MSA-ja dhe Lojërat Olimpike

31 Janar 2016 - 08:00 - Elmaz Isufi      

Në Kosovë, përveçqë lojtarët ende nuk janë shndërruar në mall me vlerë dhe përfitimet e shtetit nga transaksionet financiare janë zero (meqë aktivitetet sportive janë kryesisht konsumuese), analogjia në mes politikave ekonomike dhe atyre sportive është edhe më e thellë dhe dramatike në kuptimin e keq të fjalës. Edhe njëra edhe tjetra në vizionin e tyre nuk dallojnë shumë nga vitet e para të pasluftës

“Izolimin” e kemi dëgjuar të përdoret shpesh në kontekst të liberalizimit të vizave, por edhe të pamundësisë për të qenë pjesë e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. E kanë përmendur qeveritarët, afaristët e më së shumti sportistët. Të gjithë kanë dashur që këtyre proceseve bllokuese t’u vijë fundi. Por në këtë mes, më së shumti e kanë përmendur ata që janë zënë ngushtë përballë dështimeve.

Dhe, ndërsa heqja e vizave thuhet se është para vendimit final, Kosova brenda një viti ka përfituar nga dy procese integruese – Marrëveshja për Stabilizim Asocim dhe pranimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Në sport ka pasur edhe të tjera anëtarësime ndërkombëtare nga “efekti domino” që prodhoi pranimi në KON.

Ekonomia edhe sporti në vendet e zhvilluara janë shumë të gërshetuara dhe të dyja u nënshtrohen rregullave të tregut. Sporti, madje vlerësohet ndër industritë më të rëndësishme në Evropë.

Lojtarët konsiderohen “mall”, ndërsa lojërat dhe kampionatet edhe si “panair” i vlerave që ofrojnë “korporatat (klubet, federatat...)” sportive. Jo vetëm të hyrat e sportistëve, por edhe çdo lëvizje e tyre, brenda apo jashtë vendit, u nënshtrohen procedurave tatimore.

Në Kosovë, përveçqë lojtarët ende nuk janë shndërruar në mall me vlerë dhe përfitimet e shtetit nga transaksionet financiare janë zero (meqë aktivitetet sportive janë kryesisht konsumuese), analogjia në mes politikave ekonomike dhe atyre sportive është edhe më e thellë dhe dramatike në kuptimin e keq të fjalës. Edhe njëra edhe tjetra në vizionin e tyre nuk dallojnë shumë nga vitet e para të pasluftës.

Megjithatë, pas nënshkrimit të MSA-së, Kosova, kështu si është, ka të drejtë t’i qaset tregut 500 milionësh evropian. E po ashtu, pas pranimit në KON, e ka të sigurt pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike. Por shtrohet pyetja çfarë bëmë ne për këto 17 vite që në tregun global të ekonomisë dhe të sportit të futemi me potenciale serioze.

Dhe, sot, teksa në rrafshin politik e ekonomik diskutohet për MSA-në dhe për liberalizimin e vizave, komuniteti sportiv është para testit të parë të njëmendtë – aktivitet në të cilin suksesi matet me “pikë, metra dhe sekonda” dhe ku të gjithë janë të barabartë në garë.

“Rio 2016” është provimi i parë serioz për Qeverinë e Kosovës, Departamentin e Sportit, për afro 30 federata sportive, për qindra klube sportive, për dhjetëra shoqata e këshilla profesionale, për qindra shkolla futbolli, basketbolli.... Është test për një armatë sportistësh, administratorë e profesionistë (trajnerë e gjyqtarë), menaxherë klubesh, donatorë e ekspertë. Të gjithë ata që do të bien nga ky test dhe nga testet e tjera në një kohë të afërme, do të duhej të largoheshin, për shkak të mashtrimit dhe dëmit që i kanë bërë interesit publik që nga paslufta. Nuk ka kuptim të tolerohen më organizime e organizata që në thelb janë improvizime. Nuk duhet financuar më grupe njerëzish që për kaq vite nuk kanë arritur të masivizojnë sportin, të zbulojnë e edukojnë talentet dhe të profesionalizojnë kuadrin drejtues.

Edhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit e vlerësuar si shumë e rëndësishme për të ardhmen e ekonomisë e gjen vendin në krizë të thellë. Kosova me kapacitetet e tashme nuk është në gjendje të jetë konkurruese në tregun e saj, lëre më në Evropë. Shkëmbimet tregtare të BE-së janë globale, dhe qasja në to është mision i vështirë. Skanerët e cilësisë janë shumë rigorozë, kurse ofertat që ata marrin nga vendet e tjera, sidomos të Lindjes, por edhe rajonit të Ballkanit, e bëjnë më të komplikuar afirmimin e shpejtë të produkteve dhe të shërbimeve kosovare. Arsyet e dështimeve në ekonomi janë të ndryshme, por përgjegjësia ka vetëm një adresë - Qeverinë.

