Kosova mbetet e vetmuar jashtë integrimeve evropiane

17 Shkurt 2016 - 08:17 - Augustin Palokaj      

Bosnjë-Hercegovina aplikon për anëtarësim në BE duke u bërë shteti i fundit nga rajoni që ka bërë një gjë të tillë. Me këtë Kosova edhe formalisht mbetet i vetmi shtet që nuk e ka bërë as aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që është edhe hapi i parë në procesin e integrimeve evropiane. Dhe në këtë pozitë Kosova do të mbetet, duket, edhe për një kohë të gjatë, sepse gjasat që të njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së aktualisht nuk janë reale.

Nëse Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën i lidh diçka, atëherë kjo është thirrja e shpeshtë e bashkësisë ndërkombëtare që në rastin e Kosovës të mos lejohet përsëritja e gabimeve të bëra në Bosnjë-Hercegovinë. Thirrje të tilla kemi dëgjuar që nga mesi i viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar dhe në një masë, me një ndërhyrje më të hershme në Kosovë sesa në Bosnjë-Hercegovinë u parandalua që përmasat e krimeve serbe në Kosovë dhe shkatërrimi të jenë në nivelin që ishin parë më herët në Bosnjë. Më vonë u bënë përpjekje që edhe forma e pranisë ndërkombëtare dhe zgjidhja për statusin e Kosovës të mos jetë përsëritje e gabimeve të bëra në Bosnjë-Hercegovinë. Por përkundër kësaj disa gabime u përsëritën edhe në Kosovë, përmes dhënies së fuqive ekzekutive pranisë ndërkombëtare që legjitimoi papërgjegjësinë e pushtetit vendor ndërkohë që praninë ndërkombëtare në fushën e rendit dhe të ligjit e bëri pothuajse të dështuar. Po ashtu edhe legjitimimi i ndarjeve në vija etnike në Kosovë është një model i dështuar nga Bosnja, pa marrë parasysh se a është marrëveshja për krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë krijim i një lloj “Republika Srpska” apo jo. Sikur në Bosnjë ashtu edhe në Kosovë ka në pushtet politikanë, të cilët e vënë në dyshim ekzistimin e Kosovës si shtet. Mendojmë këtu në përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të cilët, edhe pse kanë funksione në Qeverinë e Kosovës veprojnë sipas urdhrave nga Qeveria e Serbisë. Por është një gjë që në rastin e Bosnjë-Hercegovinës është më e qartë sesa në rastin e Kosovës e kjo është shtetësia formale. Si e tillë ajo është anëtare e të gjitha organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.

Bosnjë-Hercegovina është një shtet jofunksional, me një ndarje të çuditshme, e cila edhe e ka bërë të tillë. Si mund të duket formal një shtet ku një njësi e saj quhet “federatë”, ndërsa tjetra mban një emërtim etnik. Pra Bosnjë-Hercegovina, sipas modelit të krijuar në një konferencë ndërkombëtare që kishte për qëllim ndaljen e luftës, përbëhet nga “Federata e Bosnjë-Hercegovinës”si entitet i përbashkët i boshnjakëve myslimanë dhe kroatëve, ndërsa entiteti tjetër është “Republika Srpska” si entitet i serbëve. Ndarjet brenda shtetit shtohen edhe përmes kantoneve, distrikteve, rretheve. Vështirë është të gjesh ndonjë shtet ku ka aq shumë kryeministra e ministra, parlamente e deputetë, nga niveli shtetëror në atë të entitetit apo të prefekturave apo kantoneve. Por ky rregullim shtetëror nuk është një zbulim i qytetarëve të Bosnjës. Është një formulë ndërkombëtare. Prandaj përgjegjësinë për mosfunksionimin e Bosnjës as 20 vjet pas marrëveshjes së Daytonit do të duhej ndarë së paku në mënyrë të barabartë mes bashkësisë ndërkombëtare dhe elitave politike vendore.

Duke pasur parasysh se së paku nuk e ka problem njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar shtetëror, Bosnjë-Hercegovina e ka më të qartë edhe rrugën e integrimeve evropiane. Kjo shihet edhe këto ditë kur Kosova pret hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit e Bosnjë-Hercegovina bën hapin e parë formal në procesin e integrimit në BE.

Bosnjë-Hercegovina aplikon për anëtarësim në BE duke u bërë shteti i fundit nga rajoni që ka bërë një gjë të tillë. Mali i Zi dhe Serbia kanë fituar moti statusin e vendeve kandidate dhe i kanë hapur kapitujt e parë të negociatave. Maqedonia dhe Shqipëria kanë status kandidati, por nuk kanë nisur negociatat e anëtarësimit. Bosnjë-Hercegovina kishte deri më tash në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe ishte e fundit në mesin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, e cila nuk kishte aplikuar për anëtarësim. Natyrisht nuk duhet harruar edhe Kroacinë, e cila është e vemja nga ky rajon që përmbylli tërë ciklin duke u bërë edhe anëtare e Bashkimit Evropian para tre vjetësh.

