Me strategji përcaktohen kahet e zhvillimit pesëvjeçar të arsimit

4 Dhjetor 2015 - 12:22      

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami sot mori pjesë në hapjen e punëtorisë planifikuese për Planin e ri Strategjik për Arsim në Kosovë 2017-2021, e organizuar nga MAShT, në bashkëpunim me projektin e GIZ-it për ndërtimin e kapaciteteve në arsimin fillor.

Ministri Bajrami ka theksuar se ky planifikim strategjik do të përcaktojë kahet e zhvillimeve në arsim, në pesë vjetët e ardhshme dhe ky është momenti, i cili duhet të shënojë kthesë në arsim, njofton përmes një komunikate Zyra për komunikim publik e MAShT-it, transmeton Koha.net.
Plani i ri Strategjik do të jetë plan real dhe i përshtatshëm me programin qeveritar për arsim dhe nevojat që ka shteti i Kosovës, është shprehur gjatë këtij takimi ministri Bajrami.

“Nuk ka proces më të rëndësishëm për Ministrinë e Arsimit, se sa të fokusohemi me shumë seriozitet dhe përgjegjësi në planifikimet tona të sakta sa i përket qëllimeve, objektivave dhe synimeve tona në pesëvjeçarin e ardhshëm. Plani i ri duhet të jetë një plan real, i përshtatur me nevojat që ka shteti i Kosovës, me programin qeveritar dhe me atë që ne e kemi quajtur prioritet kombëtar, arsim cilësor dhe të avancuar për rininë e Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Bajrami më tutje ka shtuar se është ndërtuar një sistem i mirë i kurrikulës, dhe se secili sektor ka identifikuar objektivat dhe sfidat e reformave në arsimin e lartë.

“Kemi shënuar të arritura, kemi bërë një tranzicion të suksesshëm, kemi ndërtuar një sistem të mirë të kurrikulit, kemi filluar projektin e përshtatjes së sistemit arsimor me nevojat e tregut, jemi në fillim të reformave në arsimin e lartë dhe tani secili sektor i ka të identifikuara objektivat dhe sfidat”, është shprehur Bajrami.

Ai më tutje foli edhe për procesin e digjitalizmit të shkollave dhe universiteteve, gjithëpërfshirjen në të gjitha nivelet e arsimit dhe mbështetjen e vazhdueshme të donatorëve në procesin e reformimit të sistemit arsimor.

Në punëtori morën pjesë edhe zyrtarë të MAShT, drejtorive komunale të arsimit, donatorë të sektorit të arsimit, pjesëtarë nga shoqëria civile, etj.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...