Zoti Kerry, Ju lutem, shpëtojeni vendin tim!

4 Dhjetor 2015 - 08:19 - Halil Matoshi      

Tepër gjatë kemi shikuar drejt greminës dhe tashti gremina po na sheh ne – i nderuari Zoti Sekretar. Liderët politikë po e shpijnë vendin tonë në greminë, prandaj ndërhyni me fuqinë tuaj që buron nga drejtësia, bëji bashkë pushtet dhe opozitë për t’i detyruar të punojnë bashkë për Kosovën prosperuese dhe të mirëqenë e demokratike, përndryshe këta liderë që Ju sot do t’i takoni, Zoti Sekretar, ia kanë përgatitur dhe po e kanosin vendin e vet me luftë civile! Ju lutem, Zoti Kerry, bëje këtë, sepse shteti Juaj ka përgjegjësi edhe për ne, për familjet tona, për fëmijët tanë dhe për brezat që po rriten në ankth e pashpresë në këtë vend…

Zoti Sekretar, John Kerry!
Ju do të takoni liderë të çaraveshur, që do të përkulen me hipokrizi para Jush dhe që do t’Ju lajkatojnë: se Ju duan Ju, se e duan demokracinë Tuaj të madhe dhe se i besojnë ShBA-së!?
Por dijeni, se posa Ju të largoheni, ata do të zgërdhihen së qeshuri, ngase pretendojnë t’Ju kenë mashtruar, pra mos lejoni që vizitën Tuaj në Kosovë ta kuptojnë si mbështetje për ta – ata janë të pabesë - ata janë të ligj dhe e kanë etabluar një sistem kakistokratik!?

Një pushtet luksi e furdesh të pamatë, në kohën kur 11 % e popullsisë vuan për bukën e gojës!
Kurse vetëm vitin e kaluar dhe në pranverën e sivjetme kanë braktisur vendin rreth 150 mijë të reja e të rinj, për të kërkuar të drejtën e dëshirimit për lumturi në vendet e Evropës Perëndimore.
Prandaj, kujdes me ta - me këta liderët tanë batakçinj - sepse janë njerëz që kurrë s’të shikojnë në sy!
Dhe luajnë lojëra të dyfishta…

Ka sa të duash tiranë të vegjël në pushtet, që vetes i thonë të djathtë dhe shajnë ditë e natë komunistët, të majtët, nga prizmi fashist dhe tek opozita ka plot kapobanda, zhvatës e demagogë të përsosur, që shajnë neoliberalizmin, kapitalizmin, të drejtat e njeriut, që duan të shtypin si pleshtat individët e lirë, që në emër të tregimeve të mëdha të shekullit të kaluar, duan ta zaptojnë të sotmen dhe të nesërmen tonë…

Ta monopolizojnë historinë, gjuhën dhe të mirat materiale të një kombi të përçarë.
Pra ndërhyni sot në krizën kosovare, Zoti Sekretar i Shtetit, sepse nesër është vonë…
Vizita Juaj në Kosovë ka rastisur të bëhet në kohën e krizës më të rëndë të vendit, për të cilin Ju, Zoti Sekretar, së bashku me aleatët, u nisët në luftë, që të shpëtonit ata qindra e mijëra njerëz të pashpresë, të mbetur maleve, pa bukë e ilaçe, nën rrethimin e egër dhe nën mëshirën e Kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq, dhe trupave të tij mizore!

Ju i shpëtuat këta fatzinj në emër të drejtësisë universale, në emër të njerëzimit, vlerave të lirisë, porse Ju nuk mund ta merrnit me mend sesa pak e duan atdheun e vet këta njerëz që sot janë ngjitur në majat e pushtetit, përmes abuzimit të votës së lirë, përmes frikës dhe frikësimit.
Pra mos u largoni nga vendi ynë, Shkëlqesi, pa e ndalur këtë rrokullisje drejt ambisit, pa e marrë zotimin e tyre se do t’i etablojnë të katër liritë themelore, e veçmas të lirisë nga frika – siç bëri ish-Presidenti Franklin Delano Roosevelt, kur iu drejtua Kongresit më 1945, në fjalimin e tij inaugurues!

Sepse vendi ynë i është afruar luftës civile, që po e nxisin vetë liderët politikë, ata të pushtetit dhe të opozitës, përmes lojës së dyfishtë, e për t’iu shmangur Gjykatës Speciale, eventualisht për ta negociuar drejtësinë ndërkombëtare!

