Lulet e (n)grime të prillit

25 Prill 2014 - 08:28 - Halil Matoshi      

Fati i grave në Ballkan nuk dallon nga vendi në vendin tjetër. Gratë rëndom janë të përbuzura nga maskuliniteti i tërbuar që vazhdon ta shtypë dhe ta mbajë të heshtur gruan. Gratë në luftë janë edhe heroina të vërteta (ato mbajnë fëmijët) dhe dyzash edhe viktima. Dhuna ndaj tyre është mjet lufte, për ta poshtëruar palën armike. Në këtë kontekst, “Vera” serbe nga filmi “Savoir” (Shpëtimtari i shpresës) dhe “Zadja” shqiptare nga dokumentari “Krimi i padënuar që flet” e kanë të njëjtin fat. Janë motra për nga vuajtja

Lufta është e keqe. E keqe detyrimisht dhe e pajustifikueshme.
Ndonëse ekzistojnë konventa për zakonet e të luftuarit, gjithmonë të gjitha palët ndërluftuese abuzojnë me to, duke bërë krime të tmerrshme ngado që munden.
Civilët janë rëndom dhe gjithandej viktimat më të drejtpërdrejta dhe më të përbuzura. Dhunimi seksual është një krim lufte po ashtu.
Por kosovaret e dhunuara gjatë luftës në Kosovë nga forcat serbe të sigurisë janë viktima të shumëfishta: të luftës dhe të traditës patriarkale, të përjashtimit dhe fyerjes familjare, të harresës e talljes qeveritare...

Ato ose duhet ta fshehin krimin që u është bërë ose duhet të vetëvriten.
Lufta e Kosovës la pas rreth 10 mijë shqiptarë të vrarë, (kryesisht viktima civile) mijëra të zhdukur, rreth 20 mijë gra të përdhunuara, (ndonëse shifër e hamendësuar) mbi një milion shqiptarë të shpërngulur nga shtëpitë e tyre.
Këto të këqija të skajshme ia solli lufta popullit të Kosovës.
Por, edhe sot, 15 vjet pas çlirimit, Kosova mbetet një dosje e fryrë e krimit të pandëshkuar.

Një nga plagët më të rënda të kësaj lufte mbeten gratë – viktima të gjalla të përdhunimit nga ushtria dhe policia serbe. Ato s’kanë më as kujtime, por vetëm klithma e dhimbje që në dimensionet e tyre janë më të rënda sesa vetë plagët e përdhunimit.
Lufta për to nuk ka mbaruar.
Më 19 prill në Digitalb u dha filmi “Savoir” (Redaksia e Digit-autor e kishin përkthyer si “Shpëtimtari i shpresës”) me temë nga lufta e Bosnjës, përkatësisht fatin e vajzës serbe të dhunuar nga forcat myslimane boshnjake, me emrin artistik “Vera”, kurse për koincidencë, të nesërmen, më 20, u dha dokumentari i Valdete Osmanit, “Exclusive” në TCH, me disa nga dëshmitë e trishta të grave dhe vajzave të dhunuara gjatë luftës së Kosovës, për ta rikthyer fotografinë e tmerreve të luftës në njërën anë dhe turpin e pasluftës në anën tjetër.

Për t’u bërë të gjithë ne, zëdhënës të atyre që s’kanë zë!
Emrat e tyre po ashtu janë të ndryshuar: “Zadja”, “Hana”, “Nora” etj., për arsye se tribuja kosovare nuk i do viktimat as në luftë dhe as në paqe.
I do vetëm “heronjtë” – qofshin ata edhe të shpifur, hajdutë e batakçinj!?
Në emision u tha edhe një fakt i trishtë se shumë nga dëshmitë e grave të dhunuara kosovare janë asgjësuar nga misioni i UNMIK-ut, ndërsa asnjë zyrë kosovare nuk ka të dhëna të sakta për numrin, vendin dhe përmasat e këtij krimi të pështirë.
Dhe kjo sikur u shkoi për shtati qeveritarëve kosovarë dhe askush s’bëzani!?

