Epilogu i dialogut: Serbia duke dhënë minimumin mori maksimumin

23 Prill 2014 - 11:20 - Augustin Palokaj      

Në Bruksel të gjithë e pranojnë se Serbia, falë dialogut me Kosovën, mori statusin e kandidatit për në BE, nisi negociatat e anëtarësimit dhe nuk u kërkua nga ajo që të ndryshojë qëndrimin se Kosova është „pjesë e pandashme e Serbisë“. Kosova për këta tre vjet ka bërë vetëm një gjysmë hapi drejt arritjes së një Marrëveshjeje të Stabilizim-Asociimit me BE-në, por edhe kur të arrihet nuk dihet fati i saj formal

Para dhjetë ditësh në një sallë të Parlamentit Evropian në Bruksel zhvillohej një debat për Ballkanin dhe procesin e zgjerimit të BE-së. Këtë debat e kishte organizuar grupi i Partive Popullore Evropiane (EPP), e cila mbledh në gjirin e saj partitë demokristiane dhe konservatore evropiane e nga Kosova aty bën pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa nga Shqipëria Partia Demokratike.

Edhe pse pikërisht EPP-ja është gjithnjë e më skeptike ndaj procesit të zgjerimit, ky debat pati për qëllim të konfirmojë se ky proces i BE-së do të vazhdojë dhe një ditë të gjitha vendet e Ballkanit do të anëtarësohen në BE. Por i tërë debati mbeti në hije të një incidenti, i cili, në rrethana normale, do të quhej skandal i vërtetë. Kryetari i Kuvendit të Serbisë refuzoi të ulej në ulësen e tij kur pa aty se në mesin e shumë flamujve ishte vendosur edhe flamuri i Kosovës. Ai dha ultimatum që flamuri i Kosovës të hiqej përndryshe nuk do të merrte pjesë.

Dhe kërkesa e tij u aprovua, por, për të mos e lënë Kosovën të diskriminuar, u hoqën të gjithë flamujt. „Ja ky është ai normalizimi dramatik i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë“ komentoi me cinizëm një parlamentar evropian.

Dhe vërtet, mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë normalizuar raportet. Falë dialogut janë relaksuar disa çështje, por thelbi i problemit ka mbetur. Raportet nuk mund të quhen normale përderisa një shtet, siç është Serbia, jo vetëm se refuzon ta njohë Kosovën si shtet fqinj ,por e konsideron si pjesë të territorit të saj. Pra sot Serbia është i vetmi shtet në Evropë, ndoshta krahas Rusisë, i cili ka pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër. Dhe kjo kurrsesi nuk mund të quhet normalitet.

Serbia nuk heziton në asnjë rast, në asnjë vend, për asnjë gjë që të insistojë që Kosova të mos trajtohet si shtet. E bëjnë këtë përfaqësuesit e saj edhe në politikë, edhe në nismat rajonale dhe në ato ndërkombëtare, edhe në ngjarjet kulturore dhe ato sportive. E bëjnë gjithmonë dhe gjithkund ku munden. Dhe Kosova nuk ka çfarë të bëjë. Ky është një realitet i situatës aktuale, e cila është dashur të ishte krejt ndryshe sikur të ishin të vërteta pohimet e Brukselit dhe Prishtinës për „ndryshime dramatike“ në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë falë dialogut të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Ndërkohë aq shumë flitet për „marrëveshjen historike“ mes dy kryeministrave, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë, saqë fitohet përshtypja sikur në këtë dialog të jetë parandaluar Lufta e Tretë Botërore. Madje ka pasur nisma individuale që të nominohen hiç më pak se për Çmimin Nobel për Paqe dy kryeministrat dhe nikoqirja e tyre, Ashton.

Me përjashtim të kryeministrit të Kosovës, i cili vetë mund të vendosë se çfarë të pranojë e çfarë jo, aktorët tjerë në këtë dialog janë vetëm persona që kryejnë pjesën teknike të punës, sepse vendimet merren diku tjetër. Ashton ndërmjetëson dialogun, por përfitimin e palëve që të „bëjnë lëshime“ e rregullojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe disa shtete të tjera. Për qëndrimet e Serbisë nuk ka vendosur as në të kaluarën kryeministri Daçiq, por zëvendëskryeministri Vuçiq, i cili tash dhe formalisht do të jetë kryeministër.

Sa për fuqinë e baroneshës Ashton delegacioni i Kosovës as nuk do të nisej nga Prishtina për Bruksel. Edhe kur bën lëshime, shpesh të dhimbshme, delegacioni i Kosovës thirret në „mbështetjen“ e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një gjë dramatike që ka ndodhur janë ndryshimet që i ka bërë Serbia në rrugën e saj drejt integrimeve në BE. Këtu Serbia, e cila para dialogut ishte e fundit në rajon në këtë rrugëtim, tash ka dalë para shumë shteteve, si Shqipëria dhe Maqedonia.

Në Bruksel të gjithë e pranojnë se Serbia, falë dialogut me Kosovën mori statusin e kandidatit për BE, nisi negociatat e anëtarësimit dhe nuk u kërkua nga ajo që të ndryshojë qëndrimin se Kosova është „pjesë e pandashme e Serbisë“. Kosova për këta tre vjet ka bërë vetëm një gjysmë hapi drejt arritjes së një Marrëveshjeje të Stabilizim- Asociimit me BE-në, por edhe kur të arrihet nuk dihet fati i saj formal.

