Shën Hashimi

16 Shkurt 2016 - 07:35 - Flaka Surroi      

...dhe ëndrra e tij për sallën alternative në formë të zemrës, të përzgjedhur enkas për ditën e diel, ku të gjithë deputetët e koalicionit në pushtet do t’ia shprehnin dashurinë e pakompromis dhe të pakthyeshme

“Ajo që mund t'i garantoj qytetarëve, është që presidenti do të zgjidhet me mbi 2/3 e votave. Ne nuk mund të përjashtojmë në asnjë moment zgjedhjen se kur do të ndodhë. ... e dini që 40 nënshkrime të deputeteve mund të marrin iniciativën për thirrjen e një seance të veçantë dhe kjo mund të ndodhë edhe brenda ditës.

Kushtetuta nuk e parasheh vendin apo hapësirën se ku duhet të mbahet dhe nuk e bën të drejtë dhe të padrejtë hapësira se ku mbahet ai takimi, por e bën kuorumi. Nëse nuk mbahet në sallën kryesore mund të mbahet në sallë alternative.
Kishte me qenë shumë mirë dhe e shëndetshme për opozitën që të jenë pjesëmarrës atë ditë dhe ta jetojnë atë moment shumë të rëndësishëm edhe për familjet e tyre dhe për interesat e partive të tyre. Me siguri që do të ketë edhe kundërkandidatë... që arrijnë t’i mbledhin të paktën 30 nënshkrime të deputetëve”
, tha shefi i shefave dje.

Dhe teksa ia dëgjoja deklaratën, e paramendoja sallën alternative në formë të zemrës, të përzgjedhur enkas për ditën e diel, ku të gjithë deputetët e koalicionit në pushtet do t’ia shprehnin dashurinë e pakompromis dhe të pakthyeshme Hashim Valentinit. Do ta shfrytëzonin ditën e diel, sikurse kishte ndodhur kur u shpall Pavarësia, se vështirë se dikush do të mendonte se zgjedhja e kryetarit të shtetit do të duhej kontrabanduar në kohën kur njerëzit janë duke ngarendur pas sheqerkave, luleve dhe çokollatave – mundësisht krejt në formë zemre dhe të kuqe. Dhe kur shumica e deputetëve të opozitës të mos jenë në Prishtinë, por dikah maleve a zyrave në përgatitje strategjike të protestës së 17 shkurtit, me kërkesën e qartë kësaj radhe, që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Kështu, 14 shkurti prej këtij viti, do të shndërrohej në ditën e Shën Hashimit, sepse puna e këtij Valentinit është importuar nga Amerika për punë kryekëput komerciale, dhe në shenjë të përkrahjes së produkteve vendore, do ta riemërtonim ditën. Por jo vetëm. Ky do të ishte çasti kur lideri i vetëshpallur tu Kosovës do të shenjtërohej, dhe përfundimisht do të besonte se vetes t’ia ketë siguruar paprekshmërinë.

Busy Mr. Kty

E se diçka po zihet, nuk ka dyshim. Për çdo ditë të lume e pamë Mr. Ktynë e Kuvendit tek takohej me të gjithë ambasadorët e Kuintit, plus ambasadorin norvegjez – të cilëve do t’u ketë shpjeguar skenarin e Valentinit, dhe për të cilin do të ketë kërkuar përkrahje.

Dhe nëse vërtet po planifikohet mbajtja e një mbledhjeje plenare për ta zgjedhur kryetarin e shtetit “sipas Kushtetutës”, për të tretën herë duhet vënë në pah se pos Kushtetutës ekziston edhe një interpretim i Kushtetueses për atë se në çfarë forme zgjidhet kryetari i shtetit, e që nuk është bash njësoj me interpretimin e shefit të shefave. Për të rikujtuar: aktgjykimi me të cilin u anulua zgjedhja e Pacollit kryetar thotë se në sallë duhet të jenë prezentë të 120 deputetët, me përjashtimin e atyre që shprehimisht kanë leje nga kryetari i Kuvendit për të munguar. E për të marrë leje, duhet kërkuar atë – dhe këtu jam njëqind për qind e sigurt se deputetët e opozitës nuk do të kërkojnë leje nga ai.

