Rrena si metodë e politikës pansllaviste

4 Shkurt 2016 - 08:34 - Enver Robelli      

Nga Beogradi në Moskë: gënjeshtra e paskrupullt ka një traditë të gjatë në jetën politike.

Në botën e Tomislav Nikoliqit gjithçka është e thjeshtë dhe e qartë. Amerika është e keqja e madhe (ndonëse këtë ai nuk e thotë me zë të lartë prej se është bërë president i Serbisë), Rusia, ndërkaq, shpëtimtare jo vetëm e Serbisë, por edhe e mbarë botës dhe civilizimeve. I njohur si pjekës i rakisë dhe shef i varrezave në Kragujevc, Nikoliq nuk është shquar ndonjëherë as për mençuri politike, as për elegancë në të shprehur.

Ai është shembulli më negativ i katundarit të paemancipuar nga Shumadia që me duhmën e rakisë dhe plehun e opingave ka arritur të hyjë në pallatin presidencial të Serbisë. Karriera politike e tij flet dhe shpjegon shumë edhe provincializmin e Serbisë në çerekshekullin e fundit.

Derisa në vitet 70 dhe 80 disidentëve rumunë Beogradi u dukej si Paris i vogël për shkak të frymës liberale, kryeqyteti ish-jugosllav dhe serb që nga viti 1990 është shndërruar në një metropol ku himnizohen krimet e luftës, ku kulturë është mprehja e thikave të ndryshkura për të vrarë sërish njerëz në Srebrenicë, ku dialog është shpifja permanente kundër fqinjëve, ku aktivitet politik është emërtimi i një bulevardi me emrin e kriminelit të luftës Ratko Mladiq (këtë e kishte bërë partia e Tomislav Nikoliqit para disa viteve në përpjekje për të penguar që një bulevard të marrë emrin e Zoran Gjingjiqit, kryeministrit të vrarë serb).

Një ndër temat për të cilat Nikoliq gënjen sa herë hap gojën, është Kosova. Nuk është kurrfarë befasie deklarata e tij gjatë vizitës në Etiopi, ku tha se pavarësia dhe njohja e Kosovës si shtet u ka shërbyer terroristëve për të formuar “Shtetin Islamik”: “Më duket se njohja e një shteti të ashtuquajtur, i krijuar përmes terrorizmit, u ka shërbyer atyre që kanë formuar të ashtuquajturin ‘Shtet Islamik’. U ka shërbyer si model përmes të cilit presin që edhe ata një ditë dikush t’i njohë. Mund të jemi dëshmitarë të kësaj se ‘Shtetin Islamik’ ndonjë shtet dikur do ta njohë. Kjo mund të ndodhë shumë shpejt për të mos vazhduar me terrorizëm në mbarë botën”.

Kështu flet presidenti i një vendi që nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është qortuar për shkak se nuk e ka penguar gjenocidin në Srebrenicë. Në të njëjtën kohë e ashtuquajtura Republikë Serbe në Bosnjë, një produkt direkt i gjenocidit, është shpallur fajtore për gjenocidin në Srebrenicë. Pas Luftës së Dytë Botërore kombi serb është i vetmi në Evropë që e ka njollosur veten me krimin e gjenocidit.

Për këtë nuk bart përgjegjësi vetëm udhëheqja e prirë nga Slobodan Milosheviqi, por edhe ata 70 për qind të serbëve që në vitet 90 ia jepnin votën diktatorit dhe bandës së tij. Natyrisht nuk duhet të ketë faj kolektiv, por kush thotë se nuk ka përgjegjësi kolektive, ai është i verbër. Gjenocidi serb në Srebrenicë nuk ka qenë aksident, por i përgatitur në Beograd dhe në shtabet e ushtrisë serbe në Bosnjë. Serbia është dhe mbetet vend i mundësive. Për shembull Tomislav Nikoliqi në vitet 90 në një mal të Bosnjës në një ceremoni solemne mori titullin “vojvodë çetnik”. Këtë titull atij ia dha lideri i Partisë Radikale, Vojislav Sheshel. I “bekuar” me këtë titull ai luftoi në Bosnjë dhe Kroaci. Në vend se të përfundonte në burg, u ul në kolltukun e presidentit, ku vazhdon të praktikojë traditën e tmerrshme të politikës serbe: rrenën e paskrupullt.

Rrena e racizmi ndaj shqiptarëve janë komponentë të politikës serbe. Ato s’janë të përhapura vetëm në qarqet e fshatarësisë së izoluar mendërisht nga bota, por edhe në rrethet e ashtuquajtura akademike. Kampion të racizmit në këtë drejtim janë akademikët Vasa Çubriloviq dhe Dobrica Qosiq. Njëri jetoi e veproi në fillim të shekullit të 20-të, tjetri në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të. I pari ishte inspiruar nga Hitleri dhe propozonte shfarosjen e shqiptarëve, i dyti kultivonte urrejtjen e një kolonialisti primitiv.

