Mbrojtja apo shpërbërja “heroike” e Republikës!

11 Dhjetor 2015 - 08:21 - Halil Matoshi      

Qeveria që mbijeton me polici nuk i shërben vendit për asgjë tjetër, nëse nuk i ka shërbyer për t’i mbijetuar goditjet shpërbërëse. Pra, Isa Mustafa në njëvjetëshin e qeverisjes së tij ende nuk ka kurrfarë bilanci. Është në pikën zero.

Isa Mustafës askush nuk ia ka lakmi që e mban postin e kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Ai nuk pati asnjë rast të dëshmonte veten si një burrë shteti me lidership të përgjegjshëm dhe në shërbim të qytetarëve, ngase iu desh të vihet në shërbim të mbrojtjes së një koalicioni partiak aspak miqësor.

Ose, në mbrojtje të Republikës nga shpërbërja?
Kjo tash për tash është hipotetike.
Duhet parë rrjedhat e këtij procesi të frikshëm për ta konkluduar një gjë të tillë!?

Pas krizës gjashtëmuajshe institucionale të vitit të kaluar, kur Isa Mustafa pas një fjalimi të anuluar si kryetar i Kuvendit, iu desh të zbriste nga foltorja, sepse Gjykata Kushtetuese dha verdiktin më kontrovers në historinë e vet, për t’ia pamundësuar shumicës parlamentare që të qeverisë me vendin, përkatësisht duke ia dhënë të servuar në pjatë mandatin PDK-së së Hashim Thaçit, si partia që kishte dalë e para në zgjedhje.

Mustafa e tradhtoi grupimin VLAN dhe hyri në koalicion me partinë kundër së cilës e pati shkarkuar një kodër mllefi, kundërshtish dhe akuzash!
Duke iu bërë patericë në pushtet atij, (duke e shpëtuar nga pensionimi) e duke joshur të vetët me
pak pushtet, që pos dikastereve të lidhura me ekonominë nuk kontrollojnë gjë!?

Në anën tjetër, opozita aktuale në përbërje të çuditshme, por me sfond të qartë ideologjik, (rreth ideve etnonacionaliste) e drejtuar nga Albin Kurti i Lëvizjes VV, arriti që t’i tërhiqte në orbitën e vet edhe Ramush Haradinajn (partia e të cilit AAK kishte qeverisur me LDK-në dhe kishte “nënshkruar demarkacionin me Maqedoninë, me gjithë kundërshtimet e forta të PDK-së së Thaçit, atëbotë në opozitë) dhe Fatmir Limajn (që ishte shkëputur nga PDK-ja për arsye thjesht personale) duke “ndërtuar një kauzë” ekskluziviste, pa ndonjë kërkesë të realizueshme për Qeverinë, tërheqjen nga dy marrëveshje ndërkombëtare, për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Demarkacionin e kufirit me Republikën e Malit të Zi.

Pos VV-së, edhe Haradinaj, edhe Limaj me njerëzit e tyre i kishin votuar Gjashtë Parimet Themeltare të kësaj Bashkësie ose Marrëveshjen e Parë më 2013, pa asnjë hezitim.
Kurse sot, ata duan të ndezin “një luftë të re në Ballkan” për këto kauza nacionaliste dhe të paargumentuara!

Duke qenë se në praktikat e të Drejtës Ndërkombëtare nuk njihet akti i tërheqjes së nënshkrimeve nga marrëveshjet ndërkombëtare, opozita e di se Qeveria është vënë në pozicion pat edhe po të donte të lëvizte në kahun e negociimit të ndonjë marrëveshjeje me opozitën.

Kështu Qeveria e Kosovës, ndonëse legale, “u gjunjëzua”!
U gjunjëzua sepse vendin e çoi në krizë legjitimiteti, duke mos pasur asnjë mënyrë se si t’i qaset opozitës.
Qeveria Mustafa u gjend nën breshërinë e sulmeve opozitare me të gjitha mjetet, pra edhe me armë.

Po, me armë, ngase në Kodin Penal të Kosovës “mjetet e forta” siç përshkruhen gazi lotsjellës, grremçat për shpimin e gomave të veturave në lëvizje, spary etj. cilësohen si armë!
Kurse mbajtja dhe përdorimi i tyre cilësohen si armëmbajtje e paautorizuar dhe rrezikim i përgjithshëm.

Në planin kombëtar (të brendshëm) Kosova është në krizën më të madhe që nga viti 2004. Tashmë po bëhen dy vjet të humbura për ekonominë, reformat politike dhe parlamentarizmin. Tashmë dy vjet opozita është e margjinalizuar dhe e frustruar nga arroganca e modelit kosovar të fuqisë së numrave, prandaj ka shpërthyer edhe dhuna.

