Debakli i Thaçit dhe filozofisë së tij

22 Dhjetor 2015 - 08:05 - Flaka Surroi      

BE-ja po na respekton për këta çfarë jemi, për shkak se BE-ja na sheh sikur të ishim të gjithë njësoj si liderët tanë: pa kurrfarë kredibiliteti dhe të etiketuar si bosa të krimit të organizuar dhe të korrupsionit

Pa dyshim se Raporti i kushtëzuar i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave e shënoi javën që po e lëmë pas, por gjithsesi i vuri vulë filozofisë së sundimit tetëvjeçar të Hashim Thaçit. Mbase do të ketë qenë Raporti, i cili në formën sa më plastike të mundshme tregoi se cili ishte kryesuksesi i tij: sundimi i kriminalizuar dhe i korruptuar deri në palcë, që ia ka humbur Kosovës mundësinë për t’u bërë vërtet një storje suksesi e shtetndërtimit në botë.

Në vend të kësaj, na bëri shtet me fusnotë që as vetes nuk ia njeh sovranitetin e as subjektivitetin. Na ktheu në pikën e varfërisë nga fundi i luftës, prej nga dolëm krejtësisht të shkatërruar. Na krijoi një sistem klientelizmi e nepotizmi që nuk do të mund të eliminohet as pas një a dy brezash. Na i mori prej duarve të gjitha pasuritë natyrore dhe publike, duke i vënë ato nën kontroll të militantëve partiakë. E mbyti gjyqësinë, duke e lënë të fundosur me mijëra lëndë të pashqyrtuara. E shndërroi Gjykatën Kushtetuese në mashë të vetën dhe e përdori sa herë që iu nevojit për t’ia mbrojtur ndonjë interes, “në emër të ligjit”. Dhe të gjitha këto në emër të “vizionit prej lideri” që jo rrallëherë do t’ia kenë njohur publikisht diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë, për të cilët ishte përherë më mirë që dikush si Thaçi ta udhëhiqte Kosovën, për shkak se ky dinte të bëhej i dëgjueshëm.

I dëgjueshmi

E sa i dëgjueshëm është e dëshmoi me procesin e negociatave krejtësisht të improvizuara e krejt pa orientim në Bruksel. S’u ndal së përsërituri se Kosova kështu po i plotësonte kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, edhe atëherë kur Ashton s’ndalej së thëni se këto negociata kishin për qëllim afrimin e Serbisë drejt BE-së. S’u ndal së përsërituri se Kosova, si shpërblim, do ta fitonte liberalizimin e vizave, thuajse prej kësaj na varej jeta. E zuri në gojë veç njëherë Raportin Marty dhe u kërcënua me padi, dhe më pas heshti. Thuajse e kuptoi se negociatat me Serbinë krye në vete do ta lironin nga ndjekja eventuale nga Gjykata Speciale, themelimin e së cilës me shumë patetikë e miratuan gati krejt deputetët e partisë së tij.

Gjatë gjithë kohës së sundimit të tij e karakterizuan dy tipare: arroganca dhe cinizmi. Duke e pasur gjithë pushtetin në dorë, injoronte çfarëdo kritike; çfarëdo dëshmie që po e zbulonin gazetarët për krimin e organizuar të rrethit të tij të ngushtë politik e partiak; injoronte këdo që do t’ia hidhte në fytyrë me një mijë argumente se e kishte keq dhe se po e çonte shtetin në hendek. Kur ballafaqohej me gazetarë, nuk u përgjigjej pyetjeve të shtruara, por deklamonte atë që e kishte në mend; kur debatonte me deputetë, do t’i ofendonte me mesele dhe rrëfime të stilit “t’i di unë ty punët, s’ke çka më tregon ti mua” dhe sa herë që bënte që institucionet ta shkelnin ligjin e Kushtetutën, ftonte që dialogu për zgjidhje problemesh e krizash të bëhej në institucione.

