Foto: Koha / arkiv

Për çka po akuzohet ish-kreu i Lipjanit, Shukri Buja [video]

13 Shkurt 2017 - 19:18      

Ish-kryetari i komunës së Lipjanit, tani deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Shukri Buja, do të përballet me një tjetër proces gjyqësor.

Ndaj Bujës, tetë zyrtarëve të tjerë dhe një ndërtuesi, Prokuroria e Kosovës ka ngritur aktakuzë për veprat penale të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe keqpërdorimesh të tjera, raporton KTV.

Sipas njoftimit të dëmtuar nga këto veprime përveç komunës, janë edhe ndërmarrjet shoqërore nën menaxhimin e AKP-së.

Të akuzuarit dyshohet se kanë nxjerrë vendime, me të cilat fillimisht kanë eksproprijuar dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe pronat komunale, me qëllim të eksploatimit të xehes së nikelit.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se të njëjtët akuzohen edhe për një varg shkeljesh dhe keqpërdorimesh të tjera të kryera me dashje, të përshkruara si në aktakuzë.

I kontaktuar nga Kohavisioni, Buja nuk ka dashur të komentojë për këtë aktakuzë, duke thënë se zyrtarisht ende nuk ka marrë ndonjë njoftim nga Prokuroria.

Për një keqpërdorim të tillë të ish-kryetarit Buja, Kohavisioni kishte raportuar qysh moti.

Gjatë kohës sa ishte kryetar komune Shukri Buja, konkretisht në vitin 2008, kompania NeëCo Ferronikeli kishte shpronësuar disa hektarë tokë në Magurë të Lipjanit.

Shpronësimi i këtyre tokave ishte bërë me një vendim të propozuar nga Buja, pas të cilit ishte bërë edhe vlerësimi i pronave.

Pagesa të cilën e kishte bërë Feronikeli në vlerë prej 75 mijë eurosh nuk kishte figuruar në asnjërën nga llogaritë e kësaj komune. Auditori i brendshëm komunal nuk e kishte gjetur se ku kanë përfunduar paratë.

Por më pas Ferronikeli i kishte prezantuar auditorit llogarinë se ku i kishte dërguar 75 mijë euro. Paratë kishin përfunduar në llogarinë personale të djalit të Shukri Bujës. 


Për çka po akuzohet ish-kreu i Lipjanit, Shukri... by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...