Mirëpo, dhuna është pasojë e një gjendjeje pa shtegdalje - sepse diskursit agresiv - i ka paraprirë pushteti i Hashim Thaçit në dy mandate dhe tash në të tretin me LDK-në.
Pushtet kleptokratik dhe i padijshëm e me njerëz të fuqishëm që kanë qëndruar gjatë mbi ligjin. Opozita e dëshpëruar i është kthyer dhunës, e cila nuk i ndihmon asaj të rrisë numrin e votuesve, por jo sidomos të qytetarëve kosovarë që të dalin nga cikli i dhunës.
Problemi është politik dhe është i zgjidhshëm me mjete politike, sepse u pa edhe më 28 nëntor qytetarët nuk janë përplasur, ata e duan paqen dhe lirinë.

Pra qytetarët ua kanë kthyer shpinën si pushtetit ashtu edhe opozitës, sepse pushteti nuk ka ide si të dilet nga kriza, kurse opozita ka ndërtuar kauza të paqëndrueshme.
Nënshkrimi i Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave serbe është i pakthyeshëm, përderisa
shënimi i vijës kufitare edhe mund të zvarritet, ngase nuk është ratifikuar në Kuvend.

Porse është me interes publik të dihet një fakt: kufijtë në ish Jugosllavi nuk kanë qenë
Ndërshtetërorë, por administrativë dhe KFOR-i (NATO-ja) ka nënshkruar një kufi sigurie jo me
Kosovën por me ish-shtetin federal në Kumanovë, me një palë të mundur në luftë, me 9-10 qershor dhe kjo duhej të ishte harta më kredibile në këtë proces, që Komisioni

shtetëror i demarkimit thotë ta ketë përfillur!
Kësisoj “Qeveria e Rashkës” siç është quajtur nga opozita krejtësisht pa të drejtë (sepse po me kryeministrin aktual dhe LDK-në që sot akuzohet për njeri të Rrahman Morinës, të Milosheviqit etj. opozita më 2014 mësyu të ndërtonte një koalicion qeverisës – pa nxjerrë asnjë kashtë, asnjë parim – ndërsa ja që sot Mustafa u shndërrua në njeriun me të urryer në Kosovë, natyrisht për opozitën dhe mbështetësit e saj!

E padrejtë!
Opozita e dëshpëruar i është kthyer dhunës, e cila nuk i ndihmon asaj të rrisë numrin e votuesve, por jo sidomos qytetarëve kosovarë që të dalin nga cikli i dhunës.
Problemi është politik dhe është i zgjidhshëm me mjete politike, sepse u pa edhe më 28 nëntor qytetarët nuk janë përplasur, ata e duan paqen dhe lirinë.

Ashiqare, qytetarët ua kanë kthyer shpinën si pushtetit ashtu edhe opozitës, sepse pushteti nuk ka ide si të dilet nga kriza (është në masë të madhe pushtet injorantësh) kurse opozita ka ndërtuar kauza të paqëndrueshme, sepse nënshkrimi i Marrëveshjes për Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe është i pakthyeshëm!
Në secilin rast, dialogun politik duhet ta kërkojë pushteti por pa kushte.

Dialog politik duke vënë paraprakisht kushte nuk ka, pra as zgjidhje.
Ndërkohë, kryeministri fatkeq Mustafa ua ka dërguar një letër pajtuese liderëve të opozitës, duke i ftuar në bisedime, porse edhe ai i ka kushtet e veta, që i bëri të përbotshme një ditë pas, nuk ka tërheqje të nënshkrimeve nga marrëveshjet ndërkombëtare!?
E opozita thotë tashti për ta shmangë konfliktin, Qeveria duhet të kërkojë dialogun politik me opozitën por, pa kushte.

Dialog politik duke vënë paraprakisht kushte nuk ka, pra as zgjidhje.
“Nuk kalojnë” – thotë kategorikisht opozita.
Kësisoj vendi ka hyrë në krizë politike aktualisht pa shtegdalje duke shfaqur rrezikun e një përplasjeje të përmasave fatale.
Në anën tjetër, kjo Qeveri vlerësohet për vendimin për mosngritjen e pagave të punëtorëve, vendimin për uljen e shpenzimeve dhe faljen e borxheve që qytetarët dhe bizneset i kanë pasur ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike deri në fund të vitit 2008.

Porse Qeveria Mustafa ka bërë aq shumë gabime dhe ka aq shumë dështime, sa që edhe po të qeveriste katër vjet të plotë nuk do t’i riparonte.