Për Qosiqin dhe mbështetësit e tij ishte e paimagjinueshme që shqiptarët e Kosovës të kenë mbështetjen e Perëndimit në luftën për të drejtat e tyre. Pas luftës së NATO-s për çlirimin e Kosovës Qosiq shkruante: “Ky llum social, politik dhe moral i Ballkanit tribal dhe barbar bën aleancë me Amerikën dhe Bashkimin Evropian kundër popullit më demokratik, më civilizues dhe më të arsimuar të Ballkanit – kundër popullit serb”.
Qosiq gjuan me gurë nga dyqani i qelqurinave. Sa i përket kulturës politike në Serbi dhe traditës demokratike qe një shembull nga libri “Somnabulët. Si rrëshqiti Evropa në Luftën e Parë Botërore” të historianit Christopher Clark, i cili përshkruan vrasjen e Mbretit Aleksandar Obrenoviq dhe gruas së tij Draga Mashin në fillim të qershorit 1903: “Pak para orës dy të mëngjesit të datës 11 qershor 1903, 28 oficerë të ushtrisë serbe iu afruan hyrjes kryesore të Pallatit Mbretëror në Beograd. Pas shkëmbimit të zjarrit rojat u arrestuan dhe u çarmatosën para ndërtesës. (...) Sipas një versioni Mbreti u shfaq duke u dridhur nga frika, me syze mbi hundë dhe i veshur sa për të thënë me një këmishë të kuqe, derisa në krahët e tij e mbante Mbretëreshën. Çifti u vra me një breshëri plumbash nga afërsia. (...) Pastaj nisi një orgji e pakuptimtë e dhunës. Sipas deklaratës së mëvonshme të berberit të traumatizuar italian të Mbretit, i cili ishte urdhëruar t’i merrte trupat dhe t’i bënte gati për varrim, kufomat ishin prerë me shpata, ishin çarë me bajonetë, pjesërisht ishin rrjepur dhe grirë me sëpatë dhe ishin sakatuar aq shumë, saqë s’njiheshin më.

Kufoma e Mbretëreshës u tërhoq zvarrë te parmakët e dritares së dhomës së fjetjes dhe pothuaj lakuriq dhe e mbuluar plotësisht me gjak u hodh në kopsht. Kur vrasësit u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me Aleksandrin, supozohet se për një çast dora e Mbretit u kyç në parmak. Një oficer ia preu pastaj grushtin me shpatë. Gishtat dhe trupi i monarkut ranë në tokë. Kur atentatorët u mblodhën në kopsht për të pirë nga një cigare dhe për të inspektuar aktin e tyre shkatërrues, filloi të binte shi”.

Një shekull më vonë, më 2003, u vra Zoran Gjingjiqi, edhe ky properëndimor si Mbreti Aleksandar.
Nga vepra plot helm e Dobrica Qosiqit shquhen këto citate: “Gënjeshtra është pikëpamje e patriotizmit tonë dhe dëshmi e inteligjencës sonë të lindur. Gënjejmë me kreativitet, me imagjinatë, me novacion”, “gënjeshtra është interes shtetëror serb”, “në këtë vend secila gënjeshtër dikur bëhet e vërtetë”, “serbët aq shpesh gjatë historisë i ka shpëtuar gënjeshtra”. Në fillim të shekullit të 20-të kundër gënjeshtrave të aparatit ushtarak dhe politik serb ndaj shqiptarëve shkruanin socialdemokratë si Dimitrije Tucoviq dhe Kosta Novakoviq, në fund të shekullit 20 dhe në fillim të shekullit 21 këtë rol fisnik e morën intelektuale dhe aktiviste për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si Sonja Biserko dhe Latinka Peroviq.

Në një dëshmi dhënë para Tribunalit të Hagës Biserko ka treguar se nuk qëndron pretendimi se të tjerët e kanë shkatërruar Jugosllavinë, ndërsa Serbia ishte “e shtyrë” ta mbronte atë për të mbrojtur edhe serbët jashtë Serbisë. “Në fund të shekullit 20 Serbia filloi të zbatonte projektin e shekullit të 19-të të bashkimit të të gjithë serbëve, gjë që nuk i përgjigjej ‘frymës së kohës’, sidomos pas rënies së Murit të Berlinit. Pas kësaj qëndron logjika se Serbia përherë e ka kuptuar Jugosllavinë si Serbi të Madhe. Serbia përherë e ka mohuar identitetin e maqedonasve, kroatëve dhe të tjerëve. Nuk e ka kuptuar se këta popuj janë emancipuar dhe kanë krijuar identitetin e vet gjatë shekullit të 20-të. (...)