Kërcënim patetik e me bisht

Prandaj edhe nuk befasoi shumë deklarata e tij të martën, kur e kuptoi se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhte. Tashmë ishin mbushur 60 muaj prejse për herë të parë kishte premtuar se liberalizimi i vizave do të ndodhte në 15 muajt e parë të mandatit të tij të parë si kryeministër – që i bie se pesë vjet me radhë ka gënjyer për lidhjet e tij me BE-në dhe me premtimet që i ishin dhënë atij personalisht se kjo do të ndodhte. Por, deklarata e zbuloi patetizmin që e kaplon sa herë diçka nuk shkon mirë. Do t’ia kujtoni fytyrën e ngrysur në konferencën e shtypit pas desantit të dështuar në veri më 2011-n dhe fjalët e mëdha që përpiqet t’i thotë me një dozë hidhërimi. Por e zbulon edhe anën tjetër të tijën, atë të fshehurën që me shumë mjeshtëri e ka ruajtur në gjithë këta vjet sa është në politikë. Fytyrën, nëse jo të urdhërdhënësit apo ideatorit, atëherë gjithsesi të dikujt për hesap të të cilit edhe na ndodhin gjërat që na ndodhin.

“...Me të drejtë, krejt skena politike dhe qytetarët, shoqëria civile, mediat mund të protestojnë kësaj radhe para zyrës së BE-së. Dy milionë qytetarët e Kosovës për padrejtësinë dhe diskriminimin e Bashkimit Evropian në raport me liberalizimin e vizave për Kosovën... Kjo vonesë, në të njëjtën kohë, paraqet edhe rreziqet e ndryshme edhe për Kosovën. Pikë së pari, duke nxitur elemente radikalizmi edhe fetar... po nxitë dhe po shfrytëzohet edhe prej ekstremizmit politik... po nxit dhe po rrezikon edhe migrimin e ri të qytetarëve drejt kryeqendrave të Evropës, dhe pastaj Kosova përsëri ka për të paguar çmimin. Po rrezikon dhe vonon edhe proceset e rëndësishme për fqinjësinë e mirë të Kosovës me vendet e rajonit, në veçanti në normalizimin e marrëdhënieve të plota me Serbinë, për zbatimin e gjithë atyre marrëveshjeve të arritura në Bruksel...
Bashkimi Evropian duhet t’i japë fund kësaj...,këtij fjalori thjesht “...Kosova duhet të jetë optimiste... Drita po shihet në fund të tunelit...”... ne qorr nuk jemi, po shohëmi... Dhe natyrisht duhet të na respektojë ashtu si jemi...”

Një analizë më ndryshe e kësaj deklarate do të zbulonte se madje edhe Thaçi është i vetëdijshëm se 2 milionë kosovarët kanë të drejtë të protestojnë, por jo për vizat, por për jetën e keqe që e jetojnë falë “liderizmit” të tij. Padrejtësitë më të mëdha që u bëhen kosovarëve u bëhen nga institucionet e Kosovës e jo nga BE-ja. Sepse BE-ja nuk na ka varfëruar; sepse BE-ja nuk e ka ndërtuar autostradën me para të gatshme të buxhetit; sepse BE-ja nuk na ka ngritur papunësinë në 40 e sa për qind; sepse BE-ja nuk e ka katandisur shëndetësinë deri në pikën kur duhet të shpresojmë të mos sëmuremi kurrë; sepse BE-ja nuk e ka shkatërruar sistemin e arsimit, ku biznesi kryesor qarkullon rreth licencave, botimit të librave shkollorë falas, rreth ndërtimit të objekteve shkollore dhe mundësimit të simpatizantëve partiakë që t’i mbajnë nga shtatë vende të punës në institucionet arsimore; sepse BE-ja nuk i ka hapur kufijtë e Kosovës që t’i ikin 100 mijë qytetarë për më pak se gjashtë muaj, e as nuk i ka organizuar autobusët dhe ndërmjetësit për kalimin e kufijve me kundërshpërblim të majmë...

Nuk është faji i BE-së që ekstremizmi fetar ka gjetur strehim në Kosovë, sepse nuk është BE-ja ajo që ka lidhur miqësi me eksponentët fetarë që madje marrin status të veteranëve të UÇK-së, e as nuk është BE-ja ajo që mundësoi që shamia të hyjë në Kuvend. Nuk është krejtësisht faji i BE-së që u nënshkruan dy marrëveshje që cenojnë integritetin e Kosovës e që nxitën atë që ai e quan ekstremizëm politik – duke aluduar në opozitën që hedh gaz lotsjellës – sepse po aq ekstremizëm dëshmon edhe pushteti kur i nisë njësitë elite për ta bastisur selinë e një partie politike pa urdhër të prokurorit, ose kur i angazhon me qindra policë që t’ia ndalojnë hyrjen kujtdo në atë që do të duhej të ishte shtëpia e popullit. Nuk është BE-ja ajo që e vonon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por është Serbia të cilën ai bashkë me ekipin e tij i ka rënë nën këmbë dhe ka pranuar çka do që i është thënë të pranojë, pa e ngritur zërin asnjëherë bile as për të zhdukurit e as për pasurinë që na e kanë vjedhur e shkatërruar.

