“Stupcat” janë gjendja e shoqërisë

8 Janar 2016 - 08:25 - Halil Matoshi      

Në shoqëritë jopolitike – satira politike është (vetë)vrasje! Edhe ky grup humoristësh, por edhe ai që ka bërë grafitin me Presidenten janë ndërgjegjja e vrarë e kësaj shoqërie. Ata janë heronjtë e këtij viti!

Po mirë, kur shumë myslimanë, por edhe shumë njerëz të religjioneve të tjera ishin zemëruar për karikaturat kundër profetit islam Muhamed, që u shfaqen në “Charlie Hebdo” të Parisit dhe kur pasoi sulmi makabër që mori disa jetë gazetarësh e satirikësh, po këta “kujdestarët e moralit publik kosovar” u solidarizuan me Francën dhe thanë me plotë zë se ishte liri shprehjeje dhe ajo duhej mbrojtur me çdo çmim.

E tash çfarë kanë komisarët puritanë të shoqërisë kosovare që turfullojnë si nëpër shpella kundër satirikëve?
Dje ishin të atakuar gazetarët, kurse sot në targetin e grupeve militante dhe agresive po sulmohen me të njëjtat tone humoristët dhe grafistët, që fjalën skenike dhe vizatimin i kanë mjetet e tyre shprehëse.

Ndërsa ato gra që po ‘kukasin’ rreth grafitit me imazhin e Presidentes, nënvetëdijen e tyre e kanë të strukturuar si Kanuni ose patriarkalizmi… dhe shihe absurdin nxijnë faqe muresh pa e ditur se po e mbulojnë marren nga prizmi patriarkalist…
Humori që nga antikiteti ka mësyrë të shpreh opinionin e individëve ose grupeve të caktuara, politike dhe kulturore duke tallur mbretër e tiranë, politikanë e njerëz publikë, që nga Jezusi e deri tek Darwini, herë fshehtë e herë në mënyrë transparente, varësisht nga fryma e kohës dhe kontekstet shoqërore.
Humori së këndejmi është shumë serioz – është gjendje e mendjes - dhe na ndihmon të jemi në rregull nga mendtë...
Shfaqja satirike shpreh “psikosomatikën e frymës së kohës” shkruan filozofi gjerman Peter Sleterdijk.

Në këtë rast e kam parasysh gjendjen e mendjes së ballkanasve dhe të shqiptarëve - dhe sapo ata ta kuptojnë se “Stupcat” janë "dreqi ynë" që është strukur në ndërdije dhe nxit, i mbush pasion njerëzit që të rrëfehen e ta denoncojmë të keqen brenda vetes, porse gjithnjë intenca pasurore dhe meskine si bythlëpirja (poltronizmi) dhe në raste të caktuara edhe frika e frikësimi, i ndalojnë ata që ta ndërmarrin atë hapin final, për ta thënë të vërtetën, ose për ta demistifikuar atë.

Humori, nëse asgjë tjetër, i ndihmon njerëzit që të jenë në rregull me mendtë e kresë!
Sepse, humori dhe satira në të shumtën e rasteve shërbejnë si katarsis (pastrim e çlirim ndërgjegjeje), pra në këtë rrafsh “Stupcat” (të mirë e të këqij në rrafshin estetik, kjo është tjetër çështje) ata janë ndërgjegjja e shoqërisë kosovare, (madje ndërgjegjja e munguar!?) pra kastile gjendje e mendjes së kësaj shoqërie…

Satira si zhanër letrar dhe skenik nuk njeh shenjtëri dhe të paprekshëm.
Ajo vërtet është letërsi pra fiksion dhe nëse në një shoqëri, një grup ose individ shprehet lirisht e dikush, instancat e shtetit ose religjionit, grupet e tjera të shoqërisë e lexojnë satirën me sy polici, atëherë ajo shoqëri është për t’u vajtuar, ajo e ka humbur lirinë e shprehjes.

Dihet mirëfilli se, nëse liria e shprehjes negociohet me instancat (kujto nenet e famshme 37 dhe 38 në Kodin penal të Kosovës që gazetarët kosovarë i negociuan me pushtetin, derisa u fshinë!) atëherë ajo shoqëri thjesht e ka humbur lirinë e shprehjes.
Asnjë tekst letrar (skeç ose satirë, burleskë/groteskë ose komedi teatrore) nuk i nënshtrohet asnjë gjyqi moral, pos atij vleror, pra estetik.

Teatri – kanë thënë grekët e epokës së Eskilit – ja vendi ku do ta zëmë ngushtë e do ta bluajmë ndërgjegjen e tiranit!
Kur u shfaqen karikaturat kundër profetit islam Muhamed, së pari në Holandë (u patën shkaktuar trazira gjithandej nëpër botë ku ka pjesëtar më fanatikë të fesë islame dhe patën marrë shumë jetë
njerëzore), ndërsa kur karikatura të ngjashme u shfaqen në “Charlie Hebdo” të Parisit ishte një pretekst i mirë që së paku njerëzit e medias të mendojnë që ta rikthejnë lirinë negative, pra lirinë e mospublikimit, për hir të ruajtjes së jetëve njerëzore dhe paqes me tjetrin/tjerët, mirëpo në botën e lirë dhe në vetë grupin “Charlie…” sundoi ideja e lirisë pozitive, sipas së cilës nuk mund të ketë ide të shprehur me fjalë ose vizatim, (materie satirike) e cila ofenduaka ndjenjat e tjetrit/tjetrës, kulturës, religjionit dhe u dashka të ndalohet si e tillë, sepse kështu bota po e humbiste një të drejtë të arrirë me shumë flijime.