Një ligj që kastile merrte në mbrojtje këto viktima ishte përqeshur fillimisht dhe nuk ishte votuar në Kuvendin e Kosovës, më 2013, nga disa burra të dheut, që turfullonin ndër dhëmbë për të bëmat burrërore të tyre dhe me arsyetimin se Kuvendi nuk do të merrej me “laviret.”
Mirëpo, me presionin e shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare, ligji megjithatë u votua, me çka viktimave të dhunimeve seksuale gjatë luftës do t’u njihej e drejta ligjore dhe respekti.

“Amnesty International”, organizatë që mbron të drejtat e njeriut, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të garantojë të drejtat e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. “Amnesty” ka tërhequr vërejtjen se këto viktima ndiejnë midis tjerash pasiguri, turp, ndjenjë fajësie, depresion dhe mosbesim. “Amnesty” vlerëson se për pasojë, atyre u është mohuar qasja në ndihmë piskologjike, ekonomike, shëndetësore dhe forma të tjera rehabilitimi.
Gratë kosovare në zonat e konfliktit janë ndarë nga familjet, shpesh atyre u janë vrarë fëmijët para syve, u janë vrarë burrat e shtëpisë ose edhe janë përdhunuar në sy të familjarëve, çka paraqet poshtërim dhe lëndim të integritetit njerëzor.
Ato janë bartur sa andej-këndej dhe janë përdhunuar sistematikisht nga forcat serbe.

Ka ndër to që ishin shtatzëna, ka të tjera që mbetën shtatzëna.
Ka ndër to që kanë lindur frytet e përdhunimit, por shumica kanë abortuar, në kushte të mjera e johigjenike.
Ato që janë vrarë dhe hedhur nëpër puse, ndërkohë shiheshin si të shpëtuara!
Tregimet e tyre janë klithma dhe kjo shoqëri ka nevojë për klithmat e tyre!?
Qeveria e vendit ashiqare i urren viktimat civile duke madhëruar vetëm burrat guerilë përreth, që i përdor si levë për ta mbajtur pushtetin.

Dhe ndër këta burra pos ushtarëve të edukuar dhe patriotë, ka cok edhe kriminelë.
Siç doli të kishte në të gjitha luftërat në hapësirat e ish-Federatës jugosllave.
“Savoir” – Shpëtimtari, është një film i vitit 1998 në të cilin luajnë Dennis Quaid, Stellan Skarsgård , Nastassja Kinski dhe Natasa Ninkoviq.
Bëhet fjalë për një mercenar amerikan që po luftonte në anën e serbëve në luftën e Bosnjës. Ai nga misioni i luftëtarit për një kauzë të dyshimtë (të cilën gjatë rrjedhës së filmit e sheh me sytë e tij se ishte morbide dhe e pakuptimtë), i bie hise ta përcjellë një grua serbe, Verën, dhe fëmijën e saj të porsalindur – si fryt i përdhunimit nga forcat myslimane boshnjake, në një zonë të sigurt të Kombeve të Bashkuara.

Joshua Rose (Dennis Quaid), një zyrtar i Departamentit të Shtetit në detyrë në Ambasadën në Paris, sapo u kishte premtuar të birit dhe të shoqes se do t’i shpinte në kinema, ishte thirrur nga oficeri në detyrë, sepse kishin marrë një alarm për sulm terrorist.
Joshua sakaq e sheh gruan e tij dhe djalin të vrarë nga bomba që kishte shpërthyer ndërkohë.
Pas funeralit të familjes ai rrëmbimthi hyn në xhaminë më të afërt dhe i bë shoshë disa besimtarë që po faleshin.
Miku i tij Peter (Stellan Skarsgård) detyrohet ta vrasë edhe të mbijetuarin e fundit, i cili mësyu ta vriste Rosein.
Për të shmangur arrestimin për masakrën ata i bashkohen Legjionit të të huajve duke i ndërruar emrat.
"Guy" dhe Peter tani janë duke luftuar për serbët e Bosnjës, të vendosur në një urë që ndan ata dhe myslimanët boshnjakë. Guy, një snajperist i cili merr në shenj dhe godet çdo gjë që lëviz, madje edhe një fëmijë mysliman që vrapon pas një edhi.
Kurse Peter vritet po ashtu nga një vajzë e vogël, e cila ia hedh një bombë.

