Tita nga Broja

29 Prill 2014 - 09:10 - Flaka Surroi      

Kryeministri duke besuar se e ka bindur publikun se është shumë patriot, kur merret me FAK-un, në fakt po kalkulon si t’i sigurojë votat edhe për një mandat, përderisa me premtimet të cilat i ka dhënë në parafushatë, teknikisht tashmë e ka çuar Kosovën në bankrotim, jo vetëm financiar

Një është lajm sportiv, të cilit duhet gëzuar shumë-shumë – i vetmi që të bën të besosh që vendi yt i mjerë dhe prej kohësh i paperspektivë, megjithatë ka gjasë të ketë ardhmëri. Majlinda Kelmendi u shpall kampione edhe e Evropës në kategorinë e vet, duke na e dhënë edhe një arsye gëzimi – në vorbullën e reagimeve jo gjithherë racionale, arsyeja për euforinë shtesë që nxiti fitorja e saj e ushqeu fakti se në finale e mundi një xhudiste ruse. Pra meqë nuk mundemi të bëjmë asgjë në raport me Rusinë bllokuese, së paku mund t’i gëzohemi faktit se Majlinda e shtetit xhuxh e mundi përkatësen e Goliatit, pastër dhe bindshëm.

Tjetër na ishte lajmi sportiv, i cili shkaktoi reagime turlifare: vendimi i Adnan Januzajt që të luajë për Kombëtaren belge, e jo në atë kuqezi, e mbase as në atë të Kosovës. Superpatriotët e kritikuan, madje edhe e shanë, për të ardhur në pikën ku e shpallën tradhtar babanë e tij (sepse ne shqiptarët, që i dimë të gjitha, e dimë me siguri se ky është vendimi i babait të tij e jo i Adnanit, sepse “ky as shqip s’di të flasë”). Të tjerët shprehën shpresën se ky do të luajë dikur për Kosovën. Të tretët konstatuan se kjo është punë e tij. Dhe, me këtë rast, unë do të rreshtohem me grupin e tretë. Sepse ky është një djalosh që i ka hapur vetes rrugë me talentin e vet, përderisa asnjëri shtet kuqezi nuk ka çarë kokën për të deri në çastin kur ky ka lidhur kontratë me Manchester Unitedin. Belgjika do të luajë në botëror. Pra, është shumë gjynah nëse ky djalë, së bashku me të gjithë shqiptarët zviceranë, e humbin shansin që nuk u ofrohet bash për çdo ditë. Sepse nuk ka mënyrë më të bukur sesa kjo: të dëshmosh se shqiptarët e Kosovës nuk janë të gjithë të identifikueshëm me Tribunalin që ia kanë ngulur vetes me presion ndërkombëtar, e as me strukturat e krimit dhe të korrupsionit që e identifikojnë qeverisjen e shtetit prej nga rrjedhin.

Por, nga ana tjetër, shumë po e kuptoj edhe debatin që ngjallin vendimet sikur ky. Sepse është shumë më mirë të filozofosh edhe për një diçka që nuk të përket personalisht, sesa ta vuash realitetin e përçdoditshëm, të cilin ta imponon të jetuarit në Kosovën e pasluftës. Aty ku krejt, pos kastës udhëheqëse, janë irrelevante.

Kumroveci tu Kosovës

Do të jenë edhe katër gjëra, të cilat duhet të realizohen për ta vulosur faktin se ky vend është i sunduar nga një person që i ka të gjitha tiparet e një diktatori, asi të komunizmit (atribut të cilin e përdorin pulenët e tij për ta përshkruar vetëm negativen): që t’i ngrihet një përmendore për së gjalli (me frizurën kobra); që t’i kompozohen e këndohen këngë tallava (o, more, Hashiiiim, po të japim betiiiim); që Buroja apo Broçna e tij e lindjes të shndërrohet në vendpelegrinazhin e ekskursionistëve të shkollave të mesme (Kumroveci i shekullit XXI) dhe, përfundimisht, t’i organizohet sleti e stafeta në Stadiumin Olimpik të FAK-ut në Skenderaj, që do të ndërtohet në katër vjetët e ardhshëm sipas planit të investimeve zemërgjera të premtuara gjatë fushatës pranverore 2014.

