Welcome to the Republic of Gazova!

22 Janar 2016 - 08:33 - Halil Matoshi      

Nëse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i drejtë dhe profesional, atëherë kjo i jep të drejtë të plotë opozitës edhe për përdorimin e mjeteve jodemokratike (gazit lotsjellës) për ta parandaluar një të keqe të madhe për vendin. Porse, nëse ky aktgjykim është i padrejtë dhe i influencuar politikisht, atëherë Kushtetuesja ka krijuar një precedent të rrezikshëm, duke legjitimuar dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike, duke e shndërruar Kosovën - sy bote - në Gazovë!?

Po kur është legale përmbysja e një Qeverie të ligjshme – kjo është pyetja për një milion dollarë, aktualisht në Kosovë?
Qysh në antikë, nxënësit e Platonit, Hion dhe Leonidas, nga arsye patriotizmi e mbysin Klerahusin, tiranin e Herklesë.
Platoni tek “Shteti (këtë e dëshmon qartë libri i tetë dhe i nëntë) thjesht ishte pajtuar me vrasjen e tiranit.

Njëjtë qëndron puna edhe me Aristotelin.
Ai dallonte dy tipa tiranësh: Zaptuesin uzurpator dhe tiranin – prijës legjitim që e shkel ligjin.
Mirëpo Aristoteli nuk jep ndonjë sqarim se kur plotësohen kushtet për përmbysjen e prijësit legjitim…
Në vitin 1688, nga një grup i parlamentarëve u përmbys Mbreti James II.

Ky njihet si Revolucioni i Lavdishëm.
Natyralisti dhe filozofi politik, John Locke, do të përpiqet të shpjegojë se pse Mbreti James II u përmbys me të drejtë, dhe pse William III u ngjit në fron?
Ai do të përcaktojë për Anglinë "rolin legjitim të qeverisë civile".
Sipas Franz Neumannit, në të gjitha teoritë, këtij problemi (kush vendos mbi atë se kur lind e drejta e rezistencës) është vështirë t’i jepet një përgjigje.
Shembujt nga antikiteti flasin se kush vendos mbi atë që është në të mire të Polisit (teoria funksionale sipas së cilës rezistenca arsyetohet nëse (dhe atje ku) prijësi më nuk i kryen funksionet e veta.

Në shekullin e mesëm dhe teoritë asokohshme, autoritetin për të marrë këso vendimesh e pretendon kisha ose pushteti hyjnor.
Pra, në këtë luftë, fjalën e fundit e ka pala fetare, kurse në teoritë demokratike këtë të drejtë e ka populli.
Teoria e së drejtës natyrore e justifikon rezistencën kur prijësi harron kufizimet që ia vë e drejta natyrore ose kur nuk sillet në pajtim me këto norma.
Teoritë moderne – së këndejmi - mund të cilësohen si teori demokratike të rezistencës.

Neumann përkujton se historia e mendimit politik në shekullin 20 është histori e përpjekjeve që të gjendet arsyetim edhe për fuqinë edhe për të drejtën, edhe për ligjin, por edhe për dhunën.
Në Kosovë, aktualisht Gjykata Kushtetuese (duke e vënë veten si pushtet mbi të gjitha pushtetet e jo vetëm si interpretuese e Kushtetutës) me jokonsekuencën në aktgjykimet e saj “ia ka bartur të drejtën” opozitës që ta arsyetojë përdorimin e dhunës.
Porse, në thelb, as teoritë demokratike nuk e përmbajnë zgjidhjen e problemit të rezistencës.

Teoria e gjenezës sipas Neumannit (teoria e fuqisë politike) në vetvete nuk e legjitimon ushtrimin e fuqisë.
Shumica demokratike mund ta shkelë të drejtën (gjë që ka ndodhur aktualisht në Kosovë, pra shumica demokratike e ka delegjitimuar veten, duke qenë e paaftë të arrijë konsensus me opozitën për çështjet madhore kombëtare.)
E keqja nuk mund të bëhet e drejtë vetëm pse atë e dëshiron shumica.

Përkundrazi, me këtë e keqja zmadhohet!
Porse demokracia “në shpirtin e saj” përmban edhe institucionalizimin e së drejtës në rezistencë.
Në demokracinë amerikane (Deklarata e Pavarësisë) pjesa e parë e paragrafit të dytë nën kushtet e caktuara vërtetohet “e drejta e popullit” që ta ndërrojë apo ta braktisë cilëndo formë të qeverisjes dhe të themelojë model të ri të shtetit.

Në Deklaratë vetëm “populli” e fiton të drejtën në revolucion të ligjshëm, kurse e drejta individuale në rezistencë nuk përfshihet.
Shembuj të gjunjëzimit, përkatësisht të përmbysjes së një shteti/pushteti në mënyrë legjitime ka shumë në historinë politike.
Një ndër to është edhe gjunjëzimi legjitim i ish-RFJ-së në epokën e ngritjes së fashizmit të Milosheviqit, kurse historia e qytetërimit është e mbushur me plot shembuj të përmbysjes së regjimeve kundërpopullore.

