Mbi shqiptarët me bisht nën shalë

18 Shkurt 2016 - 23:15 - Enver Robelli      

Po të ishte politikan i mençur dhe jo vetëm dinak Hashim Thaçi do t’u kërkonte falje qytetarëve të Kosovës pasi i quajti njerëz me bishta. Kështu i ka përshkruar shqiptarët vetëm kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq para një shekulli. Athua historiani Thaçi ka qenë në gjumë kur është shpjeguar kjo pjesë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe?

Zyrtarisht Kadri Veseli ka hyrë së fundi në politikë, andaj përpjekjet e tij për t’u dukur i moderuar, tolerant, dashamirës, i gatshëm për dialog, properëndimor, kundërshtar i zaptuesve të pronave publike (shumica janë njerëz të afërt me subjektin e tij politik!), me një fjalë: të gjitha këto përpjekje shpesh duken artificiale dhe me nuanca humoristike. Kur Veselit në njërën nga mbledhjet dramatike të Kuvendit të Kosovës i shpëtoi nga vetja Kadriu, ai ia përplasi për hunde një deputeteje opozitare këto fjalë: “Ma hangsh…”! Se cili mund të ketë qenë vazhdimi i kësaj fjalie mbetet në fantazinë e opinionit, sepse në çastin e fundit Veseli ndali mikrofonin. Dhe pas pak minutash doli e kërkoi falje publikisht – motrave, nënave, gjysheve, tezeve, kunatave anekënd Kosovës.
Akuza e deputetes Albulena Haxhiu ishte e rëndë (“Ti je kriminel”), por kjo është akuzë politike dhe jo fyerje që godet në intimitet. Njëherë edhe Joschka Fischeri, në fillim të karrierës së tij aktive politike, e kishte humbur kontrollin dhe kryetarit të Parlamentit të Gjermanisë, Richard Stücklen, i kishte thënë: “Me leje, zoti president, por ju jeni zuzar”. Para tij edhe poeti Johann Wolfgang von Goethe kishte bërtitur: “Mbyteni atë qen! Është recensent”. Sharjet janë pjesë e kulturës dhe përditshmërisë në çdo shoqëri. Dhe çka është sharje në një shoqëri, në një tjetër mund të jetë lavdërim. Nëse një gjerman i thotë një arabi “ti je deve”, ai këtë mund ta marrë si kompliment, sepse deveja është kafshë e mençur në botën arabe. Në botën gjermane, ndërkaq, një torollaku mund t’i thuhet: “Ti je deve”.

Akuza e kryetarit të PDK-së Hashim Thaçi kundër mbase 50 mijë qytetarëve dhe krerëve të opozitës se ata ikën “me bisht nën shalë”, se “ikën si qyqarë” nga protesta e së mërkurës nuk ka të bëjë fare me humorin. Kështu i ka përshkruar shqiptarët vetëm kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq para një shekulli në librin e tij të botuar në Leipzig “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”. “Vetëm ndër shqiptarë duket se në shekullin e 19-të ka pasur ende njerëz me bisht”, shkruan Gjorgjeviq. Në një shkrim mbi terrorin serb mbi shqiptarë pas pushtimit të Kosovës nga Beogradi shkrimtari i njohur kroat Miroslav Kërlezha, duke iu referuar shtypit nacionalist serb, shkruante: “Qysh para disa vitesh udhëtarët në Shqipëri paskan parë njerëz me bisht, <me bisht të kalit ose të dhisë>, dhe këta bastardhë të Tribalëve dhe Skordiskëve antikë, këta Gegë dhe këta Toskë, këta melezë të tipave të ndryshëm antropologjikë, kjo bandë e përçarë në pesëdhjetë dialekte plotësisht të pakuptueshme, bërtet dhe theret ndër vete në anarki skëterrëse. (…) Në këta shkrepa të egjër, të zez dhe të pashkelshëm, shtatëdhjetë për qind të burrave vdesin nga hakmarrja, kurse vdekja prej sëmundjes në shtrat është turp. Këta të egjër gjakpirës, këta lëkurëkuq evropianë, intolerantë fetarë deri në ekstrem, te të cilët fjala cub dhe bandit është sinonim për kalorës, këto bisha të egra me fytyrë njeriu, ditëve të festave gostiten me miell misri të zier, nuk dinë çka është kripa, kurse për sheqerin mendojnë se është borë”.

