Me arrogancë ndaj opozitës, Qeveria e Kosovës përshkallëzon krizën

13 Janar 2016 - 08:24 - Augustin Palokaj      

Ka të vërteta në thëniet se Qeveria e Kosovës dhe BE-ja kanë më shumë problem me kërkesat e opozitës dhe të protestuesve sesa me mjetet që ata përdorin. Mjetet mund të dënohen dhe kundërshtohen lehtë, por kërkesat jo, sepse shumë prej tyre janë të arsyeshme. Qeveria e Kosovës duhet më në fund të ndërpresë arrogancën ndaj protestave dhe ndaj opozitës, sepse me kalimin e kohës po bëhet evidente se përshëndetjet dhe urimet nga bashkësia ndërkombëtare nuk do ta bëjnë Kosovën shtet funksional demokratik e as që do të sigurojnë mirëvajtjen e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë

Të shtunën protestat përshkallëzuan në dhunë dhe në përleshje të protestuesve më të dhunshëm me policinë. Ndonëse në protesta ishte një numër relativisht i vogël i atyre që protestonin, ato u bënë një ngjarje që pati një jehonë të madhe ndërkombëtare dhe u bë kryelajm në mediat botërore gjatë tërë vikendit. Policia u detyrua të përdorë forcën për të shpërndarë protestuesit e dhunshëm. Jo, nuk është fjala për protestat në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, por për ato të ekstremit të djathtë në Koln të Gjermanisë. Ata protestues po shfrytëzonin një dhunë masive që kishte ndodhur gjatë festës së Vitit të Ri në këtë qytet të njohur gjerman ndaj disa grave e që dyshohet se në mesin e dhunuesve ka pasur një numër të konsiderueshëm të refugjatëve dhe azilkërkuesve, për të kërkuar dorëheqjen e kancelares gjermane, Angela Merkel. Zonjën Merkel e konsideronin si përgjegjëse për shkak të politikës së saj të mirëpritjes së refugjatëve, politikë e cila solli në Gjermani mbi një milion refugjatë vitin e shkuar.

Ngjarjet dhe protestat në Koln të Gjermanisë janë temë kryesore në BE, si në media ashtu edhe në qarqet politike. Disa i shfrytëzojnë ato për të drejtuar gishtin për përgjegjësi politike, disa për të treguar se sa të rëndësishme janë primet si barazia gjinore dhe respektimi i grave, parime të cilat jo të gjitha kombet e botës i shohin në të njëjtën mënyrë.

E sa u përket protestave të opozitës në Kosovë, edhe pse shumëfish më të mëdha për nga numri i pjesëmarrësve sesa ato në Koln, ato nuk hasen në ndonjë interesim aq të madh ndërkombëtar. Kryesisht u dhanë lajmet që janë atraktive për kamera, si zjarri nga koktej molotovi, hedhja e gurëve ndaj policisë, tymi nga gazi lotsjellës. Për përmbajtje kryesisht u raportua në mënyrë sipërfaqësore duke thënë se opozita po kundërshton zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu me Serbinë. Reagimet politike nga ata, të cilët marrjen me Kosovën e kanë përshkrim të vendit të tyre të punës, erdhën kryesisht përmes postimeve të shkurtra në rrjetin “Twiter” apo në “Facebook”. Dhe ato reagime ishin edhe të pritura, edhe të kuptueshme. Ata dënuan dhunën, thanë se lajmet e tilla nuk shkojnë në të mirë të Kosovës dhe se në një vend demokratik kundërshtimet ndaj veprimeve politike duhet të bëhen në mënyrë paqësore e jo me dhunë. Dhe kështu kanë reaguar gjithmonë dhe do të reagojnë gjithmonë sa herë që në ndonjë vend të Ballkanit të ketë protesta të cilat mund të përshkallëzojnë në dhunë.

Lehtësia me të cilën bashkësia ndërkombëtare e sheh zhvillimin e situatës në Kosovë, e këtu nuk duhet përfshirë diplomatët e akredituar në Prishtinë, sepse ata vërtet angazhohen dhe duan që situata të qetësohet dhe kriza politike të tejkalohet, duhet t’i bëjë liderët politikë të Kosovës që të vënë gishtin në kokë dhe të bëjnë diçka për të ulur tensionet dhe për të parandaluar polarizimin gjithnjë e më të madh në Kosovë. Nuk ka dyshim se Qeveria ka një mbështetje të konsideruar, sepse në të janë dy partitë më të mëdha politike të vendit, të cilat kanë një ushtri të tërë të njerëzve që pos që janë mbështetës mund të jenë edhe klientë që shfrytëzojnë shërbimet e tyre. Por po ashtu është qasje shumë e gabuar e Qeverisë tentimi për të paraqitur protestat si të dështuara, si dëshmi për mungesë të mbështetjes së qytetarëve për kërkesat e opozitës. Të dyja këto janë të pasakta. Ndoshta të inkurajuar edhe nga mendimi i Gjykatës Kushtetuese, sado i paqartë të ketë qenë ai mendim, se pjesë të marrëveshjes “nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës”, apo edhe të irrituar për situatën në të cilën është gjendur vendi, gjithnjë e më shumë njerëz po mbështesin protestat. Këto të fundit pa dyshim ishin të mëdha. Gabojnë zëvendëskryeministri Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa kur mendojnë se të gjithë ata që nuk dolën në protesta mbështesin Qeverinë. Gabojnë po ashtu kur numrin e konsiderojnë “të vogël” sepse nuk duhet të harrojnë se Kosova është një vend i vogël me vetëm 1.8 milionë banorë dhe se në Kosovë pjesëmarrja qoftë edhe e vetëm 8000 vetave, sa tha zëdhënësi i Policisë, e lërë më 70.000 deri në 100.000 sa thonë organizatorët, është një protestë që nuk mund të injorohet. Kërkesat e Qeverisë janë nënshkruar nga 200.000 qytetarë të Kosovës. Pra, kërkesat duhet të merren seriozisht e jo të tentohet që ato të përqeshen, të quhen si të papranueshme apriori dhe të merren si një argument për të kërkuar mbështetje nga bashkësia ndërkombëtarë për udhëheqësit në pushtet.

