar dr. Kingu më herët, këto tendosje nxjerrin në sipërfaqe tërë tendosjen e shoqërisë.

Ai këtë e kuptoi pas vitit 1964, kur vazhdoi lëvizjen e tij të padhunshme , me një marshim të madh në Washington. Marshi nuk ishte më për të drejtat e zezakut të hyjë në restorant apo të regjistrohet për votim. Në atë që ishte demonstrata më e madhe deri atëherë, M.L. King ftoi që të bashkohen për "vende pune dhe liri".

Tendosja kosovare tashmë nuk është vetëm ajo e marrëveshjeve të Brukselit. Është ajo e një shoqërie së cilës i janë marrë, dita-ditës, mundësitë që në formë të ndershme të krijojë një perspektivë më të mirë. Asaj shoqërie që duhet të përjetojë një varfëri të pashoqe në Evropë, një korrupsion të pashoq në Evropë, një izolim të pashoq në Evropë, një fyerje e ofendim të pashoq në Evropë që prodhon 100 mijë ikanakë brenda disa muajve të dimrit 2014-2015.
Asaj shoqërie, që ka mbetur me pak ose fare mundësi, që në formë të ndershme të krijojë një perspektivë më të mirë dhe për herë të parë në historinë e saj mundësinë nuk ia mori ndonjë i huaj. Pushtuesi, ai që e ka kapur shtetin, këso here është kosovar.

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...