Me këtë Kosova edhe formalisht mbetet i vetmi shtet, i cili nuk ka bërë as aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që është edhe hapi i parë në procesin e integrimeve evropiane. Dhe në këtë pozitë Kosova do të mbetet, duket, edhe për një kohë të gjatë, sepse gjasat që të njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së aktualisht nuk janë reale.

Me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit Kosova ka bërë hapin më të madh deri më tash në përafrim me BE-në, por as kjo MSA nuk mund të quhet si hap formal në procesin e integrimeve në BE. Edhe pse duhet pasur kujdes në mënyrë që të mos ulet vlera e MSA-së, duhet thënë se ajo nuk e trajton Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Madje kjo thuhet qartë edhe në tekstin e kësaj marrëveshjeje, prandaj janë edhe të kota dhe naive edhe debatet se a njihet apo jo Kosova si shtet me këtë MSA. Ajo MSA është maksimumi që Kosova dhe BE-ja mund të arrijnë në raportet e tyre formale në rrethanat ekzistuese. Për më shumë duhet njohje nga të gjitha shtetet ekzistuese të BE-së.

Nëse në Kosovë dhe rreth saj krijohen dilemat se a mund të ecë apo jo Kosova në procesin e integrimeve evropiane? E vetmja mënyrë që kjo të sqarohet është që BE-ja të sfidohet me një aplikim formal nga Kosova për anëtarësim në BE. Ndoshta një hap të tillë edhe duhet bërë për të sfiduar ato shtete që nuk e njohin Kosovën, thonë se nuk e kanë ndërmend ta njohin, por në të njëjtën kohë pohojnë se nuk kanë asgjë kundër realizimit të “agjendës evropiane të Kosovës”.

I tërë procesi i zgjerimit dhe negociatat e anëtarësimit ndoshta duken si një rrugë për askund në këto rrethana, kur vetë BE-ja nuk e ka të sigurt të ardhmen e saj. Por për sa të mbetet gjallë procesi shtetet duhet të mbajnë aspiratat e tyre dhe të ecin në këtë rrugë.

Bosnjë-Hercegovina kështu ka bërë një hap të guximshëm duke aplikuar përkundër shumë porosive nga BE-ja që “të mos nxitojë”. Sikur të priten gjithmonë vetëm sinjale pozitive nga BE-ja, atëherë procesi i zgjerimit do të ishte edhe më i ngadalshëm sesa që është. Sikur Kroacia në vitin 2003, kur aplikoi për anëtarësim në BE, edhe pse nuk e kishte ende në fuqi MSA-në, të kishte përfillur porositë nga Brukseli dhe të mos “nxitonte” me aplikacion formal për anëtarësim, ndoshta sot nuk do të ishte anëtare e 28-të e BE-së. Në atë kohë kryeministri tashmë i ndjerë kroat, Ivica Raçan, kishte thënë: “Ne kemi konsensus kombëtar për anëtarësim në BE dhe NATO. Mendojmë se e meritojmë të jemi kandidat më potencial e jo të mbetemi kandidat potencial. Ne do të aplikojmë, sepse jemi të vendosur e ju vendosni vetë sipas procedurave dhe qëndrimeve tuaja”.

Procesi i zgjerimit ka dëshmuar se në këtë proces asnjëherë nuk vjen “momenti më i mirë”. Në fakt, sa më shumë që vonohen shtetet në këtë proces, aq më vështirë e kanë në këtë proces. Kroacia e kishte më vështirë sesa Rumania dhe Bullgaria, shtetet pas Kroacisë e kanë më vështirë sesa Kroacia. Kosova përmes procesit të liberalizimit të vizave, edhe pse ky proces nuk ka lidhje formale me integrime evropiane, po e ndien në lëkurën e saj se sa të rënda janë kushtet nëse vonoheni në proces.

Sa i përket Bosnjë-Hercegovinës, një prej dy shteteve të vetme të rajonit që nuk e njeh Kosovën si shtet, që po ashtu flet për absurditetin e rregullimit të brendshëm shtetëror të saj, ky aplikim mund të jetë një shenjë e forcimit të shtetësisë në kohën kur nga entiteti serb vazhdojnë të vijnë kërcënimet për referendum për daljen e Republika Srpskas nga Bosnjë-Hercegovina. Këtë duhet ta ketë parasysh BE-ja kur të vendosë të shqyrtojë kërkesën formale të Bosnjë-Hercegovinës në Bashkimin Evropian dhe të mos rrezikojë edhe më shumë situatën edhe ashtu të rëndë në të cilën ndodhet ky shtet.

© KOHA Ditore 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...