Ashtu edhe siç ishte paraparë, kjo krizë të cilën ambasadori amerikan e quan artificiale, por që nuk është, për shkak se Zajednica e prek rendin kushtetues të Kosovës, do ta zgjidhin në fund të huajt. Dhe përderisa pajtohem plotësisht se dhuna është e papranueshme dhe se dhuna sjell dhunë, nuk mund të pajtohem assesi me konstatimin se “zgjedhjet e reja nuk do të sillnin asnjë ndryshim, ngase sondazhet tregojnë se disponimi i qytetarëve është ta përkrahë këtë Qeveri”. Sa për sondazhe, mund ta marr shembull njërin në KOHA.net, ku në pyetjen nëse qytetarët do ta favorizonin rritjen e çmimit të energjisë elektrike apo jo, rezultati doli të ishte se po, do ta përkrahnin. Po të pyeteshin xhepat e qytetarëve, timpanin e veshit do t’ua shurdhonte një “JOOOOO” e madhe, bile e shtypit. Kaq sa u përket sondazheve që nuk i dimë as kush i bën, as ku e as me sa respondentë.

Pasojat

Po qe se koalicioni qeveritar vendos ta mbajë mbledhjen e Shën Hashimit, tri do të jenë pasojat e mundshme. E para, se dikush do ta çojë çështjen e zgjedhjes së tij eventuale në Kushtetuese – qesi çfarë është – sepse ajo duhet të veprojë në bazë të vendimit Pacolli. Kjo do të duhej ta shpallte Thaçin kryetar jokushtetues. Sepse nëse nuk e bën këtë, Pacolli ka të drejtë të ankohet se atij ia kanë mohuar një të drejtë me të njëjtin vendim me të cilin atë të drejtë ia mundësojnë tjetrit.

Pasoja e dytë do të ishte ashpërsimi i tonit të protestës që do të mbahej mbas tri ditëve. E besoj se edhe ata që nuk e kanë ndërmend të dalin kësaj radhe, do t’i bashkohen protestës kundër njeriut që është përgjegjës i të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur Kosovës që nga koha kur ka ardhur në pushtet. Është përgjegjës për faktin se Kosova është shtet jofunksional dhe i zhytur në korrupsion e krim. Dhe që e paraqet figurën më jounifikuese që ka prodhuar Kosova ndonjëherë.

E treta do të ishte në rastin shumë hipotetik, që të mos kishte kuorum për ta votuar, apo edhe të mos i fitonte votat e mjaftueshme as në rundin e tretë, me gjithë shkeljet e vendimit Pacolli – dhe që Kosova të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Kjo e treta do të ishte opsioni më i mirë, për shkak se do të realizohej në formën më demokratike të mundshme. Natyrisht, me kusht që të ndalohet mundësia e sms-ve nga ambasadorët; që të ndalohej hyrja e zëvendësve të Sami Lushtakut në detyrën e “bindësit” të të pabindurve; dhe që të mos kishte pauza pesëmbëdhjetëminutëshe që do të zgjasnin tri orë.

Pra, do të shkohej në zgjedhje të parakohshme, sepse ashtu e vendosën përfaqësuesit e popullit, e jo pse e vendosi dhuna në Kuvend, apo ndonjë dhunë eventuale në protestë, që ka shumë gjasa të ndodhë, posaçërisht nëse pushteti infiltron agjentët e vet që ta provokojnë atë, e edhe nëse opozita tregohet indiferente ndaj saj, duke e arsyetuar atë me “pakënaqësinë qytetare”. Arsyetime bajate që nuk kapërdihen dhe nuk u shkojnë në favor.

Zgjedhje, megjithatë?

Dy janë teoritë që po qarkullojnë ditëve të fundit. Një, që të huajt do të ishin të gatshëm që t’i mbyllnin sytë ndaj shkeljeve të aktgjykimit Pacolli ashtu që Thaçi të zgjidhej. E vetmja arsye pas kësaj do të ishte dobësimi i PDK-së, pavarësisht se ajo do të kalonte në duart e Mr. Ktysë. Ky i fundit, në përpjekjet mbinjerëzore që po i bën për t’u paraqitur më parlamentari dhe më demokratiku, do të duhej t’u nënshtrohej instruksioneve ashtu që t’u shpëtonte akuzave që mund të vijnë nga Gjykata Speciale, si ish-shef i SHIK-ut që ka qenë (apo është). Me çështjen Thaçi do të merreshin më vonë.