1. Nuk ka arritur ta bindë partnerin e koalicionit që të votojë pro krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës;
2. Ka pësuar fiasko duke u refuzuar që të anëtarësohet në UNESCO;

3. Është dëshmuar se është Qeveri e kontinuitetit të modelit të Thaçit, plot korrupsion e nepotizëm, madje konflikti i interesit “i shpërtheu” në duar kryeministrit me firmën e djemve te tij;

4. Nuk ka çarë kokën për të ndërtuar konsensus me opozitën për sa u përket çështjeve të interesit kombëtar dhe ka shfaqur shenja megalomanie numrash;

5. Kryeministri është zënë me fjalë mujshore dhe politikisht jokorrekte me liderë opozitarë në rrjetet sociale;

6. Qeveria e Mustafës ka dy krahë dhe joformalisht dy kryeministra: Nuk është dëshmuar transparente lidhur me marrëveshjet dhe nuk ka ditur as t’i shesë në publik dhe as t’i mbrojë ato, madje në mënyrë të habitshme është treguar inferiore ndaj sulmeve të opozitës të këtë bërë marrëveshje të dëmshme për vendin, duke u luhatur në mbrojtjen e tyre;

Pra Qeveria PDK + LDK + Lista Srpska, ka mbjellë dyshime serioze në publik se po luan lojë të dyfishtë, që nga dita kur Kadri Veseli i bërtiti sigurimit të Kuvendit, që po tentonte ta vendoste situatën nën kontroll. Së këndejmi dyshimet shkojnë deri tek pika që do t’i ndante partnerët e këtij koalicioni pa asnjë dyshim: krijimi i një gjendjeje kaotike në vend (buzë luftës qytetare) për ta neglizhuar, shtyrë ose devalvuar si proces të Gjykatës Speciale dhe kryeministri asnjëherë nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë!?

Kjo qeverisje (ky koalicion qeverisës) e ka shndërruar Kuvendin e Kosovës në demokraturë – duke e pezulluar tërë opozitën.

7. Pastaj arrestimi i deputetëve në rrafshin juridik është i ligjshëm (për hir të shmangies nga drejtësia selektive – sepse secili qytetar tjetër do të arrestohej për veprat që u vihen në barrë atyre deputetëve opozitarë) porse në aspektin politik të një demokracie është punë me zarar dhe fort i diskutueshëm për legjitimitetin demokratik të pushtetit.

Së këndejmi, Kuvendi i Kosovës është i vetmi Parlament në botën demokratike pa opozitë dhe që “funksionon” fshehtë prej saj, në salla të improvizuara në mënyrë groteske, ose nën masa të rrepta policore;

8. Nën qeverisjen e Isa Mustafës, është përdorë njësia FIT e policisë speciale (antiterror) për të ndërhyrë e bastisë selia e partisë më të madhe opozitare;

9. Ka propozuar për në Gjykatën Speciale dy figura publike që kanë qenë në listat partiake për deputetë; duke e rikonfirmuar modelin e qeverisjes Thaçi në dy mandate, “kapjen” e shtetit dhe agjencive të pavarura me militantë partiakë!

10. Nuk ka ndikuar që të punësohet asnjë njeri i vetëm për një vit nga ajo shifra e fushatës parazgjedhore që niste me 80 mijë e shkonte deri në 200 mijë veta.

Në planin kombëtar (të brendshëm) Kosova është në krizën më të madhe që nga viti 2004. Tashmë po bëhen dy vjet të humbura për ekonominë, reformat politike dhe parlamentarizmin. Tashmë dy vjet opozita është e margjinalizuar dhe e frustruar nga arroganca e modelit kosovar të fuqisë së numrave, prandaj ka shpërthyer edhe dhuna.

Mirëpo dhuna është pasojë e një gjendjeje pa shtegdalje - sepse diskursit agresiv - i ka paraprirë pushteti i Hashim Thaçit në dy mandate dhe tash në të tretin me LDK-në.
S’ka fjalë, pushtet kleptokratik dhe i padijshëm e me njerëz të fuqishëm që kanë qëndruar gjatë mbi ligjin.

Mirëpo, nëse vërtetohen akuzat që kjo Qeveri i ka bërë opozitës për destruksion, sulm të orkestruar dhe rrënim të institucioneve del të jetë diga e fundit e mbrojtjes së Republikës, pra shpëtimtare nga rebelimi.

Ndërsa, nëse eventualisht vërtetohen tezat e opozitës për cenim të Kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial, atëherë kjo Qeveri duhet të shkojë në burg…
Ditë më përpara, media njoftonte se rusët parashikojnë përplasje në Shqipëri, të ngjashme me ato në Ukrainë dhe Siri.
Përderisa Kosova ishte “në flakë.”

Të martën, derisa shkruhet kjo kolumnë, trazirat kanë nisur edhe në Shqipëri, e një ditë më parë Ilir Meta, një nga politikanët fort të korruptuar në Shqipëri, kishte marrë në mënyrë groteske rolin e Anton Çettës në Kosovë!?

Mos qoftë ajo që druajnë kosovarët!
Vërsulja e ekstremit të majtë mbi Republikën e Kosovës (të kapur nga kapobandat) të ngashënjyer nga intenca e shtetngrënies, si në vitin 1997 kur shpërtheu lufta civile në Shqipëri!!!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...