Republika e të paprekshmëve

25 Janar 2016 - 08:22 - Lumir Abdixhiku      

Kosovarët e ardhshëm kanë për t’u tallur me ne për shumëçka. Kanë për t’u tallur për këto gjërat e vogla, që japin pasqyrën përfundimtare të një vendi pa ligj, të padrejtë dhe përfundimisht të pabarabartë.

-1-

Jo rrallëherë e mendoj sesa qesharake e tallëse ka për t’iu dukur Kosova e tanishme gjeneratave të ardhshme. Sa qesharake, për shembull, ka për t’iu dukur fakti se një kryetar komune, i një komune votuese mbi 120%, i dënuar me 12 vjet heqje lirie, i mbajtur në Burgun e Sigurisë më të Lartë në vend, vazhdon të ushtrojë detyrën e tij si kryetar komune ende. Dhe nuk ka as Komision Zgjedhor, as Qeveri, as parti e as institucion tjetër ligjor a moral që guxon t’i shpallë zgjedhjet atje.

Përkundrazi. Një rast si ky, bëhet arsye për grevë në dy komuna kosovare: në Skenderaj dhe Vushtrri respektivisht. Në të dyja rastet, administrata lokale zgjedh injorimin e secilës shkallë institucionale këndej, zgjedh futjen në grevë mospune – të cilën e quajnë solidarizuese – dhe zgjedh refuzimin e shërbimit ndaj, askujt tjetër, përveç qytetarëve të vet. Në kthim kërkojnë institucionalizim – natyrisht institucionalizim në versionin e vet.

Hiç më pak tallëse s’ka për t’iu dukur as ideja se zgjedhjet lokale nuk janë mbajtur as në Prizren. Ky i Prizrenit, madje, kishte nisur fushatën, kishte fituar atë, e me siguri ka për të mbajtur mandatin deri në fund – për gjithë kohën sa ishte i dënuar me burg.

E në renditjen e aktivizimit të të dënuarve duhet të gjejë gjithsesi vend dhe pjesëmarrja e ish-kryetarit të Kaçanikut, në një ngjarje zyrtare të Republikës së Kosovës në Suedi. Një i dënuar, në arrati, merr pjesë aktivisht në ngjarjet e taksapaguesve që e kanë dënuar atë.

-2-

Kosovarët e ardhshëm kanë për t’u tallur me ne për shumëçka. Kanë për t’u tallur për këto gjërat e vogla që japin pasqyrën përfundimtare të një vendi pa ligj, të padrejtë dhe përfundimisht të pabarabartë.
Ana e tmerrshme e lajmeve si këto është imunizimi i shoqërisë sonë në trajtimin e tyre. Pra, për kosovarët e sotshëm është bërë krejtësisht e zakonshme që një i dënuar të ushtrojë post publik, të paguhet madje majmë e mirë nga taksat e tyre. Kështu ishte dhe rasti me ish-ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, që përderisa mbahej në paraburgim për 11 muaj, merrte rrogën e diplomatit pandërprerë e për aq kohë.

Për kosovarët e sotshëm është bërë tërësisht e zakonshme që një sistem gjyqësor në vend, të dënojë me pagën mujore të babait të tyre, dy djemtë e një deputeti që kishin rrahur një polic, për më tepër me vete mbanin një “Kallashnikov AK-47”. Rasti bëhet edhe më i rëndë kur e kujton se një vit më parë, kur dhe kishte ndodhur rasti, polici i sulmuar ishte degraduar në detyrë për gjoja një shkelje krejtësisht irrelevante gjatë punës së bërë.

Pra pjesë e trajtimeve nuk bëhet vetëm gjyqësia, por bëhen dhe mekanizmat tjerë publik, siç është në këtë rast mekanizmi korrektues i policisë. Në raste të tjera pjesë bëhen dhe mjekët, që shkruajnë raporte false sa për të fortët, sa për të zgjatur ndejën në pafundësi te dhomat VIP të spitaleve, apo bëhen dhe gardianët e burgjeve që ndërrojnë uniformat me të burgosurit – që këta të fundit të hanë një drekë të mirë në një ditë të diellshme në Prishtinë të veshur si polic.

-3-

Pra, në Republikën e të paprekshmëve, ka dy lloj trajtimesh. Në të parin bëjnë pjesë ata të zakonshmit – kryesisht qytetarët shumicë që nuk kanë as lidhje e as ndërlidhje me përcaktuesit e pushteteve këndej, për ta natyrisht se vlen barazia ndaj ligjit. Dhe në të dytin janë të paprekshmit, pushtetarët, familjarët e tyre dhe rrahagjoksit e tjerë, të cilët janë të barabartë mbi ligjin.

Një trajtim i dyfishtë bëhet për dy arsye. E para, se ka një frikë – në palcë madje – të mbjellë tek trajtuesit e rasteve të tilla, nga prokurorët, tek avokatët e gjykatësit në përfundim. E dyta, dhe më e tmerrshme, se ka një kontroll të mirëthemeluar në sistemin publik këndej, dhe jo vetëm aty.

E është mu kontrolli i sistemit publik që duhet të jetë brenga më e madhe për kosovarët sot. Sepse frika trajtuese mund dhe të shërohet një ditë. Një ditë mund të vijë këndej një rend i ri politik që garanton sigurinë e trajtuesve të rasteve. Dhe kështu, as prokurorët, as gjyqtarët, as gardianët e burgut, e as mjekët e QKUK-së, nuk do të ndihen të lirë për të dhënë mendimin drejt. Kontrolli, në anën tjetër, është vështirë i zhbëshëm. Mbi të gjitha, kontrolli i sistemit gjyqësor nuk jep vetëm pasivitet të tij, për çfarë ne dhe ankohemi më së shumti sot. Ai mund të japë destruktivitet, pra të përdoret për persekutim të të pafajshmëve.

Paramendoni për një moment një inat biznesi, një ballafaqim politik apo në fund të ditës një kujtim krejtësisht provincial dhe futjen e gjithë mekanizmit gjyqësor, korrektues, policor e inspektues kundër tyre. Paramendoni pafuqinë e të një të pafajshmi përballë të fortëve që kanë një sistem drejtësie në dorë. Rastet e tilla janë të zakonshme. Janë të shpeshta madje. Biznese të shumta që ankohen për padrejtësitë e firmave fituese të lidhura me rrahagjoksë, që nesër bëhen pjesë e trajtimeve javorëshe, të mundimshme të inspektorëve tatimorë, inspektorëve sanitarë, doganierëve e ku me ditë kujt tjetër. Bëhen pjesë e targetimit të gjithë sistemit publik derisa t’i lodhin, frikësojnë e largojnë përfundimisht nga pretendimet e drejta për pabarazi. Është Republika e të paprekshmëve kjo.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...