Foto: KOHA

Qeveria miratoi vendimin për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim

3 Qershor 2015 - 15:00      

Prishtinë, 3 qershor - Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e radhës, ku ka miratuar vendime, dokumente dhe politika të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Sipas njoftimit për medie, vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme ka qenë për përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim. Sipas vendimit, kryeministri do të udhëheq procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit. Strategjia përbëhet prej masave specifike dhe relevante me treguesit e nivelit të lartë të përzgjedhur për matjen e progresit drejt arritjes së qëllimit. Strategjia mbulon periudhën gjashtëvjeçare dhe mund t’i nënshtrohet ndryshimeve në kuadër të vlerësimeve dyvjeçare. Zyra për Planifikim Strategjik, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit do të propozojë një kalendar të detajuar lidhur me këtë proces, duke përfshirë edhe konsultimin me grupet e interesit. Do të krijohen grupe punuese ndërinstitucionale për të shqyrtuar propozimet dhe për të bërë ndryshime dhe ofruar alternativa.

Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar se ky dokument është një nga dokumentet e parapara me Programin Qeverisës dhe është angazhuar për përfundimin e tij në afatin e zotuar.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për faljen e borxheve publike.

Qëllimi kryesor i Strategjisë për përmirësimin e Planifikimit dhe Koordinimit të Politikave, që është aprovuar sot nga kabineti qeveritar, është evitimi i fragmentarizmit dhe dyfishimit të proceseve qendrore të planifikimit të politikave dhe financave. Fokusi kryesor është në dy kornizat qendrore: - Korniza e Planifikimit Strategjik, dhe Korniza e planifikimit buxhetor.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar nisma e Ministrisë së Financave për arritjen e marrëveshjes ndërkombëtare për negocimin e kredisë me institucionet ndërkombëtare financiare për rehabilitimin e hekurudhave ne Kosovë.

Edhe nisma e Ministrisë së Financave për marrëveshje ndërkombëtare për Masat e Efiçencës në Energji për nivelin komunal, ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet përfundimtare të shpronësimeve për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit për pronat që preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, Rrugës nacionale Prishtinë-Pejë dhe rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.

Është aprovuar kërkesa e Këshillit Organizativ për rivarrimin e eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini për ndarjen e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve të këtij aktiviteti. Shuma e ndarë për këtë qëllim është në vlerë prej 50 mijë euro.

Qeveria, gjithashtu ka ndarë 25 mijë euro, për ri funksionalizimin e pompave për furnizim me ujin e pijshëm për disa fshatra të Komunës së Zveçanit dhe 10 mijë euro i ndahen organizatës joqeveritare ‘Ballkan Sunflowers’ për zgjerimin e hapësirave për mësim të fëmijëve të komunitetit rom.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe vendimi për emërimin e Bajram Bujupit në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Kosovës, me mandat pesë vjeçar.

Me propozimin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, është aprovuar vendimi për themelimin komisionit disiplinor për shqyrtimin e përgjegjësisë së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka informuar kabinetin qeveritar me përgatitjet që janë bërë për zhvillimin e testit të maturës në Kosovë, më 6 qershor.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, ka informuar kabinetin qeveritar për takimin e parë të Grupit Ndërministror për Kthim, që do të zhvillohet sot.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...