Thaçi kryetar? Jo, faleminderit!

12 Janar 2016 - 07:44 - Flaka Surroi      

Ka shumë arsye se përse Kosovës i nevojitet një kryetar konsensual, e jo dikush që do vetes t’ia bëjë pushtetin të përjetshëm, me gjithë dështimet që e kanë marrë Kosovën në qafë

Ndodhën Stupcat dhe u ngjallën përkrahjet për atë, që ata në formë kaq të prekshme e ilustruan, përderisa krejt të tjerët e kanë folur ndërmjet vete: për katandisjen drejt së cilës ishte nisur Kosova ende pa u çliruar. Për grabitjen e gjithçkaje nga ata, që me armë në dorë dhe duke u mbështetur në të drejtën që ua dha lufta, dëshmuan se qëllimi i tyre i vërtetë paska qenë pasurimi i pangopshëm personal e klanor.

Dhe përderisa ende vazhdonte debati nëse Stupcat kishin ofenduar ose jo “vlerat e luftës” me skeçin e tyre, kalimthi u përvodh informata për planin strategjik që po e zhvillonin partnerët e koalicionit për ta përshpejtuar zgjedhjen e kryetarit të shtetit. Natyrisht, të frikësuar nga fakti se mund të detyrohen të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, kryeministri i Jashtëm e detyron atë nominal që të dalë e publikisht t’ia japë përkrahjen dhe ta caktojë madje edhe datën kur do të bëhet zgjedhja e Thaçit kryetar. Duke llogaritur në numrat që aq shpesh i përmendin, kalkulojnë se zgjedhja do të bëhet, dhe se Kosova do të përfundojë me një kryetar shteti që nuk i ka hije ta ketë.

E se Thaçi është zgjedhja më e keqe për postin e të parit të vendit, fillimisht e dëshmon fakti se nuk ka konsensus të gjerë politik për personalitetin e tij. E më shumë e dëshmojnë një mori arsyesh që nuk do të m’i zërë kjo kolumne për t’i përfshirë. Mbase, disa që do t’i listoj këtu, do ta prekin ndërgjegjen e deputetëve që në ditën e caktuar do ta hedhin votën e tyre, që me gjasë, do të detyrohet të jetë publike, dhe jo e fshehur si do ta donte rendi.

1. Në kohën kur e mori pushtetin, detyroi deputetët e vet dhe të koalicionit që ta kapërcenin Rregulloren e punës së Kuvendit dhe t’i votonin 100 ligje të Ahtisaarit për 40 ditë – pa i lexuar e as pa i debatuar fare;

2. Gjatë mandateve të veta, u shqua për nga përfaqësimi minor i femrave në institucionet dhe dikasteret nën kontrollin e tij;

3. Gjatë mandateve të tij, ndërtoi buxhetin e Kosovës në bazë të të hyrave të Doganës (deri në 80% e parave të buxhetit siguroheshin nga tagrat në importe) duke e dërmuar balancën tregtare me botën ashtu që eksporti ynë ishte 8-fish më i vogël se importi;

4. Përfaqësuesit e popullit, nga radhët e partisë së vet i zgjodhi vetë – ndër ta edhe të tillë që më vonë u dënuan për krime lufte; njësoj bëri edhe me kryetarët e komunave, gjashtë a shtatë prej të cilëve u gjetën nën hetime dhe u ballafaquan me gjykime;

5. Kur mori pushtetin tha se shumë shpejt do të na pranonin 193 (prej 192 shteteve sa ekzistonin atëherë) shtete të OKB-së. Shtetet që na pranuan ishin rezultat i presioneve të fuqive të mëdha që edhe e sollën Kosovën e pavarur, e jo e punës së qeverive të tij, apo të vetë atij;

6. Në kohën kur mbante mandatin e parë, edhe pse përfaqësues ligjor i aksionarit të vetëm të PTK-së, lejoi që të nënshkruhet kontrata me Dardafonin, ku telefonia virtuale do t’i inkasonte 78% të fitimit, kurse PTK-ja që e kishte bërë krejt investimin, vetëm 22%;

7. Gjatë pushtetit të tij, sistemi arsimor ra përtokë. Kosova u bë me 32 universitete private të cilësisë nën mediokre, ku mësim jepnin kryesisht kuadrot e partisë së tij. Universiteti i Prishtinës u politizua skajshmërisht; në të lulëzuan mashtrimi dhe plagjiatura dhe natyrisht ra cilësia;

8. Ishte ai, së bashku me Sejdiun që e pranuan Planin 6-pikësh të Ban Ki-moonit, që solli te dialogu totalisht i papërgatitur dhe i pastrategji me Serbinë;

9. Në këtë vazhdë, ishte ai i cili shpiku “Kosovën veriore” si term, ende pa nisur bisedimet me Serbinë, duke paralajmëruar me kohë që atë që do ta bënte më vonë nuk do të ishte punë rastësie;

