Mësimet nga dështimet diplomatike

3 Shkurt 2016 - 08:21 - Augustin Palokaj      

Për dallim nga Këshilli i Evropës, Kosova edhe një herë pati një raport shumë të favorshëm në Parlamentin Evropian. E në Parlamentin Evropian nuk ka deputet shqiptarë, as nga Shqipëria, as nga Maqedonia e as nga Kosova. Por ka shumë miq të shtetësisë së Kosovës dhe prandaj në këtë Parlament Evropian (jo në Këshill të Evropës e as në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës) për të tetën herë me radhë kalon një raport ku njihet shtetësia e Kosovës, ku u bëhet thirrje shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë, ku nuk përmendet fare kurrfarë roli i UNMIK-ut. Duket se Kosova ka më shumë fat dhe mbështetje në ata organizma ku për Kosovën punojnë miqtë dhe mbështetësit e saj sesa politikanët shqiptarë

Kaloi një javë mjaft dinamike për Kosovën në skenën ndërkombëtare me tri zhvillime të ngatërruara me njëra-tjetrën. Të tria ato dëshmuan se sa e paorganizuar është politika ndërkombëtare e Kosovës, sa amatoreske janë shumica e mediave në gjuhën shqipe dhe sa manipulues dinë të jenë disa nga politikanët shqiptarë.

Mbrëmjen e së mërkurës në Bruksel u zhvillua edhe një rund i dialogut “në nivel të lartë” mes Kosovës dhe Serbisë. Pa u ngopur gjumë nga kjo “mbrëmje e dialogut” të nesërmen në Komisionin e politikës së jashtme të Parlamentit Evropian u votua raporti për Kosovën. Dhe po të njëjtën ditë në Asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Evropës u miratua po ashtu një raport për Kosovën.

Dhe për çudi pikërisht ky raport i Këshillit të Evropës tërhoqi vëmendjen më të madhe të mediave në gjuhën shqipe, shpesh duke e ngatërruar me Bashkimin Evropian, e disa madje edhe duke shkruar se atë raport e ka përpiluar “Raportuesja Ulrike Lunaçek”, edhe pse kjo e fundit është nënkryetare e Parlamentit Evropian (institucion i BE-së) e jo pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

Pa dashur që të nënçmojmë rëndësinë e organizatave ndërkombëtare, pa dyshim mund të themi se rëndësinë më të vogël mes tyre e ka Këshilli i Evropës. Ajo është një organizatë që kryesisht merret me çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut. Në atë organizatë janë edhe shtetet të cilat nuk janë edhe aq të njohura për standarde të larta të demokracisë. Nuk themi se Këshilli i Evropës është i parëndësishëm, por gjithsesi nuk është aq i rëndësishëm sa, për shembull, Parlamenti Evropian. Për Kosovën gjithsesi e ka rëndësinë edhe Këshilli i Evropës, sepse pa u anëtarësuar në të do të jetë e vështirë të anëtarësohet në organizmat e tjerë. Kosova e ka fatin që të gëzohet për secilin hap drejt anëtarësimit në secilën organizatë ndërkombëtare, duke e përfshirë edhe Këshillin e Evropës, edhe UNESCO-n, edhe FIFA-n, edhe EUFA-n, sepse thjesht kemi një problem me njohjen ndërkombëtare.

Por si ndodhi që raporti i Këshillit të Evropës të marrë aq shumë vëmendje të mediat në gjuhën shqipe. Këtë e bënë mediat duke pranuar atë që ua servuan politikanët shqiptarë, sidomos ata të cilët marrin pjesë në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Ata krijuan pritje të mëdha se në atë Asamble do të arrijnë të shtyjnë amendamentet e tyre. Madje, e paraqiten si një betejë kundër Serbisë, si një betejë ku deputetët nga Kosova, pa të drejtë fjale e vote, por me ndihmën e bashkëkombësve nga Shqipëria dhe Maqedonia do të rrëzojnë amendamentet e propozuara nga Serbia. E në mesin e atyre amendamenteve ishte edhe ajo për rritjen e rolit të UNMIK-ut në Kosovë.

E kur portalet nga Shqipëria shkruajnë atëherë ato përcillen edhe në Kosovë. Dhe kështu debati për një raport jo edhe aq të rëndësishëm u paraqit si një betejë e vërtetë ndërkombëtare. Dhe në fund shqiptarët dolën si humbës. Jo pse raporti ishte i keq për Kosovën, por pse ata nuk arritën të parandalojnë amendamentet e propozuara nga Serbia.

