Brexit do të ishte i dëmshëm për BE-në dhe për Britaninë

10 Shkurt 2016 - 08:19 - Augustin Palokaj      

Nëse do të humbë në referendum dhe britanikët vendosin për të dalë nga Bashkimi Evropian, kryeministri i tashëm, David Cameron, do të mbetet në histori si një person që me premtime të pamatura u bëri dëm edhe vendit të tij, edhe BE-së. Kosova në BE do ta humbiste një mik të fortë me daljen eventuale të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian

Liderët politikë shpesh në fushata zgjedhore japin premtime të mëdha duke mos i menduar si duhet pasojat e tyre. Kur bëjnë fushatë në prag të zgjedhjeve në mendje e kanë vetëm fitoren dhe votat e qytetarëve. Këtë e dimë shumë mirë nga Kosova, ku premtimet politike janë pothuajse një lloj karikature si përralla, në të cilat më së paku besojnë edhe vetë ata që i thonë. Politikanët e Kosovës nuk kanë as fijen e turpit pse gënjejnë qëllimisht dhe nuk kanë nevojë të kenë, sepse askush nuk i thërret në përgjegjësi pse nuk i kanë realizuar premtimet. Sepse kur të vijë koha e zgjedhjeve në vend që të flasin për mosrealizimin e premtimeve të vjetra ata japin premtime të reja, edhe më pompoze. Flasin për integrime në BE dhe në NATO, për liberalizim vizash, për krijimin e hiç më pak se qindra mijëra vende të punës, për ndërtime aeroportesh, lugina të silikonit e gjëra të tjera.

Në vende ku ekziston përgjegjësia për fjalën e dhënë (dikur ka ekzistuar edhe ndër shqiptarët dhe ajo është quajtur “Besë”) as politikanët nuk mund t’i ikin asaj që kanë premtuar. Shpesh ata, pasi vinë në pushtet, bëhen viktimë e premtimeve të veta. Në këtë pozitë është sot kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron. Ai në prag të zgjedhjeve kishte dhënë një premtim se do të zhvillojë një referendum në Britani të madhe me pyetjen e qartë rreth anëtarësimit në BE, ku qytetarët do të votonin për “brenda” ose “jashtë”.

Cameron, me gjithë kritikat që i ka për funksionimin e Bashkimit Evropian, është në favor të BE-së dhe pa dyshim dëshiron që të Mbretëria e Bashkuar të mbetet anëtare e BE-së. Ai tash duhet vërtet të organizojë këtë votim, sepse premtimet duhet të mbahen. Nuk është ajo Kosovë ku politikanët merren vesh që ta bëjnë Atifete Jahjagën presidente “të përkohshme” dhe ndërkohë të përgatisin zgjedhjet direkte për president shteti, e pastaj askush nuk e përmend një gjë të tillë më.

Në Britani secili politikan që premton zhvillimin e referendumit e nuk e zbaton premtimin shkon në shtëpi. Dhe kështu Cameron tash po përballet me kurthin që e përgatiti vetë. Tash ai është duke u përpjekur që të fitojë disa “koncesione”, të cilat do të mund t’i shiste tek opinioni i tij si “përfitime të Britanisë në raporte me BE-në” dhe me këtë të rriste numrin e qytetarëve që do të votonin për mbetjen e Britanisë së Madhe në BE.

Nëse do të humbë në referendum dhe britanikët vendosin për të dalë nga Bashkimi Evropian, kryeministri i tashëm, David Cameron, do të mbetet në histori si një person që me premtime të pamatura i bëri dëm edhe vendit të tij, edhe BE-së. Kosova në BE do ta humbiste një mik të fortë me daljen eventuale të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.

E rezultatet e referendumeve janë shpesh të paparashikueshme. Në to shpesh ndikojnë edhe gjërat të cilat nuk kanë fare të bëjnë me pyetjen e cila është në fletëvotim.

Cameron javën e shkuar arriti një pajtim me presidentin e Këshilli Evropian, Donald Tusk, për një paketë “raportesh fer”. Sipas saj, Britanisë së Madhe i jepen disa mundësi që të kufizojë dhënien e ndihmave sociale punëtorëve nga vendet e tjera të BE-së për një periudhë më të vogël se katër vjet. Për shembull, nëse një shtetas rumun punon në Britani të Madhe, dhe ai ka fëmijë që mban në Rumani, shtesat e fëmijëve për të do të mund të llogariten sipas standardit në Rumani. Me këtë do të evitohej, mendojnë britanikët, migrimi për shkak të beneficioneve sociale, të cilat në Britani shpesh janë shumë më të mëdha sesa që është rroga në ndonjë shtet të Evropës Lindore. Edhe pse efektet e masave të tilla me siguri mund të jenë të kufizuara, kjo është një temë e ndjeshme në opinionin publik britanik, prandaj edhe i jepet aq shumë rëndësi.

