Beteja me politikën

27 Prill 2014 - 08:28 - Elmaz Isufi      

Monitoruesit e veprimtarisë së organizatave të shoqërisë civile në Kosovë kanë nxjerrë përfundime se shumë nga themeluesit i kanë trajtuar ato si instrumente për të siguruar pagë për vete. Konstatimin ata e kanë mbështetur në argumentin se numri i OJQ-ve të regjistruara ka kaluar shifrën 6000, e që është tepër shumë në raport me numrin e banorëve që mezi i afrohet 2-milionëshit. Gülcan Akkaya, eksperte e shkencave politike, gjatë një studimi që ia kishte bërë zhvillimit të shoqërisë civile, ka vlerësuar se ky komunitet ka shumë të meta dhe se nga afro 300 OJQ sa janë funksionale, shumica e tyre janë pasive dhe aktivizohen herë pas here.

Nëse merret i mirëqenë ky opinion dhe të tjerët të ngjashëm, atëherë roli dhe funksionimi i OJQ-ve del të jetë i diskutueshëm - a janë ato institucione që mbrojnë interesin e përbashkët apo janë qendra të punësimit. Duke mos nënvlerësuar përpjekjet e shoqërisë civile për zhvillimin e një shoqërie funksionale dhe demokratike, të rralla janë rastet kur iniciativat qytetare ia kanë dalë ta mobilizojnë masën kritike deri në shkallën sa të imponojnë zgjidhje të problemeve mbi platformat e tyre.

Dhe madje për shkak se funksionimi i tyre është bërë në rrethe të ngushta drejtuese – deri në individuale, se nuk kanë mbështetur aktivitetin në anëtarësi të gjerë, dhe, si rezultat edhe i dy të parave, kanë pasur mungesë të hulumtimeve dhe studimeve të detajuara për problemet e ngritura. Nxitimi për të dalë me raporte edhe në konferenca ka krijuar perceptimin se aktiviteti i OJQ-ve bëhet për qëllime propagandistike, më shumë sesa që është përmbajtjesor dhe profesional.

Nuk kanë munguar as akuzat se disa nga to punojnë për interesa të pushtetit, disa për partitë në opozitë, e disa të tjera u shërbejnë vetëm donatorëve. Kjo marrëdhënie e organizatave me sektorin politik dhe financiar ka ndikuar që të reduktohet fuqia e tyre, e për pasojë, disa nga to të konsiderohen edhe si qendra të rekrutimit të kuadrit politik e partiak. Në mungesë të fondeve shumë nga to kanë krijuar afërsi me pushtetin, nëse jo direkt, atëherë indirekt nëpërmjet fondeve ndërkombëtare që po ashtu mbështesin politikat qeveritare.

Dhe tash, jo rastësisht në “tregun” parazgjedhor vend qendror zënë kalimet e personaliteteve që vijnë nga shoqëria civile tek partitë politike. Është e pandershme të kritikohen njerëzit për zgjedhjen e tyre, një e drejtë e garantuar në çdo shoqëri demokratike, por debati megjithatë duhet të bëhet dhe të zhvendoset te efekti - nëse këto lëvizje prishin imazhin e shoqërisë civile dhe rolin e saj, apo nëse ato mund të jenë një kontribut pozitiv në ndryshimin e imazhit që kanë sot partitë politike.

Duke pasur parasysh fuqinë e dy “pushteteve”, më i besueshëm del konstatimi se dëmi i bëhet shoqërisë civile. Jo pse dalja e disa drejtuesve të organizatave joqeveritare dobëson numerikisht këtë sektor, porse aderimi në partitë politike dobëson besimin e qytetarëve në to. Do të jetë sfiduese për pjesën e mbetur dhe ata që ndërkohë mund të përfaqësojnë shoqërinë civile, që të shtrijnë në të ardhmen ndikimin tek qytetari, por edhe te vendimmarrësit, për sa kohë që mbi ta rëndon akuza se nëse jo sot, nesër secili nga ta do të bëhet “argat i dreqit”.

Tallja me “prurjet e reja”

Aktivistët e shoqërisë civile kanë lëvizur në vazhdimësi në drejtim të politikës aktive. Arsyetimet e tyre, por edhe të njohësve të këtij sektori, janë se eksperienca, pjekuria organizative dhe vizioni për të ardhmen mund të jenë të dobishme për politikën dhe shtetin. Kjo vërtet do të kishte kuptim në një shoqëri ku partitë politike ndiejnë nevojën e sinqertë për kuadro me përvojë në ekspertizë dhe në menaxhim.

Kjo do të ishte e shëndetshme edhe për shoqërinë kosovare që ende vuan nga diletantizmi politik. Por praktika e deritashme ka dëshmuar se asnjë përfaqësues i organizatave joqeveritare, ekspertë apo intelektual i pavarur, nuk ia ka dalë të imponojë orientimin dhe interesin e gjerë qytetar në parti.