10. Gjatë gjithë kohës sa ka qenë kryeministër, asnjë vit të vetëm nuk ka marrë raport pozitiv të progresit nga BE-ja. Dhe në secilin vit është përsëritur problemi kyç: luftimi i krimit dhe i korrupsionit – të cilin në Kosovë nuk e ka luftuar askush, duke e përfshirë EULEX-in;

11. Gjatë bisedave me Beogradin kurrë nuk e ngriti çështjen e Fondit pensional që e kishte vjedhur Serbia. Zgjodhi që pensionistëve t’ua rriste ndihmën sociale sa herë që kishte zgjedhje;

12. Gjatë mandateve të tij, e shkatërroi sistemin shëndetësor. Solli “privatizimin” e QKUK-së; emëroi “dajën e shefit të shefave” dhe kush e di sa dajallarë të tjerë për drejtorë klinikash; harxhoi me miliona në barna që më lehtë gjendeshin në treg të zi sesa nëpër spitale dhe nuk e zgjidhi problemin e sigurimeve shëndetësore, nga të cilat e projektoi një biznes të ri, më parë sesa zgjidhjen e problemeve shëndetësore për popullatën;

13. Gjatë mandatit të tij të parë, u vodh Dhoma e Dëshmive në Policinë e Kosovës; në të dytin u vodh ari në Policinë e Pejës dhe i shpërtheu skandali me pasaporta. Natyrisht, askush nuk dha përgjegjësi as politike për këtë;

14. Loboi gjerë e gjatë për termocentralin “Kosova C” me 2 mijë megavat – dhe ndër fitoret e rralla -- presioni qytetar e rrëzoi kapacitetin në 600 megavat. Por atë që qytetarët nuk po mund të bëjnë gjë, është të ndikojnë në procesin e koncesionimit të këtij termocentrali, përderisa ministri i tij ia përshtat kushtet e tenderit një firme amerikane;

15. Gjatë mandatit të tij të parë, u lidh kontrata pa çmim për ndërtimin e autostradës. Në të dytin përfundoi rruga më e shtrenjtë në Evropë, ku 75 a 80 kilometra rrugë kushtuan mbi një miliard euro të gatshme të buxhetit të Kosovës;

16. Zgjodhi njeriun e vet në krye të Kushtetueses dhe e rrëzoi partnerin e tij të koalicionit nga posti i kryetarit; shkaktoi krizën politike Guns&Roses, në Zanzibar, duke e paralajmëruar se Pacolli do të bëhej kryetari i ardhshëm;

17. Kur erdhi puna për mbajtjen e zgjedhjeve më 2010-n, bëri aq shumë presion sa që KQZ-ja në fund u detyrua të heqë dorë nga vendosja e kamerave nëpër vendvotime. Për pasojë, kishte vende ku u votua edhe 103% në favor të partisë së tij. I fitoi zgjedhjet me vjedhje masive të votave dhe shpëtoi pa therrë në këmbë;

18. Për t’ia rregulluar kinse Kosovës imazhin, e angazhoi firmën izraelite Saatchi&Saatchi, e ia dha nja 6 milionë për një spot të kopjuar; Kosova nuk u bë më e mirë, përkundrazi, filloi vala e parë e emigrantëve ilegalë kosovarë, që kulmoi me tragjedinë në Tisa;

19. E dha me koncesion Aeroportin e Prishtinës; na u ndërtua një kopje e atij të Antalias, dhe krejt çka mori Kosova janë 100 milionë për 20 vjet eksploatimi;

20. E qiti PTK-në shitje, duke e kontrabanduar ligjin madje tri herë. U shpall fituese një kompani fantome që në vend se të eliminohej, tash e padit shtetin dhe mund t’i marrë 50 milionë dëmshpërblim. Kush e di kujt do t’i shkojnë ato para në xhep;

21. E qiti në privatizim distribuimin e KEK-ut – vlerën prej 200 e kusur milionëve ua dorëzoi në kundërshpërblim për 20 e diçka milionë euro.