E dyta është se një pjesë e të huajve nuk e përkrah zgjedhjen e tij kryetar – e nëse do të mund të shërbente si indikator, do të duhej lexuar raportin e botuar nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve gjermane, DPA, që tash e lidh Thaçin për trafikim organesh edhe në Afrikë, duke u mbështetur në mediat serbe. Tash, po ta kishin pasur për zemër, gjermanët do t’i kishin injoruar këto raporte. Publikimi i tyre çon një mesazh shumë të qartë, ashtu edhe siç do të duhej të ishte indikative që e vetmja ambasadorja gjermane ka refuzuar të takohet me Veselin në Kuvend. Natyrisht të gjitha këto mbesin në suaza të spekulimeve.

Dhe në gjithë këtë tollovitje, kaloi paksa si në hije një takim i Veselit me përgjegjësit e rinj të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilët, thuhet, janë dakorduar që të hënën, më 15 shkurt, t’i bëjnë publikë emrat e privatizuesve të pronës shoqërore, por edhe të uzurpatorëve të saj. Siç logjikisht do ta vërente miku im, Samiri, kjo punë duket një përpjekje e qartë e partive politike në pushtet që t’i spastrojnë listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme. Dhe jo vetëm të atyre. Kjo domosdoshmërisht do të ndikojë edhe te partitë e opozitës për disa eksponentë të të cilëve flitet që moti se i kanë marrë nën kontroll pronat që nuk janë të tyre.

Nëse ky veprim nuk është i rastësishëm, atëherë ky është sinjal mjaft i qartë se gjithkush po përgatitet për zgjedhje dhe se ka shumë gjasa që kjo të ndikojë në listat e kandidatëve dhe për pasojë edhe humbjen e votave aty ku ato janë siguruar falë favoreve të të fortëve nëpër bazat e militantëve më të fuqishëm partiakë.

E se fushata ka nisur, tashmë e dëshmon edhe vetë Thaçi me rikthimin e tij para foltoreve dhe ekraneve pas një pauze që ia imponoi dështimi në UNESCO. Tash edhe po del në terren, për t’i takuar militantët e vet, ngase logjikisht ministri i Jashtëm do të duhej të ishte diku jashtë, e jo brenda në Kosovë. Për më tepër, po i keqpërdor edhe fëmijët, të cilët dje janë parë në një fotografi përkrah Thaçit, me bluza që mbanin fotografinë e tij të buzëqeshur dhe mbishkrimin “mirë se erdhe President”. Veç edhe nga një zemër u mungonte bashkë me nënshkrimin Shën Hashimi.

Kriza politike mund të zgjidhet në mënyrë shumë paqësore edhe pa ndërmjetësimin e Jahjagës. Thaçi është zgjidhja më e keqe për kryetar të Kosovës, dhe po qe respektohet aktgjykimi i Kushtetueses i 2011-s, ai nuk mund të zgjidhet. Po le ta provojë, le të dështojë dhe me automatizëm shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Opsioni tjetër është të gjendet një kryetar konsensual, të themelohet tryeza e partive politike; të bëhen ndryshimet e nevojshme të Kushtetutës dhe të Ligjit zgjedhor; të pezullohet çështja e marrëveshjes për AKS-në dhe të caktohen zgjedhjet e reja për vjeshtë. Deri atëherë, mbase edhe Specialja do të nisë së funksionuari me aktakuzat e para që do ta preknin strukturën aktuale të lartë shtetërore.

Dhe nëse çmimi për këtë do të ishte ta riemërtonim të shenjtin Valentin në Shën Hashim, do ta pranonim. Bile do t’ia falnim. Se është shumë më i vogël se ai që do ta paguajmë po qe se Thaçi do të zgjidhej kryetar.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...