Në fakt, të gjitha të dhënat flasin se Britania e Madhe ka pasur përfitime të mëdha nga ardhja e fuqisë punëtore nga vendet e BE-së nga Evropa Lindore. Po ashtu ata kanë kontribuuar më shumë në fondet sociale në Britani sesa që kanë përfituar prej tyre. Kjo ka ndihmuar që BE-ja të mbajë statusin e saj si një ekonomi e fortë dhe vitale, dhe që për shkak të kësaj jo vetëm se nuk është rritur por, përkundrazi, është zvogëluar papunësia. Pra, punëtorët nga Evropa Lindore nuk ua kanë zënë vendet e punës vendorëve, por kanë plotësuar ato vende të lira pune për të cilat nuk ka pasur sa duhet vendorë t’i përmbushin, qoftë vende të punës fizike apo edhe me kualifikime të larta.

Një përfitim tjetër që ka siguruar Britania e Madhe është që të rritet roli i parlamenteve nacionale të vendeve të Bashkimit Evropian në procesin e vendimmarrjes në BE. Po ashtu britanikët kanë siguruar zotime nga BE-ja që vendet të cilat nuk janë në zonën e euros nuk do të jenë të anashkaluara e në anën tjetër nuk do të kenë obligim të ndihmojnë në shpëtimin e atyre vendeve të cilat janë në eurozonë. Dhe, që për britanikët është me rëndësi, nuk do të jenë të obliguar të jenë pjesë e integrimeve më të thella brenda Bashkimit Evropian.

Këto propozime, për të cilat pritet të vendosin liderët e BE-së në samitin e tyre këtë javë në Bruksel, nga shumë media në Britani janë quajtur si “kozmetike” e nga ato euroskeptike edhe si “qesharake”. Por Cameron beson se me to do të përfitojë një pjesë sado të vogël të atyre qytetarëve të cilët janë të pavendosur. E në mesin e qytetarëve ekziston një ndarje pothuajse e barabartë në numër mes atyre që do të votonin po dhe atyre që do t’i thoshin jo mbetjes në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, me të drejtë thotë se “BE-ja me Britaninë është më e fortë ndërsa Britania është më e fortë në BE”. Kështu mendojnë edhe aleatët kryesorë të Britanisë jashtë Evropës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia, Australia e deri tek Kanadaja dhe Zelanda e Re. Për ta një Britani jashtë Bashkimit Evropian nuk do të ishte aq e rëndësishme sa një Britani e fuqishme brenda BE-së. Prandaj edhe ndikimi i tyre, sidomos i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të jetë jo i vogël edhe në fushatën para votimit për anëtarësimin në BE të Britanisë së Madhe. Të mos harrojmë se bashkimi i Evropës, në një “Evropë të vetme, të bashkuar, prosperuese dhe në paqe”, ishte edhe projekt amerikan.

Sa gabojnë ata të cilët mendojnë se britanikët do t’i kishin punët më mirë jashtë BE-së, po aq gabojnë edhe ata në BE, sidomos ata me ide federaliste, se pa Britaninë BE-ja do të funksiononte më mirë. Referendumi në Britani të Madhe pikërisht për këtë edhe është tema kryesore dhe sfidë për Bashkimin Evropian aktualisht, edhe më e rëndësishme sesa kërcënimet nga terrorizmi dhe problemi i migrimit. Shumë probleme shkojnë dhe vinë, por dalja e Britanisë nga BE-ja do të hapte vërtet një proces dezintegrues të paparë deri më tani në historinë moderne të Evropës. Për këtë duhet të shpresojmë se tek qytetarët britanikë do të mbizotërojë arsyeja dhe do të votojnë që të mbetet në BE. Nëse kjo ndodh, atëherë Cameron do të shndërrohet në një fitues të madh sepse, pos që do të siguronte mbetjen e Mbretërisë së Bashkuar në BE, me disa reforma të vogla të BE-së do ta hiqte njëherë e përgjithmonë nga rendi i ditës çështjen e anëtarësimit në BE. 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...