Jamie Shea: Kam dy shtëpi, një në Mbretërinë e Bashkuar dhe tjetrën në Kosovë

19 Shkurt 2016 - 12:55      

Prishtinë, 19 shkurt - Në një ceremoni solemne, në Teatrin AAB, Kolegji AAB nderoi me Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, ish-zëdhënësit të NATO-s, z. Jamie Shea, për kontributin e dhënë në ndihmën, përkrahjen dhe shpëtimin e refugjatëve dhe popullatës civile në Kosovë gjatë periudhës mars – qershor 1999.

Në prezencën e shumë mysafirëve, të ftuar nga institucionet shtetërore, përfaqësues të ambasadave të huaja, përfaqësues të medieve, shoqërisë civile, profesorë dhe studentë, ceremonia nisi me shfaqjen e një filmi të shkurtër dokumentar, i punuar nga Produksioni Medial AAB, në të cilin u tregua vepra dhe kontributi i z. Jamie Shea,në kohën kur populli i Kosovës kishte më së shumti nevojë.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se prezenca e Sheanderon të gjithë popullin e Kosovës, transmeton Koha.net.

Ai çmoi lartë vendimin e NATO-s në atë kohë për të bombarduar forcat serbe, të cilin e cilësoi si vendim për parimin e humanizmit, ndërsa shtoi se NATO kishte zëdhënësin e tij, i cili për popullin shqiptar ishte shndërruar në zë të shpresës.

“Këtu e 17 vjet më parë, aleanca më e madhe ushtarake në botë, NATO, vendosi t’i dalë në ndihmë popullit të Kosovës, të cilit po i kanosej qenësia e tij. NATO përballë çdo parimi tjetër vendosi parimin humanitar duke plotësuar të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar në atdheun e vet. Kjo aleancë kishte zëdhënësin e saj, që për ne ishte shndërruar në zë të shpresës për jetë. Kishte zëdhënësin të cilin ne sot e kemi nderin dhe privilegjin ta kemi në mesin tonë zotin Jaime Shae.

Zoti Shea, 17 vjet pas kësaj ne ju kemi ftuar në Kosovën e re, të lirë dhe të pavarur që t’ ju themi faleminderit, që t’ ju themi se Kosova dhe shqiptarët ju janë gjithmonë mirënjohës, që nuk do të ju harrojnë kurrë, as ju as NATO-n, dhe as popujt miq që i dhanë lirinë Kosovës!”, tha Tafa.

Ndërkaq, laureati i Çmimit Ndërkombëtarë për të Drejtat e Njeriut të Kolegjit AAB, z.Jamie Shea,tha se këtë çmim do të dëshironte ta ndante me pilotët e NATO-s, të cilët kryen operacione të rrezikshme gjatë bombardimit të forcave serbe, dhe me trupat e KFOR-it që patrullojnë në Kosovë që nga paslufta.

Shea theksoi se edhe pse nuk duhen aq shumë ushtarë të NATO-s prezentë në Kosovë, ai ka garantuar që NATO do të ndihmojë popullin e Kosovës deri sa të jetë nevoja.

“Më vjen keq që nuk e zura përvjetorin e tetë të pavarësisë për vetëm një ditë, megjithatë ndjehem mirë që jam sonte këtu me ju...Nëse e meritoj këtë çmim, apo jo - është diçka për të cilën mund të flasim, sepse në të vërtetë roli im gjatë asaj kampanje ishte në studiot televizive, në konferencat e shtypit. Me lejen e rektorit, do të doja ta ndaja këtë çmim me pilotët e guximshëm të NATO-s që kryen misionet e rrezikshme, ndryshe nga unë, që sfiduan rreziqet fizike. Nëse do të më lejonit do të doja të ndaja këtë çmim, po ashtu, me të gjithë ushtarët e KFOR-it. Gjatë këtyre viteve, qindra mijëra ushtarë të NATO-s kanë patrulluar nëpër Kosovë. Ndoshta nuk duhen kaq shumë ushtarë prezentë këtu, por më lejoni t’ ju garantoj, derisa do t’ ju duhen për t’ ju ndihmuar në rrugën e një lirie më perfekte, demokracie e prosperiteti, do të jemi këtu për t’ ju ndihmuar”, tha Shea.

Shea përgëzoi qytetarët kosovarë për progresin e arritur gjatë viteve të pasluftës, duke krahasuar me imazhet e zymta që ai mban mend që nga viti 1999.

“Më lejon i të them, arsyeja pse unë isha kaq i entuziazmuar pas Pavarësisë së Kosovës në vitin 1999, derisa NATO-ja po bënte gjënë e duhur, është sepse kisha një besim të thellë se ky mund të jetë një vend madhështor. Nuk është e thënë të jeni të mëdhenj sot në botë, për të qenë të madhështor. Dhe vazhdoj të besoj në këtë. I kthyer sot në Prishtinë, vërej këtë frymë të re, gjithë këto dyqane të reja dhe ndërtesa, duke shikuar njerëzit që janë mirë të veshur dhe me buzëqeshje në fytyrat e tyre. Kështu nuk dukeshit në vitin 1999. Urime, keni bërë progres të madh në vetëm tetë vjet, por mendoj se mund të bëni më shumë në të ardhmen”, theksoi Shea.

Me rastin e marrjes së Çmimit z. Shea gjithashtu tha se tani Kosova është e pavarur dhe, nëse diçka shkon keq, atëherë vet shteti është fajtor për këtë! Por, ai ritheksoi që është detyrë e komunitetit ndërkombëtar që t’ i ndihmojë Kosovës në rrugëtimin e saj, me NATO-n dhe me institucionet tjera relevante të Bashkësisë Ndërkombëtare.

“Tash që jeni të pavarur është përgjegjësia juaj! S’mund ta fajësoni askënd përveç veten tuaj nëse gjërat shkojnë keq. Por është detyrë e komunitetit ndërkombëtar të ju ndihmojë dhe asistojë, dhe unë për gjithë jetën time do të jem një nga miqtë më të mirë të Kosovës për t’ ju ndihmuar në rrugëtimin tuaj, me NATO-n dhe më gjerë! Por, të themi, se sa më shumë që ju ndërmerrni reforma të thella në marrëdhëniet me fqinjtë, pa marrë parasysh se sa e vështirë mund të jetë, aq më e lehtë do të jetë për ne të gjithë që t’ ju ndihmojmë dhe ta bëjmë Kosovën një Singapor evropian në të ardhmen. Me të vërtetë besoj se ju keni aftësinë për ta bërë këtë. Keni kapitalin njerëzor dhe gjithçka që ju duhet për këtë tregim suksesi. Besoj se brenda disa vjetësh, Kosova do të integrohet në institucionet atlantike të Evropës. Do ta kompletojë ribashkimin e Evropës dhe Evropa do të jetë më mirë me integrimin e Kosovës, në të njëjtën mënyrë sikur ju që do të jeni më mirë me integrimin në Evropë”, tha Shea.

Në këtë ceremoni solemne, e cila u transmetua drejtpërdrejt edhe në Radio Televizionin Publik të Kosovës,u dha edhe një program artistik interpretuar nga Orkestra Harkore e Filarmonisë së Kosovës.

Kolegji AAB ka të themeluara pesë çmime ndërkombëtare: Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrime;Çmimin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut; Çmimin Ndërkombëtar për arritje Shkencore e Artistike; Çmimin Ndërkombëtar për Letërsi dhe Çmimin ndërkombëtar për arritje në Sport.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...