Epoka e anti-Havelëve

17 Dhjetor 2015 - 08:28 - Enver Robelli      

Para një çerekshekulli nga Evropa Lindore erdhën impulset kryesore për heqjen e Perdes së Hekurt, rrëzimin e Murit të Berlinit dhe triumfin e demokracisë. Sot nga Varshava deri në Sofje vijnë lajme të këqija dhe jehojnë britma antievropiane. Çfarë ka ndodhur?

Para 25 vjetësh vdiq shkrimtari i njohur zviceran, Friedrich Dürrenmatt, një mjeshtër i ironisë, groteskut dhe përshkrimit të honeve të shpirtit njerëzor. Ndonëse ishte rritur në Zvicrën e paprekur nga luftërat dhe tragjeditë e shekullit të njëzetë, Dürrenmatt e shihte angazhimin për liri dhe demokraci dhe kritikën ndaj atyre që e ngushtojnë hapësirën e mendimit të lirë si domosdoshmëri të angazhimit intelektual. Pak muaj para se të vdiste Dürrenmatt mbajti një fjalim për nder të shkrimtarit çek, Vaclav Havel, i cili në Zvicër po nderohej me një çmim për luftën e tij me mjete paqësore kundër diktaturës komuniste në Çekosllovaki. Fjalimi i Dürrenmattit ishte historik. Ai shprehte respektin e madh për veprimtarinë e Havelit dhe skiconte sesi duhet të duket një republikë ideale: ajo republikë mund të llogarisë në mbështetjen e qytetarëve vetëm nëse u shërben qytetarëve. Një republikë që nuk u shërben qytetarëve, nuk ka arsye të presë që qytetarët t’i shërbejnë asaj.

Kaq e thjeshtë është kjo punë: “Ndoshta ju do të pyesni se çfarë republike ëndërroj unë. Unë ju përgjigjem: një republikë të pavarur, të lirë, demokratike, ekonomikisht prosperuese dhe njëkohësisht një republikë të drejtë në aspektin social, shkurt një republikë njerëzore, e cila i shërben njeriut dhe për këtë arsye shpreson se edhe njeriu do t’i shërbejë asaj. (...) Ajo çfarë guxon të kërkojë individi dhe jo vetëm guxon, por edhe duhet, është ajo çfarë keni kërkuar ju, Vaclav Havel: të drejtat e njeriut, bukën e përditshme për secilin, barazinë para ligjit, lirinë e mendimit, lirinë e grumbullimit, transparencën, heqjen e torturës etj., të gjitha këto nuk janë utopi, por gjëra të vetëkuptueshme, atribute të njeriut, shenja të dinjitetit të tij ...”
Fjalimi i Dürrenmattit nuk ishte mendjemadh dhe i shkruar nga pozita kinse superiore e perëndimorit, i cili i di të gjitha më mirë. Dürrenmatt kritikoi ashpër edhe Zvicrën, duke e quajtur burg të hapur, ku qytetarët janë të burgosur, por prapëseprapë nuk mund të ikin nga ky burg, sepse secili prej tyre njëkohësisht është edhe gardian. Atëbotë, kur u mbajt ky fjalim, botën perëndimore e kishte përfshirë euforia e lirisë, e heqjes së prangave të diktaturave, e shpresës se tani gjithçka do të ecën mirë.

Një çerekshekull më vonë shkëlqimit të së kaluarës ia ka zënë vendin zvetënimi. Në Çeki presidenti i vendit është një komunist popullist, i cili marshon me grupet e djathta ekstreme kundër refugjatëve, minimizon krimet e komunizmit dhe kërcënim për vendin e tij e sheh Brukselin dhe jo, ta zëmë, Moskën e Vladimir Putinit.

Në Sllovaki kryeministri formalisht socialdemokrat, Robert Fico, ka paditur Bashkimin Evropian për shkak se ka vendosur që në kuadër të ndarjes së barrës së refugjatëve Sllovakia të strehojë 802 azilkërkues nga Siria apo vatrat e tjera të krizës. Një vend kundër 802 refugjatëve! Duket e pabesueshme, kur të kihet parasysh se Gjermania sivjet ka pranuar gati një milion refugjatë. Qeveria në Bratislavë është shprehur e gatshme të pranojë eventualisht disa refugjatë të krishterë, pasi ka bërë të qartë se në Sllovaki, një vend superkatolik dhe pa asnjë xhami, refugjatët myslimanë nuk janë të mirëseardhur.