E tash, ata që po kërkojnë “heqje kokash” grupit “Stupcat”, duan të konservojnë paprekshmërinë e vetë atyre, sepse duan të jenë mbi ligjin, mbi moralin publik (të shumicës) dhe mbi kacën e shtetit!?
T’i kritikosh humoristët jo pse kanë bërë keq diçka, por pse kanë bërë një skeç që demaskon, ironizon dhe flet zëshëm për të mundshmen (si çdo letërsi) pse e kanë ndërtuar një tregim imagjinar “artistik” për diçka që 16 vjet flitet në secilën familje kosovare, në secilën tavolinë kafenesh dhe madje në Parlamentin e vendit, për disa nga pjesëtarët (komandantët) e ish-gueriles UÇK, kjo paralajmëron rikthimin e kriminelëve dhe batakçinjve në vendin e krimit, sepse nënvetëdija e tyre është e strukturuar si personazhet e “Stupcave”!

E ndër ta ka edhe idealistë që syri vër s’u bën për lirinë e atdheut!
E bash për hir të çikave e djemve idealistë që kanë rënë në altarin e lirisë duhet të demaskohen ata që e kalkuluan argatin me flori!!!
“Stupcat” e kanë shfrytëzuar një të drejtë të tyre të ligjshme, për më tepër kanë guxuar ta bëjnë të zëshëm një mallkim, një pëshpërime e shumëku një kauzë se në luftë kanë ngjarë pisllëqe!

Dhe, se lufta, në këtë sfond, në shoqëritë e përparuara nuk shenjtërohet dhe as nuk festohen datat e fillimit të “epopeve të saj”, lufta thjesht studiohet duke mësyrë gjithnjë një shoqëri që do ta denonconte luftën dhe ta nxirrte nga korpusi i mjeteve “të ligjshme” (lufta e drejtë?) për realizimin e qëllimeve politike, pra do ta nxirrte nga historia, sepse nga konteksti psikosocial,

Stoessinger (“Përse kombet shkojnë në luftë”) e sheh luftën si sëmundje, si çdo sëmundje tjetër e cila, duhet kuruar!?
Kur grupi i humoristëve kosovarë “Stupcat” u shfaqen me një storie që demaskonte ndërgjegjen e vonuar të kosovarëve (pse nuk kishin folur e bërtitur, shkruar e dëshmuar për krimet monstruoze të disa individëve gjatë luftës së UÇK-së, të profiterëve dhe matrapazëve, që në secilën shoqëri njerëzore i gjen me bollëk, sikur u zgjuan “ndjekës të rinj shtrigash” që kërkonin kokat e humoristëve, në vend se t’i kërkonin kokat e milionerëve hajdutë që i përshkruajnë “Stupcat”.

Këta së paku prodhuan një debat të madh shoqëror – kurse disa zyra nga pushteti – dhe disa bjerraditës të Facebook-ut prodhojnë sall dhunë, agresion dhe helm…
Në anën tjetër, edhe debati i madh shoqëror u hap nga satiristë që shkruajnë grafite!

E, po ta pyesësh secilën grua të arsimuar, që ka dije për politikën dhe retorikën, nëse është e lumtur që shtetin e drejton një grua si Zonja Jahjaga, sigurisht që do të çalonte në përgjigje.
Pa dashur të prejudikoj, së paku, po flas për disa raste indikative që këtyre ditëve u shfaqen në rrjete sociale dhe në TV.

Ato, mbrojtëse të devotshme të grave në këtë shoqëri injorantësh, kur u dashka të merret në mbrojtje një grua vetëm pse është e tillë – grua - e jo për dijen apo mosdijen e saj, ndoshta të vetmin satisfaksion e kanë faktin se Presidentja e tyre nuk ka asnjë skandal korruptiv!

Duartrokitje budallallëkut!
Lavdi marrëzisë!
Po, a u nënkuptuaka në këtë shoqëri se të jesh në pushtet domosdo duhet të jesh i korruptuar?
A na qenka ky nomosi i ri që e shprehka Kosovën!?
Jo, nuk janë që të gjithë njësoj!
Ky është postulat i fabrikuar i lëvizjes VV për ta bërë diferencën me të tjerët, për t’u imponuar si forca e vetme kohezive në këtë shoqëri!?

E këtë moral publik – të moskorruptimit - mund ta kishte secili qytetar kosovar, porse për postin më të lartë publik të një shteti duhen edhe disa parakushte të tjera, së paku një dije solide për Res-Public-an!!!
Ashiqare, në këtë rast, në fokus të satirës dhe ironizimit është një njeri publik - bartës i një posti publik, që e ka pranuar me vullnetin e lirë, pra është post i nënshtrueshëm edhe kritikës publike, satirës, edhe ironisë e sarkazmit.

Kjo s'ka lidhje me seksizëm e misogjini, përndryshe disa gra po duan ta cenojnë lirinë e shprehjes për të cilën edhe vetë - disa nga to - janë kryengritur!?
“Charlie Hebdo” nuk e ka ndalë satirën politike, edhe pse e kanë paguar me krye!

Prandaj, ironizimi me presidenten e Kosovës është thjesht kritikë publike me tone satire!
Kaq...
Po të ishte një person privat, i satirizuar pa lejen e saj/tij, do të ishte një muhabet krejtësisht tjetër.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...