Lufta civile dhe shpërbërja e shtetit dhe e shoqërisë, po i kanoset vendit tonë, Zoti Sekretar, ngjashëm sikur Sirisë, jo pse grupet e ndryshme të shoqërisë kosovare po e duan këtë, jo pse qytetarët janë përplasur mes tyre, porse, elita politike po e mësynë dominimin e shoqërisë, heshtjen e kritikëve dhe kundërshtarëve politikë, për t’u imponuar nesër, në fatkeqësi, mizorët si njerëz të paqes, si të vetmit që mund ta rikthejnë atë, si të domosdoshëm e shpëtimtarë…

Që vetë ata, disa nga ata njerëz të fuqishëm të Kosovës, që mund të kenë problem me drejtësinë ndërkombëtare t’i shpëtojnë asaj, duke shpresuar se drejtësia mund të negociohet, ashtu siç kanë bërë në kontinuitet që nga paslufta e këtej.

Shkëlqesi, Kosova gjendet në valën e krizës më të frikshme që nga marsi i vitit 2004.
Prandaj, ndërhyni, sepse kauza kundër Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, mund të ushqejë etnonacionalizmin që pashmangshëm shpie në dhunë, pra në një model të “Natës së Kristaltë”, ngase metodat e manipulimit me masat janë shumë të sofistikuara dhe kanë trishtueshëm ngjyrime fashiste!

Nënkuptohet që ShBA-ja do ta mbështesë Kosovën, për popullin e së cilës investuan aq shumë si në rimëkëmbje ekonomike, po ashtu edhe në shtetndërtim - mirëpo – Ju Zoti Kerry e keni në dorë, nëse këtë mbështetje do t’ia jepni popullit paqedashës të Kosovës apo këtyre liderëve abuzivë e rrenacakë, thellësisht të rreshtuar kundër lirive civile, kundër vendit të vet, të cilin e kanë ngulur në majë të shtizave që mbajnë në duar si një plaçkë lufte!
Përndryshe, ky lidership po të kishte pak vullnet politik dhe sinqeritet vetë do të kërkonte nga Ju ndërmjetësim, për t'i bërë një ofertë të sinqertë opozitës për një tryezë politike pa kushte nga asnjëra palë.

Për të gjetur zgjidhje politike, brenda dy orësh, sepse problemi është thjesht politik.
Ne, opinionistë e gazetarë, ne, shoqëria civile, si dhe disa deputetë (si Vjosa Osmani e Ilir Deda) në kontinuitet kemi kërkuar pezullimin e Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, jo për ta ndalur këtë proces, por për të parë nëse mund të jetë vërtet në kundërshti me Kushtetutën e vendit apo jo, pra për të verifikuar nëse është kauzë e drejtë e opozitës ose jo, nëse paraqet pushtet paralel me shtetin e Kosovës ose jo…

Mirëpo pushteti sillet me arrogancë, pasi që i ka dy të tretat e numrave në Kuvend dhe në mënyrë gati groteske synon ta drejtojë vendin nominalisht demokratik pa opozitën si pjesë e sovranitetit të popullit, kurse opozita nuk dëshiron të dëgjojë as për Gjykatën Kushtetuese dhe as për Komisionin e Venedikut dhe për asgjë tjetër, sepse ka një kërkesë ekskluziviste, e cila duke e ditur se është e parealizueshme shpie në përplasje të pashmangshme.

Në anën tjetër, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ndonëse nuk është ratifikuar në Kuvend, mund të revidohet, sepse është thjesht një keqkuptim.
Vetë demarkacioni i kufirit d.m.th. paraqet vendosje të kufirit të ri mes dy entiteteve shtetërore, që nuk kanë qenë më parë të tilla, pra ai nuk ka qenë kufi i qartë ndërshtetëror, porse një kufi administrativ, me copa tokash që i kanë shfrytëzuar të gjithë, ose askush, por që askush s’e ka ditur me saktësi se kujt i takojnë.
Pra demarkacioni është përcaktim i kufirit e jo domosdoshmënisht luftë për kufijtë e vjetër e të padefinuar.

Zoti Sekretar, Kosova është në krizë të thellë legjitimiteti, ndonëse ka një Qeveri të ligjshme, prandaj, edhe marrëveshja për zgjedhje të parakohshme (në vitin që vjen) mund të paraqesë një nga strategjitë e daljes nga kjo krizë ku është katandisur vendi ynë.

Tashmë po bëhen dy vjet të humbura për ekonominë, reformat politike dhe parlamentarizmin e brishtë kosovar.
Tashmë dy vjet opozita është e margjinalizuar dhe e frustruar nga arroganca e modelit kosovar të fuqisë së numrave, prandaj ka shpërthyer edhe dhuna.

