Dialog pa kushte, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme

15 Janar 2016 - 08:21 - Halil Matoshi      

Jo grindjet dhe diskursi agresiv kundrejt opozitës, por oferta për një tryezë politike pa kushte (duke mos i përjashtuar as zgjedhjet e parakohshme) mund ta nxjerrin nga derxha vendin “e vogël dhe të përçarë” – epitet ky që gjithnjë e më shpesh po i jepet shtetit të ri, në shtypin perëndimor. Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk duhet t’i varë shpresat te Gjykata Speciale, sipas rezonit naiv, se ky mekanizëm do t’ia spastrojë oborrin nga ferrat dhe ai një ditë (mundësisht sa më shpejt të dalë me duar në xhepa!) për të mbetur i vetmi i gjallë në fushëbetejë…

Kosova e dekadës së dytë të shekullit 21 vuan një paradoks.
Ajo sefte është në terr informativ!
Ajo ka dhjetëra radio, televizione e gazeta në shkallë kombëtare, si dhe dhjetëra e dhjetëra gazeta online (portale) dhe ueb faqe të të gjitha dikastereve dhe agjencive qeveritare e të shoqërisë civile, nga ku mund të konsumohet informacioni kryesisht gratis!

Qytetarët kosovarë janë të privuar së pari të dinë se pse u dashka të negociohet me Serbinë çështja e një OJQ-je (nëse duhet t’i besojmë Gjykatës Kushtetuese si instanca e vetme e interpretimit të Kushtetutës) dhe cilët janë ekspertët që negociojnë në emër të Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë, kush i cakton agjendat dhe prioritetet, a ka ndërhyrje të faktorëve ndërkombëtarë në hartimin e dokumenteve (si p.sh. në Marrëveshjen e parimeve të përgjithshme për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe) apo ato janë ekskluzivisht produkte të palëve.

Në Prishtinë flitet pa ia ndarë e me të madhe (jo vetëm në qarqet opozitare, por edhe në media dhe shoqërinë civile) se këto parime janë hartuar në Beograd dhe Prishtina zyrtare e ka nënshkruar Marrëveshjen pa i lexuar e studiuar fare postulatet juridike-politike që i përbëjnë ato parime.

Dhe kjo Qeveri (ekspertët e saj?) duhet t’i thonë qartë publikut: nëse Asociacioni nuk na qenka thjesht një OJQ, të cilën qytetarët e Kosovës, serbët kosovarë në këtë rast, kanë pasur të drejtë ta themelojnë pa e pyetur fare Qeverinë e Kosovës dhe pa pasur nevojë që të negociohet në Bruksel (sipas nenit 44 të Kushtetutës: Liria e Asociimit) dhe ku e si do t’i bëhet vendi Asociacionit në sistemin juridik të Kosovës, pra si do të dizajnohet që të bëhet pjesë e legjislacionit domestik.

A ka uzdajë se Qeveria ka me u përgjigj në këto pyetje!??
Nëse zyrtarë qeveritarë me kast i drejtohen publikut përditë se po rrezikohet shteti dhe nuk u jepet asnjë informatë shtesë, atëherë kjo Qeveri vërtet po luan me nervat e qytetarëve të Kosovës, sepse opozita po deklaron në anën tjetër se pikërisht po i bëhet mbrojtja Republikës.

Qeveria nuk guxon të fyejë një masë të madhe qytetarësh nga protesta e 9 janarit, që sigurisht nuk ishin 100 mijë, porse nën 30 mijë jo!
Prandaj asaj turme duhet t’i drejtohet dikush: A po rrezikohet vërtet shteti apo kjo është “operë sapuni” e Qeverisë për ta frikësuar e shantazhuar qytetarin?