Hungaria e prirë nga kryeministri Viktor Orban prej vitesh ka braktisur shinat e shijes së pranueshme politike. Restaurimi nacionalist i së kaluarës, presioni kundër intelektualëve të pavarur, ngushtimi i hapësirës për veprim të shoqërisë civile, futja nën kontroll e shtypit, lejimi i fushatave kundër romëve dhe mbyllja e njërit sy përballë provokimeve neonaziste të grupeve të ekstremit të djathtë janë shndërruar në përditshmëri. Orban është bërë idhull i qarqeve ekstreme në Evropën Perëndimore, duke u himnizuar si mbrojtës i Perëndimit përballë rrezikut që vjen nga Lindja e Afërt.

Në Bullgari Qeveria e kryeministrit Bojko Borisov prej vitesh ka ndërmarrë hapa për izolimin e vendit, në mënyrë që refugjatët të mos vijnë fare në këtë vend. Një pjesë e kufirit me Turqinë është bllokuar me tela gjemborë, në shtator kabineti ka paralajmëruar se ngritja e gardhit me tela do të vazhdojë. Organizatat për të drejtat e njeriut si Human Rights Watch kanë kritikuar sjelljen e ashpër të policisë bullgare ndaj refugjatëve. Në fillim të tetorit forcat bullgare të sigurisë vranë një refugjat. Ky ishte rasti i parë në dramën më të re të refugjatëve që policia e një shteti anëtar i Bashkimit Evropian hap zjarr kundër një njeriu të paarmatosur.

Shqetësuese janë lajmet nga Polonia, ku Qeveria e re konservatore ka nisur të ndjekë një kurs antievropian, duke refuzuar pranimin e refugjatëve. Në politikën e brendshme Qeveria e kryeministres Beata Szydlo, e dirigjuar nga prapaskena prej ish-kryeministrit dhe shefit të partisë konservatore PiS, Jaroslaw Kaczynski, po synon të fusë nën kontroll Gjykatën Kushtetuese dhe mediumet publike. Kështu Polonia e Lëvizjes Solidarność, e cila që në fillim të viteve 80 kishte ndezur shpirtrat liridashës në Lindje e Perëndim, tani është shndërruar në vend ku kryeministrja në paraqitjen publike refuzon të shpalosë edhe flamurin e Bashkimit Evropian – ndonëse sukseset në ekonomi, në politikë dhe në funksionimin e demokracisë Polonia i ka arritur falë implementimit të standardeve evropiane.

Si ndodhi që një çerekshekull pas rënies së komunizmit vendet e Evropës Lindore të kthehen pas, madje disa qeveri të kenë edhe simpati për sisteme represive? Arsyet janë shumështresore, por kryesorja qëndron në faktin se elitat politike nga Varshava në Sofje kanë dështuar në ndërtimin e shoqërive që nuk e shohin Evropën Perëndimore vetëm si arenë konsumi, por edhe si poligon ku respektohen disa vlera elementare, siç është, ta zëmë, Konventa për të Drejtat e Njeriut. Pas 40 vjet komunizëm, pas një çerekshekulli transformim të vështirë në sistemin demokratik pothuaj në të gjitha vendet e Evropës Lindore po ngre krye nacionalizmi dhe konservatorizmi, që ka qenë i ndaluar, i shtypur apo tabu që nga viti 1945. Shumë njerëz mendojnë se tani kanë të drejtë të thyejnë disa tabu, të rebelohen, të vënë në dyshim sistemin demokratik, të refuzojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Por, siç e ka thënë filozofi Immanuel Kant, për të luftuar të keqen e natyrës njerëzore, është e domosdoshme të ketë institucione ndërkombëtare. Anti-Havelët kanë një agjendë tjetër: është agjenda që varros idealet e Vaclav Havelit dhe disidentëve të tjerë evropiano-lindorë.

robelli@bluewin.ch

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...