Përbindëshi i quajtur Kushtetuese

26 Janar 2016 - 07:45 - Flaka Surroi      

Nëse vendimi “Pacolli” do të respektohet, atëherë gjithsesi do të kemi zgjedhje të reja, dhe do ta kemi Mr. Ktynë ushtrues detyre të kryetarit të shtetit për disa muaj deri në konstituimin e Kuvendit të ri. E vetmja me fuqi vendimmarrjeje do të jetë ende Qeveria në dorëheqje, me kryeministrin në dorëheqje, bashkë me 22 ministrat e tjerë dhe ata 200 a sa këshilltarë e badihavxhinj, që të gjithë në dorëheqje, derisa nuk të konstituohen trupat

Lajmi i javës, pa dyshim, qe dënimi i Oliver Ivanoviqit për krime lufte. Nëse nuk gabohem, do të jetë ky serbi i parë, së paku i pari ndër figurat publike e politike të serbëve të Kosovës, që dënohet për krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës. Vrasja e shqiptarëve dhe dëbimi i tyre masiv nga Mitrovica, për fat të keq, u kufizua në përgjegjësinë e vetëm një njeriu, përderisa tre të tjerë u liruan nga akuzat, sepse s’pati prova kundër tyre. Apo se ato nuk u gjetën. Nëntë vjet burgim, ndër të tjera, për njeriun që thuhej se ishte pjesë e atyre që ua rrëmbyen jetën 10 civilëve dhe i dëbuan madje 12 mijë njerëz nga veriu – duken të vogla. Por më tmerruesja, megjithatë, është vendimi i gjykatës për ta lënë Ivanoviqin në arrest shtëpiak, në vend se të dërgohet në një burg të sigurisë së lartë. Hiç nuk do të jetë çudi që ky të ikë në Serbi, dhe të mos e vuajë fare këtë dënim – duke e ditur çfarë shoshe paraqet kufiri në veri.

Pauza e zgjatur

E se sistemi i drejtësisë është krejtësisht i çoroditur në Kosovë, rezultat i pushtetit të PDK-së, posaçërisht në 9 vjetët e fundit, mjafton krahasimi i dy rasteve që përfunduan me dënime për krime lufte, në të njëjtën gjykatë. Sami Lushtaku u dënua me 12 vjet burgim dhe u dërgua në Gërdovc, prej nga më nuk mund të dalë, siç dilte nga Dubrava, për t’u shtrirë në spital. Ivanoviqi, nga ana tjetër, lihet në shtëpi, ani që dënimi është më i madh se pesë vjet. Pse ky standard i dyfishtë, dhe pse ky interpretim kaq fleksibël i ligjit varësisht nga rasti? Politika? Ndoshta.

E politika e nivelit të lartë në Kosovë vazhdon të ngecë. Në javën kur duhej të niste sesioni pranveror, kemi ardhur në pikën ku Kuvendi nuk thërret seancë, kurse komisionet parlamentare nuk janë funksionale, kryesisht për mungesë kuorumi. Nuk ka as paralajmërim se kur do të thirren seancat e reja, për shkak se duket se tashmë është bërë evidente se bllokada nga ana e opozitës do të vazhdojë dhe se funksionimi i Kuvendit do të kufizohet në mbledhjet në salla alternative, ku asnjëri ligj nuk do të shqyrtohet e as nuk do të debatohet si duhet. Do të bëhemi me një sërë ligjesh që pas një kohe do të duhet të amendamentohen, sepse nuk do të jenë të zbatueshme.

Mbase arsyet për pauzën e zgjatur të Kuvendit duhen kërkuar te peshimi i opsioneve që partitë politike i kanë në dispozicion. Një, do të ishte të vazhdohet me këtë kompozicion dhe me këtë lëmsh që vetëm sa thellon krizën, përderisa koalicioni qeveritar e shfrytëzon kohën për të marrë nën kontroll paranë publike nëpërmjet bordeve dhe të buxhetit. E dyta, do të ishte të shpalleshin zgjedhjet e jashtëzakonshme që po i kërkon opozita, ashtu që të parandalohej zhytja në dhunë të mëtejme, që për kundërshpërblim do të ketë instalimin e dhunës si metodë sundimi në këtë vend. E treta, do të ishte mbledhja e të gjithëve rreth një tryeze, siç shumëkush do ta quante të pajtimit kombëtar, për zhbllokimin e udhës pa krye në të cilën e ka futur Kosovën Gjykata Kushtetuese.

