Numri 20.000 dhe numri 0

5 Dhjetor 2015 - 10:17 - Adriatik Kelmendi      

Zero është numri i dënimeve që janë shqiptuar nga gjykatat për rastet e dhunimit 16 vjet pas përfundimit të luftës. 20 mijë është numri që qarkullon në përllogaritjen e grave të dhunuara nga forcat serbe gjatë viteve ’98-99

20 MIJË ËSHTË një shifër e madhe. Vetëm të ndalesh dhe të numërosh deri në 20 mijë një individi do t’i duheshin orë të tëra. Por ka edhe një numër tjetër. 0. Zero. Zero do të thotë asgjë. Zero është humbje, ose në rastin më të butë – vendnumërim.

Dhe paramendoni kur kjo shifër e parë me shumë zero është simbol i një krimi të rëndë, njërit prej më të monstruozëve që besohet të kenë ndodhur në luftën e Kosovës. Është numri që qarkullon në përllogaritjen e grave të dhunuara nga forcat serbe gjatë viteve ’98-99.
Ka edhe raste kur mendohet se kjo është një shifër paksa e fryrë, ka edhe të tjera kur thuhet se mund të jetë edhe më e madhe. Të dyja mund të jenë të vërteta. Madje edhe po të zvogëlohet për 10 herë ky numër, që në secilin rast paraqet një shifër joabsolute të një krimi absolut, kemi në anën tjetër një shifër absolute, që flet për mospërfillje absolute ndaj viktimave të krimit – numri 0.
Zero është numri i dënimeve që janë shqiptuar nga gjykatat 16 vjet pas përfundimit të luftës për rastet e dhunimit.
Ky është krimi i dytë i madh që i bëhet në kohë paqeje një krimi të madh të bërë në kohë lufte.
Cili është më i rëndë se tjetri?!

E KEQJA ËSHTË se si në Kosovë e si në Serbi marrja me drejtësinë penale, ashtu si dhe me drejtësinë transicionale, ka mbetur peng i problemit të pazgjidhur politik. Fakti që Serbia nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, ka bërë që si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë, tema e krimeve të luftës të nxirret prej sirtarëve varësisht se kur i duhet akëcilit politikan në kontekstin e momentumit politik në të cilin ndodhet.
Është një fakt mirëfilli i njohur se në Beograd për herë të parë u fillua të flitet për kamionët që kishin bartur trupat e civilëve shqiptarë të vrarë për t’i groposur në varrezat masive nëpër Serbi, vetëm pasi që opozita atje rrëzoi Milosheviqin dhe i duheshin si arsyetim krimet e kryera në Kosovë për ta bërë për vete opinionin publik.
Ngjashëm ndodhi edhe me kryeministrin e tashëm, Vuçiq, në kohën kur kritikohej për ato që quheshin marrëveshje të dëmshme me Kosovën ai nxori nga xhepi rrëfimin për vrasjen që dyshohet ta kenë kryer vetë shërbimi sekret serb ndaj gjashtë të rinjve serbë në kafiterinë “Panda” në Pejë.
E në njëfarë forme, edhe në Prishtinë u fillua të flitet për krimet e kryera në Kosovë ndaj serbëve, romëve, ashkalinjve, egjiptianëve dhe joshqiptarëve të tjerë, vetëm në kohën e debateve për themelimin e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale.
Ose ngrihet çështja e të pagjeturve shqiptarë e joshqiptarë, vetëm kur një subjekt politik nga opozita dëshiron ta sulmojë pushtetin, ose anasjelltas.
Shto këtu edhe numrin krejt të papërfillshëm të dënimeve të plotfuqishme të shqiptuara deri më tash edhe për rreth 13 mijë të vrarë, 120 mijë shtëpi të shkatërruara, rreth 1 milion njerëz të deportuar, e gjitha kjo flet për – padrejtësi të madhe.
Dy shtete, që pretendojnë të jenë pjesë e familjes demokratike evropiane, kujtohen për viktimat e luftës vetëm kur i duhen për (keq)përdorim elitave partiake e politike.
Qartësimi përfundimtar i raporteve të Kosovës dhe Serbisë ndërmjet vete - që i bie njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia - do të krijonte shumë më tepër hapësirë për t’u marrë me sinqeritet me viktimat e luftës dhe për të dënuar përgjegjësit e krimeve, ashtu siç kemi parë të ketë ndodhur edhe me rastin e luftërave të tjera në ish-Jugosllavi dhe raportet e shteteve të reja pas njohjes reciproke të sovranitetit.
Mirëpo, ndërkohë, nuk ka asnjë arsyetim se përse si shoqëri të të dyja vendeve nuk ushtrojmë trysni më të madhe në institucionet e shtetit që t’i kthejnë sytë kah viktimat.

0 ËSHTË NUMRI i të dënuarve, por 20 mijë ai i viktimave. Këtë shifrën e fundit e përmendin të gjithë, por për atë të parën nuk mund ta arsyetojë askush.
Vazhdon të jetë mbi 1.650 edhe numri i personave të pagjetur.
Në Kosovë, më në fund, ka kaluar një ligj që merret me trajtimin e viktimave të dhunës seksuale, ku parashihen shumë përfitime për këtë kategori viktimash.
Po ashtu, ka disa organizata joqeveritare dhe disa këshilla në nivel qeverie ose të presidencës që merren me ballafaqimin me të kaluarën dhe viktimat e luftës, por rezultati real është kryesisht dëshpërues.
Të humbur në procedura, numra e probleme qasjeje, si dhe me pengesat e moszgjidhjes së problemeve politike Kosovë - Serbi, hapat me të cilët ecet përpara janë ato të breshkës.
E viktimat e dhunimit dhe familjarët e të pagjeturve tash e 16 vjet bien çdo natë në gjumë dhe zgjohen çdo ditë në agim me të vetmen brengë të mbështjellë me zhgënjim – kur do të ketë drejtësi për ne!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...