Jeta me rrena

15 Dhjetor 2015 - 08:01 - Flaka Surroi      

Po e jetojmë jetën e rrenës që na thuhet për çdo ditë të lume. Rrenës që na ka dërrmuar deri në skaj dhe na ka lënë, si Kosovë, të varfër materialisht dhe emocionalisht

Dy janë figurat, për mua, që e shënuan javën. Kancelarja gjermane Angela Merkel, të cilën “Time” magazinë e shpalli personalitetin e vitit, dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau, i cili që nga çasti kur erdhi në pushtet e pushtoi botën me simpatinë dhe pragmatizmin e tij.

E para, ngase mban pushtetin në shtetin më të madh të Evropës së bashkuar tashmë qe rrafsh dhjetë vjet. Ngase ia ka dalë ta forcojë ekonominë e vendit të saj, aq sa ia doli ta mbajë të gjallë të gjithë BE-në të zhytur në kriza të hajnisë dhe të papërgjegjësisë. Përfundimisht, ngase i hapi dyert e shtetit të vet të madh për më shumë se një milion refugjatë, kryesisht sirianë të ikur nga lufta, edhe me çmimin që kjo t’i kushtojë me humbjen e popullaritetit, e për pasojë edhe të pushtetit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

I dyti, për shkak se formoi qeveri ku gjysma e kabinetit janë femra; ku ka përfshirë edhe pjesëtarë të grupeve etnike autoktone dhe të ardhur nga kontinentet e tjera, dhe ku për ministre të sportit ka emëruar një sportiste paralimpike me pengesa në të parë dhe një avokat me tetraplegji për ministër për veteranët dhe zëvendësministër i mbrojtjes. Gjithashtu për shkak se e bindi të gjithë shtetin, përfshirë edhe opozitën, se Kanadaja është boll e madhe sa për t’i strehuar 35 mijë sirianë deri në mars të vitit tjetër, me atë që nuk po e kufizon numrin këtu. Edhe për shkak të simpatisë që ngjall me sjelljen prej një njeriu normal, që di edhe të qarkullojë me metro, krahas bashkëqytetarëve të tij, pa pasur nevojë për vetura të zeza të blinduara e as shtatëmbëdhjetë bodigarda.

Të lumtur do të jenë qytetarët e shteteve që mund të krenohen me kryeministrat dhe qeveritë që i kanë. Ne, ka shumë kohë që e vajtojmë fatin që pjesërisht ia qëndisëm vetes, por edhe që na u imponua me qeveritë që na kanë defiluar që nga paslufta. Vetëm na ka mbetur t’i lakmojmë ata që janë më me fat dhe t’i kthejmë sytë andej, kah jeta që i ngjet ëndrrës. Dhe mos të zgjedhim çmim për të ikur prej këtu.

Meta

Pas Kerryt, jozyrtarisht dhe për vikend, Ilir Meta doli për t’ia dhënë një xhiro Prishtinës. Takoi homologun e tij, Jahjagën, partitë opozitare, i dha dy deklarata dhe shkoi. Të nesërmen, hiç më larg, Jahjaga i ftoi liderët opozitarë në takim – për ta iniciuar edhe një raund bisedimesh për të dalë nga kriza. Sërish e bëri ndaras, pa kontakt me pushtetin.

Shenja e parë e mirë ishte fija e fleksibilitetit që e paraqiti opozita – pra jo vetëm insistimi për tërheqjen e nënshkrimeve, por edhe opsionet në rast se kjo e para nuk ndodh. I pari, referendumi, që do ta kthente doemos opozitën në Kuvend për ta votuar ligjin për referendumin që do të lidhej nergut për këto dy dokumente dhe, i dyti, opsioni i zgjedhjeve të parakohshme, që besoj, më së paku u konvenojnë partive opozitare në këtë çast.

Nga Jahjaga asnjë përgjigje. Siç edhe do të pritej. E as nga koalicioni qeveritar, që tash nuk e sheh të arsyeshme të deklarohet pa e përfunduar procedurën Gjykata Kushtetuese, përderisa është në telashe të mëdha se si ta kalojë Ligjin e buxhetit në leximin e dytë.

Korrupsioni

Prandaj edhe thirrja e seancës plenare të Kuvendit, që ka gjasa të zhvillohet në të njëjtën formë sikurse herën e shkuar, sepse opozita do të bëjë përpjekje për ta ndalur, kurse koalicioni qeveritar për ta votuar këtë edhe kush e di sa ligje të tjera – sepse e gëzon përkrahjen e diplomatëve ndërkombëtarë për këtë.

Por aty ku nuk e gëzojnë përkrahjen, e edhe këtu kanë qenë shumë të zëshëm diplomatët ndërkombëtarë, është te korrupsioni. Dhe dy nga ata që u prononcuan fuqishëm ishin ambasadori amerikan dhe ai britanik. I pari, që erdhi në vend të ambasadores paraprake që pati shumë ndikim në formimin e koalicionit aktual në pushtet, dhe i cili nuk është shquar për nga komentet e qëlluara, kryesisht në twitter. Koalicioni qe jadeci që ia la Jacobson dhe nuk mund ta ndërrojë qëndrimin, sepse do të dilte joserioz, porse duket se mbase tashmë do ta ketë kuptuar se nga duhet ta orientojë trysninë mbi politikanët kosovarë në pushtet.