Mirëpo, dhuna është pasojë e një gjendjeje pa shtegdalje - sepse diskursit agresiv - i ka paraprirë pushteti i Hashim Thaçit në dy mandate dhe tash në të tretin me LDK-në - ky njeri ka të njëjtën qasje: të hedh benzinë në zjarr!
Shteti është kapur nga një klasë kleptokratike, mujshore dhe e padijshme skajshmënisht me ndihmën e ish-organizatës ilegale të quajtur Shërbimi Informative i Kosovës (SHIK).

Shtetin e ka kapur një elitë e fuqishme, por injorante për sa i përket shtetndërtimit, që s’ka ide për rezonin shtetëror (meritokraci e dalë nga lufta e ish-gueriles UÇK.)
Institucionet janë përfshirë nga klientelizmi e nepotizmi tmerrues, janë “mbytur” nga armata e njerëzve të fortë, që kanë qëndruar gjatë mbi ligjin.

Opozita e dëshpëruar i është kthyer dhunës, e cila nuk i ndihmon asaj të rrisë numrin e votuesve as ta kanalizojë pakënaqësinë qytetare. Dhuna nuk i ndihmon askujt në arritjen e qëllimeve politike, mirëpo opozita e sheh si mjet të domosdoshëm për ta përmbysur Qeverinë e të ligjve.

U pa edhe më 28 nëntor të këtij viti se qytetarët janë të pakënaqur me qeverisjen, por ata nuk janë përplasur mes vete, ata e duan paqen dhe lirinë.
Pra qytetarët ua kanë kthyer shpinën si pushtetit, ashtu edhe opozitës, sepse pushteti nuk ka ide si të dilet nga kriza (është në masë të madhe pushtet injorantësh abuzivë), kurse opozita ka ndërtuar kauza të paqëndrueshme, ngase nënshkrimi i Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave serbe është i pakthyeshëm!

Pra dialogun politik duhet ta kërkojë pushteti, por pa kushte. Dialog politik e kompromis duke vënë paraprakisht kushte nuk ka, pra as zgjidhje.
Zoti Sekretar i Shtetit, këto ditë dhune qytetari i rëndomtë ka parë skena të frikshme, kur pushteti urdhëron për të bastisur selinë e partisë më të madhe opozitare me forcat antiterroriste, e në anën tjetër sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, që është në opozitë, bastis qytetin dhe qytetarët, duke i nxjerrë ata nga veturat në mënyrë arbitrare sipas modelit të Gestapos apo policive sekrete në ish-Lindjen komuniste.

Pra, grupet politike janë tashmë në luftë për të vrarë - sa s’janë vrarë!?
Zoti Sekretar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, populli i Kosovës sheh te shteti Juaj, te Presidenti Obama dhe te Ju shpëtimtarin – të tretën herë – dhe e treta e vërteta, thonë ballkanasit.

Së pari, Presidenti amerikan, Woodrow Wilson, kishte ndërhyrë në emër të pavarësisë së Shqipërisë nga 1919 deri 1920, me forcë, duke argumentuar kundër një ndarjeje të propozuar të Shqipërisë nga Konferenca e Paqes në Paris dhe më pas duke bërë të mundur që Shqipëria të arrinte shtetësinë dhe njohjen ndërkombëtare nga Lidhja e Kombeve.

Së dyti, kur Presidenti Clinton e ndali mizorinë e Milosheviqit, kurse dhe më 10 qershor 2007 Presidenti Bush Junior deklaroi në Fushë-Krujë: ‘What is enough, is enough, Kosovo is independent state!’ (Çka është mjaft, mjaft është, Kosova është shtet i pavarur!)

Dhe qe, Madhëri, shpëtimin e tretë nga lëngata, nga shpërbërja e kësaj shoqërie e keni në dorë Ju!
Dhe po Jua kërkojmë sërish Juve!
Ju e dini se sentimenti proamerikan është i fortë dhe i përhapur gjerësisht te popullata shqiptare.

Prandaj fjalët Tuaja kanë impakt!
Ndërhyni Ju lutem, Zoti Sekretar – në emër të fëmijëve të mi, që duan të jenë të lumtur në vendin e vet, të marrin një shkollë dhe të kenë një punë – në emër të qytetarëve kosovarë, që kanë vuajtur aq shumë në dhunë e padrejtësi.
U thoni politikanëve të tyre: ‘Enough is enough”! (Mjaft, është, mjaft…!)

Paç një ditë me fat në Kosovë dhe Zanat e Malit, ato orëmirat e legjendave të moçme shqiptare qofshin me hijen Tënde!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...