Sy për sy.
Guy shihet pastaj tek bredh në anën myslimane të qytetit, pas një armëpushimi, së bashku me një paramilitar serb të Bosnjës, Goranin.
Në një shtëpi ata gjejnë një grua të moshuar myslimane, e cila është e sëmurë – kurse në dhomë shihet një familje e masakruar. Në një dollap gardërobe Gay zbulon një bebe të fshehur por nuk i tregon Goranit, i cili ndërkohë ia pret gishtin plakës boshnjake për t’ia plaçkitur një unazë dhe e lë ashtu të lemerisur, për të vdekur nga gjakderdhja.

Dhe që aty nis kthesa në mendjen e Gayt.
Pastaj, ai dhe Gorani përgatiten për një shkëmbim të të burgosurve me forcat myslimane boshnjake. Kur ata arrijnë në pikën e këmbimit njëra nga të burgosurit serbë që po shkëmbeheshin ishte Vera, vajza e re e cila është shtatzënë, si pasojë e përdhunimit nga forcat myslimane.

Guy dhe Gorani e marrin atë në makinë për ta dërguar në fshatin e saj, nga ku ishte edhe Gorani.
Në makinë Gorani abuzon me Verën, duke e akuzuar për kurvërim, sepse kishte mbetur shtatzënë me armikun!?
Gorani ndalon makinën në një tunel.
Ai e plandos Verën nga makina dhe fillon të godasë me shkelma barkut.
Goditjet e detyrojnë Verën që të abortojë fëmijën.
Gay s’e duron dot këtë pamje tmerruese dhe e vret Goranin.
Ata vazhdojnë për në fshatin e saj, porse Vera refuzohet nga familja për shkak të turpit që po ndiente babai i saj, po ashtu një luftëtar serb.

Guy synonte ta dërgonte Verën dhe fëmijën në Kampin e refugjatëve në Bileça.
Kur forcat serbe e gjejnë trupin e pajetë të Goranit fillojnë ndjekjen e tyre.
Ata përfundimisht i arrijnë, kur ishin ndalur për të marrë qumësht për fëmijën.
Guy qëllohet dhe plagoset, por Vera hyn ndërmjet tij dhe babait të saj, kur ai mësynte ta vriste. Babai tërhiqet pasi i pështynë (turpi megjithatë nuk e mund ndjenjën e mëshirës) duke i lënë të largohen.
Ata për pak kohë kthehen në fshat dhe tashmë Vera sheh forcat myslimane duke ia munduar brutalisht babën, vëllanë dhe nënën e saj, sepse luftimet rëndom marrin kthesa të forta!
Në rrugën e tyre ata ndalen dhe gjejnë strehë tek një kroat i martuar me një serbe, i cili i rrëfen Gayt se para luftës nuk kishte dallime kurse lufta solli çmendurinë.

Duke lëvizur në drejtim të Splitit, Gay zatetet me një mizori tjetër edhe më të tmerrshme. Tashti forcat kroate janë ato që mbysin njerëzit që sapo i kanë nxjerrë nga autobusi, duke i goditur me çekan në kokë!
Vera është kapur së bashku me civilë të tjerë nga ushtarët e Këshillit Kroat të Mbrojtjes. Gay me fëmijën i strehuar në një barkë të ankoruar në breg e të braktisur sheh nga afër këto mizori.
Ai sheh Verën, e cila para se të goditej me çekan po këndonte një melodi tepër mallëngjyese.
Guy përfundimisht e bën rrugën e tij me një autobus deri në Split dhe e lë fëmijën e Verës në një automjet të Kryqit të Kuq duke shkruar emrin "Vera" në një letër, para se të largohej në drejtim të molit, duke hedhur armën e tij në ujë.

