Vëllezërit kinezë blejnë botën

11 Shkurt 2016 - 08:34 - Enver Robelli      

Për 40 miliardë euro një kompani kineze ka blerë “Syngentan” e Zvicrës, njërën prej ndërmarrjeve më të mëdha në botë të agronomisë. Roli i Kinës në ekonominë botërore po rritet – dhe shqiptarët, sidomos ata matanë Kukësit, do të duhej të ringjallnin lidhjet me Republikën Popullore të Kinës duke shfrytëzuar edhe lidhjet e kohërave të kaluara. Nga kjo mund të përfitojnë të gjithë shqiptarët në rajon.

Ngjarja, sipas dëshmitarëve, duhet të ketë ndodhur pak para ose pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Krerët e komunizmit, kryesisht pleq që përkundeshin në kujtimet e tyre, kishin shkuar në Pezë për të shënuar përvjetorin e Konferencës së Pezës, e cila ishte mbajtur më 1942.

Për të përcjellë këtë ngjarje nga Tirana kishte shkuar edhe korrespondenti i “Xinhua”, agjencisë shtetërore të lajmeve të Kinës. Ai ishte mbase i vetmi gazetar në Tiranë që në atë kohë kishte veturë, madje “Mercedes”, që më vonë do të bëhej automjeti më i preferuar i shqiptarëve. Bashkë me kinezin në veturë kishin zënë vend edhe dy gazetarë – njëri nga Tirana, tjetri nga Kosova, i dërguar i gazetës “Rilindja”.

Me të arritur në Pezë gazetari nga Tirana e kishte prezantuar kinezin para pleqve komunistë, të cilët me sy që po u shkëlqenin kishin filluar të kujtonin me nostalgji epokën e vëllazërisë shqiptaro-kineze. Përpjekja e gazetarit nga Tirana që ta prezantojë edhe gazetarin nga Kosova kishte dështuar. “Shoku Haxhi, ja këtu kemi edhe R., është gazetar nga Kosova”. Shoku Haxhi Lleshi dikur ishte përgjigjur: “Po mirë, ore, mirë, e kuptuam tashmë”. Dhe kishte vazhduar muhabetin me kinezin, duke injoruar kosovarin.

Në Kosovë po ashtu tregohet si anekdotë, e ndoshta mund të jetë edhe e vërtetë: në vitet ‘70 Televizioni Shqiptar raportonte për një vizitë të një delegacioni nga Kina dhe një delegacioni nga Kosova në Tiranë. Moderatori tregonte se në kryeqytetin shqiptar kishin ardhur “vëllezërit kinezë” dhe “miqtë kosovarë”. Edhe po të jetë legjendë ky episod, vërtet e shpjegon mirë verbërinë ideologjike të elitave komuniste të Tiranës.

Përtej anekdotave, stereotipave, ideologjive, marrëzive, Shqipëria do të duhej të shfrytëzonte afërsinë e dikurshme me Kinën për të vendosur marrëdhënie cilësore dhe në dobi të dyanshme me këtë shtet me potencial të jashtëzakonshëm ekonomik. Për gati dy dekada, sa ka zgjatur aleanca mes Shqipërisë dhe Kinës, qindra shqiptarë kanë studiuar në Kinë, kanë mësuar gjuhën, janë sensibilizuar me kulturën kineze, me mënyrën e të menduarit. Për fat të keq, kjo trashëgimi nuk është kultivuar pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Mund të përbuzet ideologjia komuniste e Mao Ce Tunit dhe revolucioni i tij kulturor, por Shqipëria humb nëse injoron gjithçka që përbën raportet mes Tiranës dhe Pekinit.

Në Universitetin e Tiranës ka katedër të gjuhës angleze, frënge, gjermane, italiane e spanjolle, por jo të gjuhës dhe kulturës kineze. Në përgjithësi në institucionet arsimore shqiptare (Shqipëri e Kosovë) mungon, krahas shumë mangësive, edhe kompetenca sa i përket Azisë dhe Orientit. Në fakt, në fund të vitit 2013 në Universitetin e Tiranës është hapur Instituti Konfuçi, i cili me mbështetje të qeverisë së Kinës promovon gjuhën dhe kulturën e këtij vendi. Por kjo nuk mjafton, veçanërisht duke pasur parasysh se Shqipëria ka pasur parakushte më të mira për t’u bërë një lloj qendre kompetente në Evropë sa u përket lidhjeve me Kinën në epokën e globalizimit.

