Kosova shpenzon më shumë sesa që ka kapacitet

20 Maj 2015 - 18:12      

Kosova, që vitin e kaluar e ka përmbyllur me një rritje ekonomike prej rreth 3.3 për qind, është në mesin e shteteve me papunësinë dhe varfërinë më të madhe në Evropë.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se ky dikaster perceptohet si një institucion shumë i ngurtë që kryen disa funksione teknike që kanë të bëjnë me buxhetin, kontabilitetin, por jo shumë edhe në kuptimin e aspekteve zhvillimore të politikave publike.

Sipas Krasniqit, Qeveria e re ka hartuar për herë të parë programin për reformat ekonomike.

“Qeveria e re, normalisht ka hartuar programin qeveritar, për katër vitet e ardhshme. Një program i cili është kornizë për orientimet katërvjeçare. Po ju njoftoj që mbi bazën e këtij programi është hartuar edhe program kombëtar për herë të parë në Kosovë për reformat ekonomike”, tha Krasniqi.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër dhe me papunësinë më të madhe në Evropë.

“Nëse i shohim statistikat kryesore për popullatën, 50% më të rinj se 25 vjet, 70% më të rinj se 35 vjet, me një treg të punës të cilit i shtohen diku 25 mijë njerëz për çdo vit, atëherë si mund të ndodhë që ne jemi sot vendi me papunësinë më të madhe në Evropë. Edhe me varfërinë gati se në vendin e parë në Evropë, ku ‘shtyhemi’ me Moldavinë”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se si shtet po shpenzojmë më shumë sesa që kemi kapacitet.

Ahmeti me këtë rast kërkoi që Qeveria të ndajë më shumë buxhet për sektorin e bujqësisë, pasi që është ndër sektorët e paktë në vend që mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik.

Deputeti i Partisë Denmokratike të Kosovës, Besim Beqaj, ndërkaq, u shpreh se Kosova ka 60 mijë ndërmarrje taksapaguese.

“60 mijë ndërmarrje janë taksapagues në Kosovë, janë diku rreth 8 të punësuar për një ndërmarrje, që i bie do të thotë janë diku 500 mijë njerëz të punësuar, por një pjesë e madhe e tyre janë në tregun joformal… po të ishte papunësia 45% nuk do të mund të dilnim në rrugë. Papunësia në Kosovë, konform edhe ekonomisë joformale të cilën e kemi ndërmarrë vitin e kaluar në sistemet e Bashkimit Evropian, ka dalë 31%, nëse e konsiderojmë që janë edhe mjetet e diasporës, dërgesat të cilat na vijnë, nëse i konsiderojmë ato që janë mjete të cilat janë të pafutura në sistem , sepse janë dërgesa private”, tha Beqaj.

Ndërsa Agim Shahini, drejtor i Agjencionit Kosovar të Bizneseve, kundërshtoi të pranishmit, duke thënë se hulumtimet tregojnë që Kosova nuk qëndron aspak mirë në trendin e ndërmarrësisë.

“Sipas Aleancës Kosovare të Biznesit dhe hulumtimeve që ne vazhdimisht i publikojmë, tregon se trendi i ndërmarrësisë në Kosovë nuk është i mirë. Dhe këtu tregon fakti se çfarë rritje ekonomike kemi. Rritja ekonomike është e pamjaftueshme dhe sipas hulumtimit që ne e kemi bërë në vitin e kaluar ka pasur rritje të punësimit vetëm 2.78%. dhe këtë e vërteton edhe enti statistikor i Kosovës, prandaj nuk duhet të kënaqemi që kemi një qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare”, tha Shahini, përcjell Kosovapress.

Ai po ashtu përmendi se nëse rritja ekonomike do të ishte e kënaqshme, nuk do të kishim mbi 100 mijë qytetarë të ikur nga Kosova.

Ky debat ishte pjesë e një tryeze të organizuar nga kolegji universitar AAB.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...