Mbi kohën e humbur dhe humbjen që mund të vijë

18 Janar 2016 - 08:18 - Lumir Abdixhiku      

Kush do ta kishte menduar se në një ditë mesatare kosovare tetë vjet pas pavarësisë – me ose pa të drejtë pak ka rëndësi – njëra palë do shihte tjetrën si regjim të Milosheviqit, e tjetra palë të parën si forca të ISIS-it. Kaq thellë ka arritur çarja kosovare këtë herë, kaq shumë ka përplasje publike në mes tyre

-1-

Po bëhen tashmë dy vite që kur Kosova ndodhet në emergjencë institucionale. Dy vite të humbura nga përballjet politike-partiake në mes të aleancave e koalicioneve jonatyrale në pozitë e opozitë pa dallim. Dhe dy vite më pas, që nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, te bllokada gjashtëmujore, nga protestat e vitit të shkuar deri te gazi lotsjellës në Parlament, Kosova nuk është më mirë.

Kosova, ç’është e vërteta, nuk është as më ndryshe politikisht. Balancat partiake, sipas të gjitha gjasave, do të mbesin në stade të njëjta kurdo që zgjedhjet e reja do të mbahen këndej. Së paku, pjesa më e madhe e matjeve publike mbajnë renditjen e njëjtë të partive në fjalë. Njëjtësia e këtyre balancave ka për t’u siguruar përherë e sa herë ka një polarizim të skajshëm të palëve e të shoqërisë. Sepse në polarizim militantët forcojnë lidhjet me partitë e tyre tradicionale; votuesit e tjerë ndërsa – rëndom përcaktues të fituesit – mbesin indiferentë; të zhgënjyer nga të gjithë. Shoqëria jonë, si asnjëherë më parë, është e polarizuar dhe zhgënjyer me të gjithë.

Ndryshimet e vogla, në rritje apo rënie të secilës palë ndarazi, do të mbesin të parëndësishme për të ndryshuar rrënjësisht përbërjen politike në vend. Ajo çfarë mund të ndryshojë pas zgjedhjeve të ardhshme është vetëm lojaliteti i partive politike (të gjithave pa dallim) ndaj aleancave aktuale që mbajnë. Partitë mund të ndërrojnë – siç kanë ndryshuar më parë – taborë lehtë.

Ç’është e vërteta, siç na ka mësuar e shkuara, të njëjtët që sot japin fjalë të mëdha për tjetrin do të thumbohen keq nesër; dhe të njëjtit që thumbohen keq sot, do të bëhen të afërm nesër. Kështu ka qenë gjithherë. Akuzuesit e vrasjeve të djeshme, sot janë mbështetësit më të zëshëm të njëri-tjetrit. Gisht treguesit e korrupsioneve multimilionëshe dje, sot janë bashkëfolës morali republikan këndej. Miqtë e pandarë dje, sot janë bërë armiq; dhe do të bëhen sërish miq natyrisht. Politika kosovare ka dëshmuar kaherë e shpeshherë se nuk ka kurriz.

-2-

Por ardhja e zgjedhjeve të reja mund të vonojë. Deri atëherë, humbjeve të deritanishme mund t’i shtohen humbje të tjera që pak vite më parë kanë qenë larg prej mendve. Kush do ta kishte menduar se në një ditë mesatare kosovare tetë vjet pas pavarësisë – me ose pa të drejtë pak ka rëndësi – njëra palë do shihte tjetrën si regjim të Milosheviqit, e tjetra palë të parën si forca të ISIS-it. Kaq thellë ka arritur çarja kosovare këtë herë, kaq shumë ka përplasje publike në mes tyre.

Cilësimet e tilla pra, më shumë se gjithçka tjetër, tregojnë për përmasën e përplasjeve partiake këndej. Ajo, në pak kohë, ka kaluar limitet e trajtimit politik. Është shndërruar në urrejtje. Dhe përderisa militantët e secilës palë provojnë fajësinë e tjetrit, Kosova ecën bindshëm drejt së panjohurës.