Kushtetuesja sui generis

Para pesë vjetësh, kur kishte vendosur ta shpallte Pacollin kryetar jokushtetues, Gjykata Kushtetuese kishte dalë me një aktgjykim që do të duhej të hynte në analet juridike si shembull se si nuk duhet vendosur për një çështje kushtetutshmërie – sepse në vend të parimeve juridike dhe logjike, vendimin e ka marrë mbi interesa politike. E udhëhequr, me gjasë, nga urdhri politik dhe nevojën për ta eliminuar Pacollin nga posti në të cilin, me SMS, e vendosi Delli, Gjykata Kushtetuese mori një vendim me të cilin praktikisht e pamundëson zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të Kosovës. Dhe vë në pyetje legalitetin e zgjedhjes së vet Jahjagës kryetare më 2011-n, sepse atëbotë në sallë kanë qenë prezentë 100 e jo 120 deputetë, për të cilët nuk dihet nëse kanë pasur leje nga Krasniqi për të munguar.

Për ta thjeshtësuar punën, do të përpiqem ta shpjegoj me disa rreshta. Në atë aktgjykim, Kushtetuesja ka thënë se kur të votohet kryetari i shtetit, në të gjitha rundet e votimit duhet të jenë prezentë të 120 deputetët. Këta, nga ana tjetër, sipas ligjit dhe rregullores janë të obliguar të marrin pjesë në seanca, pos atëherë kur nuk munden dhe për të cilën gjë vetëm e informojnë kryetarin e Kuvendit. Mirëpo, Kushtetuesja, si zakonisht, pa e pyetur askush, e jep një interpretim të vetin edhe këtu, dhe thotë se deputetët që mungojnë, këtë mund ta bëjnë veç me lejen e kryetarit të Kuvendit.

Kjo do të thotë se tash e mbas, sa herë të qitet në rend dite çështja e votimit të kryetarit, mjafton të mungojë një deputet i vetëm, të cilin, ta zëmë, kryetari i Kuvendit nuk e autorizon të mungojë, dhe të prishet loja. Pra, sipas këtij aktgjykimi, kuorumi për zgjedhjen e kryetarit nuk është shumica e kualifikuar (2/3) për dy rundet e para as ajo e thjeshta për rundin e tretë, por komplet Legjislativi. Kjo do të thotë se nuk ka shans teorik që Thaçi të zgjidhet kryetar, sepse deputetët e opozitës as nuk do ta lajmërojnë kryetarin, për pasojë ai nuk do të mund t’ua arsyetojë mungesat, për shkak se paraprakisht nuk është informuar për intencën e tyre për të munguar nga salla. Pos nëse Mr. Kty do ta luajë lojën tjetër: do ta qesë policinë para dyerve të plenares dhe do t’ua ndalojë opozitarëve hyrjen në Kuvend; më pas, me njoftim nga policia se këta janë ndaluar, do t’ua arsyetojë mungesën.

Po qe se ndodh kjo e fundit, pra nëse përdoret dhuna policore për ta ndaluar të drejtën dhe detyrimin e deputetit për të marrë pjesë në seancë, do të kemi shkelje të rregullores dhe ligjit. Po për këtë kompozicion pushteti, kjo nuk do të ishte diçka që tashmë nuk e kanë bërë dhe që nuk vazhdojnë ta bëjnë. Do ta shpallin fituesin dhe dikush do ta çojë lëndën në Kushtetuese. Atëherë Kushtetuesja do të dalë edhe me një interpretim të Kushtetutës ashtu siç ia merr mendja, për ta plotësuar qejfin e PDK-së. Dhe, siç e do zakoni, më pas të gjithë (vendorë e të huaj) do të thonë se vendimet gjyqësore duhen respektuar, dhe për pasojë do ta kemi Thaçin kryetar për pesë vjet. Ose do ta kemi kryetar për një kohë më të shkurtër, kur duhet dhënë dorëheqje, për të shkuar në Hagë si i akuzuar për krime lufte (po qe se Specialja ngre aktakuzë). Kështu sërish do të bëhemi lajmi kryesor i botës – Kosova me kryetar shteti që u bashkohet kryetarëve të Sudanit, Bregut të Fildishtë apo Kenias..., si i akuzuar për krime lufte. Pra, i pari i shtetit, të cilin e përkrahu i gjithë Perëndimi, do të dalë si përfaqësues i anës së errët të luftës, ku shqiptarët do të dalin kriminelë, e serbët viktimë. Kaq sa për ruajtjen e imazhit të “mirë” të Kosovës në botë.

