Mali i Zi betonon shtetësinë pas ftesës për t’u bërë anëtar i NATO-s

9 Dhjetor 2015 - 08:34 - Augustin Palokaj      

NATO-ja me këtë vendim ka dëshmuar se di të shpërblejë edhe lojalitetin në një kohë të vështirë. Mjafton të udhëtoni përmes bregdetit të Malit të Zi që të shihni se sa ka pasur deri më tash ndikim===== rus. Madje në disa mediume evropiane ka pasur edhe tituj si “Riviera ruse ftohet të anëtarësohet në NATO”. Mali i Zi ka qëndruar qartë krah NATO-s dhe BE-së në konfliktin me Rusinë, edhe pse për këtë shtet nuk ka qenë lehtë. Mali i Zi rreth kësaj nuk ka pasur asnjë dyshim dhe NATO-ja e ka vlerësuar këtë

Rrallë ndodh që për anëtarësim në NATO të ftohet vetëm një shtet. Edhe pse natyrisht zgjerimi i Aleancës është një proces në të cilin shtetet aspiruese vlerësohen në mënyrë individuale sipas meritave të tyre, zakonisht thirren në të njëjtën kohë disa prej tyre. Kështu, në vitin 1999, pikërisht gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s për t’i dhënë fund dhunës së regjimit të Serbisë në Kosovë, u anëtarësuan Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke. Në vitin 2004 u anëtarësuan edhe Sllovenia, Letonia, Estonia, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria, ndërsa në vitin 2009 Shqipëria dhe Kroacia. Kësaj radhe Mali i Zi është shteti i vetëm që u ftua t’i bashkohej kësaj Aleance. Kështu, të martën, Mali i Zi bëri një hap historik në forcimin e shtetësisë së vet me aktin e njëzëshëm të ministrave të jashtëm të 28 vendeve anëtare të NATO-s, që e ftuan të bëhet anëtare e 29-të e kësaj Aleance, duke vlerësuar se janë përmbushur të gjitha kushtet për një vendim të tillë.

Si zyrtarët e NATO-s ashtu edhe ata të Malit të Zi e kanë vlerësuar ftesën si një hap historik dhe të rëndësishëm jo vetëm për këtë shtet, por për tërë rajonin e Ballkanit dhe tërë Aleancën Veriatlantike. Kjo u vërejt edhe nga deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Dhe vërtet, edhe pse një vend i vogël, me pak më shumë se gjysmë milioni banorë, Mali i Zi ka rëndësi gjeostrategjike për NATO-n, duke qenë se është një vend bregdetar dhe ballkanik në të njëjtën kohë.

Shqipëria dhe Kroacia, dy shtetet më të reja anëtare të NATO-s, me pozicion gjeostrategjik në ngjashëm me atë të Malit të Zi, u ftuan për t’u bërë anëtare të në Samitin e Bukureshtit, në pranverën e vitin 2008, vetëm disa javë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dhe u bënë anëtare një vit më vonë, më 1 prill të vitit 2009, ku morën pjesë si anëtare të plotfuqishme në Samitin që u zhvillua bashkërisht në Strasbourg të Francës dhe Kehl të Gjermanisë.

Me anëtarësimin e Malit të Zi, NATO-ja tashmë ka rrethuar tërë rajonin e Mesdheut, pasi Turqia, Greqia, Shqipëria, Italia, Kroacia dhe Sllovenia janë tashmë në NATO.

Por vendimi për dërgimin e ftesës Malit të Zi ka rëndësi të madhe edhe politike në kohën kur janë kthyer konceptet e luftërave për zona të interesit. Rusia ka siguruar një rol mjaft të rëndësishëm në Ballkan duke shfrytëzuar lidhjet me Serbinë dhe komunitetin etnik serb në disa shtete rreth Serbisë. Kështu ndikimi i Rusisë shihet në entitetin serb “Republika Srpska” në Bosnjë-Hercegovinë, në Serbi, në veri të Kosovës dhe po ashtu edhe në Mal të Zi.

Rusia edhe kësaj radhe e ka quajtur ftesën e NATO-s ndaj Malit të Zi si “provokim”, gjë që e bën sa herë që zgjerohet NATO-ja. Zyrtarët e NATO-s edhe kësaj radhe kanë hedhur poshtë kritikat që dëgjohen nga Rusia, se me zgjerimin e NATO-s i bëhet provokim Rusisë dhe ky zgjerim nuk rrit stabilitetin. Vazhdojnë të pohojnë se zgjerimi i saj forcon Aleancën dhe nuk është e drejtuar kundër askujt.