Madje shumë prej tyre edhe kur kanë pasur mospajtime me “shefat” , në vend që të forcojnë individualitetin e tyre apo t’i kthehen “shoqërisë së vjetër”, janë treguar këmbëngulës në idenë e mbetjes në politikë me çdo çmim, kanë ndërruar grupimin partiak, madje duke shkuar edhe tek ato që janë konsideruar si e keqja e madhe e shoqërisë.

Pra, lëvizjet e javëve të fundit nuk duhet kuptuar si të dëmshme nëse përkufizohen vetëm tek perspektiva dhe interesi i individit. Por të përfaqësosh dhe të mbrosh me vite interesin e qytetarit, të denoncosh krimin, korrupsionin, vjedhjet dhe abuzimin me ligjin, dhe për një çast të bëhesh pjesë e strukturës së partive që janë emërues i përbashkët i këtyre të këqijve, dhe mu në prag të zgjedhjeve, është pazar i rrezikshëm edhe për të tjerët.

Dashamirësia, e ndoshta edhe nevoja për t’u akomoduar në pozita që janë më joshëse dhe më pak të sikletshme sesa e një “pune vullnetare”, ka rrezik të keqpërdoret nga partitë që funksionojnë mbi bazën e lobeve familjare e klaneve financiare të krijuara para dhe pas luftës. Shumë transferime të kuadrove kanë dëshmuar se futja e tyre në parti u ka shërbyer këtyre të fundit për të demonstruar para publikut kinse vullnetin për “prurje dhe energji të reja”.

Këtë “tallje” të partive politike e forcon edhe fakti se asnjëri nga liderët e hapur për “prurje të reja” nuk ka angazhuar ekspertë dhe personalitete nga shoqëria civile kur partitë e tyre mbanin zgjedhjet e brendshme, kur vendosnin për platformat, për ndarjen e përgjegjësive, apo kur propozonin listën e njerëzve që do të kenë afër, në kabinetin qeveritar apo edhe në Kuvend.

Pra, është vështirë për një intelektual të pavarur të bindë partitë që kanë shtresuar me dekada mendësinë e të vepruarit “ad-hoc” dhe banditesk që të ndryshojnë konceptin politik zhvillimor brenda pak javësh, deri në zgjedhje.

Nuhatja e dobësive të shoqërisë civile

Pavarësisht të gjitha dobësive, por edhe vendimeve të individëve, shoqëria civile nuk mund të quhet fajtore e madhe. Ajo nuk e ka të lehtë të funksionojë në Kosovë. Sfidat e saj janë të shumta, ndërsa përkrahja e pamjaftueshme. Një pjesë e madhe e shoqatave dështojnë në fazat e hershme të planifikimit dhe përshtatjes në treg.

Vështirësi është edhe mungesa e përvojave nga drejtuesit e tyre. Shumica operojnë nga donacionet e huaja, ndërsa, për shkak të veprimtarisë së shkurtër, nuk arrijnë të akumulojnë kapital që garanton vazhdimësinë. Edhe politikat qeveritare ua bëjnë të vështirë aktivitetin ekonomik, meqë trajtohen gati si çdo ndërmarrje afariste. Pra, ato janë në garë të padrejtë me pushtetin dhe grupet e tjera të interesit që janë duke u fuqizuar.

Nga dy-tri parti sa konsideroheshin të mëdha disa vjet më parë, sot kemi të paktën shtatë parti shqiptare dhe disa satelitë të tyre, që pretendojnë të futen në Parlament. Këto parti për shkak të ashpërsimit të luftës për pushtet kanë arritur ta politizojnë maksimalisht shoqërinë. E organizatat e shoqërisë civile në funksion të aktiviteteve të saj nuk kanë mundur të mblidhnin gati asnjëherë numër të madh të qytetarëve, madje as sa numri i OJQ-ve të regjistruara. Dhe këtë mungesë ndikimi e kanë nuhatur forcat politike.

Por, cila është e keqja e kësaj marrëdhënieje.

Një shtet ku shoqëria civile nuk ka qëndrueshmëri funksionale e financiare dhe ku politika vë dorë mbi të, nuk mund të duket normal. Shoqëria kosovare e drejtuar nga klanet e luftës dhe të paraluftës deri tash me qëllim ka shkatërruar klasën e mesme. Një pjesë të saj e ka detyruar të emigrojë, një pjesë të heshtë, ndërsa pjesën e pabindur ta mbajë në margjina.

Në vend të tyre, klasa politike në pushtet, por edhe një pjesë e opozitës që lakmon atë, stimulon dhe gradon të pamoralshmit dhe të korruptuarit. Kjo kastë, që e quan veten “klasë e mesme”, tash nëpërmjet instrumenteve të pushtetit përçon paditurinë e saj, ndërsa antivlerat i promovon si vlera. Ajo nuk turpërohet se po rrezikon të ardhmen e qytetarëve të saj, por mjaftohet se po e fiton betejën, nëse jo kundër krejt shoqërisë civile, të paktën kundër individëve të saj.

© KOHA.net 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...