Një Kushtetuese për Kushtetuesen

Por, nëse vendimi “Pacolli” do të respektohet, atëherë gjithsesi do të kemi zgjedhje të reja, dhe do ta kemi Mr. Ktynë ushtrues detyre të kryetarit për disa muaj deri në konstituimin e Kuvendit të ri. E nëse Kuvendi, për shkak të edhe një aktgjykimi totalisht të palogjikshëm të Kushtetueses nga viti 2014, nuk do të jetë në gjendje t’i zgjedhë organet e veta, ushtrues detyre kryetar shteti logjikisht do të duhej të bëhej deputeti më i vjetër – për shkak se as Kushtetuta e as ligji nuk parashohin situatën ku nuk kemi as kryetar shteti e as kryetar Kuvendi. E vetmja me fuqi vendimmarrjeje do të jetë ende Qeveria në dorëheqje, me kryeministrin në dorëheqje, bashkë me 22 ministrat e tjerë dhe ata 200 a sa këshilltarë e badihavxhinj, që të gjithë në dorëheqje, derisa nuk të konstituohen trupat.

Dhe më pas çka? Do të vazhdojmë të përpëlitemi edhe nja gjashtë muaj, dhe do të arrijë fundi i vitit dhe e gjithë jeta në Kosovë do të ndalet, për shkak se, nëse s’do të ketë kryetar e kryesi Kuvendi, nuk do të ketë as seanca, pra nuk do të ketë as votim buxheti. Të vetmit që do të kënaqen do të jenë badihavxhinjtë nga pasusi paraprak që do ta shterin buxhetin e sivjetmë duke u shëtitur nëpër botë.

Para rastit të shpalljes së Sejdiut shkelës të Kushtetutës, krejt kërkonim që të themelohej Kushtetuesja, duke besuar se do ta kemi një trup që do ta mbrojë Kushtetutën dhe ligjshmërinë. Atë që kemi fituar me Kushtetuesen nën kryesimin e Enver Hasanit dhe me përzierjen e të huajve në ripërtëritjen e mandatit të tre gjykatësve të huaj, është një përbindësh që prodhon vendime nga laboratori i Frankenshtajnit që Kosovën, copë pas cope, e kanë futur në qorrsokak juridik e politik.

Dalja nga qorrsokaku është ndryshimi substancial dhe cilësor i Kushtetutës, por jo për ta akomoduar Zajednicën, por për t’i riinstaluar proceset demokratike të zgjedhjes së trupave dhe institucioneve jo sipas qejfit të PDK-së, po sipas praktikave perëndimore.

Zgjidhjet në horizont duken të jenë tri, krahas pezullimit të negociatave me Serbinë:

një, që zgjedhja e Thaçit kryetar të dështojë, për pasojë të shkohet në zgjedhje të parakohshme diku kah prilli. Të themelohet Kuvendi i ri dhe të zgjidhet një qeveri teknike, ndërkohë që të formohet një tryezë/forum/komision i përbashkët politik i të gjitha partive që do ta shtyjë përpara procesin e qartësimit dhe saktësimit të Kushtetutës brenda gjashtë muajve;

dy, që zgjedhja e kryetarit të shtetit të shtyhet për gjashtë muaj, me imazhin njësoj të keq të Veselit si ushtrues detyre kryetari, me riformatizimin e Qeverisë për ta bërë sërish teknike dhe me zgjedhjen e trupit të përbashkët që do ta amendamentojë Kushtetutën, për ta bërë atë një dokument të zbatueshëm dhe normal;

tre, që të huajt t’i marrin krejt dizginat në dorë, por kësaj radhe publikisht, e të merren me zgjidhjen e lëmshit të cilit i kanë kontribuuar duke anuar për “stabilitetin” në vend të funksionalitetit.

Cila po jua merr mendja se do të ndodhë? Unë nuk kam shumë dyshime se do të jetë e treta. Po mbase e kam keq. Sepse kurrë s’i dihet me çfarë zgjidhjeje të re do të na dalë përbindëshi i quajtur Kushtetuese, për t’ia shpëtuar jetën politike atij që me çdo kusht do të mbetet në pushtet përjetë, po mundi. E për të na e bërë neve jetën edhe më të zezë.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...