Por gjithsesi NATO-ja me këtë vendim ka dëshmuar se di të shpërblejë edhe lojalitetin në një kohë të vështirë. Mjafton të udhëtoni përgjatë bregdetit të Malit të Zi që të shihni se sa ka pasur deri më tash ndikim rus=====. Madje në disa mediume evropiane ka pasur edhe tituj “Riviera ruse ftohet të anëtarësohet në NATO”. Mali i Zi ka qëndruar qartë krah NATO-s dhe BE-së në konfliktin me Rusinë, edhe pse për këtë shtet nuk ka qenë lehtë. Mali i Zi rreth kësaj nuk ka pasur asnjë dyshim dhe NATO-ja e ka vlerësuar këtë.

Në Mal të Zi ka parti proserbe dhe proruse, të cilat kundërshtojnë jo vetëm anëtarësimin në NATO, por edhe vetë ekzistimin e Malit të Zi si shtet, prandaj hyrja në NATO në një mënyrë mund të shihet edhe si forcim i shtetësisë së Malit të Zi. Këto forca në Mal të Zi nuk kanë arritur të fshihen prapa kërkesave për më shumë demokraci. Në ato protesta ka pasur parulla “Kosova është Serbi” dhe janë parë flamuj të Rusisë dhe fotografi të liderit rus, Vladimir Putin, që nuk kanë lidhje shumë me kërkesat për demokraci. Kjo pjesë e opozitës në Mal të Zi, e cila kundërshton anëtarësimin në NATO, është edhe opozitë e Qeverisë, por edhe opozitë e shtetit. Ata ishin edhe kundër shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi. Por në Mal të Zi ekziston edhe opozita ndaj qeverisë së Gjukanoviqit, e cila nuk është opozitë ndaj shtetit dhe i gëzohet anëtarësimit në NATO.

Në Mal të Zi ka shumë arsye për të protestuar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë probleme serioze. Ka sulme ndaj mediave dhe Mali i Zi vazhdon të kritikohet për këtë. Anëtarësimi në NATO nuk do t’i zgjidhë këto probleme e as që duhet ftesa e NATO-s të kuptohet si porosi se gjithçka në Mal të Zi është në rregull. NATO-ja i ka standardet e sundimit të ligjit dhe funksionimit të demokracisë pak më të ulëta sesa BE-ja, sepse vendimet e NATO-s bazohen më shumë në interesa gjeostrategjike dhe të sigurisë. Por gjithsesi kjo ftesë do ta ndihmojë Malin e Zi të ecë më shpejt drejt Bashkimit Evropian. Mali i Zi edhe në procesin e zgjerimit të BE-së ka avancuar më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit.

Por NATO-ja do të duhej të bënte një hap më të madh për të forcuar edhe stabilitetin e Ballkanit, dhe për të dëshmuar se interesat gjeostrategjike janë me prioritet më të madh sesa mospajtimet iracionale. Fjala është për rastin e Maqedonisë, e cila që nga viti 2008 i kishte përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e NATO-s, por për shkak të kundërshtimit të Greqisë nuk mori ftesën për anëtarësim. NATO-ja vazhdon të pohojë se dyert për Maqedoninë mbeten të hapura dhe ajo do të ftohet në NATO sapo të zgjidhet çështja e emrit. Maqedonia për shkak të emrit ka ngecur edhe në procesin e integrimeve në BE. Ajo ka statusin e vendit kandidat, por nuk ka datë për nisjen e negociatave.

Kështu Mali i Zi e tejkaloi Maqedoninë dhe do të bëhet anëtar i NATO-s para Maqedonisë, që duket absurde, duke ditur se kjo e fundit ishte e para nga rajoni që nisi procesin e anëtarësimit në NATO e Mali i Zi vendi i fundit. Nëse do të ndodhte ndonjë befasi dhe të zgjidhej çështja e emrit, Maqedonia do të mund të bëhej anëtare e NATO-s ndoshta edhe së bashku me Mali e Zi. Por një gjë e tillë nuk duket shumë reale, duke parë qëndrimet e palëve si në Shkup ashtu edhe në Athinë.

Për Kosovën, ku vazhdojnë të qëndrojnë ushtarët e NATO-s, zgjerimi i Aleancës në fqinjësi të saj është gjithmonë lajm i mirë. Edhe pse NATO-ja nuk e njeh Kosovën si shtet, dhe nganjëherë disa zyrtarë të saj apo përfaqësues në Kosovë sillen sikur Kosova nuk ekziston, NATO-ja do të vazhdojë të jetë garantuesi kryesor i sigurisë së Kosovës. Kështu do të jetë derisa të mos vijë dita që edhe Kosova të jetë në rrugën për t’u bërë anëtare e NATO-s. Sa më shumë fqinjë të Kosovës të jenë aty, aq më mirë. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...