Programi nacional serb ka luajtur rol kyç në shpërbërjen tragjike të Jugosllavisë. Që nga vdekja e Josip Broz Titos asnjë republikë tjetër nuk ka menduar për shkëputje apo dalje nga Jugosllavia. Pushteti i Slobodan Milosheviqit, pas rënies së Murit të Berlinit, vazhdoi luftën frontale kundër Jugosllavisë, duke zhdukur të gjitha institucionet federale”. Latinka Peroviq, ndërkaq, në një ese apelon që serbët të jenë të vetëdijshëm se shqiptarët janë fqinjët e tyre më të rëndësishëm, një komb i ri, me të cilin duhet gjetur mirëkuptim dhe duhet punuar për pajtim.

Tomislav Nikoliqi i përket një mendësie tjetër të politikës serbe, e cila shqiptarët ende i shikon me nënçmim dhe nga pozicioni neokolonialist. Që nga viti 1876 deri më 1991 Serbia ka zhvilluar tetë luftëra ose mesatarisht në çdo 14 vjet një luftë. Shpifjet e fundit të Nikoliqit kundër pavarësisë së Kosovës janë shprehje edhe e frustrimit për shkak se Serbia nuk është në gjendje të zhvillojë më luftëra si dikur. Jo pse nuk do të dëshironte, por për shkak se rrethanat gjeostrategjike kanë ndryshuar dhe fqinjët e Serbisë, Rumania, Bullgaria, Hungaria dhe Kroacia janë anëtarë të NATO-s, Mali i Zi do të jetë së shpejti, në Kosovë prania e NATO-s është e vazhdueshme, Shqipëria po ashtu ka arritur të anëtarësohet në aleancën më të rëndësishme ushtarake të Perëndimit.

Si në traditën politike serbe edhe në atë ruse gënjeshtra luan një rol qenësor. Gati çdo nxënës apo student i vëmendshëm dhe lexues serioz gazete e di tashmë historinë e fshatrave të Potemkinit. Në vitin 1787 perandoresha e Rusisë, Katerina e Madhe, vizitoi provincat jugore ruse dhe Krimenë. Princi Gregori Potemkin e priti Katerinën bashkë me një delegacion diplomatësh dhe dinjitarësh evropianë.

Për t’u bërë përshtypje dhe për të demonstruar suksesin e pushtetit rus Potemkin u prezantoi atyre fshatra të ndërtuara mirë. Shumë prej këtyre pallateve e shtëpive ishin vetëm fasada të rrejshme për të mashtruar vizitorët. Ndërkohë në vokabularin politik ka hyrë maksima “fshatrat e Potemkinit”, që përshkruan sukseset e rrejshme të politikës. Gënjeshtra vazhdoi të jetë instrument për mashtrim edhe në Rusinë e shekullit 20 – si nën Leninin e Stalinin, ashtu edhe nën Hrushçovin dhe Putinin.

Kur në qershor 1999 trupat ruse pushtuan Aeroportin e Prishtinës, para hyrjes së NATO-s, diplomati amerikan Strobe Talbott takoi Vladimir Putinin në Moskë. Më vonë Talbott e kujtoi këtë si një “takim të neveritshëm”. “Çfarë më tronditi me të vërtetë, ishte gjakftohtësia arrogante dhe paturpësia me të cilën Putin gënjente. Ai duhej ta dinte saktësisht se çfarë kishin ndërmend ushtarakët rusë në Kosovë. Por ai bëhej sikur gjithçka po shkon sipas planit. Madje ai na tha se kurrë s’kishte dëgjuar për gjeneralin Ivashov. Bash gjenerali Ivashov ishte përfaqësuesi me rang më të lartë ushtarak i delegacionit, i cili negocionte për armëpushimin”.
Këto ditë mediumet shtetërore ruse janë duke zhvilluar një fushatë agresive kundër Gjermanisë me akuza se refugjatët e kanë dhunuar një vajzë ruso-gjermane në Berlin.

Qindra rusë me banim në kryeqytetin gjerman kanë protestuar para selisë së kancelares Angela Merkel. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, e përmendi këtë rast në konferencën e tij vjetore për media – një veprim tejet i pazakonshëm për një kryediplomat. Ndërkohë autoritetet gjermane e kanë ndriçuar rastin: vajza nuk ishte dhunuar nga askush, aq më pak nga refugjatët, por kishte qëndruar pa dijen e prindërve për 30 orë tek i dashuri i saj. Në një vend normal mediumet do të kërkonin falje. Por Rusia nuk është vend normal sa i përket politikës.

Dikur Ernest Hemingway e përshkruante fashizmin si gënjeshtër të treguar nga keqbërësit. Ideologjitë mund të kenë ndërruar, por keqbërësit mbesin. Të tillë sot janë si Nikoliqi, ashtu edhe Putini. E vetmja mundësi efektive për të rrëzuar rrenat e tyre është luftimi i çdo ekstremizmi në Kosovë dhe ndërtimi i një shteti funksional. Ata politikanë kosovarët duhet t’i gjejnë!

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...