Vendimmarrësit kanë humbur shumë kohë rreth agjendave të tyre private me ndërmarrje publike dhe shoqërore, siç janë privatizimi i Postës dhe Telekomit, ndërtimi i TC “Kosova e Re”, rivitalizimin e kombinatit “Trepça”... Dhe për asnjërën nga to nuk e kanë gjetur zgjidhjen.

Edhe asetet e tjera publike e shoqërore janë keqtrajtuar. Fillimisht UNMIK-u ka imponuar nxjerrjen në shitje të ndërmarrjeve në një fazë kur ekonomia e Kosovës ishte e dërrmuar skajshmërisht nga lufta dhe kapacitetet e njerëzve për t’i blerë ato ishin të limituara. S’është çudi që ndërmarrjet që dikur kishin qindra e mijëra punëtorë, që kishin në dispozicion disa hektarë hapësirë afariste në qendra të qyteteve, që kishin me mijëra tonë makineri, janë shitur atëbotë aq sa sot mund të kushtojë një shtëpi modeste banimi.

Toka bujqësore e ka pasur fatin edhe më të keq, është shitur me para të imëta dhe është degraduar duke u shndërruar në zona industriale dhe banimi. Llogaritet se në vit humbin 600 hektarë - me këtë ritëm brenda 100 viteve nuk do të mbetet asnjë pëllëmbë tokë buke.

Shteti ka dështuar t’i dalë në krah edhe iniciativës private. Në vend se t’u japë mbështetje, i ka trajtuar kryesisht si burime financimi për buxhetin. Për shumë vite i ka ngarkuar me taksa të larta, madje i ka detyruar të paguajnë doganën për makinerinë dhe për lëndën e parë. Disa i ka shtyrë drejt falimentimit për t’u hapur rrugë firmave të lidhura me njerëz të politikës dhe të parapolitikës e disa i ka detyruar të largohen bashkë me teknologjinë. Kjo qasje ka trembur ata dhe investitorët e huaj.

Kosova ka dëshmuar se i mungon edhe “patriotizmi ekonomik”. Në Serbi, ta zëmë askush nuk pranon që të bëhet përfaqësues i ndonjë kompanie të Kosovës, kurse këtu ndodh kundërta - bëhet luftë se kush i pari do të arrijë të bëhet “diler” i prodhimeve nga Serbia. Dhe lufta duket se nuk është më me Serbinë, por në mes prodhuesve dhe përfaqësuesve të firmave të huaja, kryesisht serbe, maqedonase dhe turke. Këta “dilerë” të fuqishëm kanë arritur të shtrijnë ndikimin deri të vendimmarrësit në Kuvend dhe Qeveri, duke i orientuar rregullat e lojës sipas interesave të tyre. Pra, duke rritur vlerën e deficitit tregtar në 18 miliardë euro për 10 vitet e fundit.

Ishin po njerëzit tanë që implementuan strategjitë e firmave të rajonit, për të penguar ecurinë pozitive të ndërmarrjeve kosovare. Janë bërë fushata, janë ndarë fonde dhe janë gjetur njerëzit e fuqishëm për të mos e lënë këtë vend të ngrihet në këmbë. Shumë të ashtuquajtur afaristë kosovarë kanë blerë gjatë privatizimit ndërmarrje dhe fabrika të cilat i kanë çuar më pas në falimentim.

Si pasojë e keqqeverisjes dhe e veprimeve mafioze, prodhimtaria në Kosovë tash është kufizuar vetëm në zarzavate, lëngje dhe produkte të qumështit. Janë vënë në jetë edhe disa ndërmarrje të tjera të vogla prodhuese, por që suksesi i tyre mund të pritet vetëm pas disa viteve.
Me këto kapacitete prodhuese Kosova e ka vështirë t’i shfrytëzojë mjaftueshëm favoret që ofron kjo marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin, e rrjedhimisht as të ulë nivelin e papunësisë dhe varfërisë që janë caqet e MSA-së.

Neve s’na mbetet tjetër, pos të lutemi që gjatë këtij viti të kemi të paktën një ndërmarrje prodhuese që fuqishëm futet në tregun evropian dhe që të fitojmë një medalje olimpike në “Rio 2016”. Jo për t’u ngazëlluar, aq sa për t’u treguar të tjerëve rrugën e suksesit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...