Liberalizimi i vizave, në duart e gjykatësve të Kosovës

27 Janar 2016 - 08:28 - Augustin Palokaj      

Nëse do të duhej thjeshtëzuar se cili është kushti kryesor që Kosova nuk e ka përmbushur për liberalizimin e vizave, atëherë duhet thënë qartë se ky është dënimi i zyrtarëve të lartë për raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këtë BE-ja kërkon dëshmi. Pra nuk ka më hapësirë për politikanë, sepse liberalizimi duket se tashmë është në duart e gjykatave të Kosovës

Vërtet është padrejtësi dhe diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës prolongimi i mëtejmë i liberalizimit të vizave. Ka shumë argumente me të cilat mund të mbrojmë tezat se kosovarët janë diskriminuar, se kushtet për Kosovën kanë qenë më të rënda sesa për vendet e tjera, se në mesin e kushteve ka shumë që nuk kanë fare të bëjnë me këtë proces. Por, siç e thanë Bruksel javën që shkoi edhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, Kosova nuk ka pasur zgjedhje tjetër, pos të pranojë që t’i përmbushë kërkesat e BE-së, pa marrë parasysh se a i konsideron ato të drejta apo jo.

Javën që shkoi në Bruksel në një konferencë të organizuar nga Qendra e Politikave Evropiane (EPC) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dëgjuam shumë argumente në favor të heqjes së vizave, kundër paragjykimeve se heqja e vizave do të rrisë valën e azilkërkuesve nga Kosova. Pamë edhe një film dokumentar mirë të koncipuar ku ekzistimin e vizave për kosovarët e bën banal dhe qesharak. Por dëgjuam edhe një herë se procesi tash vërtet është afër fundit dhe se kanë mbetur pak kushte që Kosova duhet t’i përmbushë. Dhe për to nuk ka kohë shumë. Madje mund të thuhet se nuk ka fare kohë nëse dëshiron që vizat të hiqen në fillim të vitit 2017 apo, në raste jashtëzakonisht të favorshme, në fund të këtij viti.

Ja matematika e kohës dhe gjasat për Kosovën: falë faktit se Kosova është futur në një paket me Ukrainën dhe Gjeorgjinë ,kësaj radhe ajo mund të përfitojë. Këto dy shtete janë para Kosovës në përmbushjen e kritereve. Për to Komisioni Evropian në raportin e miratuar në dhjetor konstatoi se “I kanë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim vizash”, ndërsa për Kosovën u tha se “kanë mbetur të përmbushen vetëm dhe 8 kritere”. Shansi për Kosovën qëndron në faktin se Komisioni Evropian, edhe pse Ukraina dhe Gjeorgjia i kanë përmbushur të gjitha kushtet, nuk ka dhënë ende propozimin legjislativ, që është një akt formal pas të cilit çështja do të kalonte te vendet anëtare. Dhe këtë javë, pikërisht në konferencën që përmendëm më lart në Bruksel, dëgjuam nga përfaqësuesi i Komisionit Evropian se, nëse gjithçka do të jetë në rregull, nuk përjashtohet mundësia që propozimi i Komisionit për ndryshime legjislative, pra rekomandimi për heqjen e vizave, të bëhet në të njëjtën kohë në paketë për Kosovën, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Por u pa qartë po ashtu se në çka insiston më së shumti BE-ja. Kërkon dëshmi të qartë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë dhe kjo duhet të dëshmohet edhe përmes vendimeve të gjykatave, por edhe të konfiskimit të pasurisë. Përfaqësuesi i Komisionit Evropian bëri të qartë se në Kosovë duket se gjyqësori është më i dobët sesa policia dhe këto mangësi duhet të adresohen në mënyrë që të arrihet sukses në procesin e liberalizimit të vizave.

Marton Benedek, nga Komisioni Evropian, insistoi se ekziston një vullnet për liberalizim të vizave me Kosovën por duhet të përmbushen sinqerisht tetë kriteret e mbetura. Ai tha se edhe shtetet anëtare insistojnë që Kosova të përmbushë të gjitha kriteret. Me gjithë argumentet se Kosova, me vetëm 1,7 milionë banorë, nuk paraqet kurrfarë rreziku të migrimit për BE-në, ai tha se ekziston frika te disa vende anëtare të cilat mbështeten në faktin se numri i azilkërkuesve nga Kosova është shumëfish më i madh sesa nga Ukraina apo Gjeorgjia së bashku. Ai përsëriti paralajmërimin e dhënë që në dhjetor nga Komisioneri për punë të brendshme dhe migrim, Dimitris Avramopoulos, se do të vizitojë Kosovën për të parë personalisht se si janë përmbushur kriteret e mbetura. Nëse do të duhej thjeshtëzuar se cili është kushti kryesor që Kosova nuk e ka përmbushur për liberalizimin e vizave atëherë duhet thënë qartë se ky është dënimi i zyrtarëve të lartë për raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këtë BE-ja kërkon dëshmi. Pra nuk ka më hapësirë për politikanë, sepse liberalizimi duket se tashmë është në duart e gjykatave të Kosovës.

Nuk do të mjaftojnë deklaratat e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës se “Kosova është kampione e luftës kundër korrupsionit” e as kërcënimet se kryeministri nuk do të vijë në Bruksel në dialog me Serbinë nëse nuk jepet rekomandimi. Nuk do të ndihmojnë as kritikat e vonuara drejtuar ndaj BE-së për diskriminim të Kosovës ndaj të tjerëve.

Edhe vetë qytetarët e Kosovës, të cilët më shumë sesa politikanët po i vuanë pasojat e izolimit dhe diskriminimit në aspektin e lirisë së lëvizjes, në një pikë duket sikur pajtohen me BE-në se ajo është insistimi që të ketë dëshmi, përmes dënimeve nga gjykatat, për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Prandaj, prokurorë dhe gjykatës, nëse doni t’i bëni mirë këtij vendi dhe popullit tuaj, dëshmoni me rezultate sukses në dënimin e krimeve. Edhe në rast se Komisioni merr guximin dhe bën lëshime ndaj Kosovës, duke rekomanduar liberalizim vizash pa dëshmi për luftë kundër korrupsionit, kjo nuk do të ndihmojë, sepse shtetet anëtare nuk do të pajtohen që të hiqen vizat. Ato i kanë ekspertët e tyre të përfshirë në proces, ata e dinë se si po punojnë gjykatat në Kosovë e sa “të pavarura” janë ato.

Në kohën kur duhet dhënë porosi prokurorëve dhe gjykatësve që të kryejnë detyrën e tyre për të ndihmuar në liberalizimin e vizave, duhet dhënë porosi edhe politikanëve: rrini larg gjykatave, mos ndërhyni në to. Mbështetni dhe inkurajoni punën e tyre por mos u përzieni. Në të kundërtën vetëm do të krijoni problem dhe do ta vononi edhe më shumë liberalizimin e vizave.

Nëse Kosova i ka përmbushur 87 nga 95 kërkesat e BE-së, atëherë është koha që ta bëjë edhe atë hapin e fundit sa më shpejt. Por ai hap nuk është më administrativ, nuk ka lidhje me miratimin e ndonjë ligji. Thjesht kërkohen rezultate në luftimin e dukurive që edhe ashtu e kanë shkatërruar Kosovën siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivelin e lart. Me gjithë kritikat e këtilla që mund t’i drejtojmë ndaj BE-së, këtu duhet të pajtohemi se me kohë ua kanë thënë këtë kusht përfaqësuesve të Kosovës. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...