Kryeministri do ta ketë vuajtur një hiperglikemi të theksuar të enjten, meqë ngado që ishte sjellë e kishte pritur nga një tortë, për t’ia festuar ditëlindjen. Do të jetë ndier i ngazëllyer, për shkak se është bukur kur ta kujtojnë ditëlindjen dhe është bukur kur të nderojnë me kremte e dhurata. Porse do të ketë qenë i fascinuar që madje një shkollë e mesme e tërë të jetë mbyllur për t’ia organizuar një party me muzikë tallava – e që kjo punë të mos e ketë penguar askënd. Pra, bën të ndërpritet mësimi për ta festuar ditëlindjen e kryeministrit, duke përçuar kështu porosinë më të qartë të mundshme: e shihni, kjo është sa vlen arsimimi në Kosovë. Dhe nuk e di po qe se është institucioni i njëjtë, porse ndodh që mësimi të ndërpritet në Skenderaj, mu aty ku një zyrtar i lartë i AKI-së e ka marrë diplomën false të shkollës së mesme..., dhe tash më shumë se kurrë po e kuptoj pyetjen e nënës sime sa herë dikush fryhet se ka të kryer master e doktoratë: “Ku e ka kryer shkollën fillore (nëse e ka kryer)...”

Kështu shkoi edhe një nga ato javët kur e konstaton për kush e di të satën herë se sa rëndë është të jesh pjesëtar i një populli të vogël, që udhëhiqet nga injorantët dhe sa vështirë është të jetosh në një shtet që, jo që diti ndonjëherë se çfarë janë, porse që tash i ka humbur ama bash krejt, krejt vlerat.

Nuk e deshëm, porse na detyruan

I shumëpërfoluri Tribunal u miratua për themelim – dhe tybe nëse e dinë ata që e votuan se çfarë kanë votuar. Sepse garant as nuk e kanë lexuar Projektligjin përcjellës, e as arsyetimet e Qeverisë, e as që janë ndalur të mendojnë se çfarë kanë bërë me një instrument që është dashur të jetë pjesë e gjykatave të rregullta qysh moti..., të vetmen gjë që e kanë parë ka qenë prezenca e ambasadores amerikane dhe e diplomatëve të tjerë atje lart – e mjaftueshme për ta marrë vendimin për të cilin mbase do t’i bien pishman ndonjë ditë. Dhe jo për shkak se kjo gjykatë do t’i ndjekë kriminelët potencialë (shqiptarë) të luftës, por për shkak se ky Tribunal na barazoi me vrastarët tanë, përfaqësuesit e të cilëve në Kuvend tashmë iu falënderuan kolegëve shqiptarë që e pranuan se shqiptarët kanë kryer krime kundër serbëve. As pa dëgjuar një fjalë pendimi nga ta, apo një kërkimfalje nga baballarët e tyre politikë në Beograd.

Qeveria e cila e shpalli Tribunalin të padrejtë, u ngut për ta miratuar edhe një vendim absolutisht të çuditshëm: atij të miratimit të fondit për ndihmën juridike të të akuzuarve potencialë. Sistemi kosovar i drejtësisë e parasheh ndihmën juridike falas për të gjithë ata që nuk kanë mundësi ta paguajnë avokatin. Në rastin e krimeve që trajtohen nga gjykatat e rregullta, nuk ekziston mundësia e financimit të familjeve dhe mbajtjes së tyre dhe dëmshpërblimi për mbajtjen e padrejtë në burg nuk është gjë që miratohet me lehtësi. Tash jo vetëm që lejohet formimi i një gjykate që nuk ka lidhje me sistemin tonë gjyqësor, porse formohet edhe fondi i veçantë, që nuk e përjashton krijimin e fondeve alternative që mund të shërbejnë për shpëlarje parash (natyrisht, kjo varet nga kush do të jetë i akuzuar), duke i vënë në pozitë më të privilegjuar njerëzit që në fund edhe mund të dënohen për krime lufte. Duke e financuar me paratë e buxhetit në të cilin kontribuojmë të gjithë, porse pa na pyetur fare. Si zakonisht.

A e shpërbëjmë, a jo?

