Ç’bëri Amerika për shqiptarët, ç’(nuk) po bëjnë shqiptarët për Amerikën

9 Janar 2016 - 09:35 - Adriatik Kelmendi      

Po të mos e kishte përkrahjen amerikane, Shqipëria e Kosova vështirë të ishin të lira sot, territoret e tyre vështirë të ishin këto që janë sot, e edhe shqiptarët në përgjithësi nuk do të ishin këta sot. A ia kanë kthyer shqiptarët me të njëjtën masë këto të mira SHBA-së? Përveçse deklarohemi në sondazhe se e duam Amerikën më shumë se sa të gjithë popujt e tjerë të Evropës, ia kemi kthyer fare pak. Madje shpesh ua kemi kthyer edhe me të keq

NË ECEJAKET e secilit popull, besoj, nëse vëzhgohet me kujdes, mund të gjendet një moment, një hap i veçantë, një vendim i caktuar, i cili ka pasur peshën më të madhe se sa secila pjesë tjetër gjatë historisë për të paravendosur fatin e tij. Ky fat, sipas rrethanave, mund të jetë fatlum ose, përkundrazi – fatkeq.

Pashmangshëm, një moment të këtillë e ka pasur edhe populli shqiptar. Momenti vendimtar për paravendosjen fatlume të popullit shqiptar, pa dyshimin më të vogël, është kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën t’i dalin krah. Filloi kjo në vitin 1919, dhe pavarësisht se a u meritua ose jo nga vetë shqiptarët – e në të shumtën e kohës nuk u meritua! – po vazhdon deri në ditët e sotme.
Ndonëse flitet për politikëbërje dhe diplomaci, që rëndom llogaritet të jenë të komplikuara, në marrëdhënien amerikanë-shqiptarë, kjo është krejtësisht e thjeshtë: Po të mos e kishte përkrahjen amerikane, Shqipëria e Kosova vështirë të ishin të lira sot, territoret e tyre vështirë të ishin këto që janë sot, e edhe shqiptarët në përgjithësi nuk do të ishin këta sot.
A ia kanë kthyer shqiptarët me të njëjtën masë këto të mira SHBA-së? Përveçse deklarohemi në sondazhe se e duam Amerikën më shumë se sa të gjithë popujt e tjerë të Evropës, ia kemi kthyer fare pak. Madje shpesh ua kemi kthyer edhe me të keq.
PO TË MOS ishte përkrahja ngulmuese e presidentit amerikan, WoodrowWilson, në Konferencën e Paqes në Paris gjatë viteve 1919-’20, i cili tekstualisht kërkoi nga Serbia dhe Mali i Zi të tërhiqen nga territoret e pushtuara shqiptare, Shqipëria nuk do të ekzistonte si shtet.
Mirëpo, gjatë gjithë viteve në vijim, shumica e udhëheqësve të Shqipërisë, në një mënyrë ose tjetër, nuk ia kthyen miqve me të mirë, që nga Fan Noli që koketonte me bolshevikët rusë, te Ahmet Zogu që u var pas Italisë fashiste, e deri te armiqësia e hapur nga Enver Hoxha, që çoi përfundimisht në mbylljen e shkëmbimeve diplomatike mes dy shteteve në 1946 dhe aleanca me kundërshtarët më të mëdhenj të SHBA-së, Bashkimi Sovjetik, Kina e Kuba.
Pavarësisht këtyre, SHBA-ja megjithatë ua ktheu shqiptarëve në fillimvitet ’90, me përkrahjen që Shqipëria t’i bashkohet botës demokratike dhe me përkrahjen e aspiratave të shqiptarëve të Kosovës për liri.
Po të mos ishte vendosmëria e Presidentit Bill Clinton, NATO-ja nuk do ta bombardonte Jugosllavinë dhe nuk do ta çlironte Kosovën.
Po të mos ishte vendosmëria e Presidentit George W. Bush, Kosova nuk do të mund të pavarësohej.
Po të mos ishte ngulmimi i SHBA-së, Shqipëria nuk do të ishte pjesë e NATO-s (Presidenti Bush ka nënshkruar protokollet NATO - Shqipëri).
A ka bërë ndonjë popull, ndonjë shtet, diçka më shumë për shqiptarët? Jo! Asnjëherë. Këtu do të shtoja: Nuk kanë bërë asnjëherë as shqiptarët më shumë për vete. Përkundrazi!
Dhe, si po ia kthejmë ne Amerikës.

