Diletantizmi

9 Shkurt 2016 - 07:41 - Flaka Surroi      

Atë që Thaçi po na e transmeton edhe neve, edhe të huajve, është se ai është faktor i (de)stabilitetit në Kosovë – pra kur t’ia ka ënda mund të ndezë edhe konflikte ndëretnike e edhe konflikte të dhunshme etnike partiake, për të dëshmuar se kontrollin mbi aparatin e dhunës këtu e mban ai. Krejt të tjerat janë broçkulla. E krahun, natyrisht, do t’ia mbajë ai, i cili ende beson se do të mbetet kryeministër i Kosovës edhe në rastin që Thaçi e shkel aktgjykimin e Kushtetueses dhe ia bën vetes të mundshme zgjedhjen kryetar

Për çka të shkruhet këtë javë që tashmë nuk e kemi dëgjuar apo parë? Është e pabesueshme se si në gjashtë muajt e fundit jemi duke e humbur që të gjithë energjinë, e besa edhe durimin, duke folur për të njëjtat gjëra; duke hasur në veshë të shurdhër, dhe duke u sjellë kot në rreth.

Edhe kësaj jave top tema ishte, qëllojani: liberalizimi! Dhe në këto dy-tri ditët e fundit u shpërfaq diletantizmi më i shprehur i politikanëve kosovarë, që mendojnë se të bërit politikë është përherë të gënjesh; përherë të deklarosh fjalë të mëdha, të cilat më pas i gëlltit se kaçikun e vetëm që dinë ta dëshmojnë janë patetizmi dhe populizmi.

Pra, edhe këtë javë, për të 7 miliontën herë na u tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave – thuajse jeta po na varet nga lëvizja e lirë nëpër Evropë, në kohën kur kufijtë brenda Schengenit po mbyllen ose po rrethohen. Dhe, natyrisht, i parapaguari për këtë punë është ministri i Integrimeve që punë tjetër s’ka pos të na e lyejë kokën me akull me pallavra për sukseset që i ka arritur Kosova. Ishte ai i cili fillimisht deklaroi se i kishim plotësuar të tetë kushtet, dhe menjëherë e përgënjeshtroi veten pas dy ditësh – duke thënë se nuk i kishim plotësuar dy nga tetë kushtet. Mbesin të paplotësuara, sipas Qeverisë, Marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin dhe kushti teknik i vendosjes së Ombudspersonit në ndërtesën e Kushtetueses.

Pse po rreni?

Esenca, duket të jetë, se mbase ndonjëri kusht do të jetë përmbushur, siç është Fondi për riatdhesimin e azilkërkuesve; do të mund të thoshte se mund të dëshmojë se e paska amendamentuar legjislacionin dytësor në lidhje me ndërrimin e emrave personalë, por atë që nuk mund ta thotë është se është duke i luftuar krimin dhe korrupsionin, ani që në javën e fundit është vërejtur një intensitet i shtuar i punës së prokurorive themelore – që po merren me hetime, porse që nuk mund të rezultojnë me dënimin afatgjatë të ndonjë hajni me jakë të bardhë për keqpërdorimin e parasë publike.

Gjithashtu nuk mund të krenohet me faktin se e ka stabilizuar punën në OSHP, meqë plotësimi i vendeve vakante aty është punë e Kuvendit, i cili ende nuk ka mbajtur seancë në sesionin pranveror. Për më tepër, as gjykimi i ish-shefit të OSHP-së nuk tregon se ka pasur lëvizje pozitive në luftimin e krimit, ngase procesi, siç ndodh te ne, mund të zgjasë me vite. Për më tepër, nuk dëgjuam që ditëve të fundit t’u jetë konfiskuar ndonjë pasuri kumandantave që e kanë përqendruar krejt pasurinë në duart e tyre.