Barra bie mbi Qeverinë e Kosovës, që së pari, në vend se të përlahet me një fjalor mujshor me opozitën, të informojë publikun kosovar, nëse ajo ka informata nga mekanizmat e sigurisë, se çka fshihet në të vërtetë pas valës së fundit të protestave dhe përse ajo nuk po mund të plasojë në publik të vërtetat e saj rreth Asociacionit dhe demarkacionit me Malin e Zi, ngase këto dy çështje, pas “aktgjykimit” të Kushtetueses rreth parimeve të përgjithshme dhe pas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe pas zotimit të Kryeministrit për një komision shumëpalësh (pushtet-opozitë, ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqëri civile) nuk qëndrojnë më si kauza.

Pas një pyetjeje absurde të Presidentes së Kosovës se a janë në frymën e Kushtetutës së vendit parimet e përgjithshme për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (absurd, sepse parimet janë postulate metafizike dhe nuk kanë asnjë efekt juridik, e në anën tjetër Marrëveshja e 25 gushtit ka saktësuar se Statuti i këtij Asociacioni kalon nëpër “detektorët” e Gjykatës Kushtetuese, pra nuk ka zbatim të marrëveshjes, përkatësisht parimet “janë nul” përderisa nuk hartohet Statuti dhe përderisa atij ia jep “lejen” Kushtetuesja që është brenda
kornizave të aktit më të lartë juridik-politik të Republikës.)
Pasi që instanca e interpretimit të Kushtetutës ka “ngritur shqetësimet e saj” dhe i ka dhënë Atifete Jahjagës një përgjigje që ajo kurrë s’do ta marrë vesh dhe një këshillë Qeverisë së vendit për të mos e lënë të gabojë (prejudikim klasik)!?

Por qe, Qeverinë njëherësh “e urdhëron” që Asociacioni të krijohet me urgjencë dhe sipas Marrëveshjes së vitit 2013, marrëveshje e cila sipas opozitës kosovare njësoj është në kundërshtim me Kushtetutën!?
Në këtë situatë, Gjykata Kushtetuese duke mësyrë balancën ka prishur gjithçka, sepse, së bashku me instancën që e ka bërë pyetjen, kanë rrëshqitur në popullizëm kushtetues!?

Në rrafshin ndërkombëtar viti 2015 ishte një vit i mbrapshtë për Kosovën, pra diplomacia kosovare në duart “e parruara” të Hashim Thaçit pësoi goditje të mëdha që nga fakti se ka marrë vetëm një njohje e deri te fiasko në UNESCO dhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Ashiqare viti që shkoi është vit i humbur për Kosovën si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.
Objektivisht këto dështime kanë një emër konkret: ministri i Jashtëm Hashim Thaçi.
Ky ministër nuk mund të lavdërohet për asnjë sukses në punën e tij të re.

Ai ose nuk po di si t'i qaset kësaj bote që po ndryshon me shpejtësi, ose nuk ka ide për kontekstin e "luftës për Kosovën" dhe mbrojtjen e saj, ose thjesht këtë njeri askush në botë tashmë ka kohë që nuk e merr seriozisht.

Kriza institucionale aktuale nuk pasqyrohet gjithaq në çështjet e jashtme, pos nëse kjo krizë thellohet dhe merr karakteristika të një përleshjeje civile dhe ndëretnike, ose nëse Qeveria e Kosovës tërhiqet nga dialogu me Serbinë, që BE-ja po e konsideron si storie të saj të suksesit!

Pra dialogu me Serbinë është në interes të Kosovës.
Të mos harrohet fakti se në punët e jashtme, në diplomaci dhe lobim një rol të jashtëzakonshëm (edhe kushtetues) e ka Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, e cila më shumë është marrë me përpilim pyetjesh (vend e pavend) për Gjykatën Kushtetuese e për ta mbrojtur postin e saj sesa me çështjet e jashtme të shtetit.

Politika e jashtme është derivat i politikave të brendshme e në Kosovë ka pushuar të bërit politikë, ja që po hyjmë në vitin e dytë të kësaj bllokade absurde.
Në Kosovë disa qarqeve gjysmëlegale dhe parashtetërore po u interesojnë përplasjet e grupeve të ndryshme politike e fetare dhe jo ndërtimi i politikave kohezive dhe efektive të brendshme e të jashtme!

