Për zhvillimin e vendit, Mustafa do shfrytëzimin edhe të “fondeve jashtë përdorimit”

9 Korrik 2015 - 12:03      

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin iniciues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2021, ku ishin të pranishëm anëtarët e grupeve punuese nga të gjitha ministritë që do të punojnë në hartimin e strategjisë.

Në kuadër të takimit, nga ana e zyrës për planifikim strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, u prezantua edhe procesi dhe koncepti i strategjisë kombëtare për zhvillim dhe shtyllat në të cilat do të bazohet kjo strategji. Gjatë takimit, grupet punuese u informuan për aspektet teknike dhe koordinuese që do të përcillen gjatë procesit të hartimit të strategjisë, njofton kumtesa nga Kryeministria.

Në këtë takim kryeministri Mustafa ndër të tjera tha:

Rritja ekonomike në periudhën e ardhshme do të synohet të arrihet nëpërmjet të renditjes së qartë dhe objektive të prioriteteve, apo thënë ndryshe të prioritetit të prioriteteve, përqendrimit në projekte dhe investime strategjike, rritjes së pjesëmarrjes në tregjet e jashtme, zhbllokimit të potencialeve dhe aseteve materiale e financiare deri tani të pashfrytëzuara, siç janë pasuritë minerare, energjetike, pronat tokësore dhe fondet financiare që momentalisht ndodhen jashtë përdorimit dhe jashtë shfrytëzimit ekonomik.

Së bashku me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim do të adoptojmë edhe kornizën legale e cila do të mundësojë tërheqje të investimeve të huaja dhe do ta bëjë vendin tonë konkurrent në ofertën për tërheqje të këtyre investimeve.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim përfaqëson një qasje gjithëpërfshirëse në kontekstin e adresimit të sfidave më kritike të zhvillimit të Republikës së Kosovës. Kjo strategji përndryshe do të jetë një dokument planifikues që do të përmbajë një pako të prioriteteve gjatë pesë viteve të ardhshme, do të thotë nga viti 2016 deri në vitin 2021.

Duhet të them se Kosova ka pasur rritje të zhvillimit përgjatë dekadës së fundit. Kjo na shtyn që strategjia e ardhshme të jetë e orientuar për një rritje të qëndrueshme, një rritje propulsive, apo diversitet i cili siguron prodhim vendor, konkurrencë dhe përmirësim të bilancit tregtar.

Duhet ta kemi parasysh se procesi i hartimit të Strategjisë nuk duhet të shihet si një dokument statik, i pandryshueshëm, i palëvizshëm, por si një platformë dinamike e të konsultuarit dhe dakorduarit me të gjithë akterët kryesor, si Qeveria në tërësi, Kuvendi, shoqëria civile dhe sektori privat, sektori bankar dhe partnerët e brendshëm dhe të jashtëm zhvillimor.

Unë mund t’iu them sot se së bashku me ekipin tim personalisht do të angazhohem dhe do të përkushtohemi, së pari në mbarëvajtjen e procesit të hartimit dhe më pastaj edhe në implementimin e të gjitha objektivave tona të cilat do t’i përcaktoj Strategjia Kombëtare për Zhvillim.

© KOHA

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...