E Serbia, e cila qëmoti është në listën e vendeve qytetarët e së cilës nuk kanë nevojë për viza për të udhëtuar në vendet evropiane-perëndimore, ka arritur të realizojë qëllimet e saj edhe brenda Kosovës. Është e vërtetë se ka pranuar që në Kosovë të ketë vetëm një sistem të drejtësisë. Ka pranuar që të zhvillohen zgjedhjet në tërë territorin e Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Por në këtë mënyrë Serbia është bërë faktor kyç në zhvillimet e brendshme në Kosovë. Serbia pyetet se kur mund të zhvillohen zgjedhjet, pyetet se sipas cilave kushte mund të zhvillohen ato.

Serbia ka rol udhëheqës në krijimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave brenda territorit të Kosovës. Serbia organizon edhe zgjedhjet e veta në territorin e Kosovës. Këto janë fakte dhe realitet, ndërsa forma bëhet përmes OSBE-së, anëtare e së cilës është Serbia, por Kosova nuk është. Në të ardhmen Serbia do ta ketë edhe rolin e rëndësishëm në qeverisjen e Kosovës në nivelin qendror, sidomos në Kuvendin e Kosovës. Duke pasur parasysh se vendimet kryesore në Kosovë do të duhet të miratohen me shumicën e dyfishtë, pra edhe me shumicën e votave të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, dhe duke pasur parasysh se shumica e deputetëve serbë do të jenë në të ardhmen të mbështetur, e besa edhe të zgjedhur nga Beogradi, kjo i jep Beogradit një rol të jashtëzakonshëm.

Dhe krejt kjo falë dialogut përmes të cilit ndoshta janë zhdukur strukturat paralele të Serbisë në veri, por ndoshta është legjitimuar roli i Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Privatisht dhe në mënyrë diskrete edhe në Bruksel disa diplomatë evropianë pranojnë se dialogu ka legjitimuar në një mënyrë segregacionin etnik në Kosovë më shumë sesa që ka ndihmuar në zhvillimin e multietnicitetit dhe multikulturalizmit. Në këtë humbës të mëdhenj kanë qenë ata serbë të cilët edhe më parë, madje përkundër kërcënimeve edhe fizike të Beogradit, ishin integruar në strukturat e shtetit të Kosovës.

Ata humbën bindshëm në zgjedhjet e fundit lokale dhe gjasat janë që të humbin edhe në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, sepse Beogradi do t’i ketë kandidatët e preferuar të vet. Dhe serbët do të dalin në zgjedhjet parlamentare të Kosovës vetëm nëse Serbia do të pajtohet me një gjë të tillë. Nga ky dialog ka dalë ky legjitimim i strukturave paralele serbe, më shumë sesa shpërbërje, dhe kjo do të ketë pasoja afatgjatë për zhvillimet në Kosovë. Madje Kosova ka ardhur në një situatë bizare duke qenë shteti ndoshta edhe i vetëm në botë ku për të votuar në zgjedhjet nacionale nuk ke nevojë të kesh dokumente që dëshmojnë shtetësinë.

E të gjitha këto lëshime që janë bërë nga Kosova janë arsyetuar me „interesa madhore“, siç është integrimi në BE. Në këtë integrim Kosova nuk ka lëvizur shumë. Kur të arrihet MSA-ja do të shihet qartë ajo që tashmë shihet nga draftet e saj, se ajo nuk është e njëjtë me marrëveshjet që BE-ja ka me shtetet tjera të rajonit. Ajo gjithsesi do të jetë e rëndësishme për Kosovën, por formalisht nuk do të shënojë ndonjë hap drejt integrimeve evropiane, për shkak se Kosova nuk trajtohet si shtet nga BE-ja, si pasojë e mosnjohjes nga 5 shtete anëtare. Dialogu jo që nuk ka ndihmuar që këto shtete ta njohin Kosovën, por ato janë stimuluar nga organizatorët e dialogut që të mbajnë qëndrimin refuzues për të pasur një argument në favor të Beogradit duke i garantuar se „BE-ja në dialog është neutrale ndaj statusit“.

Pra Kosova ndoshta ka hequr disa pengesa për t’u përfshirë në nisma rajonale, edhe që të negociojë MSA-në, por nuk e ka hequr pengesën kryesore formale për të nisur rrugën drejt integrimeve në BE: atë të zyrtarizimit të shtetësisë së saj në raport me Bashkimin Evropian. Kosova nuk i ka realizuar as qëllimet për liberalizim vizash, një çështje e cila është emocionalisht shumë e ndjeshme për qytetarët e Kosovës.

Në këtë njëvjetor të arritjes së Marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë ky është epilogu i deritashëm i dialogut. Ky dialog ka relaksuar pak raportet, por nuk i ka normalizuar. Ky dialog ka futur Kosovën në një status quo të re. Ky dialog ka sjellë një marrëveshje dhe pas arritjes së saj është negociuar për zbatimin e saj. Nëse vërtet fati i Kosovës dhe i integrimeve të saj në BE do të varet nga ky dialog, me këtë ritëm çfarë kemi parë deri më tash, na pret një periudhë shumëvjeçare dhe e paqartë.

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...