22. E formoi task-forcën kundërkorrupsion, dhe e vetmja gjë që doli nga ajo ishte arrestimi i shefit të taskforcës për mitmarrje dhe korrupsion;

23. Për t’u zgjedhur së dyti kryeministër, zgjodhi Pacollin kryetar, e mandej miqtë e tij në Kushtetuese e shpallën nul këtë të fundit. Nuk i doli boll ajo, e bashkënënshkroi me Mustafën dhe Pacollin një marrëveshje kundërkushtetuese për zgjedhjen e Jahjagës kryetare nga zarfi, dhe detyrimin për ta ndërruar Kushtetutën, ashtu që zgjedhja e kryetarit të Kosovës të bëhet me zgjedhje direkte e jo nëpërmjet Kuvendit, pas 18-muajsh. Është mbase ndër të rrallat shkelje të Kushtetutës që nuk e ka çuar deri në fund;

24. U bë kryeprotagonisti i Raportit Marty. Kërcënoi me padi, e më pas u tërhoq. Për pasojë, Kosovës iu imponua Gjykata Speciale;

25. Të vetmen arritje në planin ekonomik e pati Planin e Skive të Banskos – që natyrisht qe një copë letër e pazbatueshme; E mbajti papunësinë në 40 e kusur për qind dhe varfërinë në po aq për qind;

26. Deshi t’i tregonte muskujt dhe mbeti i ngujuar – në fakt i ngujoi policët në veri duke u përpjekur të shtrinte sovranitet pa e planifikuar aksionin si duhet;

27. Lejoi që Turqia të na ndërhynte në librat e historisë;

28. Përkrahu dhe shtyu deputetët e vet që ta votonin Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe të Hoçës së Madhe;

29. Gjatë mandatit të tij, vdiq (u vra/vetëvra?) shefi i Agjencisë së Privatizimit;

30. RTK-në kurrë nuk e lëshoi nga kontrolli, duke e financuar si pusin pa fund dhe duke ia dërguar “redaktorët” mbikëqyrës që do të merreshin me lajmet;

31. Falë “aftësisë” së tij diplomatike, me ndihmën e Fjolla Tahirit, Kosova u bë me fusnotë, duke ia mohuar vetes shtetësinë;

32. Nën mandatin e tij u realizua regjistrimi i dështuar i popullsisë – sepse Kosova sot e kësaj dite ka më shumë votues (mbi moshën 18-vjeçe) seç ka popullatë;

33. Skandali Pronto zbuloi mënyrën e të menduarit dhe konfliktet e brendshme në PDK – natyrisht, në luftë për pushtet; për pasojë, kjo solli SHIK-un në politikë, më vonë në krye të Kuvendit e më pas edhe futjen e policisë në Kuvend, për të mbajtur rend (sic!);

34. E inauguroi sistemin e prishjes së kuorumit në Kuvend, me tërheqjen e deputetëve të vet, sa herë duhej votuar një diçka që nuk i pëlqente;

35. Nën udhëheqjen e tij, Policia e Kosovës ka treguar gjithë dhunën dhe agresivitetin kundër protestuesve, në të gjitha protestat që janë mbajtur, pos në ato kundër shtrenjtimit të rrymës;

36. Si shef Qeverie, i bëri për vete sindikalistët duke iu dhuruar vetura dhe duke i bërë anëtarë të Bordit të AKP-së; Bordet e tjera i vuri nën kontroll duke emëruar militantë partiakë;

37. E nënshkroi Marrëveshjen e prillit në Bruksel dhe legalizoi themelimin e Zajednicës, autonomisë territoriale serbe, të cilën e quajti në pajtim me Kushtetutën;

38. Shkaktoi krizën politike pas zgjedhjeve të 2014-s, me ndihmën e pulenëve të tij në Kushtetuese, me interpretimin sui generis të përparësisë për të ofruar kandidatë për mandatar;

39. E themeloi koalicionin e Ditës Ndërkombëtare të Tualetit, që e solli krizën e dytë të thellë politike, pasi që ia la këmbët e arushës në dorë Mustafës, me nënshkrimin e marrëveshjes së dytë; Kushtetuesja ka vlerësuar se parimet e saj janë kundërkushtetuese, porse as Thaçi as Mustafa s’e kanë mendjen të tërhiqen;

40. E dha premtimin për liberalizimin e vizave jo njëherë, por nja 700 herë, dhe ai nuk u plotësua;

41. Dështoi plotësisht me përpjekjen për ta anëtarësuar Kosovën në UNESCO;

42. Dështoi plotësisht në çështjen e të pagjeturve...

...dhe lista mund të vazhdojë e vazhdojë, ngase ka edhe shumë gjëra të tjera që kanë ndodhur në 14 vjetët e fundit prejse partia e tij ka qenë pjesë e pushtetit apo edhe e ka udhëhequr Qeverinë. Është dëshmuar shumë i shkathtë për të pështjellë punë dhe me mjeshtri i përdor të gjithë njerëzit që i ka vendosur nëpër vendet ku merren vendimet.

Nën udhëheqjen e tij Kosova ka mbetur shteti me korrupsion të madh dhe zhvillim ekonomik minimal. As nuk është bërë shtet si duhet, sepse nuk ofron perspektivë, aq sa për më pak se tre muaj, 100 mijë veta kanë ikur prej këtu.

Për këto dhe shumë arsye të tjera, zgjedhja e tij kryetar do të ishte lajm shumë i keq për Kosovën.

Thaçi kryetar? Jo, faleminderit!

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...