Ky raport nuk do të ketë kurrfarë ndikimi as në rolin e UNMIK-ut në Kosovë e as në situatën në Kosovë. Mund të ketë, dhe në këtë pikë mund të jetë edhe pozitive, në rolin e Kosovës në të ardhmen në Këshillin e Evropës, por as kjo nuk do të shënojë ndonjë kthesë dramatike. Edhe më interesante u duken debatet se pse “pala shqiptare humbi”. U tha se fajin e ka ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, i cili nuk kishte ardhur në takim, sepse me votën e tij situata do të ndryshonte. U tha se fajin e kishte bileta kthyese e deputetes shqiptare nga BDI-ja e Maqedonisë, e cila, për shkak të biletës, u desh të kthehej para se të zhvillohej votimi në këtë Asamble.

Ja sa i mjerë mund të jetë pozicioni i Kosovës në skenën ndërkombëtare nëse fati i një raporti varet nga bileta kthyese e një deputeti.

Për dallim nga Këshilli i Evropës, Kosova edhe një herë pati një raport shumë të favorshëm në Parlamentin Evropian. E në Parlamentin Evropian nuk ka deputetë shqiptarë, as nga Shqipëria, as nga Maqedonia e as nga Kosova. Por ka shumë miq të shtetësisë së Kosovës dhe prandaj në këtë Parlament Evropian (jo në Këshill të Evropës e as në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës) për të tetën herë me radhë kalon një raport ku njihet shtetësia e Kosovës, ku u bëhet thirrje shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë, ku nuk përmendet fare kurrfarë roli i UNMIK-ut. Duket se Kosova ka më shumë fat dhe mbështetje në ata organizma ku për Kosovën punojnë miqtë dhe mbështetësit e saj sesa politikanët shqiptarë.

Edhe pse nuk ka ndonjë rëndësi të madhe Raporti i Këshillit të Evropës për Kosovën, kjo votë do të duhej të shërbente për politikanët shqiptarë që të kenë kujdes kur paralajmërojnë “fitore diplomatike”, sepse në ato raste rrezikojnë që me të drejtë të quhen humbës. Kështu ishte edhe votimi në UNESCO ku Kosova, ndonëse fitoj shumicën e votave, nuk arriti të mbledhë vota të mjaftueshme për t’u bërë anëtare. E diplomacia kosovare dhe ajo e Shqipërisë ishin të bindura se do të fitonin, prandaj edhe defilonin korridoreve ndërkombëtare që të ishin të gatshëm të merrnin meritat në rast të fitores. Prandaj edhe duhet tash të ndihen si humbës.

Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ka qenë gjithmonë dëshirë e shqiptarëve dhe ata janë sakrifikuar për arritjen e këtij qëllimi. Por është edhe një projekt ndërkombëtar. Edhe ato njohje që i kemi janë më shumë falë angazhimit të shteteve të fuqishme që kanë mbështetur Kosovën, sesa angazhimi i diplomatëve të Kosovës apo edhe i ndonjë personaliteti nga Kosova. Mjafton të shikohet harta e botës dhe të shihet se Kosovën e kanë njohur kryesisht shtetet që janë mike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo ish-koloni të Britanisë së Madhe apo të Francës. Aty-këtu ndonjë shtet ku ka pasur ndikim Gjermania dhe në ndonjë rast ka ndihmuar edhe Turqia. Kosovën nuk e kanë njohur shtetet ku ka ndikim Rusia dhe dëm të madh ka bërë edhe lobimi i diplomacisë Spanjolle, sidomos në Amerikën Latine dhe në Afrikën e Veriut, e cila fuqishëm punon kundër njohjes së Kosovës tash e sa vjet. Dhe këtu përfundon tregimi.

Është interesant se edhe për dështimin në anëtarësimin në UNESCO nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës u dëgjua argumenti, i cili mbase edhe është i saktë, se votimi ishte në bazë të ndasive gjeostrategjike në skenën ndërkombëtare. Por këtë duhet thënë edhe kur ndonjë shtet e njeh Kosovën e jo vetëm kur nuk marrin votat e nevojshme. Sepse është shkurtpamëse sjellja sipas së cilës meritat për njohje i kemi ne, ndërsa të tjerët kanë faj për mosnjohje. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...