Lideri i PDK-së, Thaçi, në tërë karrierën e tij politike është dëshmuar të ketë qenë i mirë, dhe madje edhe i pamposhtur nga të tjerët në llogaritje. Ai sa herë që ndodh diçka arrin ta kthejë në llogari të tij. Kohëve të fundit ai edhe protestat e opozitës është duke i kthyer në favor të tij. Bashkësisë ndërkombëtare i dërgon porosi se “ja sa probleme kam unë për shkak se zbatoj kërkesat tuaja” dhe “e shihni se çfarë mund të ndodhë me dialogun dhe kompromiset me Serbinë nëse unë largohem nga pushteti”. E ajo që quhet “bashkësi ndërkombëtare” e merr këtë si shumë logjike. E dinë se çfarëdo rrezikimi i pushtetit të Thaçit, e këtu nuk po e përmendim Mustafën, sepse ai është vetëm një kryeministër rasti, i cili nuk erdhi aty me vota, por me marrëveshje me Thaçin, edhe pse shumicën e votave i mori duke premtuar se do ta rrëzojë qeverinë e Thaçit, rrezikon edhe proceset në të cilat bashkësia ndërkombëtare ka investuar aq shumë. Sa më të dhunshme të bëhen protestat e opozitës mund të llogaritet se aq më e madhe do të jetë mbështetja për Thaçin dhe aq më i madh irritimi me opozitën, dhe, eventualisht, edhe me izolimin ndërkombëtar të liderëve të saj.

Madje në kalkulimet e tij Thaçi, i cili gjithsesi është largpamës, shkon aq larg saqë përgatit terrenin për të fajësuar opozitën edhe për dështimet në procesin e liberalizimit të vizave.

Ka të vërteta në thëniet se Qeveria e Kosovës dhe BE-ja kanë më shumë problem me kërkesat e opozitës dhe të protestuesve sesa me mjetet që ata përdorin. Mjetet mund të dënohen dhe të kundërshtohen lehtë, por kërkesat jo, sepse shumë prej tyre janë të arsyeshme. Qeveria e Kosovës duhet më në fund të ndërpresë arrogancën ndaj protestave dhe ndaj opozitës, sepse me kalimin e kohës po bëhet evidente se përshëndetjet dhe urimet nga bashkësia ndërkombëtare nuk do ta bëjnë Kosovën shtet funksional demokratik e as që do të sigurojnë mirëvajtjen e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve.

Bashkësia ndërkombëtare duhet po ashtu të vetëdijesohet dhe të luajë një rol konstruktiv e jo të anojë në këtë konflikt të brendshëm politik në Kosovë. E dimë se krijimi i shtetit të Kosovës është një dëshirë shqiptare dhe një projekt ndërkombëtar. Nuk është e pasaktë të thuhet se as lirinë e as shtetin nuk do ta kishim pa mbështetjen ndërkombëtare. Por, ajo mbështetje duhet të jetë për Kosovën e jo për individë të caktuar në Kosovë. Sidomos kur dihet se pikërisht ata individë kanë qenë në pushtet gjatë tërë këtyre viteve gjatë së cilave, pikërisht sipas vetë analizave të bashkësisë ndërkombëtare, në Kosovë kanë lulëzuar krimi i organizuar dhe korrupsioni, të lidhur me strukturat politike. Pikërisht kjo është edhe arsyeja pse Kosova nuk ka as liberalizim vizash e jo protestat e opozitës. Kosovarët duhet të dinë se nuk do ta zgjidhë këtë krizë bashkësia ndërkombëtare kësaj radhe, edhe pse ajo e ka një rol të madh në këtë drejtim. Si gjithmonë, ata që janë në pushtet kanë edhe përgjegjësinë më të madhe. Prandaj është Qeveria ajo e cila duhet të ndërpresë arrogancën e saj ndaj opozitës e jo t’u bëjë thirrje kinse për dialog e në të njëjtën kohë të ironizojë me protestat dhe kërkesat e tyre. Situata këtë vit do të jetë shumë më serioze sesa mendohet dhe kjo kërkon një ndërgjegjësim më të madh të klasës politike.  

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...