Ai bie mbi një stol pothuajse me frymën e fundit.
Një grua që ishte në autobus pasi kishte gjetur vajzën e Verës i afrohet atij dhe i ofron ndihmë.
Në përmbyllje të filmit Gay si në fillim është me një grua dhe me një fëmijë, tashti i dorëzuar dhe pa armë. Sikur bëhet ai njeriu i mirë i fillimit të tregimit.
“Shpëtimtari" është një film për një luftë brutale, mirëpo në të cilën viktima e parë dhe e parezistueshme është e vërteta, kurse urrejtja dhe paragjykimet paraqiten si patriotizma tek palët.
Një film si "Shpëtimtari" është kujtesë për natyrën njerëzore me moral të lartë, por ndonjëherë tërheq në zanafillën parake.
Është e lehtë për të fajësuar një grup të tërë etnik për veprimet e disa prej pjesëtarëve të tij, për ta justifikuar urrejtjen ndaj tyre. Ky është film për bastardët që këpusin e grijnë lulet ngado që shkelin.
Ky është film për fëlliqësitë e luftës. Secilës luftë.

Një monument për gratë viktima të dhunës seksuale – si mjet lufte.
Në kontekstit kosovar, dokumentari “Krimi i padënuar që flet” është dëshmi se ato lule mund të këputen për së dyti – mund të ndihen të dhunuara për së dyti, siç ndodhi në Kuvendin e Kosovës, atëbotë kur shumë deputetë (burra e gra plot urrejtje në qenien e tyre) po talleshin me fatkeqësinë e atyre grave.
Sikur serbët krenarë, që përçmonin bijën e tyre, Verën, se kishte bërë kurvëri me myslimanët armiq!?
Jemi të njëjtë në mizori dhe budallallëk!
Vera serbe përpiqet të vetëvritet, mirëpo Gay kujdeset për të dhe fëmijën.

Në këtë rast tuneli paraqet ndërgjegjen e vrarë të amerikanit, porse fëmija i shpëtuar në fund dhe deti simbolizojnë shpëlarjen e ndërgjegjes. Zadja kosovare dhe të tjerat po ashtu.
Ato gra duhet të inkurajohen që të thyejnë heshtjen që vret, por duhet dhënë mirënjohje publike. Dhe duhet përkulur para atyre burrave që nuk i përjashtuan gratë e tyre, viktima të luftës, por i mbështeten ato që të gjejnë sado pak prehje në lirinë e vendit.
Ata janë heronj të vërtetë.
Këto gra (së bashku me të gjitha viktimat civile të luftës) e kanë fituar luftën për Kosovën, pra janë lulet e lirisë.
Por ato e kanë humbur luftën me këtë shoqëri të mjerë burrash krenarë e injorantë!

Ato ishin lulet e (n)grime të prillit – 15 vjet më parë.
Ato janë lulet e vyshkura e të hedhura manash – 15 vjet më vonë.
Lëngata e tyre është një mallkim për ne.
Liria, pa rehabilitimin e tyre të plotë zëre që s’ka ardhur.
Ato akuzojnë!
Ata, Ne dhe të Tjerët.
Mbi Verën serbe dhe mbi Zaden shqiptare është kryer një krim lufte dhe një tjetër në paqe. Burrat e fortë, serbë apo shqiptarë, luftojnë për t’i zhdukur – për ta ruajtur nderin dhe krenarinë e leckosur tradicionale.
Mirëpo, shoqëritë njerëzore ende nuk i ka braktisur ndjenja e mëshirës dhe e dashurisë. Viktimat meritojnë respekt, sepse ato mbajnë mend më së gjati.

Prandaj shoqëria kosovare duhet t’u japë atyre grave respektin. Sot.
©Koha Ditore

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...