BE-ja po na respekton për këta çfarë jemi, për shkak se BE-ja na sheh sikur të ishim të gjithë njësoj si liderët tanë: pa kurrfarë kredibiliteti dhe të etiketuar si bosa të krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Filozofia e takatit

Filozofia e mbajtjes së pushtetit me çdo kusht dhe pretendimi i të qenit i gjithëdijshëm ka bërë që diplomacia kosovare të dështojë plotësisht në rastin e UNESCO-s dhe të mos marrë asnjë mësim të vetëm nga përvoja e negociatave me Serbinë. Mbushja e dikasterit të jashtëm me militantë partiakë dhe insistimi i shkeljes së ligjit që parasheh balancë ndërmjet të emëruarve profesionalë dhe atyre partiakë në favor të këtyre të fundit, e ka lënë Kosovën të papërfaqësuar edhe aty ku kjo mundësi i është dhënë. Filozofia e kontrollimit të parasë me emërimin e militantëve partiakë në Bordin e AKP-së, në numër që e parasheh ligji, i cili ende nuk ka hyrë në fuqi, pa asnjë debat, dhe me votim në bllok apo edhe të Bordit të ZRRE-së, tregon se qëllimi final nuk është cilësia apo jeta më e mirë e qytetarëve, por mbajtja e tij në pushtet sado që ky të ketë takat.

Kjo filozofi nënkupton edhe cungimin e sistemin gjyqësor të Kosovës, dhe moskrijimin e kushteve që ai të funksionojë në bashkëveprim me organet e sigurisë, për të cilat dihet se gjithashtu janë mbushur plot me militantë, por këta veshin uniforma, dhe për të cilët dihet se e kanë shefin, mandati i të cilit është zgjatur jashtëligjshëm. Është filozofia e tij që të kapen pesë veta për mitmarrje prej 50 e 100 eurosh për të dëshmuar se në Kosovë po luftohet krimi. Filozofia e tij është që sundimi i ligjit vlen për të gjithë njësoj, pos për pushtetarët që janë mbi ligjin, në të kundërtën e asaj që e përsërisin para publikut. Kjo filozofi gjithashtu nënkupton edhe vjedhjen e votave për të mbetur në pushtet.

Debakli i filozofisë së tij politike dhe i vetë atij si lider, më së shumti pasoja i shkakton vetë Kosovës. Durimi deri në dhimbje i abuzimit me pushtetin është ai që po na faturohet tash: ndër të tjera, me mosnjohje nga pesë shtetet e BE-së; me mosliberalizim të vizave; me mosanëtarësim në OKB – që të gjitha punë me të cilat duhet të merret diplomacia, që ka qenë prerogativë e tij si kryeministër atëherë, e është edhe tash si ministër i Jashtëm. E prerogativë e tij ka qenë edhe zhvillimi ekonomik, dhe ende është si kryeministër i Jashtëm që është, dhe aty ka shënuar dështim pas dështimi, vit pas viti.

Debakli i tij na ka sjellë në pikën ku kemi ardhur: të një vendi pa perspektivë që më së shumti eksporton njerëz dhe i cili me udhëheqjen çfarë e ka është bërë Mur i Berlinit për të gjithë ata të rinj që kanë tru dhe kanë vullnet që trurin e tyre ta fusin në funksion për të mirën e këtij vendi.

E ata nuk kanë nevojë për viza. Kanë nevojë për një shtet, të cilin nuk e sundon korrupsioni dhe krimi i organizuar. Kanë nevojë për një shtet që të nisë nga e para, me njerëz që nuk do të thirren në meritat e luftës për të përvetësuar gjithçka tonën, përfshirë edhe jetën.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...