I dyti, relativisht i ri në këtë post, i cili i përmendi dy raste që vërtet janë absurd i gjyqësisë. Së pari foli për Xhabir Zharkun, të arratisurin nga drejtësia kosovare që mori pjesë në një manifestim të organizuar nga Qeveria e Kosovës në Suedi, e më pas e përmendi edhe rastin e ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës, që ishte dënuar me dy vjet e gjysmë me kusht për një lëndë me vlerë prej 60 milionë eurosh. Por problemi me rastin e dytë, të cilin nuk e ka përmendur ambasadori, është se dënimin ia kanë shqiptuar gjykatësit e EULEX-it. E ky shembull më së miri e ilustron dështimin e Evropës për ta vendosur sundimin e ligjit në Kosovën e dërrmuar nga krimi e korrupsioni.

Një portal i krijuar nga BE-ja për t’i përshkruar karakteristikat e secilit shtet, e që quhet “Business Anti-Corruption”, thotë se Kosova ka sistem gjyqësor joefikas; ka proces të keq prokurimi; se konkurrimi në tenderë publikë nënkupton pagesën e haraçit, dhuratave dhe pagesave të tjera nëse synohet fitimi i tenderit, dhe shpëlarja e parave është send që bëhet për çdo ditë. Ato që ky portal nuk i përmban janë informatat për bordet e “pavarura” të ndërmarrjeve publike që janë mbushur me militantë partiakë; për Komisionin për Konkurrencë që do të duhej ta luftonte monopolin e që nuk është funksional ka më shumë se tre vjet; që Zyra për Auditorin nuk ka shef; që RTK-së, jashtë Projektligjit të buxhetit, i janë akorduar 4,5 milionë euro, ani pse baza ligjore për këtë është shuar sivjet dhe se asnjëherë askush nuk doli të tregonte se sa para i shpenzon ky shtet për t’i paguar 30 a 40 zëvendësministra të Qeverisë, e që emërohen fshehurazi, thuajse janë njerëz që dikush ua ka borxh ndonjë favor të moçëm.

Viti i parë i kësaj qeverie u cilësua si i dështuar, me gjithë lëvdatat që kryeministri nominal ia qëndisi vetes dhe kabinetit të tij në mbledhjen e Qeverisë. Është Qeveri pa program politik, me premtime absolutisht të parealizueshme dhe pa asnjë vizion si të dilet nga kriza, pos thirrjes në MSA dhe në liberalizimin e vizave, që me gjasë nuk do të rekomandohet nga BE-ja, pikërisht për shkak të korrupsionit, ndër nëntë kushtet e parealizuara.

Fol

Tashmë është thënë disa herë se Kosovës do t’i vyente një replikë e mrekullisë që po ndodh në Rumani. Ata kanë krijuar një Drejtorat Kombëtar Kundër Korrupsionit që i ka prokurorët e vet (po shihet se janë të pavarur nga presionet politike), që janë në gjendje ta hetojnë madje edhe ish-kryeministrin e ta fusin në burg edhe atë e edhe këshilltarët dhe ortakët e tij që i përvetësuan pronat publike për qejf të vetin. Do të ishte mirë, në të njëjtën mënyrë sesi u imponua Gjykata Speciale, që Agjencia Kundër Korrupsionit e Kosovës të bëhej me fuqi ekzekutive dhe ta kishte një ekip të vetin prokurorësh që do t’i ndiqnin kriminelët e jakave të bardha. Njësoj, ashtu siç edhe e propozoi kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, të krijohej një gjykatë e veçantë për këto raste që do të procedoheshin shpejt. Por, te kjo e fundit janë vetëm dy probleme: ku të gjenden gjithë ata gjykatës profesionalë dhe të pandikueshëm dhe a do të mjaftonin një duzinë gjykatësish që të merreshin me gjithë hajnat e kalibrit të madh që i ka ky shtet...

Ndërkohë ne vazhdojmë të jetojmë në një situatë të bllokuar, me rrugëdalje, porse që qëllimisht mbahen të mbyllura për interesa të ngushta. Përderisa Mustafa krenohet me arritjen e stabilitetit ekonomik në Kosovë, shteti nuk ka para në qarkullim, nuk ka asnjë investim më të madh dhe brenda një viti arrin të punësojë vetëm 4 mijë veta, përderisa njëkohësisht e zvogëlon numrin e të papunëve, duke cituar statistikat e të paraqiturve nëpër zyra të punësimit. Po e jetojmë jetën e rrenës që na thuhet për çdo ditë të lume. Rrenës që na ka dërrmuar deri në skaj dhe na ka lënë, si Kosovë, të varfër materialisht dhe emocionalisht.

Se sa ka nevojë që e gjithë kjo të ndryshojë, e tregon edhe hulumtimi i “Fol”-it për disponimin e votuesve. Më mbresëlënësi ishte shënimi për disponimin e madje 21% të të anketuarve për ta votuar një parti të re – që me automatizëm do të shndërrohej në fuqinë e tretë politike. Nuk është hera e parë që thuhet, porse është hera e parë që kjo ilustrohet me një shifër: që për të ndryshuar Kosova ka nevojë për energji të re. Ka nevojë mbase për një parti të re, apo për një lëvizje të re, ose për një grup qytetarësh të rinj që nuk do të jenë satelitë të partive të tjera. Që do të përfaqësohen nga persona karizmatikë, si Merkel apo Trudeau, e që do të punojnë për shtetin dhe popullin e vet, me të gjitha defektet që mund t’i kenë si qenie njerëzore që janë.

Atëherë do ta jetonim një ëndërr të shndërruar në realitet. Me rrenën dhe rrencat të shkelur përtokë.

flaka@koha.net 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...