KËTO DITË qarkulloi lajmi se Ambasada Amerikane në Prishtinë ka kërkuar që t’i ndryshohet emri rrugës ku po hedh shtat godina e re përfaqësuese dhe, aty-këtu u vërejtën, rrudhje buzësh.
A mos kanë filluar të kërkojnë shumë amerikanët dhe nuk po na e njohin sovranitetin, sikur pyeste naivisht dikush! Për më tepër, amerikanët po kërkonin që rruga të pagëzohej “Pavarësia”, si edhe një çimentim simbolik i përkushtimit të superfuqisë botërore për Kosovën shtet!!!
Gjithnjë e më tepër kanë filluar të dëgjohen zëra nga përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare në Kosovë (nga ato serbe nuk do të çuditesha!), që kërkojnë herë direkt e herë tërthorazi, që Amerika të mos përzihet në “punët e brendshme” të Kosovës. Se duhet të jemi partnerë dhe jo në pozita të pabarabarta miqësie. Ç’miopëri! Ç’papërgjegjësi! Ç’mosmirënjohje!
Si qenka partneriteti? Të na ndihmojë ne SHBA-ja sa herë që duhet nga armiqtë tanë, e edhe nga vetvetja, për një shekull, t’i shpenzojë paratë e taksapaguesve amerikanë për të zhvilluar luftë shumëmiliardëshe për të shpëtuar jetët tona e për të na çliruar, për t’u armiqësuar me gjysmën e botës për të na pavarësuar dhe kur të kërkojë diçka prej nesh – qoftë edhe një ndërrim emri të rrugës – ne t’i themi se kështu nuk e ka miqësia e shëndoshë?!
Dhe pastaj, kujtdo që kërkon që t’i kthehemi mendjes dhe t’i gëzohemi faktit që sponsorizues kryesor të lirisë dhe pavarësisë sonë e kemi SHBA-në, t’iu themi servilë?! Ç’mosmirënjohje! Ç’papërgjegjësi! Ç’miopëri!
Apo, të kontribuojmë me numrin më të madh për kokë banori me pjesëmarrës në luftën e ISIS-it, armiqve më të mëdhenj të SHBA-së dhe qytetërimit perëndimor?! Çmenduri! Mazohizëm! Fatalizëm!
Një mendje koshiente do të duhej të bënte llogarinë:
Kujt nuk i ka konvenuar asnjëherë përkrahja që amerikanët ua kanë dhënë shqiptarëve tash e 100 vjet?
Serbëve.
Kush do të përfitonte më së shumti nga një armiqësi e shqiptarëve me SHBA-në?
Serbët.
Në kohën kur Shqipëria u kthye në armike të SHBA-së, pas Luftës II Botërore, Kosova mbeti nën Serbi.
Në momentin kur Shqipëria e shqiptarët filluan t’i kthehen SHBA-së, pas rënies së Murit të Berlinit, filloi edhe fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë.
Të mençurit mësojnë nga gabimet e veta, budallenjtë i përsërisin!

NË NJË RAST, kisha shkruar: Nëse dikush ma përmend një të keqe që ua ka bërë SHBA-ja shqiptarëve, menjëherë më bien ndër mend 500 të këqija që shqiptarët ia kanë bërë vetvetes. E kur po ndalem e po mendoj, tash e 100 vjet, nuk po ia gjej asnjë të keqe SHBA-së ndaj shqiptarëve, por po i gjej nja 5.000 të shqiptarëve ndaj vetvetes. Faleminderit Amerikë që aq shpesh po i shpëton shqiptarët, sidomos nga vetvetja!
Ramush Haradinaj këtë javë deklaroi: Me bindje të plotë e them se është e vërtetë se Kosova mundet pa mua dhe pa shumë të tjerë, por jo pa ShBA-në.
Vlerësoj se nuk do ta tepronte edhe sikur të shtonte: Kosova e Shqipëria do të mundnin pa secilin prej nesh 7-8 milionë shqiptarët, por asnjëherë nuk do të mund të ishin këto që janë - pa SHBA-në.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...