Pra, sërish përqendrimi në temën e liberalizimit – për ta shmangur vëmendjen nga kriza e thellë politike me të cilën jetojmë dhe për t’ia dhënë rastin kryeministrit të Jashtëm të dalë në sipërfaqe mbas një kohe hibernimi taktizues për ta reklamuar veten si kryetarin e ardhshëm të Kosovës; për t’ia futur një kërcënim prej kornerit BE-së për punën e liberalizimit, duke i çuar porosi se nëse nuk e marrim liberalizimin, në Kosovë mund të ketë madje edhe konflikte ndëretnike (sic!); dhe së fundmi, për ta kërcënuar opozitën me një milion demonstrues që mund t’i qesin PDK-LDK në rrugë “për ta mbrojtur Republikën”. Kjo i bie diçka si “Republika jam unë”.

Meselet e Mustafës

Pra, atë që Thaçi po na e transmeton edhe neve, edhe të huajve, është se ai është faktor i (de)stabilitetit në Kosovë – pra kur t’ia ka ënda mund të ndezë edhe konflikte ndëretnike, e edhe konflikte të dhunshme etnike partiake, për të dëshmuar se kontrollin mbi aparatin e dhunës këtu e mban ai. Krejt të tjerat janë broçkulla.

E krahun, natyrisht, po ia mban ai, i cili ende beson se do të mbetet kryeministër i Kosovës edhe në rastin që Thaçi e shkel aktgjykimin e Kushtetueses dhe ia bën vetes të mundshme zgjedhjen kryetar. Në njërën nga paraqitjet më konfuze që i ka pasur kohëve të fundit, më saktësisht dje, fillimisht tha se puna e demarkacionit me Malin e Zi është punë që zgjidhet lehtë, dhe se kjo do të bëhet në bashkëpunim me partitë opozitare. Pas gjashtë muajsh e quan njërin nga problemet që shpuri te bllokada e punës së Kuvendit punë teknike që zgjidhet lehtë. Nëse qenka teknike dhe shpejt e zgjidhshme, pse nuk e zgjidhi në shtator?

Natyrisht, nuk i shkoi ndërmend të thoshte se çështja e Zajednicës është njësoj lehtë e zgjidhshme, sepse tashmë ka deklaruar se do të shkohet tutje me marrëveshjen në bazë të Kushtetutës së Kosovës, të cilën as që e zuri në gojë Mogherini në Bruksel. Pra, për BE-në dhe Serbinë është krejt njësoj se çfarë trajte do të ketë Statuti i AKS-së, përderisa mbetet në fuqi Marrëveshja e 25 gushtit. Vërtet, duhet të jesh tepër shkurtpamës e injorant për të mos e kuptuar logjikën e hierarkisë së dokumenteve juridike. Statuti mund të jetë dokumenti më i mirë në botë, por përherë mbisundon dokumenti burimor – që është Marrëveshja, tashmë e shpallur jokushtetuese, për shkak se “nuk është në përputhje me Kushtetutën”.

Apo është se aktgjykimin do të duhej lexuar në serbishte, sepse nuk e di pse iu desh ta përmendte dy herë serbishten dje kur fliste për situatën politike. Ai tha “se serbisht po flasin më shumë ata që po thirren në mbrojtje të Republikës” (nuk e di a e pati këtu fjalën për Thaçin, i cili gjithashtu u deklarua për mbrojtjen e Republikës). Më pas e tha edhe këtë: “Ne që jemi pak më të vjetër, e dimë se ka qenë një mentalitet në Kosovë, ka thanë ‘foli serbisht se tutet kur t’i folë serbisht, e kur t’i flet shqip ai nuk merr vesh’”, duke shtuar se “nuk do të lejojmë që ta shkatërrojnë shtetin ata që ulërinë serbisht nëpër sheshe me gurë dhe me kokteje molotovi”. Ndoshta kur ta lexon serbisht tutet edhe ai, dhe e kupton se Marrëveshja e gushtit duhet rinegociuar, nëse bash duhet.

E tash, nuk është fare çudi nëse pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë do të ndiheshin të ofenduar me këtë që e ka thënë Mustafa, sepse ata i identifikoi me dhunën. E dhunën në Kosovë e ka ushtruar shteti serb – me të cilin ai tash negocion në Bruksel, dhe të cilit do t’ia falë fuqinë e sundimit në një pjesë goxha të madhe të territorit të Kosovës. Po të njëjtin shtet të Serbisë, pushtetarët e të cilit me ngulm vazhdojnë të na quajnë shtet të ISIS-it dhe të flasin si jo më keq për shqiptarët, përcjellë nga heshtja e tij dhe e Thaçit.

