Çka po i duhet Thaçit posti i presidentit?

30 Janar 2016 - 11:16 - Adriatik Kelmendi      

Kosova sot është peng i një “besëlidhjeje” të mistershme ndërmjet dy shokëve, Thaçit e Veselit, të cilët, siç po shihet, janë të gatshëm të rrezikojnë shumëçka, përfshirë edhe pozitën e vetë PDK-së, për t’ia përmbushur njëri-tjetrit ambiciet. Pse?

NJË GJË NUK e kam të qartë: Çka po i duhet Hashim Thaçit ta lëshojë postin e kryetarit të PDK-së, partisë më të madhe në Kosovë, dhe të zgjidhet president i Kosovës? Pa të në krye të partisë, në secilën rrethanë, PDK-ja nuk mund ta ruajë kompaktësinë që e gëzon sot, si dhe sigurisht do të shënojë rezultate më të ulëta zgjedhore krahasuar me zgjedhjet e fundit.

Një fakt e kanë pranuar të gjithë, përkrahës e kundërshtarë të Thaçit – para zgjedhjeve të fundit nacionale të gjitha sondazhet kredibile e kishin treguar PDK-në së paku dy për qind më ulët se LDK-në. Atëbotë Thaçi, në një fushatë thuajse krejtësisht solo dhe të fokusuar në individin - pavarësisht se hiç fer, duke shfrytëzuar fuqinë e infrastrukturës publike dhe duke bërë akrobacitë me premtime të lakmueshme nga secili magjistar – kishte bërë që sërish PDK-ja të dilte e para, me pesë për qind dallim nga LDK-ja, si e dyta. Kandidati tjetër, ndoshta i vetëm i sforcuar prej tij, ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, e kishte marrë më pak se një të tretën e votave të Thaçit.

TASH, NËSE THAÇI nuk do të jetë më kryetar i PDK-së, është thuajse 100 për qind e qartë se vendin e tij do ta zërë Veseli. Në këtë situatë, edhe po të ishte Veseli politikani e individi më i pranueshëm nga struktura dhe elektorati i partisë, nuk do ta përmbushte zbrazësinë që e lë prapa një udhëheqës 15-vjeçar i një subjekti. E siç dihet, Veseli është larg nga të qenit më i pranueshmi nga struktura e elektorati. Dihet se ai është parë si njëri nga shkaktarët kryesorë të largimit të shumë personaliteteve të tjera nga partia, por edhe shumëkush i përshkruan shumë gjynahe për periudhën sa ka udhëhequr me SHIK-un misterioz.
Pra, nuk ka se si të pritet që të mos ketë kurrfarë hatërmbetjeje në këtë kalim të dakorduar të kryetarllëkut ndërmjet dy miqve të ngushtë. Klanet partiake dhe të pakënaqurit e tjerë do të shfrytëzojnë secilin rast për t’u revanshuar ndaj liderit të ri, saqë s’ka se si kjo të mos përkthehet në humbje të përkrahjes në elektorat.
Besoj se këto i kanë të qarta vetë si Thaçi ashtu edhe Veseli. Mirëpo, opinioni nuk e ka fort të qartë se përse duhet gjithsesi të ndodhë rokada e tyre, edhe me rrezikun evident të humbjes së përkrahjes nga strukturat dhe elektorati.
A ia kanë dhënë njëri-tjetrit besën në kohën kur në ilegalitet i ishin bashkuar LPK-së dhe kishin kapur armët?
Apo, për shkak se një pjesë të madhe të aktivitetit e kishin bërë në ilegalitet dhe ilegaliteti lehtësisht të shtyn në situata ilegale, dhe me këto ia kanë zënë bishtin me derë njëri-tjetrit?
Ose, ose, pas luftës, Veseli, si shef i SHIK-ut, ka mbledhur informacione të cilat do t’i shkaktonin kokëçarje shefit të partisë e më vonë të Qeverisë, Thaçit?
E di që nuk jam i pari që po i shtroj këto pyetje. Por nuk e di përse dy individë, kushdo qofshin këta, kanë mbetur të lidhur si zorrët e ngatërruara dhe duhet të kujdesen me fanatizëm preciz që të ruajnë balancë të përkryer pozitash shtetërore për të mbrojtur njëfarë “besëlidhjeje” të mistershme, pavarësisht çmimit.

DUKE MOS I DITUR përgjigjet në këto pyetje, mund të vazhdohet me të tjera, si për shembull: Çka e detyron HashimThaçin që të ndërmarrë aventurën presidenciale pa ndonjë garanci se do të zgjidhet? Ose, edhe nëse zgjidhet, çka po i duhet që të jetë në pozitën e të parit të shtetit, por duke e humbur partinë?
Thjesht: Thaçi si kryetar i PDK-së dhe zv.kryeministër e ministër i Jashtëm është shumë më i fuqishëm sesa që do të jetë ndonjëherë Thaçi si president.
Në anën tjetër, Veseli, si kryetar Kuvendi, kryetar i PDK-së dhe nesër kandidat për kryeministër, do të jetë shumëfish më i fuqishëm se Thaçi.
Sakaq, që të dy përmenden si të dyshuar për krime lufte në raportin e DickMartyt, në të cilin bazohet Gjykata Speciale që do të themelohet sivjet.
E kur thuhen të gjitha këto, një çështje mbetet e hapur: Çka do të përfitojë Kosova duke shërbyer si poligon i përmbushjes së një “besëlidhjeje” të mistershme?!
Besoj që këta dy burra ambiciozë ua kanë borxh disa sqarime të hollësishme qytetarëve të këtij vendi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...