Delawie: Dialogu duhet të vazhdojë

16 Shkurt 2017 - 20:11      

Dialogu duhet të vazhdojë. Përmes tij, sipas ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, janë arritur shumë marrëveshje që i gëzojnë sot të dyja palët.

Ai në Rubikon të KTV theksoi se marrëveshjet e arritura janë dëshmi konkrete të përparimit të dialogut.

“Sa i përket dialogut: mendoj se është shumë me rëndësi që të vazhdojë. Ka pasur arritje të njëmendta nga dialogu: integrimi i policisë në veri, mbledhja e të hyrave doganore në kufirin Kosovë-Serbi, kodi telefonik që u demonstrua, më duket, para dy javëve, shpresoj ta shoh hapjen e urës së Mitrovicës pas nja një muaji e ca”, ka thënë Delawie. “Mendoj se këto të gjitha janë dëshmi konkrete të përparimit nga dialogu dhe dëshiroj ta bëj një analogji. Nëse jetoni në një shtëpi në një lagje dhe nuk shkoni shumë mirë me fqinjin tuaj, natyrisht që mund të shpërnguleni në ndonjë shtëpi tjetër. Shtetet nuk mund ta bëjnë këtë. Është shumë me rëndësi që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë të punojnë drejt përmirësimit të marrëdhënieve të tyre, drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Kjo i mbështet të dy vendet dhe ambiciet e tyre për t’u integruar më thellësisht në institucionet evropiane dhe i mbështet përpjekjet e të dy vendeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre”.

Delawie shprehet optimist mbi ndërtimin e urës. Sipas tij, duhet të vazhdohet me kompromis në të gjitha proceset e tjera, njëjtë siç thotë ai, u veprua me murin.

“Ura po bëhet gati për t’u hapur dhe mendoj se ajo zonë do të jetë ndër më të bukurat në Kosovë. Mendoj se kjo u zgjidh shumë mirë. Pati shumë punë për të gjithë, e kuptoj këtë... Kompromiset ishin të rëndësishme, por mendoj se në fund përfundoi në mënyrë pozitive. Duhet të vazhdojmë ta zbatojmë të njëjtën energji dhe të njëjtin optimizëm për çdo gjë të lidhur me dialogun ndërmjet dy vendeve”, ka thënë ai.

Ambasadori Delawie nuk dha ndonjë afat se kur mund të hapet ura përveç faktit se BE-ja po vazhdon të punoj në këtë projekt.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...