Si shef i Qeverisë shumetnike dhe nënshkrues i marrëveshjes së koalicionit edhe me Lista Srpskan, ia futi vetes një autogol me diletantizmin e tij politik, duke treguar mesele në konferencën për gazetarë. Kam menduar se pas Qeverisë së shkuar nuk do të kishim një më të keqe – por e kisha pasur shumë gabim. Kjo harmonikë qeveritare i ngjet një grumbulli burrash të ulur në odë që e kanë krejt kohën e botës për të llomotitur, e me pallavra t’i zgjidhin krejt problemet e dynjasë. Me përjashtimin e Fjolla Tahirit, e cila thuajse qëndron pezull në ajër si ndonjë dron, me detyrën e vetme që ka: të na tregojë se çfarë do të ndodhë në Kosovë, sa herë që ajo do të thotë “kjo nuk do të ndodhë”, apo “këto janë vijat e kuqe”.

Kinse po i ndjekim

E se situata në Kosovë nuk do të ndryshojë përderisa të ekzistojë ky konstelacion forcash politike e dëshmon krejt cirku rreth imunitetit funksional të Enver Hasanit, si dhe hetimit të të nëntit kryetar komune nga radha e PDK-së (që të gjithë për tenderë e keqpërdorim të parasë publike), Sokol Bashota. Ky i fundit, sikurse edhe të gjithë kolegët e tij në këtë biznes, nuk po duket askund, sepse është “busy” me punë. Por s’po e dimë ku.

Kontrolli mbi gjyqësorin këtu po shpërfaqet në dy forma. Një, në atë të vjetrin, që të bllokojë çfarëdo mundësie për gjykimin eventual të Hasanit, që, po qe se dënohet, do të mund të tërhiqte shumë pasoja juridike me përmasa shtetërore. Dy, në aktivizimin e prokurorive themelore për kinse zënien e ndonjë pushtetari që ka bërë emër në luftë apo në strukturë partiake, për të krijuar përshtypjen se “ja, po i ndjekim hajnat”, por duke llogaritur më pas në ngadalësimin e procesit gjyqësor deri në skadimin e mandatit të kryetarëve apo edhe liberalizimin e vizave – të cilin do ta paraqesin si suksesin më të madh diplomatik të Kosovës.

E treta formë e kontrollit do të bëhet nëpërmjet të krijimit të edhe një task-force, kësaj radhe për menaxhimin dhe zgjidhjen e 90 mijë lëndëve gjyqësore, të cilat rrinë të grumbulluara nëpër sirtarë, dhe për të cilat do t’u dalë në ndihmë edhe dështimi i quajtur EULEX, që me gjasë do të mbetet edhe dy vjet në Kosovë. Qeta “na kanë këqyr e na kanë n’imu” mos vet.

Jam e sigurt se edhe javën tjetër do të bisedojmë për të njëjtat gjëra. Sërish do të na e përmendin liberalizimin e vizave dhe tash do të intensifikohet paraqitja e Thaçit nëpër të gjitha mediat, për të na treguar, “në ditët e fundit të mandatit të tij si ministër i Jashtëm”, se kjo do të jetë fytyra që do ta paraqesë Kosovën në pesë vjetët e ardhshëm. Ani pse madje edhe në Amerikë tashmë e kanë shpallur njeri që ia dëmtoi fushatën kandidatit Carson, ngase ky i fundit ishte takuar me një njeri që apostrofohej “si përgjegjës për krime dhe trafikim organesh”, mbështetur në raportet e gazetave prestigjioze ndërkombëtare dhe në Raportin Marty.

Ndërkohë, Serbia do të vazhdojë t’i realizojë planet e veta: edhe do ta fusë telefoninë e vet në Kosovë; edhe sinjalin digjital televiziv të RTS-së; edhe bankat e veta, e madje edhe do t’i mbajë zgjedhjet në Kosovë, dhe kjo me ndihmën e OSBE-së a të kujtdo që thotë se duhet të ndihmojë në këtë drejtim.

E, ne do të vazhdojmë të flemë.

Na mbytën diletantët.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...