Qeveria e Kosovës po ashtu duhet të jetë e sinqertë me veten dhe me publikun, por edhe me opozitën dhe të tregojë pse po vonohet në krijimin e Komisionit ndërkombëtar për demarkacionin që e pati paralajmëruar Kryeministri Isa Mustafa?
Pse po zvarritet ky zotim?

Qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa duhet që të jetë po aq koherente dhe t’i përgjigjet momentumit të krizës.
Ajo ka dy mundësi: ta vrojtojë atë si rrezik për përmbysje apo ta shohë si mundësi për zhvillim dh ta kapë çastin e veprimit.
Vërtet, thënë simbolikisht, kjo Qeveri nuk e ka luksin të rrijë me duar në xhepa!

Së pari, Qeveria duhet ta thërrasë opozitën në një tryezë politike për të folur për të gjitha shqetësimet që i ka ngritur ajo, pa i përjashtuar edhe zgjedhjet e parakohshme, duke e ditur se zgjedhjet janë i vetmi mjet demokratik për t'iu përgjigjur secilës krizë politike dhe institucionale, pra edhe krizës së legjitimitetit.
Çfarë qederi mund të ketë nga krijimi i një ekipi të përbashkët me opozitën dhe shoqërinë civile për ta rishqyrtuar dialogun me Serbinë dhe për ta përpiluar Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe?

Duket se Qeveria është ngatërruar në diskursin e vet agresiv, por të pashpresë dhe po vonohet që të rimarrë kontrollin e situatës, helbete duke pritur involvimin e Gjykatës Speciale në zhvillimet e brendshme, nga ku, Kryeministri Mustafa mësyn të dalë pa ferrë në këmbë, dhe më i fortë, për të vepruar pastaj me komoditet, mirëpo ai nuk e ka bërë hesap se kush i paguan llogaritë, pra kush dhe si do t’i menaxhojë situatat e rrëshqitshme në rast se publikohen aktakuzat e para dhe nis arrestimi i figurave të përfolura publike!?

Ndërsa opozita me dhunë joracionale dhe krejtësisht kundër qëllimeve të veta, po i delegjitimon nga dita në ditë kauzat e saj, qoftë edhe atë me të drejtën fundosjen e një kakistokracie! Është koha për të ndërruar kurs të dyja palët, në shërbim të Republikës.
Qeveria, e para e punës, duhet të insistojë në dialog të hapur me opozitën pa kushte, pa i përjashtuar edhe zgjedhjet e parakohshme dhe gjatë debatit politik të gjenden modalitete për zgjedhjen e Presidentit (opozita duhet ta justifikojë pse Hashim Thaçi nuk mund të zgjidhet President, prandaj të nisin negociatat për të gjetur një kandidat me konsensus!?)

Së këndejmi Qeveria e Kosovës duhet të hyjë në dialog me opozitën qoftë edhe me ndërmjetës ndërkombëtarë (miq të Kosovës; e kam përmendur në një rast Martti Ahhtisaari-n, që mund të ftohej t’i bënte Kosovës edhe një të mirë.)
Së dyti, pushteti së bashku me opozitën të caktojë një datë optimale për zgjedhje të parakohshme (duke u lënë hapësirë të bollshme kohore, sepse zgjedhjet janë i vetmi mjet legal demokratik për të dalë nga kriza institucionale dhe si ventil për shkarkimin e tensioneve dhe për rikthimin e paqes në vend dhe zhbllokimin e institucioneve të shtetit që seriozisht është i kërcënuar.