Intervenimi i NATO-s kundër forcave serbe të sigurisë më 1999, për ta parandaluar një gjenocid në Kosovë, ishte zgjidhje ushtarake e konfliktit në mes të së drejtës natyrore dhe pozitivizmit juridik (juridiksioni serb mbi Kosovën njihej botërisht si i ligjshëm, pra Serbia njihej si shteti amë i Kosovës në rrafshin juridik) në favor të së drejtës natyrore të njeriut, të së drejtës për jetë.
“Shteti duhet të gjunjëzohet para Jetës, Lirisë dhe Pronës së njeriut” - thoshte Locke.

Në të kundërtën shteti bëhet i paligjshëm dhe kjo u jep të drejtën njerëzve që të ngrihen kundër tij.
Duke qenë se Qeveria aktuale e Republikës së Kosovës është e ligjshme, ndonëse në krizë të thellë legjitimiteti, shtrohet pyetja se në çfarë rrethanash bëhet e ligjshme përmbysja e saj?

Tashmë edhe partnerët e koalicionit e kanë të qartë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme (që mandati t’i rikthehet sovranit) qoftë për shkak të moszgjedhjes së Presidentit të vendit, qoftë për shkak të krizës së legjitimitetit dhe presionit në rritje të opozitës dhe protestave civile për ta evituar përmbysjen…
LDK-ja po mendohet seriozisht që ta pranojë solucionin e zgjedhjeve, si mjet i vetëm i ligjshëm dhe demokratik për t’iu shmangur përgjegjësisë për përplasjet eventuale në shoqërinë kosovare, si parti që veten e cilëson institucionaliste, por dhe për ta influencuar një nomenklaturë të re brenda partisë…

Mirëpo, e drejta për ta rrëzuar Qeverinë e ligjshme në Kosovë nuk është fituar bazuar në të drejtën e popullit për t’ia marrë mandatin një Qeverie despotike, ngase opozita i ka shtyrë përpara dy kauza të paqëndrueshme (madje në sytë e fqinjëve dhe perëndimorëve shihen edhe si nacionaliste), prapa të cilave besohet që fshihet neglizhimi, helbete evitimi i Gjykatës Speciale dhe kjo shtrohej kastile vetëm si mundësi nga disa opinionistë në Prishtinë, mirëpo sa më shumë që po specifikohen punët rreth kësaj Gjykate, aq më shumë po qartësohen pozicionet e forcave politike kosovare.
Në këtë vazhdë opozita e bashkuar ka paralajmëruar bllokim të Kuvendit edhe në ditën kur parashikohet ratifikimi i marrëveshjes me Holandën për selinë e Gjykatës Speciale.

Dhe për obstruksionin rreth Gjykatës Speciale po duket se kanë konsensus të plotë të gjitha grupet politike pos LDK-së, e cila pretendon se do të mbahet në këmbë edhe pas “tërmetit”, kur do të shpalleshin aktakuzat e para, ndonëse ta lidhësh fatin me Hashim Thaçin (siç ka ndodhur me liderin e kësaj partie, Isa Mustafa) nuk është garanci e qëndrimit në këmbë, gjatë sfidave të menaxhimit të situatave të rrëshqitshme dhe të pasigurta, kur figura kyç të Kosovës mund të përballen me drejtësinë ndërkombëtare.

Ajo që është tmerruese dhe që e bën të frikshëm këtë vit natyrisht që është propaganda politike, e cila ka gjetur hapësirë të madhe në mediat, sidomos ato online, sepse propaganda në epokën digjitale (të internetit) është informacion i përmasave globale dhe shumë efektive.

Propaganda si lloj i informacionit të anshëm dhe me prapavijë të qartë politike e ka për qëllim që t’ia ndërrojë bindjet, besimet dhe pritjet individit, grupit shoqëror apo një shoqërie të tërë, duke qenë e disenjuar me joracionalitet dhe shpesh me emotivitet.
Publiku kosovar po manipulohet si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita, ngase nuk është imun ndaj "pranimit" të këtij informacioni propagandues, por fakti se edhe shumë media dhe gazetarë pavetëdijshëm bien viktimë të plasimit të propagandave të qarqeve të ndryshme politike dhe të shërbimeve të inteligjencës, është për t’u vajtuar.

Pjesa më e madhe e medias sot është nën "narkozën" e propagandës së orkestruar nga grupe të fuqishme në Kosovë dhe jashtë saj, sidomos kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Gjykatën Speciale.

Prandaj ky lloj informacioni propagandues po e dëmton në thelb vetë shoqërinë kosovare dhe afirmimin e shtetit të ri në botë, sado që duket i frytshëm për momentin, ngase shoqërisë do t’i duhen dekada të tëra për t’u këndellur nga amnezia ose edhe indoktrinimi që shkaktohet nga propaganda.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...