Për kohën e dhënë, gjetja e fajtorit mbetet e parëndësishme. Le të themi se, po dhe në qofshin fajtorë të ardhjes në këtë gjendje disa, të njëjtët gëzojnë mbështetje nga përkrahësit e vet, barabar sa kundërshtuesit e tyre kanë sot. Fajësia pra nuk përcakton fituesin e as mbështetjen këndej. Pse mos ishte më ndryshe në zgjedhjet e kaluara kur fitues i tyre, bindshëm madje, doli të ishte fajtori kryesor për gjithë lëmshin e krijuar nga paspavarësia?

Në një rast të tillë, kur mbështetja është blanko dhe mbi të gjitha e madhe (për të mbushur sheshe nga secili, pra), vazhdimi i tensionimit e përplasjes mbetet i rrezikshëm. Sepse, me një mbështetje të dhënë, cilado qoftë e sado qoftë ajo, asnjëra palë nuk ka për t’u zmbrapsur më. Zmbrapsja do të shihet si dobësim, si humbje, pra. Prandaj dhe sot nuk lëviz asnjëra palë. Duket sikur frikohen nga ndryshim-qëndrimi eventual. Në një rast hipotetik të vazhdimit të përplasjes për muaj të tërë, njëra palë ka për t’i nxjerrë vazhdueshëm të vetët në rrugë, tjetra do t’i përdorë mekanizmat e pushtetit për t’i larguar ata – po u shtjerrshin e u dobësofshin këta mekanizma, në fund ka për t’i nxjerrë të vetët në rrugë njëjtë. Në një lojë pokeri, të dy palët do të shkojnë all-in.

Kujtoni për pak mitingjet pozitë e opozitë në Shqipëri. Një ditë mblidhte në rrugë njëra palë, të tjetrën i mblidhte tjetra. Mitingjet e përkrahjes për palët nuk ishin shndërruar vetëm në barometër numrash të pjesëmarrësve, por dhe në forcë kërcënuese për tjetrin. Për fatin e mirë të tyre atje, përballjet e tilla e në mes vete nuk shpërthyen e nuk do të shpërthejnë asnjëherë. Kosova mund të mos ketë një fat të tillë.

-3-

Pra e ardhmja e afërt e Kosovës nuk duket e qetë. Përplasjet nuk kanë për të përfunduar natyrshëm pa një intervenim nga jashtë. Se për intervenim të brendshëm, ka kohë që kam humbur shpresë. Disa, madje, koka të presupozuara si të mençura, nxisin për më shumë përballje të dhunshme në secilin prononcim të tyre. Në vend të qetësimit të situatës, ndërhyrjes e gjetjes së zgjidhjes, ata thërrasin për më shumë dhunë.

Intervenimi i jashtëm, sikurse në rastin e Maqedonisë, mund të sigurojë një transicion të lehtë për në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja, siç dhe shkrova më lart, nuk pres të ndryshojnë diçka në përbërjen politike këndej; pres megjithatë të ndryshojnë fortësinë e argumenteve të palëve që kanë vënë në tryezë.

Natyrisht se peng i zgjidhjes së re të vendit – edhe nëpërmjet zgjedhjeve – mbetet ambicia e një njeriu për t’u bërë President. Më shumë për imunitet ndaj përndjekjeve speciale se sa për pushtet, kjo ambicie individuale ka zhvendosur gjithë vendin në ecje për fije peri. Të mbesim të sigurt, se pa një synim të tillë, përplasja e tanishme do të kishte përfunduar kaherë.

Gjithsesi, gjëja e fundit që këtij vendi i duhet është transformimi i një përplasjeje partiake në një përplasje në shesh. Gjëja e parë që këtij vendi i duhet, gjithsesi, është një konsensus nacional i partive në vend. I të gjithave pa dallim e pa përcaktim fajtori. Ta themi pra, që përcaktuesin e së drejtës e së gabuarës do ta bëjë qytetari i Kosovës në ditën e votimit – kurdo që të ndodhë ajo. Dhe sa më shumë që një ndërhyrje e jashtme vonohet, aq më shumë rrezikohet konsensusi nacional këndej.

abdixhiku@facebook.com

comments powered by Disqus
Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...