Së treti, pushteti duhet ta dijë me siguri të lartë se mendësisë së zaptimit të çdo leve të pushtetit dhe sidomos bordeve të ndërmarrjeve publike nga partitë në pushtet dhe përbuzjes së kërkesave qytetare po u vjen fundi.
Në anën tjetër, opozita së pari të firmosë zotimin e saj se nuk do ta pengojë Qeverinë dhe Kuvendin rreth përmbushjes së kritereve dhe procedurave për liberalizimin e vizave (sepse nuk ka opozitë në botë që dëmton interesat vitale kombëtare) dhe së dyti, opozita nuk mund të pretendojë që po e mbron Republikën me flamujt shqiptarë dhe pa flamurin kushtetues të Kosovës dhe posaçërisht duhet të ketë kujdes që dhunës t’i thotë “jo”, ngase skenat me “koktej molotovi” dhe shfaqja në protestë e hartës së Shqipërisë së madhe (nga droni famoz i Beogradit) mund ta dëmtojnë rëndë opozitën dhe qytetarët që më 9 janar ishin në numër të madh e që i ngjante një rezistence civile.

Ekziston droja se qytetarët mund të zmbrapsen nga protestat e dhunshme dhe që nuk manifestojnë identitetin e shtetit.
Pushteti duhet të marrë në konsideratë secilën kërkesë të opozitës (edhe atë për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme), por gjithnjë duke ftuar në debat, pa e përjashtuar asnjë mundësi.
E nga ana tjetër e barrikadës duhet të dëgjohet ndonjë zë racional, pra opozita duhet ta thotë qartë, nëse është në mbrojtje të Republikës, së pari, cili do të jetë kursi i saj karshi integrimit të serbëve në veri të Kosovës, nëse kaq gjatë e me ngulm e ka zhvilluar betejën e pengimit të Asociacionit, si entitet që do t’u siguronte serbëve në veri të drejta shtesë?)

Dhe, së dyti, të shpjegohet para publikut kosovar përse nuk po manifeston lojalitet (besnikëri) ndaj Republikës, që po pretendon se po e mbron, duke ia përbuzur rendin e saj simbolik, pra flamurin kushtetues të saj!?
Dëmet që kjo opozitë po ia shkakton vetes (së pari në imazh) mund të jenë humbje totale e besimit qytetar se përmes rreshtimit me ta mund të nisë epoka e ndryshimeve në vend.
Po ashtu drejtuesi formal i Lëvizjes VV, Visar Ymeri, duhet të ruhet nga identifikimi me zjarrvënës e adoleshentë agresivë, që qëllim të vetëm e kanë dhunën dhe përplasjen - qëllim në vete - e jo kërkesat politike opozitare dhe qytetare.

Porse edhe nëse shkohet eventualisht në zgjedhje të parakohshme, opozitës nuk do t’i sillnin përfitime këto dy kauza, sepse qytetarët presin më shumë siguri dhe mirëqenie ekonomike dhe jo nacionalizëm etnik dhe parulla populliste.

Për zgjedhjet mund të shkohet tek në vjeshtë, mes shtatorit e nëntorit, sepse kujtoj se kjo Qeveri ka marrë disa zotime para bashkësisë ndërkombëtare të cilat janë kruciale për shtetin kosovar, e ato janë: zgjedhja e Presidentit (e përsëris: Kosovës i duhet një President kredibil më një pedigre të lartë publike dhe mbi të gjitha që të jetë rezultat i një konsensusi të gjerë shoqëror;
Pastaj, të mos neglizhohet hartimi i Statutit dhe dekretimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që rezulton të jetë obligim nga Pakoja Ahtisaari (aneksi III, nenet 9; 9.2 dhe 9.1.2) e bartur në Kushtetutën e Kosovës si pjesë e legjislacionit të brendshëm (kapitulli XIII i Kushtetutës së Kosovës, neni 141,);

Duket ashiqare se kjo Qeveri do ta ketë mbështetjen e plotë të faktorëve ndërkombëtarë në realizimin e këtyre objektivave (vetëm shihni dhe lexoni deklaratat e zyrtarëve evropianë dhe ambasadorëve të Quint-it) dhe besohet se tek pas përmbushjes së këtyre “detyrave të shtëpisë” faktori ndërkombëtar do ta miratonte idenë e zgjedhjeve të parakohshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...