Në vendin e përrallave diplomatike

18 Shkurt 2016 - 08:39 - Enver Robelli      

Çdo apel i ambasadorëve të fuqive të mëdha për të luftuar korrupsionin dhe krimin në Kosovë tingëllon qesharak për aq kohë sa të njëjtit kultivojnë aleancë me politikanë me duar të ndyra.

Maryse Daviet është ambasadore e Republikës së Francës në Republikën e Kosovës. Me flokë të thinjura dhe me fytyrën me rrudha ajo lë përshtypjen e një gjysheje simpatike që ia do të mirën këtij vendi.

Nga mesi i janarit, kur njerëzit e Kosovës, si gjithkund në Ballkan, ende ishin duke u kthjelluar nga ditët e shumta festive, Daviet tha: “Korrupsioni ende vazhdon të jetë problem i dukshëm në Kosovë. Është në dorën e qytetarëve dhe politikanëve se si do ta rregullojnë këtë gjë. Marrëdhënia juaj me Bashkimin Evropian është kontraktuale dhe me këtë nivel të korrupsionit nuk mund të ketë kontratë”.

Para disa muajsh ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Angelika Viets, deklaroi: “Notat që Kosovës i janë dhënë për sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk janë të kënaqshme”. Me një rast tjetër diplomatja gjermane nënvizoi: “Janë më shumë se 400 ndërmarrje të anketuara në Kosovë, të cilat si pengesë kryesore për të ushtruar aktivitetin e tyre biznesor kanë përmendur të jetë furnizimi jo i mjaftueshëm me energji në vend”.

Në një intervistë dhënë para pak ditësh “Zërit të Amerikës” ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, tha se në të ardhmen do t’iu shmanget takimeve me zyrtarët që janë të akuzuar për shpërdorim detyre dhe me partitë që përdorin dhunën. Më herët ai kishte thënë se korrupsioni paraqet pengesë për zhvillimin e vendit. Me një rast tjetër Delawie, duke iu referuar një studimi të UNDP-së, theksoi se “43 për qind e gjykatave vuajnë nga korrupsioni në shkallë të madhe”.

Për ambasadorin niveli i korrupsionit në Kosovë mbetet më i larti në krahasim me vendet e rajonit.
Nga Ambasada e Austrisë në Prishtinë më herët është dëgjuar ankesa se pengesë kryesore për investime në Kosovë është korrupsioni, procedurat burokratike dhe dogana joefikase.
Kur i lexon njeriu të gjitha këto deklarata, duhet të jetë optimist. Duhet përgëzuar ambasadorët për logjikën e tyre të shëndoshë. Sepse logjika e shëndoshë thotë: së pari zbulohet problemi, pastaj kërkohen dhe gjenden mjetet për ta zgjidhur atë. Ky është zinxhiri i kauzalitetit, domethënë lidhja mes shkakut dhe pasojës.

Shihet hapur se diplomatët perëndimorë e kanë detektuar problemin, në fakt kancerin e kësaj shoqërie, i cili ka një emër: korrupsion. Nuk bëhet fjalë vetëm për korrupsion monetar, në Kosovë korrupsioni është mënyrë jetese dhe nuk është vetëm fenomen ndër njerëzit e pushtetshëm. Por e vërteta është se dëmin më të madh Kosovës ia shkaktojnë politikanët që pushtetin e tyre e përdorin për të vjedhur.

Për fat të keq, në rastin e Kosovës ekziston një hendek mes emërtimit të problemit dhe luftimit të tij. Ambasadorët flasin për korrupsion, por në të njëjtën kohë kultivojnë aleancë me politikanë me duar të ndyra. Nuk mund të flisni, siç bëjnë shumica e ambasadorëve të vendeve perëndimore, kundër korrupsionit dhe t’i takoni pothuaj çdo ditë të korruptuarit, të merrni pjesë në zgjedhjen e tyre në poste të rëndësishme, t’i nderoni me audienca. Sa cinike është kjo politikë tregon shembulli i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010. U tha atëherë, nga diplomatët, se vjedhjet që kishte bërë Partia Demokratike e Kosovës e duetit Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli arrinin “përmasa industriale”.

Të njëjtit diplomatë, thua se nuk ndodhi asgjë, e pranuan qeverinë që doli si rezultat i këtyre, me nder me thënë, zgjedhjeve. Kështu diplomatët perëndimorë u bënë pjesëmarrës në varrosjen e demokracisë në Kosovë. Parë në këtë dritë apelet e tyre se në Kosovë duhet të luftohet korrupsioni, kanë cilësi humoristike, sepse nuk mund ta fikni një zjarr duke angazhuar piromanët si zjarrfikës. Ose, meqë po merremi me fjalorin humoristik të diplomatëve, ja edhe një krahasim tjetër: s’mund ta luftoni djallëzinë me demonë!

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës viteve të fundit kanë ndërruar paradigmën në Ballkan: stabiliteti është më i rëndësishëm se demokracia, se shteti funksional, se barazia dhe mirëqenia. Rezultat i kësaj politike gati kudo në Ballkan është një demokraci joliberale me figura politike të fuqishme dhe të urryera (Thaçi, Vuçiq, Gruevski, Gjukanoviq). Mbahen zgjedhje sa për sy e faqe, por parakushtet për zhvillim të demokracisë keqësohen vazhdimisht, sepse partitë në pushtet, të cilat kontrollojnë çdo hallkë të jetës publike, i kanë në dorë të gjithë mekanizmat për të dirigjuar rezultatin. Manipulimi i regjistrit të zgjedhësve si në rastin e Maqedonisë duket të jetë një nga marifetet më të lehta në krahasim me fenomene të tjera të vjedhjes së votës.

Në një koment të botuar në gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” profesori i shkencave politike në Universitetin e Grazit, Florian Bieber, pyet se si ia dalin politikanët e Ballkanit t’i fitojnë zgjedhjet. Kjo është përgjigjja e tij: “A janë zgjedhësit naivë apo ata duan një diktator të vogël? Ndoshta të dyja janë të vërteta, por arsyet mund të kuptohen lehtë: njerëzit ia japin votën një partie për para apo për një vend pune. Votat blihen rregullisht dhe kriza ekonomike i bën 50 apo 100 euro më të vlefshme se para disa vjetëve. Po ashtu ekziston një lidhje mes vendit të punës dhe përkrahjes së partisë përkatëse qeverisëse, sepse për një vend pune në sektorin publik në shumicën e vendeve pasardhëse të Jugosllavisë përkatësia partiake sot është më e rëndësishme se në kohën e Jugosllavisë komuniste”.

Ambasadorët Maryse Daviet, Angelika Viets, Greg Delawie dhe të tjerë mund t’i ndihmojnë këtij vendi vetëm nëse distancohen me veprime konkrete nga politikanët e korruptuar. Përndryshe do të kujtohen vetëm si dëshmitarë të ndërtimit të një demokrature, e cila nuk ka ardhmëri dhe një ditë mund të shpërthejë si fuçi baruti.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...