Aleatët e krimit

10 Dhjetor 2015 - 09:02 - Enver Robelli      

Për hir të stabilitetit Brukseli dhe Washingtoni janë bërë aleatë me regjime autokratike apo të korruptuara jo vetëm në Ballkan. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të pajtohen me këtë aleancë.

Në Turqi regjimi i presidentit Rexhep Taip Erdogan konfiskon shtëpi mediale të afërta me opozitën, arreston gazetarë, godet madje edhe humoristë, bllokon për një kohë të caktuar mediumet sociale.

Çfarë bën Bashkimi Evropian? Gjatë samitit mes Turqisë dhe BE-së para dhjetë ditësh në Bruksel krerët evropianë me asnjë fjalë nuk kritikuan metodat e papranueshme të sundimit nga ana e Erdoganit dhe partisë së tij AKP. Befas Turqia është bërë vend kyç për shkak të dramës së refugjatëve.

Nëse ky vend shton kontrollin, Evropa mund të marrë pak frymë nga vala e refugjatëve, që vijnë kryesisht përmes Turqisë dhe të ashtuquajturës “rrugë ballkanike”. Për të mbështetur Turqinë, BE-ja do të ndajë 3 miliardë euro dhe ka premtuar se do të lehtësojë regjimin e vizave për shtetasit turq. Erdogani nuk mund të quhet politikan demokrat, por si garant i stabilitetit ai është bërë partner i pashmangshëm i Perëndimit.

Që Perëndimi për hir të stabilitetit është i gatshëm t’i varrosë parimet demokratike, nuk paraqet ndonjë befasi. Madje edhe në disa mediume të djathta në Evropë ka një tendencë të thuhet se “demokracia nuk është për të gjithë”, sidomos jo për myslimanë, arabë, aziatikë dhe afrikanë. Të drejtat e njeriut, sipas kësaj logjike, nuk kanë vlerë universale. Kështu mendonte, për shembull, ish-kancelari gjerman, Helmut Schmidt, kur fliste për nevojën që Evropa të pranojë mënyrën e sundimit të regjimit komunist-kapitalist në Kinë.

Në Egjipt presidenti Abdel Fatah al-Sisi sundon me metoda brutale, zhduk opozitarë, arreston pa asnjë dallim oponentët në emër të luftës kundër “ekstremizmit fetar”, “fiton” zgjedhjet parlamentare. Dhe i njëjti pritet nga Angela Merkel, lavdërohet nga presidenti francez François Hollande, në janar të këtij viti gjenerali-president i Egjiptit madje ishte mysafir i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës, aty ku propagandohet “Spirit of Davos”, demek ideja që konfliktet në botë të zgjidhen me mjete paqësore, që ekonomia të jetë dobiprurëse për të gjithë, që barazia mes shtresave të ndryshme të popullsisë të jetë më e madhe, që pasuria publike të shpërndahet sa më mirë për të gjithë.

Turqia dhe Egjipti janë shembuj më të largët. Por modele të tilla kemi edhe afër, në Ballkan. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka një biografi që më shumë i përngjan një propagandisti të krimeve të luftës sesa një demokrati. Por ai garanton stabilitet në Serbi dhe ministri i Jashtëm amerikan John Kerry me një verbëri të vullnetshme diplomatike e sheh Vuçiqin si politikanin që po ndërton Serbinë e re. Cila është Serbia e re? Është ajo që me nderime shtetërore e pret kriminelin e luftës Vladimir Lazareviq.

Dy ministra serbë shkuan në Hagë me avion qeveritar për ta marrë ish-komandantin e Korpusit të Prishtinës dhe për ta sjellë në Nish. Aty, në pistë, priste delegacioni: me zyrtarë të tjerë të qeverisë, me popë, me oficerë të Armatës së Serbisë. Lazareviq u quajt atë ditë “model” për të rinjtë. Po atë ditë Vuçiqi thoshte në Beograd, para gati 50 ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të OSBE-së, se “Ballkani është fuçi baruti dhe një shkëndijë mund të kallë botën”.

Po ndodhi kjo, kontributi i Vuçiqit nuk është i vogël.
Një vend që nderon kriminelët e luftës kërkon nxitje të konflikteve. Gazetari Nemanja Stjepanoviq shkroi me të drejtë në portalin “Peshçanik”: “Nëse gjërat i quajmë me emrin e vërtetë, do të themi se një kriminel lufte e kemi pritur me nderimet më të larta shtetërore. Kështu, në vend se të përcaktohemi për të vërtetën jemi përcaktuar sërish për rrenën, mjegullimin dhe heshtjen.

Është rrenë se Lazareviq si komandant i Korpusit të Prishtinës gjatë intervenimit të NATO-s më 1999 e ka shfrytëzuar armatën vetëm për mbrojtjen e Serbisë; njësitë e tij kanë marrë pjesë në shumë aksione në të cilat viktima kanë qenë civilët shqiptarë. Është rrenë se është dënuar pa fakte; e vërteta është se për rolin e korpusit të tij në krime janë prezantuar materiale me bollëk.