Ku e ka gjenezën shpifja e Vladan Gjorgjeviqit për shqiptarët me bisht? Në veprën e tij Gjorgjeviqi i referohet studiuesit të njohur të shqiptarëve dhe konsullit austriak Johann Georg von Hahn. Por këtu bëhet fjalë për një keqpërdorim eklatant të një shënimi të studiuesit nga Austria. Në librin e tij “Albanesische Studien” von Hahn nuk thotë se ka parë shqiptarë me bisht, por se ka dëgjuar rrëfime nga popullsia. Von Hahn ishte një erudit që mbante shënim për gati gjithçka që shihte e dëgjonte, ai interesohej për gjuhën, folklorin, përrallat, legjendat, anekdotat.

Legjenda raciste për shqiptarët me bisht, e hedhur në opinion si “argument shkencor” nga Vladan Gjorgjeviqi, nuk u zhduk nga kujtesa e nacionalistëve serbë. Në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, filologu serb Eduard Dajç nxori një dramë “shkencoro-populloro-politike” dhe si bashkëautor e deklaroi edhe Vladan Gjorgjeviqin (1844-1930). Drama quhet “Libri i bardhë mbi çështjen serbe (Vazhdim i Librit të kaltër)”. Në këtë vepër raciste Dajç sjell një bisedë fiktive mes Gjorgjeviqit dhe albanologut të njohur austriak Baron Franz von Nopcsa. Ky është dialogu mes tyre:

“Baron Nopcsa: Është e ditur se pas konsullit Hahn dhe juve, që keni dëshmuar se bishti te shqiptarët është më shumë i përhapur se te popujt e tjerë, unë jam njohësi më i madh i arnautëve. Ndërsa konsulli Hahn në veprën e tij <Albanesische Studien> dhe ju në veprën tuaj <Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha> keni thënë se shqiptarët kanë vetëm dy lloje bishtash, bishtin e shkurtër të dhisë dhe të gjatin të kalit, unë kam konstatuar se ata kanë edhe një lloj të tretë të bishtit dhe se ky lloj bishti është shumë më i përhapur se dy tipat e parë.

Dr. Vladan: Një zbulim jashtëzakonisht interesant! E cili është ky lloj i tretë i bishtit?

Baron Nopcsa: Bëhet fjalë për një bisht të bardhë lepuri, i bardhë si plisi arnaut dhe ai i papës. Bartësit e këtij lloj bishti janë njerëz me autoritet të madh në mesin e arnautëve të tjerë me bisht.

Dr. Vladan: Interesant. E përse?

Baron Nopcsa: Sepse nuk duhet ta çojnë bishtin dhe ta lëvizin anash kur kryejnë nevojën e madhe. Edhe sekretari im Bajaziti ka një bisht të tillë të bardhë, të cilin e lëviz magjishëm…”.

Dajç jo rastësisht e përmend Bajazitin. Bëhet fjalë për Bajazit Elmaz Dodën me të cilin albanologu i famshëm kishte një lidhje dashurie, e cila përfundoi në mënyrë tragjike: Nopcsa vrau veten në vitin 1933 – pasi kishte vrarë të dashurin e tij.

Duket se Thaçit i doli Hashimi kur i krahasoi bashkëkombësit e tij me njerëz me bishta. A do e ndjek edhe ky shembullin e Veselit dhe do të kërkojë falje apo do të vazhdojë me fyerje të publikut. Për shembull mund të thotë: “Protestuan disa zuzarë”. Ose duke kultivuar fjalorin e PDK-së: “Ma hangshi…”. Ky është vokabular vërtet presidencial!

robelli@bluewin.ch

 

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...