Ndër propozimet e rralla pozitive që ka bërë Sali Berisha gjatë karrierës së tij politike pa dyshim është propozimi që në shkollat shqipe të mësohet edhe gjuha kineze.
Se roli i Kinës në ekonominë botërore po bëhet gjithnjë e më i madh, shihet prej vitesh. Në Afrikë firmat kineze ndërtojnë infrastrukturën dhe eksploatojnë xehe. Për shembull: në vitin 2007 Kina lidhi një marrëveshje me Kongon. Për 600 mijë tonelata kobalt dhe 10 milionë tonelata bakër Kina ishte e gatshme të investonte 9.2 miliardë dollarë në infrastrukturë – 31 spitale, 2 aeroporte, 3215 kilometra vijë hekurudhore dhe 3400 kilometra rrugë. Projekte të ngjashme kinezët po realizojnë në disa vende të Afrikës.

Javën që shkoi kinezët treguan muskujt në Evropë: për 40 miliardë euro firma “Chem China” bleu ndërmarrjen zvicerane “Syngenta”, e cila është udhëheqëse në teknologjinë e agronomisë. Ky është investimi më i madh kinez në botën e jashtme. Po ashtu në duart e kinezëve përfundoi firma tradicionale zvicerane “Sigg”, e cila prodhon shishe të aluminit. Prodhimet e saj janë të popullarizuara në mbarë botën. Në javët e kaluara një klub futbolli nga Kina ka blerë për 50 milionë euro një sulmues brazilian. Firma kineze e patundshmërive “Wanda” ka blerë në Hollywood “Legendary-Studio”, i cili ka prodhuar, mes tjerash, filmin “Jurassic Park”.

Vitin e kaluar i famshmi “Hotel Waldorf Astoria” në New York është blerë nga koncerni kinez “Anbang”.
Në botën perëndimore ekziston frika se kinezët do të blejnë ndërmarrjet, do të nxënë dijen dhe pastaj do t’i mbyllin fabrikat – për të hapur fabrika të reja në Kinë. Ekspertë të institutit për analiza të Kinës Merics me seli në Berlin, ndërkaq, mendojnë se deri më tani frika e evropianëve dhe amerikanëve është e pabazë. Bashkëpunimi ka ecur kryesisht mirë.

Kina nuk është shtet demokratik dhe vendet perëndimore duhet të kërkojnë nga investitorët kinezë të respektojnë rregullat e tregut të lirë dhe të drejtat e punëtorëve. Por fuqia e Kinës, kjo është tashmë evidente, nuk mund të injorohet as nga superfuqitë ekonomike si Gjermania. Këtë nuk mund ta injorojnë as bujqit aq krenarë francezë, ta zëmë, në trevën e Normadisë. Në një reportazh të gazetës zvicerane “Tages Anzeiger”, botuar ditë më parë, tregohej se si kinezët kanë hapur një fabrikë në të cilën qumështi i Normandisë shndërrohet në qumësht pluhur dhe eksportohet në Kinë. Vetëm vitin e kaluar fabrika ka përpunuar 258 milionë litra qumësht dhe ka gjeneruar 288 milionë euro. Kuptohet që janë hapur edhe vende të reja pune.

Trevat shqiptare kanë shumë potencial për zhvillimin e bujqësisë, rajonet malore në Shqipërinë e veriut, si dhe në perëndim dhe në jug të Kosovës kanë kullosa të pafundme, por po shfrytëzohen gjithnjë e më shumë nga pasanikët e rinj dhe të paskrupullt për të ndërtuar ndonjë vilë mes pishave. Edhe qumështin Kosova dhe Shqipëria kryesisht e importojnë – nga Sllovenia e vende të tjera. Në vend se të eksportonin. Për shembull në Kinë.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...