Është rrenë se ai dhe oficerët e tij nuk kanë ditur për krimet, është rrenë se ato i kanë kryer individë të papërgjegjshëm jashtë kontrollit të ushtrisë dhe policisë, është rrenë se ai është hero dhe është rrenë se falë tij sot janë të lirë Nishi, Beogradi, Novi Sadi, Sombori, Uzhica dhe Valeva, siç e tha gjatë pritjes njëri nga ministrat”.

Diplomatët e Brukselit, por edhe ata amerikanë nuk do të merren me detaje të tilla. Për ta është me rëndësi “stabiliteti rajonal”, i cili është bërë sinonim për ngrirje të konflikteve, ngecje, korrupsion, krim të organizuar – në këtë kontekst as Kerry, as homologët e tij nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë problem t’ia japin dorën, për shembull, Ivica Daçiqit, për lidhjet e të cilit me baronë të drogës ka edhe incizime të bëra publike tashmë.

Një aleancë e tillë po praktikohet prej vitesh edhe në Kosovë. Në vitin 2010 nga zyrat diplomatike në Prishtinë doli fjala se përmasat e vjedhjes në zgjedhjet parlamentare qenë industriale. Fjalë të mëdha! Por kjo nuk e pengoi Perëndimin të bëhet tok me vjedhësit e votave, të legjitimojë vjedhjen dhe të bashkëpunojë me atë qeveri që përbëhej prej vjedhësve, jo vetëm të votave. Kush vjedh vota, vjedh edhe pasurinë e shtetit. Sepse vjedhja e votës shpesh është parakusht për të vjedhur shtetin.

Këtë aleancë të Perëndimit me struktura që vjedhin vota, që janë të përziera në korrupsion, në krim, në tregti me drogë, në kontrabandë me njerëz, në krime të luftës, në dhunime – këtë aleancë qytetarët e Kosovës nuk duhet ta pranojnë. Për këtë duhet një zgjim i përgjithshëm popullor nga letargjia. Në vend që të kërkojmë nga Perëndimi t’i heqë vizat për qytetarët e Kosovës, së pari duhet t’i heqim zyrtarët e korruptuar nga Ministria e Brendshme dhe t’i luftojmë strukturat e krimit të organizuar, që janë rehatuar deri në nivelet më të larta të Policisë.

Në vend se të ankohemi që Perëndimi po bashkëpunon me politikanë të diskredituar, të korruptuar apo të shantazhuar, le të zgjohemi nga kllapia dhe të mos i votojmë të tillët. Me një fjalë: duhet të duam vetë!

Aleanca me politikanë të korruptuar mund të ketë pasoja fatale. Për këtë janë të vetëdijshëm disa diplomatë perëndimorë, derisa shumica nuk brengosen për varrosjen e demokracisë, por vetëm për stabilitetin rajonal, qoftë ai edhe fiktiv. Se çfarë pasojash mund të ketë mbështetja e figurave të dyshimta politike, e kemi parë në Iran.

Në vitin 1953, SHBA-ja dhe Britania e Madhe rrëzuan nga pushteti qeverinë demokratike të kryeministrit Mohamed Mosadeg, sepse ai dëshironte ta nacionalizonte industrinë e naftës, në mënyrë që nga pasuria shtetërore të përfitonin edhe iranianët, jo vetëm koncernet amerikane dhe britanike të naftës. Në pushtet u soll shah Reza Pahlevi, një marionetë e Perëndimit, që brutalisht shtypte opozitën. Rezultati i këtij sundimi: më 1979 mullahët bashkë me popullin e revoltuar përzunë regjimin e shahut.

Kësisoj, Irani u shndërrua në teokraci dhe nisi të sfidojë botën me kërcënimin se do të prodhojë armë bërthamore. Vetëm mund të merret me mend se si do të dukej sot Lindja e Mesme nëse do të ishte mbështetur qeveria demokratike e kryeministrit iranian Mohamed Mosadeg.

Në Ballkan po ndodh e kundërta me efekt të njëjtë negativ: Perëndimi po lejon – në emër të stabilitetit – që qeveritë të cilat formalisht kanë shumicën në parlament të demontojnë demokracinë, të fusin nën kontroll drejtësinë, të manipulojnë zgjedhjet, të kontrollojnë të gjitha degët e ekonomisë, të përgjojnë qytetarët (si në Maqedoni), të japin tenderë në mënyrë jostransparente (Shqipëri, Kosovë e gjetiu në Ballkan).

Kësaj i thonë aleancë me krimin, për fat të keq. Çmimin e kësaj politike cinike do ta paguajnë një ditë edhe Brukseli dhe Washingtoni. Por fatura më e shtrenjtë do t’u mbetet në tavolinë qytetarëve të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi.

robelli@bluewin.ch

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...