Si zakonisht vazhdojnë të veprojnë edhe në raport me shpërbërjen ose jo të Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Përderisa duket se gjithkush është duke kërkuar dhe duke shpresuar se zgjedhjet do të mbahen shpejt, megjithatë duket se kjo nuk do të ndodhë para se të kryhen disa punë që kanë mbetur të pakryera. Kështu, u shpall një tender për Kosovën C a të Re, tashmë krejt njësoj si quhet, çuditërisht gati në fund të mandatit të kësaj Qeverie. Gjë që të bën të besosh se ka diçka të fshehtë prapa këtij veprimi. Mbetet të shihet në mos do të rritet trysnia që të shpallet tenderi për PTK-në sërish, e të shitet ashtu, me shpejtësi, siç ishte planifikuar gjithherë.

Ajo që mbetet e papërfunduar është çështja e FSK-së dhe e transformimit të saj. Duke mos pasur asnjë lidhje me tematikën, megjithatë shtroj pyetjen se përse përnjëherë, dhe në fund të mandatit të kësaj Qeverie, aktivizohet kjo çështje, thuajse nga kjo na varet e ardhmja? Duke e pasur prezencën e NATO-s në Kosovë, nuk po e di se përse nuk mund t’i bëhet një “upgrade” (d.m.th. avancim) FSK-së, pa pasur nevojë as t’i ndërrohet emri, e as uniformat, e shumë gjëra të tjera që mund t’i kushtojnë buxhetit, e nga ana tjetër nuk fitohet ndonjë gjë e re në cilësi. Nuk mund ta kuptoj ndryshe këtë punë pos si përpjekje “fushatore” politike të kryeministrit me e quajt veten edhe baba të ushtrisë, pavarësisht Agim Çekut që do ta synonte po të njëjtin titull, për t’u eksploatuar në fushatën zyrtare.

Çështja tjetër është ajo e vendeve të rezervuara, por që ndërlidhet. Me shpërbërjen e këtij Kuvendi zbatohet neni 148 i Kushtetutës, sipas të cilit vendet në Kuvend do të sigurohen sipas votave të fituara, që edhe nëse nuk janë të mjaftueshme, do t’i sigurojnë minimum 10 ulëse për serbët dhe 10 ulëse për të tjerët. Pra, Kuvendi gjithsesi do të ketë 20 ulëse për joshqiptarët, porse duhet të fitohen me numra votash. Por nuk do të ketë patjetër 20 ulëse të rezervuara plus krejt të tjerat të realizuara me vota shtesë, sikurse ndodhi në zgjedhjet e shkuara, kur minoritetet u bënë me 25 ulëse (20,8 % të ulëseve, me më pak se 10% përfaqësim popullsie).

Natyrisht se minoritetet janë të interesuara të mbetet kjo dispozitë dhe është e pabesueshme se përse gjithë ky “naivitet” i Qeverisë dhe sjellje para aktit, ku minoritetet kushtëzojnë – pos nëse kryeministri aktual nuk e ka bërë hesapin e vet. E ky hesap thotë se minoritetet që i bën pjesë të koalicionit qeveritar, atyre që u jep poste ministrore e të ngjashme, i bëhen shumë aleat i mirë për të miratuar edhe marrëveshje të kota me Serbinë, edhe të miratojë ligje sikur ky i Tribunalit, e çka është më me rëndësi, i shërbejnë mirë për t’i kaluar ligjet e llojit të atij të buxhetit, aty ku ka pare. Pra meqë insistimi i minoriteteve është që kjo e drejtë t’u zgjatet edhe për një mandat, Thaçit kjo punë i konvenon, duke besuar se do t’i fitojë zgjedhjet sërish – për shkak se minoritetet ia sigurojnë numrat në Kuvend..., edhe atëherë kur i humb ato të vet partisë së vet.

Kështu, vetë Thaçi del e thotë se nuk ka shpërbërje pa u votuar FAK-u, duke ditur se ky kushtëzohet me votat e rezervuara. Duke besuar se e ka bindur publikun se është shumë patriot kur merret me ushtrinë, në fakt po kalkulon si t’i sigurojë votat edhe për një mandat, përderisa me premtimet të cilat i ka dhënë në parafushatë, teknikisht tashmë e ka çuar Kosovën në bankrotim, jo vetëm financiar. Sepse kot i premton gjithë ato miliarda, kur krejt miliardat i mbylli në duart e disave..., dhe në asfalt...

Shyqyr që është Majlinda, e që pos që na gëzon, na tregon se për të fituar duhet luftuar. Kush me shkathtësi, kush me tru e shumica me vota.

flaka@koha.net

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...