Urimi

5 Janar 2016 - 08:03 - Flaka Surroi      

Është e pabesueshme se sa pak i duhet këtij populli për t’u gëzuar. Mbase sivjet do ta kuptojë se kjo pjesë e fatit të jetës është në duart e tij

Është e pabesueshme se sa pak i nevojitet këtij populli për t’ia ndrequr disponimin bile pak, e për të ndier një grimë gëzimi. E nëse nuk besoni, merreni vetëm shembullin e zbukurimit të Prishtinës për festat e fundvitit dhe të gjitha janë të qarta. Ndriçimi natën sjell iluzionin se jeta në Kosovë madje edhe mund të jetë e bukur. Po të mos ishte dita që na i hap sytë dhe na e trazon trurin.

Shyqyr që Shqipëria u kualifikua në evropianin e futbollit se shumë zor që kishim pasur diçka të gëzueshme për të veçuar në vitin që shkoi. Se vijmë në gjendje ku njëri-tjetrit duam t’ia nxjerrim sytë në lirinë e shumë ëndërruar, nuk ma ka marrë mendja kurrë. Se vijmë në gjendje t’i biem pishman se nuk kemi ikur nga Kosova atëherë kur na është kërcënuar ekzistenca nga tytat e fashistëve të Millosheviqit e vendosim të ikim për shkak se na kërcënohet ekzistenca nga politikanët tanë grabitqarë, zor se isha kujtuar. Se jemi aq budallenj për të falur tokë e për ta bërë Kosovën copë e grimë, në emër të liberalizimit të vizave, as në ëndërr nuk e kisha parë.

Dhe megjithatë ne vazhdojmë të jetojmë në këtë vend, të cilin shpesh jam pyetur se kush e ka nëmur. Dhe vazhdojmë të jetojmë, për shkak se ende vazhdojmë të besojmë se diçka e mirë mund të dalë nga gjithë kjo, se dhe do të gjenden forca të brendshme dhe njerëz normalë që do të mund ta shpien këtë vend përpara. Sepse mos të ishte edhe shpresa e besimi në brezat që vijnë e që janë formuar jashtë këtij rrethi të sëmurë shoqëror, nuk do të kishim as motiv për të vazhduar përpara.

Sa herë kam shkruar kolumne të Vitit të Ri, përherë e kam shprehur një dëshirë për vendin tim: që ai të ndryshojë për të mirë. Përherë ka pasur një ton optimizmi që mbështetej mbi ngjarjet dhe lëvizjet përpara, sado të vogla që ishin ato. Pavarësisht dëshpërimeve të thella, në veçanti të atyre personale.

Pra, me ndjesinë e njëjtë, se ndryshimi është i mundur, uroj që në vitin që vjen të na realizohet bile një pjesë e këtyre më poshtë:

Që një mëngjes të janarit të zgjohemi për ta kuptuar se Qeveria e ka pranuar se është shkaktare e krejt hallakamës dhe problemeve me marrëveshjen e Zajednicës të cilën Kushtetuesja e shpalli kundërkushtetuese. Dhe se nuk e fuqizon dekretin e vet për Zajednicën;

Që një ditë të bukur shkurti, Kuvendi të mblidhet si duhet, e ta krijojë një trup gjithëpartiak që do të merret me ndërtimin e strategjisë së bisedimeve me Serbinë dhe të politikës së jashtme kosovare. Që më në fund të arrihet një konsensus politik ndërmjet atyre që tash sytë njëri-tjetrit nuk duan me ia këqyrë;

Që me nisjen e pranverës në mars, LDK-ja të mbledhë mend e të mos e votojë Hashim Thaçin kryetar të Kosovës, e që për pasojë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme;

Që në mes të prillit të dalin për të votuar 70% të votuesve e që mundësisht në garë të marrë pjesë një subjekt i ri qytetar, një listë emrash që ngjallin shpresë;

Që gjatë lulëzimit në maj të formohen Kuvendi dhe Qeveria e re, e që koalicioni aktual qeveritar të dalë në opozitë;

Që me nisjen e verës në qershor, Shqipëria ta kalojë bile fazën e grupeve në Euro 2016;

Që në korrik ta kemi zgjedhur kryetarin konsensual të Kosovës, me mandat pesëvjeçar;

Që pushimet e gushtit t’i kalojmë duke u kënaqur me lajmin se bile Majlinda Kelmendi ka fituar medalje në Lojërat Olimpike të Rio de Janeiros;

Që shtatori i fillimvitit shkollor të gdhijë, pas veprimit të Speciales, edhe me një lajm për zënien edhe të një hajni, në vargun e shumë hajnave që kanë bërë keqpërdorime në nivel të institucioneve të larta shtetërore;

Që vjeshta e tetorit ta gjejë Universitetin e Prishtinës në krye me një njeri që do ta luftojë falsifikimin, mashtrimin, dublifikimin e pozitave, pagesat shtesë për kot, e t’ia nis e t’ia kthejë namin që e ka pasur institucioni dikur;

Që festa e Nëntorit të na gjejë me raportet më të mira ndërkombëtare për Kosovën në histori;

Që në dhjetor të ndizen dritat sërish, që të japin aq hijeshi, sa të nesërmen kur të zgjohemi të na vezullojnë sytë nga gëzimi, se jeta në Kosovë është e bukur dhe se kjo nuk është iluzion.

Është e pabesueshme se sa pak i duhet këtij populli për t’u gëzuar. Mbase sivjet do ta kuptojë se kjo pjesë e fatit të jetës është në duart e tij.

Gëzuar!

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...